RRUGËTIMI IM NË RADHËT E LNÇKVSHJ-së (30)

Nga Asllan Muharremi

 Arritja në Adapazar

    Pas një udhëtimi rreth dy orësh, kaluam pranë një liqeni të gjerë e që nuk i dukej fundi. Vazhduam rrugën nëpër një ultësirë që dukej sikur ishte shtrati i dikurshëm i një liqeni akoma ma të madh. Në të dy anët e rrugës, kisha vërejtur se  kishte edhe fusha të mbjella me dru plepi!

     Nuk vonoi shumë dhe autobusi hyri në qytet. Bashkudhëtari me prejardhje nga Tetova e pohoi me kokë se kishim arritur në Adapazar. Në Stacionin e Autobusëve, bashkudhëtarit,  ia tregova adresën që e kisha të shkruar në një letër dhe ai më ndihmoi ta gjeja adresën që po e kërkoja. E falënderova shumë për ndihmën!

    Arrita tek adresa. Para derës së shtëpisë takova disa fëmijë. Njëri prej tyre hyri brenda dhe pas pak doli një burrë i rreth të dyzetave. Nikoqirin e njoftova se kush isha dhe kë po kërkoja. Avdullah Prekadini më dëshiroi mirëseardhje dhe më urdhëroi të futesha brenda!

     Gjersa po pinim kafe dhe po bisedonim, Avdullahu doli nga dhoma e pritjes. Nuk vonoi shumë e ai u kthye përsëri në dhomë dhe më njoftoi se ia kishte përcjell lajmin e ardhjes sime, Sabriut:  “Sabriu, mund të ndodhet për vizitë tek ndonjë mik i tij, për Festën e Bajramit, më tha me një shqipe të bukur, Avdullahu!”

     Nuk vonoi shumë, njëri nga fëmijët, foli diçka turqisht. Avdullahu tha “Erdhi Sabriu!” U ngritëm dhe dolëm nga shtëpia.

     Në shikim të parë, Sabriu më ngjau shumë me të vëllain e tij, Selatinin. Mbante mustaqe dhe ishte veshur me një kostum të bukur.

      Ia zgjata dorën dhe u prezantova se kush isha.

Sabri Novosella më shikoi dhe më tha:

     ‒ Ishim të shqetësuar për ty, Ali! Mirë se erdhe!

      Pas pak minutash u përshëndetëm me Abdullahun dhe familjen e tij, të cilin njëherësh e falënderova nga zemra për mikpritjen!

      Së bashku me Sabriun shkuam në banesën e tij. Në banesë jam njohur me bashkëshorten e Sabriut, Safeten dhe fëmijët: Vlorën, Diturinë dhe Albanin. 

     Dy-tre ditët e para kam pushuar nga udhëtimi i gjatë dhe i mundimshëm.

   Ndjehesha shumë i lumtur dhe krenar që më ishte dhënë mundësia të vija e të takohesha me Sabriun. Shpresoja se do të mësoja shumë nga përvoja e tij dhe se kështu do të mund t’i ndihmoja edhe shokët në Kosovë.

   Sapo mora vetën, nga udhëtimi i gjatë, Sabriun e kam njoftuar për gjendjen e LNÇKVShJ-së në rrethin nga kisha ardhur. Në mënyrë të veçantë e kam njoftuar për çështjen e Vehbi Mujës dhe pasojat që ka pasur burgosja e tij, në radhët Lëvizjes. Sabriun, gjithashtu e kam njoftuar edhe për veprimtarinë e shokëve që ai ka pasur rastin t’i takonte gjatë vizitave të tyre në Turqi, si Sheremet Saraçi, Rexhep Ahmeti dhe Behxhet Ahmeti, por edhe për veprimtarinë e Xhemajl Pllanës dhe Ferki Morinës, për të cilën veprimtari ai ka dëgjuar për herë të parë.

    Gjithashtu, Sabriu më ka informuar për veprimtarinë e LNÇKVShJ-së në Evropë dhe gjetiu, nëpër botë, që nga arratisja e tij dhe Jusuf Gërvallës nga Kosova; për përpjekjet për bashkimin e LNÇKVShJ-së e OMLK-së dhe takimin e mbajtur për këtë qëllim në Stamboll në mes Sabri Novosellës, Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës; për bisedimet që Sabri Novosella dhe Xhafer Durmishi kanë zhvilluar në emër të LNÇKVShJ-së me përfaqësuesit e PKMLShJ-së: Abdullah Prapashtica, Osman Osmani e Faton Topalli; për vazhdimin e veprimtarisë pas vrasjes së Jusuf e Bardhosh Gërvallës  dhe Kadri Zekës si dhe bashkimin e tri organizatave simotra dhe krijimin e “Lëvizjes për Republikën Socialiste Shqiptare në Jugosllavi”. Sabriu më ka njoftuar edhe për ekzistencën e Komitetit të Degës së LNÇKVShJ-së “Hasan Prishtina” në Turqi.

      Në banesën e Sabri Novosellës jam njohur me Ymer Berishën. Edhe Ymeri kishte gati dy vite që ishte larguar nga Kosova dhe qëndronte, pa familjen e tij, nëpër miq e shokë në Turqi. Ymer Berisha ishte  fjalëpakë, por shumë miqësor.  

      Zakonisht unë dhe Ymeri qëndronim në banesë, gjersa Sabriu kthehej nga puna. Në qytet nuk kishim guxim të dilnim, sepse unë isha pa dokumente dhe kishim frikë se po na ndalonte policia turke. Mbaj mend se së bashku me Ymer Berishën dhe të birin e Sabriut, Albanin, që kishte katër-pesë vjet, disa herë kemi shkuar tek një liqen që quhej Sakaria dhe jemi larë dhe rrezitur aty.  Për mua, që nuk kisha dal në diell, që nga vera e shkuar, kjo ishte shumë e dobishme. Duke dal në diell unë po e mundja edhe zverdhjen që ma kishte mbuluar fytyrën pas mbi dy muajsh të kaluar brenda nëpër shtëpi shokësh ose spital.

  • Verë 1983: Asllan Muharremi, së bashku me Njazi Strajën (të dënuarin me 14 vite burg nga gjykata serbo – jugosllave, për veprimtari atdhetare përkrah Adem Demaçit), Sabri Novosellën – Maxhuni (të dënuar me 9 vite burg për qepjen e flamujve shqiptarë dhe veprimtarinë përkrah Adem Demaçit. Sabriu disa vite burg i ka mbajtur në Goli Otok) dhe Ymer Berishën, të përndjekurin politik e anëtarin e LNÇKVShJ-së.

Qysh gjatë prezantimit, Sabriu më ka njoftuar se Ymer Berisha ishte gjithashtu anëtar i LNÇKVShJ-së. Gjatë bisedave me Sabriun kam dëgjuar fjalë shumë të mira për veprimtarinë e Ymer Berishës, në Kosovë, por edhe për shkathtësinë e tij për t’i kryer shumë punë praktike, që ishin shumë të rëndësishme për veprimtarinë tonë. Sabriu, më ka njoftuar se Ymeri, nëpërmjet lidhjeve të tij, kishte  arritur ta rregullonte pasaportën time dhe se ai nga buxheti i familjes së tij i kishte paguar dymijë marka gjermane për pasaportën e Babiç Jankos.

      Dyqani ku punonte Sabriu nuk ishte shumë larg nga banesa e tij, prandaj ai vinte gjatë kohës së drekës dhe drekonte me ne. Edhe takimet e drekës i shfrytëzonim për biseda nga ma të ndryshmet. Shpeshherë këto takime ishin edhe  si vazhdim i bisedave që kishim lënë përgjysmë në të kaluarën.

      Nga vizitat që kishin bërë  Sheremet Saraçi dhe Rexhep Ahmetit, unë i njihja deri diku bindjet politike që përfaqësonte Sabri Novosella, mirëpo nga takimet e përditshme me te, po bindesha gjithnjë e më shumë në drejtësinë e qëndrimeve të shokëve dhe sidomos ato të Rexhep Ahmetit. Sabri Novosella kishte një botëkuptim idealist mbi jetën dhe shoqërinë. Botëkuptimi i tij ishte shumë më ndryshe nga botëkuptimi im dhe i shumicë së shokëve që kisha lënë në Kosovë. Unë dhe një pjesë e shokëve ishim përkrahës të filozofisë së materializmit dialektik dhe historik. Në këtë çështje, ne dhe Sabriu ishim krejtësisht të ndryshëm dhe në kundërshtim me njëri-tjetrin.  

      Mirëpo, përkundër dallimeve që kishim, më befasonte, për të mirë, sinqeriteti i Sabri Novosellës. Ai nuk i fshihte bindjet e tij, por i thoshte ato hapur dhe pa hezitimin më të vogël. Kjo veti e tij më gëzonte dhe i bënte debatet tona shumë interesante dhe të dobishme për veprimtarinë tonë; ato i hapnin rrugë bashkëpunimit tonë që nuk kishte alternativ tjetër.

      Nganjëherë kur debatonim për çështje të ndryshme dhe shprehnim pikëpamje krejtësisht të ndryshme, Sabriu nuk ngurronte të më quante shokë i krahut të Ramadan Pllanës apo edhe, si me shaka, ne të gjithëve na quante marksist-leninistët e LNÇKVShJ-së, mirëpo nga frika se mos po hidhërohesha për ndarjen që po bënte më thoshte se nuk ishim vetëm ne të tillë, se i tillë ka qenë edhe Jusuf Gërvalla!

     Unë për vete nuk e ndjeja vetën të fyer nga ato që më thoshte Sabriu, përkundrazi isha krenar për bindjet e mia politike. Për mua, bindjet e ndryshme nuk ishin problem dhe këtë ia thosha Sabriut. Por dorën në zemër, kisha përshtypjen se edhe Sabriu na pranonte  ashtu siç ishim dhe kjo, në njëfarë mënyre, kishte krijuar një lloj “bashkekzistence paqësore” në mes nesh, që për mendimin tim ishte shumë e rëndësishme për luftën tonë.  Gjithë këtë qëndrim e shikoja si një mrekulli dhe madhështi të luftës sonë, ashtu siç e shihja si madhështor edhe qëndrimin e Sabriut.

     Edhe disa nga shokët që i kisha lënë në Kosovë, kishin një botëkuptim të ngjashëm me atë të Sabriut.  Ne i konsideronim ata si vëllezër lufte. I tillë ishte për mua edhe Sabriu. Ai mbetej një atdhetar i madh dhe që kishte sakrifikuar shumë për lirinë e Kosovës. Veç kësaj Sabriut dhe  shokëve  u  besoja si vetës sime. Asnjëherë nuk më ka shkuar mendja se unë isha më i vlefshëm apo më atdhetarë e patriotë se Sabriu dhe shokët që kishin pikëpamje politike të ngjashme me te. Përkundrazi unë e kisha kuptuar dhe kalitur në kokën time bindjen se lufta jonë, në radhë të parë, ishte një luftë nacionalçlirimtare dhe se liria e çlirimi nga zgjedha serbe kërkonte që ne të lidheshim pas gjërave të përbashkëta dhe jo pas atyre që na ndajnë. Kuptohet se botëkuptimet e ndryshme na ndanin dhe krijonin fërkime, mirëpo koha në të cilën jetonim kërkonte prej nesh që të merremi me ato gjëra që na bashkojnë dhe t’i evitonim fërkimet e panevojshme. Kisha përshtypjen se këtë punë e kishte kuptuar kështu edhe Sabriu dhe se ai gjithashtu bënte gjithçka që ne të qëndronim të bashkuar rreth luftës sonë të përbashkët nacionalçlirimtare.

  • Adapazar, gusht 1983  – Komiteti “Hasan Prishtina” në Turqi: Nga e majta: Ymer Berisha, Asllan Muharremi, Sabri Novosella, Avdullah Prekadini dhe Sabri Kosova.

Disa ditë pas vendosjes në banesën e tij, Sabri Novosella m’i ka ofruar për lexim të gjithë numrat e  “Lajmëtarit të lirisë”, “Zërit të Kosovës”(nr.1-2 të LNÇKVShJ-së dhe të gjitha numrat e LRSShJ-së). Gjithashtu Sabriu m’i ka ofruar edhe letrat e Jusuf Gërvallës dhe shumë letra tjera nga korrespodenca e tij me shokët që gjendeshin në Evropën Perëndimore dhe gjetiu nëpër botë.

     Një kënaqësi të veçantë dhe krenari të natyrshme më kanë dhanë letrat e Jusuf Gërvallës, disa prej të cilave ishin shkruar në formë raportesh në adresë të Komitetit të Degës së LNÇKVShJ-së “Hasan Prishtina” në Turqi dhe disa të tjera në emër të Sabri Novosellës. Duke lexuar letrat unë mësova jo vetëm për aktivitetin e LNÇKVShJ-së në Evropën Perëndimore, por edhe për punën e jashtëzakonshme që kishte bërë Jusuf Gërvalla dhe shokëve që i qëndronin pranë në afirmimin e çështjes sonë kombëtare. Gjithashtu nga letrat e Jusuf Gërvallës unë mësova edhe për veprimtarinë e organizatave tjera politike shqiptare në Evropën Perëndimore dhe gjetiu në botë.

      Leximi për herë të parë i letrave të Jusuf Gërvallës, rileximi i tre numrave të “Lajmëtari të lirisë” dhe dy numrave të “Zërit të Kosovës” si dhe njohja nga ana e Sabri Novosellës me shumë fakte të tjera të veprimtarisë revolucionare dhe çlirimtare e Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës dhe Bardhosh Gërvallës, gjithnjë e më shumë po më ndihmonte t’i kuptoja arsyet se pse UDB-a jugosllave ua zuri pritën dhe i vrau udhëheqësit e mëdhenj të luftës sonë për liri, me 17 janar 1982. Pas këtij informacioni, gjithnjë e më shumë po bindesha se Jugosllavia titiste, kjo vegël e verbër e serbomëdhenjve, nuk mund ta duronte zërin e së vërtetës që po përhapnin Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka, Bardhosh Gërvalla dhe shokët e tyre, prandaj dha urdhër t’i vriste tre bijtë më të mirë dhe më besnik të Lëvizjes sonë nacionalçlirimtare.

     Një ditë po bisedonim me Sabriun për qëndrimin e shtetit shqiptar lidhur me përpjekjet tona për liri. Sabriu, që si dukej e kishte pjekur qëndrimin e tij lidhur me këtë çështje, në bisedë e sipër më thotë:  

     ‒ Shteti shqiptar nuk është i interesuar që ne në Kosovë të kemi një organizatë revolucionare e cila do ta udhëhiqte luftën tonë çlirimtare! 

     U shtanga dhe vetëm po e dëgjoja i habitur! Nuk u besoja veshëve të mi dhe se një qëndrim i tillë po dilte nga goja e Sabriut! Më shkonte mendja  se ndoshta Sabriu nuk e ka kuptuar drejtë qëndrimin e shtetit shqiptar apo ndoshta atij i duket se ndihma dhe mbështetja që na vije nga Shqipëria është e pakët, e ngadaltë dhe nuk është ajo që pritej,-thosha vetë me vete?!

     Unë i shpreha menjëherë rezervat e mia lidhur me këtë qëndrim të tij dhe njëkohësisht i shpreha edhe besimin e patundur që kisha, unë personalisht, në politikën e shtetit shqiptar dhe qëndrimin e tij karshi luftës sonë për liri. Gjithashtu, Sabriut po përpiqesha t’ia shpjegoja edhe qëndrimin e shokëve të mi lidhur me këtë çështje dhe se në radhët tona nuk ka pasur dilema rreth kësaj çështje.  

      Sabriu më dëgjonte  me vëmendje dhe pasi e dëgjonte qëndrimin tim, me rrëfente shembuj nga përvoja e tij personale me shtetin shqiptar. Shihej qartë se kalimi nga Kosova në Shqipëri dhe takimet e dendura me Ajet Haxhiun dhe Sali Shatrin e kishin lëkundur qëndrimin e Sabriut dhe ndihmuar atë që ta kuptonte të vërtetën e qëndrimit të shtetit shqiptar lidhur me luftën tonë nacionalçlirimtare. Gjithashtu sjellja e burokratëve të Tiranës dhe gjendja ekonomiko-politike në Shqipëri flisnin në favor të qëndrimeve të tij, ndonëse shteti shqiptar e kishte strehuar përkohësisht në Shqipëri dhe e kishte ndihmuar për të kaluar në Turqi, pas një udhëtimi maratonik nëpër Detin Mesdhe e Detin e Zi, në një anije shqiptare të transportit të mallrave dhe me pasaportë shqiptare.

      Nga ajo që dëgjoja dukej qartë se Sabri Novosella ishte shumë i zhgënjyer në politikën e shtetit shqiptar, karshi Kosovës dhe luftës sonë për liri. Nuk kishte asnjë fije dyshim se zhgënjim të madh i kishin krijuar atij edhe takimet me Ajet Haxhiun dhe Sali Shatrin, gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri, nga të cilët ai kishte pritur më shumë ndihmë e mbështetje.

     ‒ Edhe unë kam menduar kështu si ju para se të arratisesha nga Kosova. Por përvoja ime e këtyre viteve flet për diçka tjetër. Qëndrimi im në Shqipëri dhe përvoja e kontakteve me përfaqësues të shtetit shqiptar e ka lëkundur besimin tim, – më tha Sabriu gjatë një debati tjetër.

     Po e dëgjoja me vëmendje. Unë nuk mund të mos merrja parasysh gjithë rrethanat dramatike të kohës kur Sabriu, i ndjekur nga UDB-ës, arratiset në Shqipëri. Ai kishte kaluar në Shqipëri me shpresën se tek shteti shqiptar do të gjente mbështetje për ta vazhduar luftën tonë për liri. Në Shqipëri, Sabriu, kishte gjetur pushtetarë që ishin të interesuar për t’i ruajtur kolltukët e tyre dhe për të pasur me bollëk, siç thoshte Sabriu, “raki rrushi e mish viçi” për klasën e tyre. Sabriu e kishte kuptuar se klasa politike në pushtet nuk ishte e interesuar për t’i rrezikuar, me asnjë çmim, pozitat dhe pushtetin e tyre për hir të Kosovës! E merrja me mend se ky qëndrim i shtetit shqiptar, për njerëz të sakrificës dhe që kanë kaluar një pjesë të madhe të jetës së tyre nëpër burgjet jugosllave, shkaktonte trauma e zhgënjim të madh.

     I kisha dëgjuar me vëmendje të madhe, rrëfimet, qëndrimet dhe  përvojën e tij me politikën e shteti shqiptar, e megjithëkëtë e kisha të vështirë të besoja se gjithë kjo ishte e vërtetë. Edhe më tutje unë këmbëngulja dhe besoja se e gjithë kjo nuk ishte tjetër pos një keqkuptim dhe se shteti i dalë nga lufta antifashiste dhe nacionalçlirimtare në Shqipëri, nuk mund të mos ishte përkrah  luftës sonë të drejtë. Këtë ia thosha Sabriut, pa ngurrim.

     Megjithëkëtë një dritë dukej në fund të tunelit. Unë edhe më tutje besoja se e gjithë kjo ishte një keqkuptim nga ana jonë dhe se Shqipëria ishte me ne dhe luftën tonë. Këtë shpresë e mbante gjallë  edhe fakti se Sabriu nuk fliste me armiqësi kundër shtetit shqiptar. Ai  ishte i pakënaqur me politikën e shteti shqiptar e megjithëkëtë ai shtetin shqiptar e quante shteti amë!

     Si argument të fuqishëm për mosinteresimin e shtetit shqiptar për t’i dhënë përkrahje luftës sonë, Sabri Novosella e përdorte edhe mosinteresimin e shtetit shqiptar që Jusuf Gërvalla dhe Sabri Novosella t’i këmbenin adresat e njëri-tjetrit:

      ‒ Qysh nga vendosja ime në Turqi, një përfaqësuesi të shtetit shqiptar i kam kërkuar që t’ia përcjellin adresën time Jusuf Gërvallës, por ata nuk e  bënë një gjë të tillë, – më tha Sabriu.

     Argument tjetër ishte edhe qëndrimi që kishte mbajtur shteti shqiptar gjatë bisedimeve në mes LNÇKVShJ-së- të përfaqësuar nga Sabri Novosella dhe Bardhosh Gërvalla dhe OMLK-së, të përfaqësuara nga Kadri Zeka, por edhe gjatë bisedimeve në mes LNÇKVShJ-së, të Sabri Novosellës dhe Xhafer Durmishit, dhe PKMLSHJ-së të përfaqësuara nga Abdullah Prapashtica, Osman Osmani dhe Faton Topalli, ku sipas Sabri Novosellës qëndrimi i shtetit shqiptar ka qenë jo dashamirës për luftën tonë!

     Pas debateve, nganjëherë edhe të nxehta dhe shumë të rënda, ne nuk gjenim rrugë tjetër nga duhej të ecnim pos asaj të vazhdimit të luftës për liri dhe çlirim nga zgjedha jugosllave. Ishim të një mendje se duhet të luftonim për bashkimin e të gjitha organizatave dhe grupeve politike, pa marrë parasysh bindjet politike që ato kanë, se me punën tonë duhet ta bindim shtetin shqiptar se ne luftonim për liri dhe se armik i yni i vetëm ishte shovinizmi serbomadh.

     Unë personalisht qëndrimin e shtetit shqiptar e kisha mësuar nga librat, radio Tirana dhe RTSh-ja. Në bazë të atyre që kisha lexuar e dëgjuar, unë nuk kisha asnjë pikë dyshimi në drejtësinë e qëndrimeve të shtetit shqiptar dhe në përkrahjen e tij ndaj çështjes së luftës sonë për liri. Në anën tjetër isha i vetëdijshëm se nuk e kisha përvojën e Sabri Novosellës as në raport me shtetin shqiptar dhe as në përpjekjet e tij për liri dhe kisha respekt të madh për to. Unë nuk mund t’i mbyllja sytë dhe veshët para qëndrimeve të tij sepse ato ishin qëndrime të një shoku tim të luftës sonë për liri. Vetën time e konsideroja si shumë të vogël në “vallen” e luftës sonë nacionalçlirimtare dhe e kisha parasysh edhe faktin se  shumë gjëra nuk i dija.

    Një ditë, Sabri Novosella më tha se do të shkojmë në Stamboll dhe do të takohemi me Ibrahim Qavollin, për të cilin më kishte folur edhe më parë. U gëzova, sepse kjo do të ishte hera e parë, që unë do të takoja një përfaqësues të shtetit shqiptar. Shpresoja se duke biseduar me një përfaqësues të denjë, unë do të dëgjoja drejtpërdrejti qëndrimet e shtetit shqiptar lidhur me luftën tonë për liri.

     Në Stamboll shkuam Sabri Novosella, Ymer Berisha dhe unë. Në dyqanin e argjendarisë së Njazi Strajës së bashku me Sabri Novosellën u takuam me Ibrahim Qavollin. U përqafuam, si përqafohen vëllezërit që nuk janë parë një kohë të gjatë. Ibrahim Qavollin e njoftova për gjendjen e re politike në Kosovë, për gjendjen në radhët e organizatës sonë politike si dhe për burgosjet dhe represionin e pushtetit serb. Pas rreth dy orësh bisede u përqafuam  edhe njëherë dhe u ndamë.

     Isha shumë i lumtur që pata rastin ta takoja një përfaqësues të shtetit shqiptar, por isha i kënaqur edhe për çështjet që biseduam dhe rrjedhën e takimit. Për mendimin tim takimi ishte vëllazëror dhe i hapur.

     Duke u kthyer, Sabri Novosella, i bëri një koment të “çuditshëm” takimit:

     ‒ E dëgjove qëndrimin e shtetit shqiptar?! Dy të puthura në faqe dhe kaq! Po t’i kishe kontaktuar përfaqësuesit e shtetit shqiptar me pasaportën e Babiç Jankos dhe t’ju kishe thënë se je një marksist-leninist (ashtu siç  je në të vërtetë!), atëherë ata do të kishin pranuar krahëhapur dhe do të kishin ofruar vizitë në Tiranë, duke të ofruar në atë rast çfarëdo ndihme që do të kishe kërkuar prej tyre, – më thotë Sabriu, rrugës për Adapazar.   

     E dëgjova deri në fund, i mbusha mushkëritë me frymë dhe po mendoja se çka t’i përgjigjem.

    ‒ Duhet të bëjmë përpjekje ta kuptojmë drejtë qëndrimin e shtetit shqiptar. Kjo çështje duhet të jetë shumë më komplekse sesa duket në shikim të parë. Ndoshta, ne nuk jemi në nivelin e përgjegjësisë dhe për këtë arsye ata nuk na përkrahin ashtu siç duam ne?! ‒ i thashë Sabriut.

     ‒ Ndoshta nuk jemi në nivelin e përgjegjësisë, por këtë qëndrim, shteti shqiptar e ka pasur edhe ndaj Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës dhe bijve të tjerë të Kosovës martire. Pse nuk po i gjen shteti shqiptar ata bijë të Kosovës martire që ka besim në ta dhe nuk po na thotë: Ja këtyre u besojmë ne! Dhe unë jam gati të ec prapa tyre?! – më përgjigjet Sabriu.

    Ato që kisha dëgjuar nga Ibrahim Qavolli nuk ishin asgjë më shumë nga ato që kisha lexuar në librat e Enver Hoxhës dhe dëgjuar në artikujt e “Zërit të Popullit” që i kishte emituar Radio Tirana. Ibrahim Qavolli na thoshte se “shteti shqiptar është që shqiptarët e Kosovës t’i gëzojnë të gjitha të drejtat dhe liritë që gëzojnë popujt e tjerë të Federatës Jugosllave. Pra, shteti shqiptar ishte që Kosova ta fitonte statusin e Republikës në kuadër të Federatës jugosllave dhe të merr fund politika e përndjekjeve dhe pabarazisë”. Nga ky qëndrim i shtetit shqiptar, nëpërmjet Ibrahim Qavollit, unë po e kuptoja se shteti shqiptar nuk përkrahte programin politik të organizatës LNÇKVShJ-së, anëtar i të cilës isha dhe këtë e kisha kuptuar edhe nga artikujt e “Zërit të popullit” dhe qëndrimet që kisha dëgjuar në Radio Tiranë!

   Mirëpo, këto qëndrime që po i bluja në kokë, nuk përmbanin asgjë kundër luftës sonë për liri dhe barazi, përkundrazi, mendoja se qëndrimet tona ndaj luftës së popullit tonë për liri dhe barazi në kuadër të Federatës jugosllave kishin disa defekte. Se ne, nuk e shihnim drejtë këtë luftë, dhe në praktikë ne e kishim të ngatërruar çështjen e luftës për barazi me luftën për çlirim dhe bashkim kombëtar. Ne flisnim shumë se ishim përkrah kërkesës “Kosova-Republikë”, por njëkohësisht ne kërkonim hapur edhe bashkimin me Shqipërinë! Kisha përshtypjen se lëvizja jonë revolucionare ende nuk ishte liruar nga disa qëndrime dogmatike dhe në praktik ne ende nuk ishim dialektik dhe revolucionar të mirëfilltë, ashtu siç pretendonim. Gjithashtu, unë mendoja, se në terren në vend që t’i bashkonim të gjitha energjitë tona për realizimin e “Kosovës-Republikë”, ne i kishim shpërndarë ato në disa fronte.

     Ndonëse  kishim qëndrime diametralisht të kundërta për çështjen e politikës së shtetit shqiptar në raport me organizatat tona politike dhe veprimtarisë sonë atdhetare e çlirimtare, me kalimin e kohës, nisa ta admiroj dhe respektoj edhe më shumë Sabriun. Për mua, Sabriu ngelej një luftëtar i madh  i çështjes shqiptare, që nuk e fshihte mendimin e tij, që këtë e bënte hapur edhe para  përfaqësuesve të shtetit shqiptar, ashtu siç e shprehte para meje. Pakënaqësia e Sabriut ishte e lidhur me përpjekjet e tij për ta vendosur luftën tonë në binarë të drejtë dhe duke pasur parasysh këtë dhe faktin se ai e kishte kaluar një pjesë të madhe të rinisë dhe jetës së tij nëpër burgjet serbe unë gjeja mirëkuptim në qëndrimin e tij. Sabriu kishte pritur nga shteti shqiptar që do t’i ndihmonte të gjitha organizatat tona politike të bashkoheshin rreth një platforme politike, që shteti shqiptar të merrte në dorë organizimin e kësaj lufte, që të ndihmohej nxjerrja e organit të Lëvizjes “Zërin e Kosovës” me kuadër nga Shqipëria dhe që lufta jonë të ndihmohej edhe materialisht. Meqë kjo nuk kishte ndodhur nga ana e shtetit shqiptar,  Sabriu shpërthente dhe e shprehte pakënaqësinë e tij!

       Nga Sabriu jam njoftuar edhe për veprimtarinë e Xhafer Durmishit, që nga vrasja e Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës dhe Bardhosh Gërvallës si dhe për rolin e tij në organizimin e veprimtarisë së Lëvizjes në emigracion; për rolin e tij në vazhdimin e nxjerrjes së organit “Zëri i Kosovës” si dhe për veprimtarinë e tij dhe të shokëve tjerë, që kishin vepruar pranë Jusuf Gërvallës. Ai më ka folur gjithashtu edhe për veprimtarinë e Xhafer Shatrit, Abdullah Prapashticës dhe Ibrahim Kelmendit.

    Xhafer Shatrin e admironte dhe e çmonte shumë. Më ka folur me shumë admirim për qëndresën e tij nëpër burgjet jugosllave, por edhe për veprimtarinë e tij në emigracion:

    ‒ E keqja është bacë se shteti shqiptar nuk po e do! Madje ata të Shtëpisë së Madhe29 janë duke shprehur dyshim në mënyrën e largimit të tij nga burgu, – më tha gjatë një bisede Sabriu.

      Ndërsa Abdullah Prapashticën e ka prezantuar kështu:

    ‒ Abdullah Prapashtica  është një njëri që ka punuar në Shërbimin e Sigurimit të Shtetit Jugosllav, Dega në Prishtinë. Para se të arratisej në Turqi, Abdullah Prapashtica, ka qenë hetues, veç të tjerëve, edhe  i grupit të shokëve të LNÇKVShJ-së, gjatë arrestimeve të nëntorit dhe dhjetorit 1979. Për motive që është vështirë të kuptohen, Abdullah Prapashtica, i le shokët e organizatës së tij në burg, e  merr me vete gruan e tij, një ish e burgosur në nëntor 1979, Osman Osmanin dhe nipin e tij, Faton Topallin  dhe largohet nga Kosova!

     Lidhur me Ibrahim Kelmendin  dhe punët e tij, Sabri Novosella,  më ka thënë:

     ‒ Ibrahim Kelmendin nuk e kam takuar asnjëherë. Unë i kam kërkuar Jusuf Gërvallës që ta ofronte, por ai në letrat e tij më ka bërë të jem i kujdesshëm. Jusuf Gërvalla nuk ia ka pasur besën! E ka ndihmuar në nxjerrjen e organit “Bashkimi”, për hir të lexuesve të tij. As shokët tjerë, që e njohin, nuk më kanë folur me simpati për punët e Ibrahim Kelmendit. 

      ‒ Po përse u bashkuat me Abdullah Prapashticën? A e dinit se ai ishte njëri i Shërbimit të Sigurimit të Shtetit Jugosllav, para se të vinte në Turqi? – e pyeta Sabri Novosellën?

      ‒ Po bacë, e dija se ku kishte punuar dhe vetë fakti se Abdullah Prapashtica i kishte lënë të gjithë shokët në burg dhe kishte ikur, i vetëm, me “udhëheqjen” e PKMLSHJ-së, më kishte ngjallur shumë dyshime. Mirëpo problemi ishte se përfaqësuesi i shtetit shqiptar na e imponoi bashkëpunimin dhe bashkimin me Avdullah Prapashticën, – më përgjigjet Sabri Novosella!

    Asgjë s’po merrja vesh! Gjithçka më dukej si një lëmsh që s’ia gjeja fillin. Unë kisha dëgjuar në Kosovë për burgosjen e grupit të  PKMLSHJ-së dhe për dënimet e rënda që kishin marrë anëtarët e saj nga Gjykata e Prishtinës, por nuk kisha lexuar asgjë nga materialet e tyre programore dhe nuk kisha takuar asnjëherë ndonjë anëtar të kësaj organizate. Ku ta dish se në çfarë rrethanash i ka rekrutuar Abdullah Prapashtica në partinë e tij gjithë ata djem e vajza?! – më fluturonte mendja.

   Gjatë qëndrimit tek Sabri Novosella jam takuar edhe me Abdullah Prekadinin, Sabri Kosovën të cilët banonin në Adapazar dhe Njazi Strajen me banim në Stamboll, që ishin edhe  anëtarë të LNÇKVShJ-së dhe Komitetit të Degës “Hasan Prishtina”. Ata ishin burra shumë të mirë dhe mbaheshin krenar për përkatësinë e tyre kombëtare. Njazi Straja, kishte një lokal të argjendarisë në Stamboll dhe ishte i dënuar në mungesë nga një Gjykatë jugosllave për bashkëpunim dhe bashkëveprim në kuadër të “Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve.”

      Adapazari, ishte një qytet i madh dhe kishte disa mijëra shqiptarë me origjinë nga Kosova, Shqipëria  dhe  Çamëria. Mirëpo fatkeqësisht shumica e tyre ishin të asimiluar tërësisht. Një pjesë e të moshuarve e njihte gjuhën shqipe, ndërsa brezi i dytë dhe i tretë ishin asimiluar plotësisht. Gjatë bisedave me Sabriun dhe të tjerët kam dëgjuar shumë histori rrëqethëse të bashkatdhetarëve tanë të tretur në dhe të huaj, për mallin dhe dhembjen e madhe që ata kishin për atdheun e tyre…

  • Adapazar, gusht 1983  – Komiteti “Hasan Prishtina” në Turqi: Nga e majta: Ymer Berisha, Asllan Muharremi, Sabri Novosella, Avdullah Prekadini dhe Sabri Kosova.

Përkundër numrit të madh të gjakut shqiptar, ndikimi i Komitetit “Hasan Prishtina” tek shqiptarët në Turqi ishte shumë i vogël. Veç kësaj Turqia ishte një diktaturë ushtarako-policore. Në Turqi nuk lejohej veprimtaria e Degës së Komitetit “Hasan Prishtina”. Çdo aktivitet në dobi të çështjes sonë bëhej në mënyrë ilegale, pothuajse si në Kosovë. Edhe veprimtaria e Sabri Novosellës ishte e kufizuar për shkak të qëndrimit që kishte shteti policor e ushtarak i Kenan Evrenit ndaj veprimtarisë së lirë politike dhe demokracisë. Kenan Evreni ishte një fashist turk me origjinë shqiptare që drejtonte Ushtrinë turke.

    Një ditë në banesë, Sabriu u kthye nga puna së bashku me një burrë të moshës rreth tridhjetëvjeçare, me një shtatë mesatar, me flokë ngjyrë bionde dhe pamje serioze, të cilin Ymer Berisha e prezantoi se ishte Shukri Demiri. Shkuri Demri fliste një shqipe që nuk dallonte fare nga ajo e njerëzve që jetonin në rrethin e Karadakut të Gjilanit. Në fillim mendova se mos ka ardhur ndonjë vizitor nga Kosova?

     Në atë rast mësova se Shukri Demiri ishte me prejardhje nga fshati Izvor i Karadakut të Kumanovës dhe pas vdekjes së të atit të tij, qysh në moshën pesëmbëdhjetë vjeçare, së bashku me të ëmën, një vëlla dhe dy motra ishin shpërngulur në Turqi. Pas vendosjes në Turqi dhe ndërrimit të mbiemrit, nis shkollën e mesme të policisë dhe pas mbarimit të saj edhe punën si policë në Stamboll.

      Pas shkuarjes së Shukri Demirit, nga Ymer Berisha kam mësuar historinë e tentim-kidnapimit të Sabri Novosellës nga ana e UDB-ës jugosllave, disa muaj pas vrasjes së Jusuf Gërvallës, Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës në Untergruppenbach të Gjermanisë.

      UDB-a jugosllave angazhon oficerin në pension, Branko Rulla nga Kumanova për kidnapimin e Sabri Novosellës.

      Për ta realizuar kidnapimin, Branko Rulla, nis në Turqi Rrahman Zylfihun nga fshati Debecë afër Kumanovës së bashku me një agjent tjetër jugosllav.

      Në Stamboll, Rrahman Zylfihi i afrohet Shukri Demirit dhe i ofron një shumë marramendëse parash, nëse do “ta ndihmonte për ta dërguar një hajdutë bankash deri në kufi me Greqinë”. 

     Një nga detyrat e Shukri Demirit ishte pikërisht ndjekja e kriminelëve ekonomikë, punë kjo që ai e bënte me pasion të madh. Qysh në fëmijëri nga prindërit e tij, ishte edukuar për ta luftuar të keqën dhe padrejtësinë dhe gjatë moshës së pjekurisë ai ishte përcaktuar për të qëndruar përkrah vegjëlisë dhe drejtësisë. Në shtëpinë e tij ai fliste vetëm shqip dhe dëgjonte vetëm këngë shqiptare.

     Mirëpo, meqenëse Rrahman Zylfisit i ishte ofruar  “detyra” e  kapjes së një “hajduti të bankave” dhe me qëllim të njohjes me “hajdutin e bankave”, e merr me vete një shok të tij dhe shkon në Adapazar.  Pa vështirësi e gjen edhe dyqanin e Sabri Novosellës dhe sapo hynë brenda nis bisedën në gjuhën turke. Pas pak Shukriu e kupton se turqishtja e Sabri Novosellës nuk ishte e rrjedhshme dhe për këtë arsye e pyet se nga cili vend ishte me preardhje?

     ‒ Jam  shqiptar nga Kosova,‒ i përgjigjet Sabri Novosella.     

      ‒Pse ke ikur nga Kosova? Mos ke vjedhur ndonjë bankë? ‒ e provokon Shukri Demiri.

       ‒ Jo, nuk jam hajdut. Kam luftuar për bajrak!30 ‒ i përgjigjet Sabri Novosella.  

      Përgjigjia e Sabri Novosellës e befason Shukri Demirin, i cili  vazhdon ta pyet se kush ishte dhe cilat ishin arsyet e ardhjes së tij në Turqi? Pas shpjegimeve të Sabri Novosellës se ka qëndruar në burg  për flamur e liri, ashtu si edhe një vëlla i tij dhe shumë të tjerë,  Shukri Demiri, i shpjegon se kush ishte dhe se cili ishte qëllimi i ardhjes së tij në dyqanin e tij, nga Stambolli.

     Menjëherë pas kësaj bisede, Shukri Demiri e kontakton policinë turke në Adapazar.

      Policia turke merr përsipër mbrojtjen e Sabri Novosellës dhe familjes së tij. Gjithashtu policia turke nis hetimin e rastit dhe e futë në lojë Shukri Demirin.

      Pas ndjekjeve disaditore, policia sekrete turke prangos Rrahman Zylfihin dhe gjatë hetimeve ai e pranon se kush e ka dërguar dhe se kush ka qenë i përfshirë në këtë plan kriminal. Rrahman Zylfihi me banim në rrethin e Kumanovës dhe i vëllai i tij Rabit Zylfioglu, me banim në Stamboll, dënohen me nga katër vjet burg, ndërsa dy agjentë të tjerë jugosllav arrijnë të largohen nga Turqia.

       Gjatë procesit gjyqësorë mësohet se Branko Rulla, një ish partizan dhe oficer i UDB-ës në pension, ishte organizatori i këtij tentim kidnapimi të Sabri Novosellës.

      Gjykata e Stambollit u jep dënime prej 4 vjet e gjashtë muaj dy spiunëve të UDB-ës (Rrahman Zylfihit dhe Rabit Zylfioglu).

                        ***

  • Teki Dervishi (1943 – 2011)

Në javën e fundit të gushtit 1983, në shtëpi të Sabri Novosellës në Adapazar vije një burrë rreth të dyzetave, që mbante mustaqe dhe që me vete  e kishte  të shoqen e fëmijët e tij si dhe një shok, që i shoqëronte!

     Burri që na erdhi nga Kosova, Sabri Novosella e prezantoi se ishte Teki Dërvishi, të cilit ia kisha dëgjuar emrin dhe e njihja si shkrimtar, dramaturg dhe gazetar, por nuk e njihja më shumë.  Sabri Novosella më tha se Teki Dervishi është shok i “Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe Viseve tjera Shqiptare në Jugosllavi” dhe se ardhja e tij në Turqi nuk ishte e rastësishme, por e parapërgatitur qysh pas vrasjes së Jusuf Gërvallës.

     ‒ Do të flas me Ukën (Xhafer Shatrin) dhe jam i mendimit që Teki Dërvishi dhe familja e tij,  të vendoset në Zvicër. Në Zvicër, Teki Dervishi do të merret me organin e LRSShJ-së “Zëri i Kosovës”, – më tha Sabri Novosella.

     Gjatë kohës sa qëndroi në banesën e Sabri Novosellës në Adapazar, Teki Dervishi është njoftuar për gjendjen dhe veprimtarinë e LRSShJ-së në emigracion si dhe për qëndrimin e shtetit shqiptar ndaj përpjekjeve tona për liri. Sabri Novosella e ka njoftuar Teki Dervishin edhe për mos mbështetjen financiare të shtetit shqiptar të veprimtarisë sonë.

     Ditën e tretë, Teki Dërvishi së bashku me të shoqën, fëmijët dhe shokun (Ferid Kabashi) që i shoqëronte u nisën për Zvicër. Destinacioni i tyre ishte vendosja diku në Zvicër dhe afër redaksisë së “Zërit të Kosovës” që ishte në Gjenevë tek Xhafer Shatri. Së bashku i përcollëm dhe ju dëshiruam udhë të mbarë!   

       Sabri Novosella e njoftoi Xhafer Shatrin dhe Xhafer Durmishin për nisjen e Teki Dërvishit nga Turqia në Zvicër.

       Unë isha shumë i lumtur dhe krenar që isha njohur me Teki Dërvishin,  por edhe  shumë krenar që redaksia e “Zërit të Kosovës” do ta kishte në gjirin dhe ballin e saj një personalitet të tillë të letrave dhe mendimit shqiptar. Krenar dhe i lumtur ndjehej edhe Sabri Novosella.

       Pas disa ditësh erdh Sabri Novosella dhe më njoftoi se kishte marrë vesh se Teki Dërvishi nuk e kishte vazhduar rrugën për Zvicër, por ishte kthyer në Kosovë! Një zhgënjim i madh na pushtoi të gjithëve. 

       ‒ Shteti amë nuk na ndihmoi materialisht dhe unë për këtë arsye nuk arrita t’i përmbush premtimet e mia që i kisha bërë Teki Dërvishit. Ai e kuptoi të vërtetën e qëndrimit të shtetit shqiptar karshi luftës sonë për liri dhe i demoralizuar nga ky qëndrim, u kthye në Kosovë, – më tha Sabri Novosella.

(VIJON)

© Pashtriku.org

———————————-

RRUGËTIMI IM NË RADHËT E LNÇKVSHJ-së (31)

Nga Asallan Muharremi

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura