Nga Asllan Muharremi
Në prag të largimit nga Kosova
Të nesërmen sapo ra terri në tokë, dola nga shtëpia e Sheremetit dhe shkova në drejtim të urës mbi lumin Silnicë, që ishte pranë fshatit Plemetin dhe që lidhte disa fshatra rrëzë Qyqavicës me Obiliqin, Fushë Kosovën dhe Prishtinën. Nuk vonoi shumë dhe aty erdhën Ferkiu dhe Mirvetja. Mirvetja kishte ardhur vetëm për t’u përshëndetur. Pas një qëndrimi të shkurtër u përshëndeta me Mirëvetën. Ferkiu do ta shoqëronte Mirvetën deri diku afër shtëpisë së saj në Beçuk dhe do kthehej përsëri.
Edhe unë u ktheva përsëri në shtëpi të Sheremetit, për t’u përshëndetur me familjen dhe për t’i marrë rrobat, që kisha, me vete.
Sikur dhembjet e mia të mos njihnin fund, po vinte koha të largohesha edhe nga shtëpia e Sheremetit që ishte gjithashtu një çast tjetër i rëndë, që kisha para vete. Më duhej të largohesha nga një familje e mrekullueshme, e cila më kishte pranuar në gjirin e saj në momentet më të vështira. Sheremeti dhe Elhamja më përcollën deri tek dera e oborrit e nuk i mbajtën lotët, ndërsa unë vazhdoja të “mbahesha burrë” dhe të mos nxjerrë lot nga sytë. U përqafuam me mall dhe u ndamë. Ika me vrap tek vendi ku do të takohesha me Ferkiun.
Ferkiu më njoftoi se pak para mëngjesit do të vinin Burim Zagragja dhe Behxhet Ahmeti. Diku pak para lindjes së diellit do të niseshim për Shkup.
Me Ferkin biseduam për shumë gjëra nga pak. Ferkiut dhe Xhemës u ngelnin të gjithë punët e mia. Atyre tani e tutje u ngelej barra ta vazhdonin veprimtarinë e luftës sonë nacionalçlirimtare dhe të mbajtjes së kontakteve edhe me shokët e mi. Unë kisha besim të paluhatshëm në ta dhe përkushtimin e tyre. E dija se gjithçka do të shkonte mirë edhe pa mua, se Xhema e Ferkiu do ta çojnë luftën tonë drejtë fitoreve të reja!
***
Ende ishte natë, unë dhe Ferkiu ishim duke qëndruar në afërsi të urës së Plemetinit. Ferkiu më paralajmëroi se tani nuk do të vononin dhe do të vinin Burim Zagragja dhe Behxhet Ahmeti. Ashtu edhe doli. Nga aty ku ishim i pamë dritat e makinës që po lëvizte në drejtim të urës. Më befasuan për njohurit e mira të gjeografisë së Kosovës, sepse Behxhet Ahmeti ishte me prejardhje nga fshati Bervenik, malësia e Gollakut, ndërsa Burim Zagragja nga Prishtina!
Pas një bisede të shkurtër jemi përshëndetur me Burim Zagragjen, i cili u kthye në Prishtinë.
Diku pas një gjysmë ore e kaluam urën e Plemetinit dhe u nisëm në drejtim të Prishtinës. Kaluam nëpër Prishtinë dhe pas gati dy orë udhëtimi arritëm pa asnjë problem në Stacionin e Autobusëve në Shkup. Ora ishte rreth tetë e mëngjesit. Behxhet Ahmeti shkoi brenda në Stacionin e Autobusëve për të pyetur për orarin e nisjes së autobusit për Stamboll dhe për ta blerë biletën. Qëndruam edhe pak kohë së bashku dhe Behxhet Ahmeti ma dorëzoi pasaportën dhe biletën.
Shokët nuk kishin se çka të prisnim më shumë. Autobusi do të nisej pas disa orësh. Ç’do qëndrim i tyre i mëtejshëm aty ishte me rrezik të madh për ta dhe për mua.
U pajtuam që të përshëndetemi dhe ndaheshim nga njëri-tjetri.
Për mua erdhi edhe një çast tjetër i vështirë i ndarjes edhe nga dy shokë. U përqafuam shumë e shumë dhe i thamë mirupafshim njëri-tjetrit. Ata u futën në makinë dhe u kthyen për Prishtinë. I përcolla me sy derisa makina humbi në rrugë në mesin e makinave tjera. Nuk e di se si i mbajta lotët kur u ndava nga Ferki Morina dhe Behxhet Ahmeti?! Nuk kanë thënë kot se “njeriu është më i fortë se guri,- më shkoj mendja tek fjala e urtë e popullit.” Isha shumë afër të “koritesha”, por qëndrova. E merrja me mend se si e kanë përjetuar edhe ata ndarjen me mua, prandaj, mendova, se bëra mirë që edhe njëherë e bëra zemrën guri!
Disa orë në Shkup
Në Stacionin e Autobusëve në Shkup ngela i vetëm. Njerëz të panjohur vinin dhe iknin në drejtime të ndryshme.
Me qëllim të mos rënies në sy e braktisa Stacionin e Autobusëve dhe kalova në një lagje që quhej Çarshia e Vjetër e Shkupit. Në këmbë eca gjer tek tregu i pemëve dhe perimeve dhe u ktheva përsëri në Stacionin e Autobusëve.
Meqë kisha kohë edhe disa orë vendosa ta kaloj urën e lumit Vardar. Pjesa e qytetit përtej Vardarit dukej shumë e ndërtuar. Ndërtesa të larta dhe të bukura. Edhe rrugët ishin të gjëra dhe të shtruara në asfalt.
Pas një ore shëtitje nëpër pjesën maqedonase të Shkupit u ktheva përsëri në Stacionin e Autobusëve.
Dy pjesët e qytetit të Shkupit ishin si dy botë të ndryshme. Pjesa maqedonase ishte e ndërtuar dhe bashkëkohore, ndërsa ajo shqiptare, që ishte edhe pjesa e vjetër e qytetit, e pazhvilluar dhe me ndërtesa qindravjeçare!
E kisha dëgjuar këtë edhe më parë nga studentët shqiptarë nga Maqedonia, që studionin në Universitetin e Prishtinës, por nuk kisha besuar se dallimet ishin aq të mëdha. Sllavo-maqedonasit e kishin ndarë qytetin e Shkupit, ashtu siç e kishin ndarë edhe vet Maqedoninë! Besimet e ndryshme fetare nga pasardhësit e maqedonasve antik, kishin krijuar dy popuj: maqedonas, të besimit ortodoksë, dhe shqiptar, të besimit mysliman e katolik. Për mua të gjithë këta ishin pasardhës të maqedonasve të lavdishëm, që botës i dhanë Aleksandrin e Madh, të birin e Filipit maqedonas dhe Olymbisë thesprotase.
Pak pas mesit të ditës erdhi autobusi dhe unë zura një vend në të.
Kisha përshtypjen se të gjithë pasagjerët ishin shqiptarë. Edhe udhëtari që u ulë pranë meje ishte shqiptar. Të gjithë flisnin shqip, madje edhe shoferi dhe shoqëruesi i tij. E folura shqip ma ngacmoi idenë se vetëm Babiç Janko25, nga Mala Glavica e Prijedorit ishte “serb” nga Boshnjakia!
Autobusi doli në autostradë dhe po ikte me shpejtësi drejtë Stambollit. Unë e futja dorën në xhepin e brendshëm të setrës dhe nxirrja pasaportën e ia lëshoja sytë Babiç Jankos. “Çuditërisht” më dukej identik me vetën time! Edhe flokët i kishte të ngjashme me flokët e mia: të egra si thera të iriqit, ashtu siç i kisha unë. Po ato mustaqe që i mbaja unë, të rralla dhe aspak të ngjashme me ato të malësorëve! “Ah çfarë burri që je ti që m’i ke lëshuar këto mustaqe, si bisht miu, dhe që s’ke pasur guxim t’i tregosh këto mustaqe në kuvende burrash,”- e ngacmoja Babiç Jankon?
Autobusi ikte me shpejtësi drejt Stambollit. Nuk vonoi dhe e kaluam Kumanovën.
Papritur një dridhmë, frika dhe ankthi më kaploj. E nxirrja pasaportën e Babiç Jankos nga xhepi, i lëshoja një “përshëndetje” dhe pastaj e futja përsëri në xhep. Çdo herë që nxirrja pasaportën nga xhepi, e testoja vetën time se a i mbaja në mend ditëlindjen dhe vendlindjen e Babiç Jankos! Vetën time e pyetja: po më pyeti kufitari se nga isha dhe cilën ditëlindje kisha, si do t’i përgjigjesha? E nxirrja përsëri pasaportën e Babiç Jakos, e shikoja një kohë dhe fusja përsëri në xhepin e brendshëm të setrës. Pas pak e kuptoja se ia harroja ditëlindjen dhe vendlindjen, Babiç Jankos!
Autobusi vazhdonte rrugën drejtë kufirit dhe mua më sillej nëpër kokë një mendim i keq: se mos ata që e kanë shitur pasaportën janë bashkëpunëtorë të UDB-ës dhe policia është duke më pritur në kufi? Nganjëherë më shkonte mendja të zbrisja nga autobusi në rastin e parë, sapo autobusi do të ndalej për pushim. Në anën tjetër, mendja më shkonte tek shokët dhe isha i sigurt se nga ata nuk ka mundësi të më ketë tradhtuar ndokush. Kisha besim të plotë në Ferkiun, Behxhetin dhe Burimin. Vetëm këta tre shokë e dinin se kush qëndronte prapa Babiç Jankos. Unë besoja se edhe shokët nga Turqia, që ku ta dija se sa para do të duhej t’i kenë paguar për këtë pasaportë, duhet t’i kenë njohur falsifikatorët? Fundi i fundit unë ju besoja Xhafës, Sheremetit, që na kishte vënë në lidhje me Sabri Novosellën, të cilit gjithashtu i besoja, sepse ishte edhe vëlla i Selatin Novosellës, për të cilin unë dhe shokët kishim respekt të madh.
Duke fluturuar në mendime, herë andaj e herë këndej, arritëm në vendkalimin kufitar të Dimitriogradit. Autobusi u ndal. Shikova nga dritarja dhe pashë tabelat që tregonin se kishim ardhur në kufi. Aty shkruante Carina. Isha i mbushur me ankth, por në anën tjetër përpiqesha ta bëja vetën të fortë. Nuk vonoi dhe në autobus hyri një polic i cili na i kërkoi pasaportat. Polici erdhi tek unë dhe unë ia dhashë pasaportën, që e mbaja në dorë. E hapi pasaportën, m’i lëshoi sytë, pastaj e ktheu shikimin përsëri kah Babiç Janko. Si duket i dolëm si “binjak” më pyeti:.
‒ Ku shkoni?
‒ Në Stamboll. Do ta vizitoj të vëllain tim që është duke studiuar atje, ‒u përgjigja në serbisht.
‒Sa para ke me vete?‒më pyeti polici.
Unë nxora nga xhepi një grumbull njëmijë dinarësh dhe dyzet markat që m’i kishte dhënë Bahtir Haradinaj.
Polici vazhdoi t’i kontrollonte pasaportat e të gjithë udhëtarëve. Pasi arriti në fund të autobusit u kthye dhe doli nga autobusi.
Nuk vonoi shumë dhe në autobus hyri një tjetër polic i cili bisedoi me shoferin e autobusit dhe ky i fundit e dërgoi ndihmës shoferin e tij t’i grumbullonte të gjithë pasaportat e udhëtarëve. Pastaj, polici i mori të gjithë pasaportat dhe i vendosi në një tavolinë para zyrës së vendkalimit.
Unë e shikoja me bisht të syrit dhe po përpiqesha ta liroja vetën nga ankthi që kisha. Mendja më shkonte se mos po vije polici dhe po më thërret: Babiç Janko! Pas pak, një polic trashullak nisi ti vulos pasaportat, një nga një. Unë e shihja se ai i hapte dhe vuloste pasaportat pa i shikuar as emrat dhe as fotografitë e tyre. Diku pas dhjetë-pesëmbëdhjetë minutash vije polici trashullak në autobus dhe na i kthen pasaportat.
‒ Babiç Janko!
Unë ngrita dorën dhe ju përgjigja: Ja!
Polici ma lëshoi pasaportën në dorë. Unë e futa menjëherë pasaportën në xhep.
Nuk mori shumë kohë dhe autobusi nisi të gumëzhin dhe u nis drejt Bullgarisë. Oh çfarë lehtësie, ‒thashë vetë me vete!
Autobusi e kaloi zonën neutrale dhe po ikte drejt tokës bullgare. Pas pak autobusi u ndal dhe në autobus hynë brenda dy policë bullgarë. Ishte mbrëmje dhe dielli ende nuk kishte perënduar. Edhe policët bullgarë na i kërkuan të gjithëve pasaportat një nga një. Polici që mori pasaportën time ishte i shtyrë në moshë dhe mbante syze mjaftë të trasha. E shikonte pasaportën time dhe më shikonte mua. Nga xhepi nxori një llupë dhe vazhdoi ta shikonte pasaportën time. Nuk vonoi shumë dhe ma ktheu pasaportën të cilën unë e futa menjëherë në xhep. Pas një gjysmë ore autobusi nis sërish drejt Stambollit.
Rrugës, bashkudhëtari që më ishte ulur në krahun e djathtë më pyeti, në serbisht:
‒ Për ku je nisur?
Unë ia ktheva përgjigjen:
‒ Turqi.
Pasagjeri u befasua dhe më pyeti:
‒ Flisni shqip?
‒ Po, flas. Jam shqiptar.
‒ Po, unë dëgjova se mbaje një emër serbi apo kroati,‒ ma ktheu i habitur bashkudhëtari im!
‒ Emri im i vërtet është Gjon Babi.26 Në Boshnjaki ma kanë deformuar emrin dhe mbiemrin, ‒iu përgjigja.
‒ E flisni bukur shqipen! ‒ ma ktheu edhe njëherë i habitur bashkudhëtari dhe bashkëkombësi im.
‒ Të faleminderit, por unë duhet ta flas shqipen, sepse jam shqiptar. Edhe prindërit e mi janë shqiptarë, ashtu si edhe gjyshërit, gjithashtu, i kam pasur shqiptarë ‒ ju përgjigja edhe njëherë!
‒ Po, ty nga të kemi, o mik? ‒ e pyeta.
‒Jam nga Shkupi.
‒Për ku je nisur? ‒ e pyeta.
‒ Do ta vizitoi hallën time në Stamboll. Ajo është plakë dhe ka shumë vite që është shpërngulur në Turqi. Dua ta gëzoi për Festën e Bajramit,‒ ma ktheu bashkatdhetari im.
‒ Me fat Bajrami! ‒e urova.
‒Të faleminderit shumë! ‒ u përgjigj shkupjani.
Pas disa orë udhetimi, e kaluam kufirin bullgar dhe u futëm në territorin e Turqisë.
Në mëngjesin e ditës së nesërme u futëm në qytetin më të madh që kisha vizituar ndonjëherë. Qyteti dukej shumë i madh edhe nga largësia.
Kisha një ndjenjë gëzimi që po arrija në Stamboll. Qyteti, që për disa shekuj kishte mbajtur emrin Konstantinopoj, për nder të themeluesit të tij, dardanit nga Nishi – Konstatinit të Madh. Stambolli, ishte qyteti ku kishte jetuar e vepruar edhe Gjergj Kastrioti dhe shumë shqiptarë të tjerë të lavdishëm. Duhet të jetë një qytet interesant për ta vizituar, i thashë vetës sime. Mendja më shkoj gjithashtu se nga Stambolli janë nisur sulltanë dhe ushtri të njëpasnjëshme për t’i nënshtruar shqiptarët të udhëhequr nga Gjergj Kastrioti dhe ata që erdhën pas tij, e që u përpoqën ta çlirimin Shqipërisë nga zgjedha otomane. Ndoshta nga ky qytet ka ardhur urdhri edhe për rrethimin, rrafshimin e kullës së Beh Mihaliqit, ashtu siç mund të ketë ardhur edhe vendimi për ekzekutimin e Shaban Kapuçit, shokut dhe bashkëluftëtarit të Isa Boletinit e Hasan Prishtinës, e pyetja vetën?
E mbaja mend se diku para dhjetë viteve e kishte vizituar Stambollin edhe im atë së bashku me kushërinjtë Sadik Sadiku dhe Imer Sadiku. Ata patën vajtur në Stamboll për ta takuar bacën Selim, që kishte ardhur nga Australia për t’u takuar me nipat e tij! Baca Selim ishte i mbijetuari i masakrës së Tivarit dhe nuk guxonte ta vizitonte Kosovën.
Autobusi ikte në drejtim të Stambollit, ndërsa unë mendjen e kisha tek shokët dhe njerëzit e mi të dashur në Kosovë. Isha shumë i lumtur dhe shumë krenar për të gjithë ata shokë dhe njerëz të dashur, falë ndihmës së të cilëve unë e munda UDB-ën në një përballje të pabarabartë, por shumë të ashpër. Isha krenar sepse gjatë gjithë kohës sa ndodhesha në ilegalitet, ndonëse kam pasur kontakt me të gjithë shokët dhe shumë miq e dashamirë, doli se asnjëri nuk ishte me pushtetin jugosllav; se burra të besës ishin edhe ata që e falsifikuan pasaportën time. Fakti se asnjë spiun nuk ka pasur në radhët e organizatës sime dhe në radhët njerëzve që i kam takuar, më mahniste, më trimëronte dhe ma bënte zemrën mal. Nuk duhet harruar se shokët dhe njerëzit që kam takuar, që nga momenti kur jam larguar nga shtëpia dhe që kanë ditur se po më kërkonte policia nuk ishin sa gishtat e një dore, por disa dhjetëra. Të mbaje kontakt me dhjetëra persona dhe asnjëri prej tyre të mos lakmonte për dhuratën e majme që do të mund ta fitonte, ishte diçka madhështore, diçka që mund të ndodh vetëm tek ai popull që ka vendosur t’i thyej prangat e robërisë. Kjo më jepte forcë dhe dhembjet e mia për largimin nga Kosova ime e shtrenjtë, i bënte më të lehta.
***
Arritja në Stacionin e Autobusëve në Stamboll m’i ndërpreu mendimet që më silleshin nëpër kokë. Autobusi u ndal. Zbritëm të gjithë nga autobusi. Udhëtarët ikën në drejtime të ndryshme. Unë ngela i vetëm në Stacion.
U futa brenda në Stacionin e Autobusëve dhe po e kërkoja orarin e autobusëve për Adapazar. U drejtova drejtë sportelit dhe punonjësi me tha diçka në turqisht dhe e drejtoi dorën në një drejtim që mua ma mori mendja se ishte vendi ku duhej t’i këmbeja paratë. E kuptova se nuk mund ta blija biletën me para të huaj…
Pas pak u vura në kërkim të një zyre apo banke ku do të mund t’i këmbeja paratë që i kisha për ta blerë biletën e autobusit për Adapazar. Dyqanet ishin të mbyllura. U futa në një Agjenci të Udhëtimeve që ishte e hapur dhe po përpiqesha ta pyes se a kishte mundësi t’i këmbeja paratë që po i mbaja në dorë. Këmbyesi, duke e parë se unë nuk dija as anglisht, as gjermanisht dhe as turqisht më foli shqip.
‒ A jeni shqiptar, ‒ më pyeti?
‒ Po, shqiptar jam,‒ ia ktheva. A keni mundësi të më ndihmoni dhe të m’i këmbeni këto marka gjermane apo dinarë në lira turke?
‒ Dinarët nuk i këmbejmë. Ndërsa markat gjermane, i këmbejmë, por t’i duhet t’i kesh së paku njëqind marka gjermane dhe jo vetëm dyzet marka. Këto janë shumë pak dhe ne nuk i këmbejmë nën njëqind marka, – ma ktheu agjenti i udhëtimeve turistike, ku ta dija se çka ishte?!
Dola nga zyra. Thashë mos po gjej ndonjë agjenci tjetër, aty afër. U solla përreth dhe nuk gjeta asnjë agjenci tjetër. Pas pak u ktheva përsëri tek agjencia e parë dhe mendova t’i bëja edhe një lutje të m’i këmbente të dyzet markat që kisha dhe që m’i kishte dhënë Bahtir Haradinaj. Pas shumë lutjeve këmbyesi u dorëzua dhe mi këmbeu të dyzet markat. E falënderova shumë dhe ika tek Stacioni i Autobusëve, ku edhe e preva biletën dhe pas pak e mora autobusin për Adapazar.
Rrugës drejt Adapazarit, në karrigen pranë meje u ul edhe një udhëtar. Bëmë një çikë rrugë dhe bashkudhëtari im, që ishte ulur pranë meje, me tha diçka në turqisht. Unë mblodha krahët dhe po ia kthej në shqip:
‒ Jam shqiptar.
Nuk më dha përgjigje bashkudhëtari im. Pas pak më ra ndërmend se si thuhej në turqisht jam shqiptar dhe i drejtohem:
‒Benum arnaut…27
Bashkudhëtari lëshoi një seri fjalësh në turqisht dhe unë po e tundja kokën që t’i tregoja se nuk po e kuptoja asnjë fjalë. Ai ma ktheu:
‒ Benum arnaut, tetovali…
‒Aha ‒ ia ktheva ‒ je tetovar?!
‒Evet. Evet…tetovali”28
Zemra mu mbush me pezëm. Sa plagë janë hapur në trupin e kombi tim gjatë historisë?! Sa shqiptarë janë tretur në turq, grekë, serbë, bullgarë, malazias e popuj të tjerë, vazhdoja ta pyesja vetën?
(VIJON)
© Pashtriku.org
_______________________________
RRUGËTIMI IM NË RADHËT E LNÇKVSHJ-së (30)
Nga Asllan Muharremi