RRUGËTIMI IM NË RADHËT E LNÇKVSHJ-së (31)

Nga Asallan Muharremi

 Largimi nga Turqia

     Në Turqi turistët mund të qëndronin pa u lajmëruar tek organet policore dy muaj. Pak para skadimit të afatit duhej braktisur vendi edhe nga ana ime. Kështu kishte bërë Ymer Berisha. Gjatë gjithë kohës së qëndrimit të tij në Turqi, çdo dy muaj ai kishte kaluar në Bullgari dhe pastaj ishte kthyer përsëri në Turqi.      

     Po afronte dita e gjashtëdhjetë e qëndrimit tim në Adapazar. Gjatë bisedave që kisha bërë me Sabriun dhe Ymerin, ishim pajtuar që disa ditë para skadimit të afatit të ditës së hyrjes sime në Turqi, të largoheshim në drejtim të Evropës Perëndimore. Turqia nuk ishte vend për ne dhe nuk kishte punë për ne. Shqiptarët që ishin aty, në masë të madhe ishin asimiluar dhe mundësitë tona të zhvillimit të veprimtarisë politike nga aty, ishin shumë të vogla. Këtë e pohonin  edhe vetë Sabriu dhe shokët e Komitetit “Hasan Prishtina”. Sabriu, mezi arrinte të mbijetonte ekonomikisht nga puna që bënte në dyqanin e tij të rrobaqepësisë. Edhe Sabriu kishte mendime të largohej nga Turqia.

     Meqë aty isha me pasaportë të falsifikuar, unë mezi po pritsha të largohesha nga Turqia. Aty, rreziku i ndalimit nga policia turke ishte shumë i madh. Gjithashtu në Turqi nuk më rrihej. Asgjë nuk më lidhte me atë vend, pos kujtimeve të hidhura që kisha nga halla e tim atë dhe ato që kisha lexuar për trajtimin e shqiptarëve gjatë shekujve nën pushtimin e Perandorisë Osmane.

     Me 12 shtator 1983 jemi përshëndetur me shokët e Degës së Komitetit “Hasan Prishtina” dhe familjen bujare dhe të mrekullueshme të Sabri Novosellës.

     Për mua ajo ditë ishte një ditë përzier me çaste gëzimi dhe hidhërimi. Në një anë gëzohesha që po largohesha nga Anadolli, por në anën tjetër më vinte keq për shokët dhe miqtë që po ngeleshin aty. Sidomos më vinte keq për Sabri Novosellën që po ngelej aty me një grusht shokësh. Ai edhe ashtu ishte i lodhur dhe i dërmuar nga jeta nëpër burgje dhe jeta larg familjes së tij. As ai nuk ndjehej mirë dhe rehat në Turqi. Në Kosovë, Sabri Novosella i kishte lënë jo vetëm nënën Naile, për të cilën gjithmonë më fliste me admirim të madh, por edhe vëllezër e motra si dhe dy djemtë: Ilirin dhe Dardanin, të  cilët nuk i kishte takuar që nga largimi i tij nga Kosova në vitin 1979.

     Nga Adapazari u nisëm së bashku unë dhe Ymer Berisha. Rrugën deri në Stamboll e kaluam pa folur shumë në mes veti. Heshtja na kishte pushtuar të dyve. Ymer Berisha po largohej nga Adapazari pas dy vitesh qëndrimi. E kuptoja se e përjetonte më rëndë se unë këtë ndarje. Edhe ai, ashtu si edhe unë po niseshim drejt Evropës Perëndimore, pa ditur se ku po shkojmë. Të vetmin njeri që e njihnim nga Kosova ishte Xhafer Durmishi.

     Në Stamboll u takuam me një mik të Ymer Berishës i cili do të na ndihmonte ta merrnim autobusin për Sofje.

     Nuk pritëm shumë dhe vendosëm bagazhet tona dhe hymë e zumë vende në autobusë. 

     Ymer Berisha, pas bisedës me mikun e tij, më njoftoi se ne do të udhëtonim me autobusë deri në vendkalimin kufitar në Edrene. Sipas rregullave që kishin linjat e autobusëve, numri i pasagjerëve që hynë në Bullgari, duhet të ishte i njëjtë me numrin e atyre që dalin nga Bullgaria. Prandaj, meqë ne do të udhëtonim deri në Sofje, duhej të zbrisnim dhe ta kalonim kufirin Turqi-Bullgari ose në këmbë ose me ndonjë mjetë tjetër udhëtimi.

     Pas një copë udhëtimi arritëm në Edrene. Sipas marrëveshjes që kishim zbritëm nga autobusi, morëm bagazhet tona dhe u nisëm drejtë pikës turke të kontrollimit të pasaportave dhe të doganës.

      Në sportel, ku kontrolloheshin pasaportat, unë dhe Ymer Berisha shkuam veç e veç. Këtë e bënim kinse nuk njiheshim me njëri-tjetrin… Mendonin se nëse më ndalon mua policia, të pësoja vetëm unë që kisha pasaportë të falsifikuar e të mos pësonte Ymer Berisha.

      Pas kontrollimit të pasaportës së Babiç Jankos, shikimit të fotografisë së tij dhe shikimit të fytyrës sime, polici ma hodhi para duarsh pasaportën, të cilën unë e mora  dhe pa ngurrim e futa në xhep dhe u largova menjëherë nga aty.

      Nuk vonoi shumë dhe përsëri u bëmë bashkë me Ymer Berishën. Ndodheshim, në një zonë neutrale, as Turqi e as Bullgari. Autobusi do të na priste, në parkingun e një restoranti, brenda në Bullgari. Të shkonim këmbë deri në pikën e kontrollimit të pasaportave, dyshonim se do ta zgjonim kureshtjen e policëve bullgarë dhe ata do të na kontrollonin, e ndoshta edhe do të më zbulonin se isha me pasaportë të falsifikuar? Nga t’ia mbanim vallë? Si të bënim? Papritur, e shohim  një makinë të parkuar me regjistrim të Shkupit. Brenda në makinë, qëndronte ulur një burrë i ri i moshës sonë. Ymerit i thashë të shkonte dhe ta pyeste se mos na merrte në makinën e tij. Ymeri shkoi dhe u kthye e më thotë se nuk do të na merr me vete! Pas pak bisedojmë me Ymerin dhe pajtohemi që t’i  ofrojmë njëqind marka gjermane. Përsëri kthehet Ymeri tek unë më sjell përgjigje negative. Diku pas një gjysmë ore dhe pasi Ymer Berisha i ofron treqind marka gjermane,  “vëllai” nga Shkupi pranon të na merr në makinë. I futëm çantat tona  në Ladë  dhe u nisëm  drejt pikës së kontrollit. Para se ta ndalonte makinën, Ymeri ia dha shoferit pasaportat tona. Shoferi e ndaloj makinën, e hapi dritaren dhe ia dorëzoj pasaportat kontrolluesit bullgar. Pas pak, shoferi ia dha një kuti me çamçakëz kontrolluesit. Kontrolluesi i pasaportave, ia kthej pasaportat dhe shoferi e nisi makinën e tij në drejtim të restorantit ku na priste autobusi.

     Sapo dolëm në anën bullgare, ende pa arritur tek restoranti, shoferi i Ladës na i kërkoj treqind markat e premtuara.  Ndonëse më dhimbeshin t’ia jepnim treqind marka për katërqind metra udhë (sepse edhe e dija se paratë ishin të Ymer Berishes dhe ato të dërguara nga familja e tij në Kosovë), shoferit i thashë të mos bëhej merak se parat do t’ia japim sapo të arrijmë tek restoranti.

      ‒ Besa është besë, ne jemi të besës,‒ i thashë shoferit.

      Nuk vonojë shumë dhe arritëm tek restoranti, Ymer Berisha, nxori nga xhepi treqind marka dhe ia dha shoferit të Ladës. E falënderuam për ndihmën e i  uruam udhë të mbarë!

      Në Sofje arritëm pas disa orësh udhëtimi. Autobusi na la afër Stacionit Hekurudhor të Sofjes.

      Nga Sofja, e morëm trenin Sofje-Mynih, i cili kalonte nëpër Bukuresht, Budapest dhe Vjenë.

      Unë e kisha pasaportën e Babiç Jankos dhe ndjehesha mjaftë i lehtësuar meqë kaluam dy kontrolle kufitare, ndërsa Ymer Berisha e kishte pasaportën e tij të rregullt dhe nuk kishte asnjë arsye për shqetësim!

       Meqë, kishim  emra me “kombësi” të ndryshme në pasaportat tonë dhe kjo mund të binte në sy të kontrolluesve të pasaportave, u morëm vesh që nëpër vendkalime të mos qëndronim të ulur në të njëjtin vagon. Llogarisnim se në rast  se nëse policia e zbulon  pasaportën  time të falsifikuar, unë do të përfundoja në Beograd dhe kështu dëshironim të evitonim rrezikun që atje të përfundonte edhe Ymer Berisha.

       Para se të arrinim në kufirin  në mes Bullgarisë dhe Rumanisë ishim  ndarë në vagonë të ndryshëm, ashtu siç ishim marrë vesh. Nuk vonoj dhe policia kufitare hyri në vagonin tim. Unë nxora pasaportën nga xhepi dhe ia dhashë kontrolluesit të pasaportave. Ai i bëri një shikim të shpejtë dhe ma ktheu pasaportën. I gëzuar për këtë, unë e përshëndetakontrolluesin me kokë dhe e futa me shpejtësi pasaportën në xhep.

      Nuk vonoi shumë, dhe e pashë se në kabinën time, së bashku me kontrolluesin e pasaportës, erdhi edhe Ymer Berisha! Një e nxehtë ma kaploj trupin!

      Polici na pyeste se përse ne “jugosllavët” nuk po rrinim ulur në një kabinë, por ishim të ndarë në vagonë të ndryshëm?! Unë i thashë në serbisht se nuk e njihja personin që e kishte sjell aty.

      Polici ma kërkojë përsëri pasaportën time dhe nisi ta shikojë me një llup, që e nxori nga xhepi. Gjithashtu, ‒ ai e kontrollonte edhe pasaportën e Ymer Berishës dhe pas pak na i mori të dy pasaportat dhe e la kabinën tonë.

      Një frikë e madhe më mbërtheu. I shqetësuar ishte edhe Ymer Berisha. Po prisnim me ankth të madh kthimin e policit që na i kishte marrë pasaportat.

     ‒ Mund të jetë ndonjë taktikë policore, ‒ i thashë Ymerit ‒ Ai mund ta ketë zbuluar se pasaporta ime është e falsifikuar, por qëllimisht na thotë se gjoja dyshon se pasaporta jote është e falsifikuar!

     Ymer Berishën dhe mua na kishte mbuluar heshtja. Unë isha shumë i shqetësuar. Rumunët mund të më dorëzonin duarlidhur në Jugosllavinë fqinje! Marrëdhëniet e dy shteteve “komuniste” ishin të shkëlqyeshme.

     Nuk vonoi shumë dhe erdhi polici me dy pasaportat në dorë. Një shenjë e mirë ishte fakti se ai ishte i vetëm dhe nuk kishte me vete edhe policë të tjerë.

     ‒ Përse udhëtoni nëpër Bukuresht dhe jo nëpër Beograd, që i bie shumë më shkurt?‒ na pyeti polici.

      Unë i thashë se kisha dëshirë ta shihja Rumaninë dhe Hungarinë. Ymeri nuk tha gjë.

       I shikoi edhe pak pasaportat tona, u mendua diçka dhe nuk vonoi shumë dhe na i ktheu pasaportat dhe u përshëndet me ne.

      ‒ O çfarë gëzimi! Shpëtuam edhe njëherë! ‒ thamë pothuajse njëzëri Ymeri dhe unë.

      Kufirin Rumani- Hungari e kaluam pa probleme.

       Në kufirin Hungari-Austri arritëm natën vonë. Polici hungarez një burrë që ishte rreth të tridhjetë e pestave ishte një njëri i hareshëm dhe gazmor. Ai na përshëndeti dhe pasi e kontrolloi pasaportën time më kërkoj që ta përshëndetja me një “mirupafshim” në gjuhën “time”. Unë i shtanguar nga frika që kisha në brendi të trupit time ia kthej në gjuhën shqipe.

     ‒ Mirupafshim!

      Polici kufitar nuk po e njihte përshëndetjen time dhe kërkonte nga unë që ta përshëndetja me dovidenja30!

      Pas pak ai nisi ta kërkoj në kujtesën e tij se si thuhet dhe po më thotë vetëm fillim e fjalës së gjuhës së Babiç Jankos.

      ‒ Dovi…

      ‒ Aha, dovidenja! ‒  i thashë, sepse e kuptova se ai dëshironte ta përshëndetja serbokroatisht.

       ‒ Dovidenja! ‒ ma ktheu dhe e mbylli derën e kabinës dhe iku tutje në vagon.

       ‒ Uh… ‒ nxora nga mushkëritë e mia gjithë frymën që kisha.

       Nuk vonoi  shumë dhe në kabinën time hyri edhe polici austriak.  Edhe ai ma kërkoi pasaportën. Austriaku, e hapi pasaportën dhe pasi e shfletoi dhe e shikoi Babiç Jankon dhe mua, ma ktheu pasaportën duke më përshëndetur me një:

       ‒ Auf Wiederschen!31

       Hyrja në Austri më shkaktoj lehtësim të madh. Tani nuk shqetësohesha fare nëse policia do të më ndalonte pa arritur në Gjermani. Nëse do të ndodhte një gjë e tillë, e kisha ndërmend të kërkoj strehim politik dhe t’jua them të vërtetën se kush isha dhe përse kisha ikur nga Kosova.

      Kufirin Austri- Gjermani e kaluam pa telashe. Ishte diku në mesë orës katër e pesë të mëngjesit. Sapo hyra në Gjermani u futa edhe njëherë në tualetin e trenit, i lava sytë dhe u ula përsëri bashkë me Ymer Berishën në kabinën tonë.

(VIJON)

© Pashtriku.org

_______________________

RRUGËTIMI IM NË RADHËT E LNÇKVSHJ-së (32)

Nga Asallan Muharremi

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura