PROF.DR. SABILE KEҪMEZI – BASHA: NJË LIBËR QË DËSHMON PËR NJË VEPRIMTARI TË MADHE ATDHETARE

Prishtinë, 14. 10. 2015: (RAFI HALILI DHE ORGANIZATA ‘KUSHTRIMI I LIRISË’ (dokumente arkivore), botoi Instituti i Historisë “Ali Hadri” Prishtinë, Tetovë 2015, f. 408) – Sot, jam e nderuar, dhe shpreh kënaqësinë time të veçantë, që ndodhem këtu, për të promovuar së bashku me Ju, monografinë “RAFI HALILI DHE ORGANIZATA “KUSHTRIMI I LIRISË”. Promovimi i Librit, këtu, në ambientet e Teatrit të Tetovës, ka edhe rëndësinë e vet, sepse Tetova trime ndër vite, e sidomos gjatë viteve 1968, 1981, 1989 e mos të flasim për vitet e fundit, ka qenë vatër e nacionalizmës shqiptare duke nxjerr nga gjiri i saj atdhetarët, patriotët dhe trimat më të devotshëm të popullit shqiptarë.
Libri “RAFI HALILI DHE ORGANIZATA “KUSHTRIMI I LIRISË” botim i Institutit të Historisë “Ali Hadri”, në Prishtinë dhe përgatitur nën mbikëqyrjen e Dr. Qerim Litës, zëvendësdrejtor në Arkivin Qendror të Maqedonisë. Doktor Lita përndryshe, njihet si mik i kahershëm i studiuesve të Kosovë në veçanti e i shqiptarëve në përgjithësi. Andaj, duhet falënderuar atë, bashkë me grupin, të cilët hulumtuan, grumbulluan dhe sistemuan mbi 199 dokumente arkivore lidhur me organizatën patriotike ilegale “Kushtrimi i Lirisë” dhe patriotin e madh-Rafi Halilin me shokë. Libri që po e promovojmë sot “RAFI HALILI DHE ORGANIZATA “KUSHTRIMI I LIRISË” është edhe një e arritur e madhe në ndriçimin e lëvizjeve patriotike atdhetare si në Kosovë po ashtu edhe në Maqedoni. Gjithashtu, është edhe studim për jetën e patriotit të madh Rafi Halilit me shokë për bashkimin e tokave shqiptare me Shqipërinë.

– Prof.dr. Sabile Keçmezi Basha – Tetovë, 12. 10. 2015: Në Universitetin Shtetëror të Tetovës u promovua vepra: “Rafi Halili dhe Organizata Kushtrimi i Lirisë”, e botuar nga Instituti i Historisë “Ali Hadri”, Prishtinë.

Patrioti Rafi Halili bashkë me shokët e idealit, pa asnjë hezitim dhe frikë ia kushtuan dhe ia falen ditët më të mira të jetës, atdheut dhe lirisë së vendit. Deri te këto të dhëna, tani arrihet lehtë, se libri në fjalë na ofron të dhëna të bollshme dhe dokumente që vërtetojnë luftën dhe angazhimin e vazhdueshëm, etapë pas etape të patriotëve siç është Rafi Halili me shokë. Fatkeqësisht, siç ka ndodhur shpesh në historinë tonë kombëtare, personazhet e shumta të lëvizjeve patriotike kishin një fat tragjik, duke kërkuar lirinë e cila u mungonte. Duke u nisur nga këto ngjarje, veprimtaria ilegale-patriotike ishte e kufizuar dhe ai gjakim si i tillë ndrydhte vullnetin e popullit.
Në këto kushte të pakushte, zhvilluan veprimtarinë patriotike, atdhetari Rafi Halili me shokë. Veprimtarinë e bujshme ilegale, sipas dokumenteve, Ai e kishte filluar që nga shkolla e mesme dhe e kishte vazhduar edhe si student, për të mos e ndalur gjerë në ditët e sotme. Dhe, lirshëm mund të thuhet, se mu kjo, ndikoi, që të tërhiqte vëmendjen e pushtetarëve e spiunëve, ndaj përcjelljet e vazhdueshme të njerëzve-hije u bënë një me të. Pushtetarët e ndienin dhe e nuhasnin rrezikun se diçka po përgatitej. E ajo që po përgatitej ishte shumë e madhe… Tetova e Kosova ishin fuçi baroti, që i mungonte vetëm një fije shkrepze për ta ndezur Ballkanin. Andaj ishte krejt e natyrshme, që ata, shtuan represaliet e dhunën ndaj shqiptarëve.

– RAFI HALILI –

Me Vendim të Gjykatës së Qarkut në Shkup me Nr.292/72, iu shqiptohet dënimi me burg të rëndë disavjeçar këtyre atdhetarëve për shkak të veprës penale ,,Bashkim kundër popullit dhe shtetit”, e parashikuar dhe e dënuar sipas Nenit- 117 alineja 1, në lidhje me Nenin 100 të Kodit penal të Jugosllavisë.
1. Rafi Halili dënohet me 7 vjet burg të rëndë,
2. Gafur Loku dënohet me 5 vjet burg të rëndë,
3. Rushit Nesimi dënohet me 5 vjet burg të rëndë
4. Elmaz Ademi dënohet me 4 vjet burg të rëndë,

5. Ajet Ademi dënohet me 2,5 vjet burg të rëndë,
Më vonë dënohet edhe Baki Imeri me 6 vjet burg të rëndë.
Ndërsa, ngjarjet e vitit 1981 ishin vetëm edhe një shkas që sa më shumë shqiptarë të dënoheshin dhe të burgoseshin. Nga shumë aktgjykime dhe shumë dokumente te lexuara në këtë libër, dëshmohet se për organet e pushtetit ishte shumë e rëndësishme të arrestonin dhe të dënonin ata që kishin ndikim në masa dhe që gëzonin respektin e tyre. Veç kësaj, Rafi Halili me punën e vet kaherë kishte tërhequr vëmendjen e opinionit të gjerë se ora e fundit po trokiste për shqiptarët.
MË 5 nëntor 1982 Gjyqi i Qarkut në Shkup, me aktgjykimin nr. 87/ 82, i dënon këta atdhetar sipas Nenit 133 pika 1 e LP të Jugosllavisë, duke iu shqiptuar këto dënime:
1. Vebi Beqiri dënohet me 13 vjet burg të rëndë
2. Remzi Beqiri me 11 vjet burg të rëndë
3. Mahi Kasami me 10 vjet burg të rëndë
4. Ali Kasami me 10 vjet burg të rëndë
5. Shukrije Halili me 7 vjet burg të rëndë
6. Hireme Halili me 7 vjet burg të rëndë
7. Gafur Loku me tre vjet e gjashtë muaj burg të rëndë

Për të njëjtën vepër si anëtar të organizatës ,,Kushtrimi Lirisë,, dënohen edhe:
1. Fatmir Ibrahimi me 14 vjet burg të rëndë
2. Afrim Ibrahimi me 10 vjet burg të rëndë
3. Asllan Reshiti me 10 vjet burg të rëndë
4. Resi Abduramani me 5 vjet burg të rëndë dhe
5. Xhevat Xhemaili me 3 vjet burg të rëndë

Gjithashtu pas dy muajve, me 13.01.1983 Gjykata e Qarkut në Shkup shpall fajtor për vepër penale ,,bashkim për veprimtari armiqësore,, dhe i dënon këta patriot:
1. Rafi Halili me 15 vjet burg të rëndë
2. Bejtulla Ademi me 13 vjet burg të rëndë
3. Xhevat Ademi me 12 vjet burg të rëndë
4. Agim Kasami me 11 vjet burg të rëndë
dhe
5. Naser Beluli me 10 vjet burg të rëndë
Për të njëjtën vepër Gjyqi i Qarkut në Manastir i shpall fajtor dhe i dënon:
1. Shpëtim Pollozhanin me 13 vjet burg të rëndë
2. Shefit Ilazin me 8 vjet burg të rëndë dhe
3. Arif Vincën me 5 vjet burg të rëndë

Një shekull rrugëtimesh bënë shqiptarët e shumtë nëpër burgjet e ish-Jugosllavisë, vetëm e vetëm se gjakonin lirinë. Një fat të tillë e pati edhe Rafi Halili me shokë, i cili, në këtë libër me dokumente na shfaqet e na rishfaqet në një pamje shumëdimensionale: si punëtor, si intelektual, si vizionar, si realist, si atdhetar, si sfidues i ferrit, si njeri i patjetërsueshëm dhe si luftëtar i madh i lirisë, që një ditë jo të largët gjakonte për ta bërë e parë tokat shqiptare në Jugosllavi në gjirin e shtetit amë.
Dhe duhet thënë, se hulumtimi, grumbullimi dhe sistemimi i këtyre dokumenteve nga ana e shokëve të Rafi Halilit, ka për qëllim, që të nderon atdhetarët dhe njëkohësisht, me këtë libër, të nderohet edhe sakrifica e tyre, si një virtyt i lartë njerëzor, që jo rrallë hasej tek shqiptarët në ditët e vështira të robërisë.
Duke lexuar këtë monografi për Rafi Halilin, vizioni i tij në të shumtën e rasteve na del jashtë kornizave të kohës dhe në mënyrë ciklike, vjen, dhe na kujtohen ngjarjet e shumta nga një kohë jo shumë e largët, kur kujtimet janë të freskëta dhe në momente, dhembja e tyre bëhet më e rëndë se e jotja. E pikërisht, mu për këtë dhembje, që përjetuan nga një tirani, siç ishte ajo e okupatorit, ata u detyruan të qëndronin gjatë në burgjet e tyre dhe, pa dashur të imponohet se fati i këtyre atdhetarëve duket sikur vjen thellë nga kohët, por me një ndryshim të vockël, se jeta e tyre ishte binjake me lirinë dhe atdheun.
Rafi Halili, në bazë të zhvillimit të veprimtarisë së tij ilegale, mendoj se,gjatë tërë jetës së vet qëndroi dhe eci i papërkulur dhe për asnjë moment nuk u nënshtrua. Shpirti i tij prej shqiptari dhe prej një atdhetari të devotshëm, mbeti një shpirt që gjakonte lirinë. Një shpirt i një shtegtari që e kërkonte atë me çdo kusht. Edhe tani kur e kemi në dorë këtë libër, lufta e tij na vjen si një ushtimë që na fton për mirëkuptim dhe realizim të ëndrrave të të gjithë atyre që ranë dhe kohën më të mirë e kaluan prapa grilave dhe që qëllim suprem e patën Shqipërinë etnike.
Për vite me radhë, okupuesi u përpoq ta thyente moralisht dhe ta shkatërronte fizikisht Rafi Halilin me shokë. T’iu ngufaste aspiratat, mirëpo nuk ia doli. U munduan t’iu lëndonin shpirtin dhe t’iu vrisnin idealin. Qëllimi ishte ti shkatërronin dhe t’iu meknin e t’iu lodhnin çdo ndjenjë atdhetare, por qe e kot, se ata, qëndruan stoik para furtunave dhe përballë stuhive qe vinin.
Rafi Halili me shokët e idealit, ishin atdhetar që nuk i përkisnin vetëm një vendi apo krahine, dhe në shumë momente, biografit e tyre përzihet me biografitë shpirtërore të një kohe të tërë, që zëri i tyre është pranë të gjithëve. Robëruesit u munduan ta ngufasnin zërin e tyre. Gjakimin e tyre. Donin t’ua ngushtonin rrethin dhe donin t’i asgjësonin, duke i burgosur dhe duke iu shqiptuar dënime shumë të rënda. Udbashët mendonin, se do i thyenin, do ti zhduknin dhe do ti asgjësonin. Por, ata u gabuan, se Rafi Halili me shokë pas daljes nga burgu, thuajse kishin fituar një elan të ri. Ishin më të sforcuar e, edhe më bindës në kërkimin dhe realizimin e aspiratave të popullit shqiptar, dhe këtë e dëshmuan, edhe më tepër me angazhimin e tyre aktiv në jetën e atëhershme politike.
Dhe krejt në fund atdhetarit Rafi Halilit dhe shokëve të tij iu uroi shëndet dhe jetë të gjate në rrugën e aspiratave të tyre.

(Fjalë e mbajtur me rastin e promovimit të librit, në Tetovë, 12 tetor 2015)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura