Pashtriku, 31 mars 2021:
PORTRETI INTELEKTUAL, POLITIK E PATRIOTIK I HALIL ALIDEMËS – sipas simpatizuesve e bashkëmendimtarëve të tij.
Halili ishte një personalitet i shquar poliedrik. Ai ishte një intelektual i kompletuar, i edukuar dhe i aftësuar në shumë fusha të aktivitetit jetësor. Në pamundësi t’i shpreh të gjitha aftësitë e shkathtësitë, fisnikërinë e bujarinë, vendosmërinë e guximin, gatishmërinë dhe sakrificën e tij, organizmin e largëpamësinë e tij si luftëtar e diplomat, strateg e vizionar, nga njëra anë dhe për të dëshmuar atë që kam konstatuar, gjykuar e vlerësuar personalisht për Halilin, po thërras në ndihmë edhe shumë simpatizues e bashkëmendimtarë të tij, që ta përforcojnë edhe më bindshëm mendimin tim për Halilin si sportist e humanist, si njeri me karakter të fortë, diplomat e angazhues e sakrifikues, militant e luftarak stoik, i cili krijoi periudha historike që i shëmbëllenin jetës dhe synimeve të tij dhe në fund largpamës e vizionar, nga ana tjetër.
HALILI SI SPORTIST
Prof. Jusuf Shushka, kujdestar klase i Halil Alidemës në Shkollën Normale të Prishtinës Halilin e cilëson si sportist: “Klubin “Normalisti” e përbënin vetëm nxënësit e Shkollës Normale të Prishtinës, nga të cilët me aftësitë e veta fizike, me shkathtësitë e shpejtësinë e madhe në lëvizje e në mjeshtërinë e dhënies së golave dallohej HALIL ALIDEMA.
Halili ka pasur një stil të veçantë në dhënien e golave. Ai i mashtornte lojëtarët kundërshtarë, duke e shënuar golin nga prapa. Ky ishte stili i tij karakteristik. Në personalitetin e Halilit vlonte një zjarr i dashurisë për çështje kombëtare. Këtë zjarr ai e manifestonte edhe në ndeshjet sportive të nacionalitetit tjetër”.
Ndërkaq, akademik Enver Gjerqeku Vlerëson se: “Halili ka qenë një yll, që ka shndritë me prirjet e aftësitë e tij. Ai ka pasur prirje për çdo gjë, sepse Xhavit Spahiu pa Halilin nuk do të arrinte atë sukses në fushën e sportit”.
Kurse Gani Ajeti, thekson: “Halili është çmuar si sportist i shquar në Kosovë. Hendbolli kosovar, në kohën e Halil Alidemës pati përjetuar një ngjitje cilësore në Kosovë. Halilin e kam çmuar si sportist, si njeri dhe si shok, por mbi të gjitha si atdhedashës të flaktë”.
HALILI NJERI HUMANIST
Për humanizmin e Halil Alidemës, Dom Lush Gjergji shprehet kësisoj: “Halil Alidema e kreu misionin e tij tokësor mirë, me nderë, me flijim dhe shërbim ndaj popullit, vlerave dhe virtyteve, ideve dhe idealeve të larta njerëzore dhe kombëtare”.
Njerëzishmërinë dhe asryeshmërinë e Halilit e spikatë edhe Hydajet Hyseni, i cili pohon se: “Halili ishte njeri i mirë ne kuptimin e plotë të fjalës. Njeri me shpirt të madh dhe plot njerëzi. Ishte i afërt, i drejtpërdrejtë, shumë komunikativ, popullor dhe i ëmbël në bisedë. Ishte modest, i çiltërt dhe hokatar, ishte intelektual i formuar dhe atdhetar, me horizont të gjerë dhe me shumë erudicion; ishte nacionalist, por jo shovinist; ishte mbi të gjitha liridashës, humanist e përparimtar.
Ishte trim dhe i vendosur, por njëkohësisht shumë i arsyeshëm, i përmbajtur dhe largpamës…”
KARAKTERI E PERSONALITETI
Dr. Rrustem Berisha, poet dhe punonjës shkencor karakterin e Halilit e cilëson: “Halil Alidema i përbuzte në trajtën më ironike përulësit dhe të gjithë ata që nuk e kishin në rregull stabilitetin njeri. I përbuzjte frikacakët. I përbuzte lajkatarët. I përbuzte sipunët”.
Ndërsa dr. Mehmet Halimi ndërplotëson duke shrehur konstatimin se: “Personalitetin e Halil Alidemës si veprimtar e patriot e ndihmon dhe e plotëson edhe bashkmendimtarja e tij besnike, shoqe e jetës dhe e veprës atdhedashëse – zonja Teuta Kryeziu-Alidema.
Rrallë në jetë mund të takohet një çift i tillë bashkëshortorë, të cilët pajtohen plotësisht në konceptet e tyre, në qëndrimet dhe në frymën patriotike për çështje të rëndësishme kombëtare.
Personaliteti i Halil Alidemës shquhej për cilësinë e guximit, fisnikërinë e burrërinë, vendosmërinë e atdhedashurinë, e mbi të gjitha gatishmërinë për sakrificë sa herë që prej tij e kërkoi interesi kombëtar”.
HALILI DIPLOMAT
Halil Alidema shquhej edhe si diplomat. Gjenerali shqiptar Fluturak Gërmenji pohon: “ Kryetari i UNIKOMB-it, Halil Alidema, zhvillonte shumë takime me trupin diplomatik të akredituar në Tiranë, si dhe kreu disa vizita jashtë shtetit, si në Turqi, Maltë, etj. Në këto vizita, ai ngrente me guxim problemin e pavarësisë së Kosovës, jepte mendime dhe këmbëngulte që të saktësohej Rezoluta e Pavarësisë së Kosovës, jepte mendimin dhe këmbëngulte që të saktësohej Rezoluta Ndërkombëtare- zgjidhja e çështjes kombëtare shqiptare”.
Prandaj, ai në këtë drejtim angazhohej me mendje, me zemër e shpirt, me tërë qenien e tij fizike e mendore, prandaj: “Halil Alidema ka qenë zemra dhe shpirti i popullit të vet. Tërë jetën punoi për popull. Nuk iu dhimt as mundi as jeta për popullin e atdheun e vet” – deklaron bashkëfshatari i tij – Riza Asllan Zuka.
Njëra ndër karakteristikat e Halilit ishte edhe gatishmëri për çdo sakrificë: “ Halili ka qenë një trim i madh. Ai ka rrezikuar shpesh edhe jetën e vet për shokë. Ai ka shërbyer si digë mbrojtëse për shokët e vet dhe për popullin e tij. Me trimërinë dhe guximin e vet, Halili i trimëronte edhe shokët dhe popullin e vet” – u shpreh Mulla Halim Budrika me rastin e ngushëllimeve të familjes së H. Alidemës.
Halili shquhej edhe për militantizmin e tij të pakompormis: “Halil Alidema ishte njëri ndër veprimtarët politikë e kombëtarë, që kontribuan në rrënimin dhe në shëmbjen e kështjellës artificiale të quajtur Jugosllavi avnojiste” (Ali Llunji).
“Halil Alidema ishte njerëzor, kishte një shpirt të ndjeshëm poetik, por në të njëjtën kohë kishte edhe karakter të fortë liridashës, militant e revolucionar”(H.Hyseni).
STOICIZMI I HALIL ALIDEMËS
Halili ishte i qëndrueshëm dhe i vendosur, i gatshëm t’i përballojë stoikisht çdo vështirësie e të papriture. Hydajet Hyseni konstaton: “Edhe qëndrimi në burg për Halilin ishte vazhdim i veprimtarisë, ishte konsolidim i radhëve dhe i përgatitjeve për betejat e reja. Lëvizja jonë ka hyrë në fazën vendimtare dhe tani duhet të përgatitemi për luftën finale, Ai ishte i bindur në nevojën e shfrytëzimit të forcave të luftës politike, por nuk kishte dilemë për pashmangësinë e ballafaqimit të armatosur me çizmën shoviniste serbomadhe.
Motoja e tij, ishte porosia e ideologut të Lëvizjes Shqiptare, Sami Frashërit, ta kërkojmë me të mirë, por edhe pushkën ta kemi plot”.
Halili krijoi Periudha historike.
“Rrallë, shumë rrallë haset personaliteti si Halil Alidema, që kanë shkrirë në mënyrë aq të natyrshme e funksionale në personalitetin e tyre veprimtarinë dhe intelektualin, poetin dhe aksionistin, humanistin dhe militantin, revolucionarin dhe shkencëtarin dhe mbi të gjitha njeriun e mirë dhe atdhetarin e kulluar.
Halil Alidema ishte nga historianët e pakët që jo vetëm shkruajnë historinë e mëparshme, por njëkohësisht edhe bëjnë historinë e re kombëtare”. (H. Hyseni)
HALILI VIZIONAR
Ndër të gjitha Halil Alidema ishte edhe vizionar.
Vladimir Beja K/admiral rezerv, për vizionaritetin e largpamësinë e Halilit shprehet kësisoj: “Halili ishte një shqiptar, ishte një përfaqësues i denjë i kësaj race me të mirat e me të metat që e karakterizojnë atë. Krenar për qenien e tij kosovar, krenar për fshatin e tij të lindjes dhe traditat e shkëlqyera patriotike për të cilat nuk reshte kurrë së foluri. E donte shumë Prishtinën dhe nuk përtonte të na e përshkruante atë deri në hollësi, apo rrugicë më rrugicë, duke përsëritur shpesh ke me e pa vetë shpejt. Halili ishte vizionar”.
Ndonëse vetë, nuk e përjetoi lirinë e Kosovës, ai e parandjeu, e shijoi aromën e saj, mundi ta parashoh si vizionar e largpamës i zhvillimeve të ngjarjeve konkrete.
Halili, shkëlqeu si një meteor, duke lënë gjurmë të pashlyeshme ndriçoi me veprimtarinë e vet, me shembullin e vet brilant, gjatë tërë jetës së tij, një periudhë historike. Jetoi me nderë, ballëlart e krenar që ishte shqiptar kosovar, me nderë e faqebardhë përmbylli jetën e vet revolucionare, duke dhënë kontribut në shumë fusha të jetës sonë shoqërore.
Shi për këto arsye obligimet tona ndaj Halil Alidemës mbeten të vazhdohet puna në realizimin e Shqipërisë Etnike, të kujtohet e nderohet e ky kolos të shpallet Tribun i popullit, të emërtohen me emrin e tij rrugë e sheshe, biblioteka e shkolla duke i ngritur edhe bustin në kuadër të shkollës së vendlindjes së vet. Vetëm kështu mund t’i dalim borxhit Halil Alidemës, por duke mos harruar edhe zonjën Teuta Kryeziu-Alidema, e cila i dha krah e forcë morale që Halil Alidema të bëhet ky që është.
Obligim e kemi ta ruajm gjithmonë kujtimin për Halilin, për ato që bëri dhe për ato që shkroi.
“E kemi obligim të mësojmë përmjet kujtimeve e veprave madhore të tij sa na deshi neve dhe sa e deshi Kosovën e Shqipërinë Etnike. Ai fitoi pavdeksinë. Drita e tij nuk shuhet kurrë. Ai gjithmonë do të ndriçojë si fanar i pashuar rrugën e historisë sonë kombëtare. Kujtimet për të na bëjnë krenar e na forcojnë.
– VIJON –
________________
SABIT ALIDEMA: HALIL ALIDEMA – METEORË LIRIE (4)
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=11085