Pashtriku, 6 prill 2021:
NJË NATË NË PANTINË
Një ditë dolëm me Lilin për të shetitur në mbrëmje në vendlindjen tonë – në Pozheran. Rreth e përqark horizontit të fshatit soditnim bukuritë natyrore, që i kapte syri ynë si në kamerë, njërën pas tjetrës. Këto bukuri i jepnin kuptim asaj mbrëmjeje, ndoshta subjektive dhe nostalgjike, ashtu siç ndodh me të gjithë shkrimtarët tanë. M’u kujtuan vargjet e Çajupit:
“Ku më duket balta,
Më e ëmbël se mjalta”.
Bukuritë natyrore të vendlindjes sonë na mahnitnin si mua ashtu edhe Lilin. Për ballë nesh shtrihej Bllata me Gelbushin, e pastaj jo fort larg rridhnin lumenjt Morava dhe Jezava si degë më e vogël e Moravës, ku gjendej Mullini i Hamdi Gjelës dhe Mullini i Halabakëve. Si degë e Jezavës ishte edhe Smirka, ku bënte pjesë Gjiri i Daskallit, i cili gjendej ndërmjet dy mullinjve afër Vitisë, në lumin Jezavë. Këto ishin mrekullitë natyrore të vendlindjes sonë.
– Pozherani zinte një pozitë të mirë gjeografike në këtë horizont të gjerë të një rrafshine me tokë pjellore e bukanike. Prandaj, Pozherani ishte zgjeruar e shtuar si një vendbanim më i madh në tërë Anamoravën. Ishte bërë edhe qendër arsimore dhe edukative. Në Shkollën e Pozheranit i ndiqnin mësimet nxënësit e dhjetë fshatrave të rrethinës së tij, ku merrnin diplomën e semimaturës, siç i thonin atëherë.
– Pozherani, përveç tokës pjellore që kishte, ishte hambari i Anamoravës, sepse karadakasit gjithmonë i luteshin Zotit që të bjerë shi në Pozheran, në hambarin e përbashkët prej nga ata siguronin bukën e motmotit, kryesisht të misrit, ishte i pasur edhe me ujë të bollshëm, ku përveç puseve familjare, vijimisht rridhnin edhe dhjetë çeshme me ujë të bollshëm, që i përngjanin shadërvanit të Gjilanit. Ky ujë i pastër si kristali përdorej për pije jo vetëm për më se 3500 banorë apo 668 familje, por edhe për bagëtinë e fshatit.
– Të nesërmen Lili e unë shkuam në fshatin Pantinë të Vushtrrisë te një shok e mik i Lilit. Në këtë familje Lili u prit ngrohtësisht, jo si mik, por si të ishte anëtar familjeje. Në bisedë e sipër nënëloket e shokëve të Lilit shtruan bisedën me të.
– O Lil, ky biri ynë, e shoku yt po krenohet me pasuri xeherorësh me shkollë, me arsimim e kulturë, po ti me çka mund të krenohesh, çfarë mrekullish ka në vendlindjen tënde, si janë nënëloket te Ju?
– Pasuritë më të mëdha me të cilat mund të mburremi ne janë bereqetet që mbillen në arat tona pjellore, si gruri, misri, tërshëra, elbi, thekra, etj. Madje, buka e gatuar nga mielli i përzier thekër dhe elb është shumë e shijshme. Ne, atje, në Pozheran hamë shpesh kësi lloj buke, drithin e së cilës e bluajmë në mullinjtë e shumtë, që radhiten njëri pas tjetrit në rrjedhat e malit të Kopilaçës.
Kopilaça është një bjeshkë me bukuri të shumta natyrore dhe shumë e pasur me pyje drunjsh të llojllojshëm. Këtë bjeshkë, dhunti natyrore e këtij vendi, e Anamoravës dhe e Kosovës, e kanë shfrytëzuar pamëshirshëm okupatorë e zaptues të ndryshëm. Mirëpo, kjo bjeshkë është e pashtershme. Prandaj, unë mund të pohoj se Kopilaça, përveç pasurive pyjore me drunj, është e pasur edhe me xehe, por të cilat nuk janë hulumtuar ende deri më tani.
– Ndërkaq, sa i përket mikpritjes e bujarisë krenohemi e mburremi vetëm me fjalë siç po mburret djali yt me shkollë e kulturë, kurse nënat tona janë njësoj si të gjitha nënëloket tona, gjithandej trojeve shqiptare. Ato kujdesen për punët e shtëpisë, e veçanërisht për bulmetin, të cilin e ruajn në fllanik, siç i thonë te ne. Vazhdimisht kujdesen për bulmetin, ndaj shpesh me gishtin lëpirës (gishtin tregues) e shijojnë bulmetin mos është prishur apo thartuar. Kështu që këto janë ndër gratë më të privilegjuara në familjet e mëdha patriarkale, ndaj të jeshë biri apo bija e baçicës është përparësi e madhe. Këto ushqehen më mirë vetë dhe fëmijët e tyre, janë edhe më të veshur e duken më zonja se gratë tjera. Mirëpo, atyre u vjen shpesh një farë ere e ajkës së leshit të deleve, që kalon tek ato me rastin e mjeljes së dhenve. Nënat tona mbarojnë edhe reqelna të nduarduart, veçanërisht nga shalqini, ftojt, ndaj çelësin e fllanikut dhe baçillëkun, nuk e dorëzojnë derisa të kenë shëndet dhe derisa të mos i lëshoj shpirti. Në këtë kohë pjekin edhe kunguj misiri.
– Po edhe ne o Lil kemi mjaft kunguj misiri, sepse sivjet janë bërë shumë. At’i kënda? – pyetën ato dhe shpërtheu gazi i pa të keq. Bashkë me to qeshi edhe Lili me loçkë të shpirtit. Me ç‘rast tek ai u shfaq bardhësia e dhëmbëve me bukurinë e tyre sikur t’ia kishte punuar stomatologu më i përsosur i artistëve të Holivudit. Kishte një shikim të mprehtë plot gaz e hare si në kohën kur ishte normalist dhe luante hendboll në skuadrën e Kosovës, apo si balerinat në skenë. Lili i shikonte drejt në sy dhe ne shakat e tij humane e miqësore i bindi gra e burra që ishin të pranishëm në odën tradicionale shqiptare të miqve, të cilët Lilin e njihnin dhe kishin dëgjuar për të se ishte ndër hendbollistët më të mirë në Jugosllavi. Kështu kaloi një natë e ngrohtë miqësore e vëllazërore në Pantinë, të cilën nuk mund ta harroj kurrë. Kujtimin për disponimin shpirtëror të Lilit, nga njëra anë dhe mikpritjen e bujarinë e ngrohtë vëllazërore që ndeshëm dhe përjetuam në familjen e shokut të Lilit në Pantinë- te Xhemail Abazi- nuk mund ta zbehin as vitet as shekujt. Tradita e mikpritjes shqiptare është shumë e lashtë. Ajo u trashëgua gjatë shekujve në kalim
NË KAÇANIK
Pasi dolëm nga Pantina, Lili u bë më serioz, ishte diç i vrerët në fytyrë dhe nuk di se ç‘mendonte në ato çaste. Meqë, nuk më pëlqeu ta shihja të tillë, sepse ndoshta diç e mundonte dhe ndoshta fshihte diç nga unë, ndaj e pyeta:
– O Lil ku do të shkosh me këtë zymti, përse je kaq i zymtë, ç‘ke, ç‘të mundon? Ku do t’ia msyjsh me këtë zymti?
– O Bit, edhe durimi ka kufi, por për ta larguar këtë zymti, të nisemi për në Kaçanik.
Shkuam në Kaçanik. Atje vërejtëm se si treni i vogël, në binarë të ngushtë po qarkullonte dhe turfullonte siç hingëllin ati, në drejtim Kaçanik-Brezovicë dhe në mënyrë të ndërsjellë Brezovicë-Kaçanik. Dhe porsa arritëm, ne u ndalëm te hoteli i vogël, ku me të hyrë ne, të gjithë të pranishmit u ngrenë në këmbë. Si duket Lili e kishte planifikuar me protokoll që të arrijë në këtë vend në kohë të caktuar, por mua nuk ma kishte thënë. Unë isha vetëm në shoqërim të tij në këtë rast.
Porsa hymë në këtë hotel, Lili pyeti:
– Ku është Mejremja? – të gjithë rrudhën krahët dhe askush nuk përgjegji.
Për mua ky emër ishte i panjohur dhe i pazbërthyer. Unë nuk e dija se kush ishte Mejremja.
Njëri ndër të pranishmit në këtë hotel tha:
– Po, këtë punë do të marrë në dorë tjetër kush. Po Lil, menjëherë. Dhe me këtë përgjigjje sikur u pajtua Lili dhe shtoi:
– Nusja, po kush tjetër, përveç saj: Madje, edhe atë nusja jonë e ardhme për ditë bajrami.
Në ato momente kur po zihej ngoje bajrami, ai do të vinte pas nëntë muajsh.
Në të kthyer nga Brezovica në Kaçanik, pa e pyetur fare, Lili se kush ishte nusja dhe kush ishte bajram kurbani dhe me ç‘kuptim e kishte përdorur atë. Si duket për Lilin të gjithë bajramet kishin diç të përbashkët, veçanërisht kurban bajramat- sakrificën dhe flijimin.
Ndonëse, e nderoja dhe e respektoja shumë Lilin dhe rrallë e tek i ndërhyja në veprimet e ndërmarrjet e tij, gjatë rrugës që po bënim me të nga Brezovica në Kaçanik i thashë:
– O Lil, ti e di fare mirë se armiqtë nuk gjenden vetëm brenda kufirit të Jugosllavisë, por edhe jashtë. Ndoshta nuk ke harruar ç‘të ndodhi ty edhe jasht kufirit. Ti e di fort mirë se si memzi shpëtove gjallë në Siri. Të dërmuan dajak. Ta bën vred dorën dhe ta thyen këmbën. Derisa ta marrësh vesh se kush ishte filan fisteku, e ta ndiqni njëri-tjetrin që t’i hakmerreni, bëhet nami i zi. Prandaj në këso rastesh duhet të marrësh shumë gjëra parasysh dhe të analizosh shumë faktorë – e këshillova unë me maturi, me frikë e me modesti.
– Përse o Bit, a pikërisht sot ma ke gjetur momentin të më flasësh kështu? – më tha ai.
– Po, pikërisht sot Lil. Ti e di se shqiptari është shqiptar. Edhe ai ka të metat e dobësitë e veta. Edhe ata ishin shqiptarë, kur u rrahën për at letrën që nuk ia kishin dërguar njeriut të caktuar, por ia kishin dërguar tjetërkujt. Edhe ai ishte shqiptar, ndaj mos i beso çdo shqiptari, sepse edhe nga soji ynë ka gjithçka. Çdo fis e ka nga një pis – thotë populli ynë. Atë ditë po të mos na ndihmonte Isa Gashi, ne do të përfundonim në birucë, pastaj ti e di se ç‘ndodhë aty. Eh, more Lil tanimë janë ngatërruar hesapet. Të gjitha, madje edhe ajo e Vratishnicës…..
– Të gjitha janë ashtu siç po thua ti. Mirëpo, o Bit, unë nuk mërzitem dhe nuk çaj kokën aspak kur jam bashkë me ty, sepse ty të kam sa njëqind – ma ktheu Lili me sinqeritetin më të madh, por megjithatë unë këtë mendim të tij më tepër e pranova si një kompliment.
– Shkuam në banesë për t’u shlodhur pak.
– O, Lil, disi këto punë, siç thotë populli i kemi marrë fort me turr. A e mban në mend se ç‘të tha njëherë Abdyl Korrani. Baca Dyl në një odë burrash? Unë isha në një komision për nxënës, sepse disa nuk donin të shkonin në shkollë.
Disa prej tyre ishin vërbuar, disa çalonin e disa ishin bërë të shurdhët. Në të vërtetë ata ishin shëndosh si molla, por shtiheshin si të tillë, njerëz me të meta vetëm për t’i ikur shkollimit. Këtë e ndihmonin armiqt tanë. Ata bënin lutje e kërkesa. Mirëpo, unë i refuzoja këto kërkesa. Madje, njëri prej tyre deshi të më gënjej dhe të më mashtrojë, ndaj unë me zë të ulët i thash:
– Mbathi çorapat more lanet!
– Mbath i kam – ma ktheu ai duke u krrusur dhe duke e kafshuar buzën si në pendim dhe sikur kërkoi falje.
– Shkoni të gjithë në klasë laneta, sepse po s’i ndoqët mësimet në shkollë, të gjithë do të mbetni loparë, do t’i ruani lopët tërë ditën, madje pa i pru në drekë, do të ju djeg dielli pa ujë e pa bukë – i qortova unë me zë të
lartë e të vrazhdë. Që nga ajo ditë, me përjashtime të rralla, s’kishte më kërkesa për mungesa të nxënësve nga mësimi në shkollë.
LILI – VEPRIMTAR NË KRYE TË DEMONSTRATAVE TË 1981-shit dhe ARRESTIMI I TIJ
Pas disa muajsh Lili shkoi me punë në Prishtinë, ku vazhdoi dhe thelloi edhe më intensivisht veprimtarinë e vet patriotike.
– Erdhi Pranvera e Madhe. Shpërthyen Demonstratat e 1981-shit. Në epiqendër të tyre qëndronte Lili me grupin e vet. Lili kaherë e kishte dëshmuar vendosmërinë për realizimin e idealit të vet. Ai qëndroi trimërisht edhe në burg. Nuk iu tremb syri as në Burgun e Beogradit, në CZ-en, por qëndori burrërisht me shokët e vet: Ukshin Hotin, Ekrem Kryeziun…
Nuk mund të thuhen as të përshkruhen vuajtjet e pafund të Lilit dhe të Tinës. Prandaj, në këto shpalime kujtimesh të mia, unë e kam vështirë të vijëzoj e të veçoj atë më qenësoren dhe peripetitë e hollësishme. Unë ato, mund t’i marrë vetëm me mend e t’i parafytyroj, por realiteti e imagjinata kanë dallim të madh njëra prej tjetrës.
Thonë se Bejta, kusheriri i Lilit, i paska ndihmuar diç Lilit derisa qëndroi në Burgun e Prishtinës. Lili njëri ndër veprimtarët më të dalluar, që kreu shumë aksione kundër shtetit të atëhershëm komunist e totalitar. I pata thënë njëherë një polici, mik i Isa Gashit, se tani e tutje nuk dua të shoh në tavolinën time, sepse ti Selim Brosha je polic i sigurimit të UDB-ës, ndonëse të kam pasur shok klase, ti i ngatërron gjërat dhe krijon përçarje edhe ndërmjet miqve. Madje, ti Lilit i ke hipur si shumë në qafë në burg, e ke torturuar atë. Kjo është ligësi jotja, sepse ti je hakmarrë në Lilin. Mirëpo, falë u qofsh Gashëve – ia thashë me mllef e urrejtje të madhe.
Nuk di kush të paska informuar kaq hollësisht, Bejta apo Isufi? – pyeti polici gjakpirës.
Ti e di shumë mirë se kush më ka informuar, sepse letrat tuaja sekrete nuk i ka lexuar as Bejta e as Isufi, përpos teje dhe ne funksionarëve komunalë – ia ktheva përgjigjen rrufeshëm.
Atëbotë unë isha kryetar komunal i LSPJ-ës në komunën e Vitisë.
Madje, ti edhe Ismet Kurteshin e ke marrë pa lejen tonë, i cili ka pasur imunitet politik.
Ti at ditë, nuk ke qenë aty, ndaj nuk kemi pasur kohë të pritnim derisa të vinit – m’u arsyetua polici kriminel. Ishte çudi e madhe se si qrkullonin letrat sekrete. Letrat, që kishin karakter tepër sekret dhe që vinin nga pushteti Krahinor i Kosovës, kishin urdhërin e prerë: – lexoje e digje!
Kështu, në ato kohë të vështira kur lexova letrën, nga e cila mësova për arrestimin e Lilit, urgjentisht mora shoferin Fehmi Pirën, i cili me veturën komunale më dërgoi deri në shtëpinë e Lilit, ku nuk gjetëm askë tjetër, përpos një gruaje të panjohur për mua dhe Yllkës së vogël. Përveç frikës që pata për veti, u shqetësova shumë edhe për fatin e Tinës dhe djalit të saj, Atdheut e vajzës, Lindës. Mirëpo, shpejt u informova se ku gjendeshin momentalisht. Në ndërkohë takova Tinën, e cila më sugjeroi që të shiheshim pas dy tri ditësh, sepse organet e sigurimit janë duke përcjellë familjen tonë rreptësisht. Madje, me këtë rast, Tina më tha:
– Po më dhimbset shumë edhe Zija Hoxha, të cilin e kanë arrestuar me gjithë djalin – Bujarin. Mirëpo, sa dijë unë ata, nuk kanë hyrë thellë në këto ujëra, ndaj nuk kanë asnjë arsye as t’i mbajnë në burg e as t’i nxjerrin në gjyq – më sqaroi ajo.
Ndërkaq, nga unë organet e pushtetit vazhdimisht kërkonin të diferencohesha nga Lili. Mirëpo, unë gjithnjë mbrohesha duke u thënë se Lilin e njoh vetëm si një njeri llafazan e të parrezikëshëm për pushtet.
Një ditë thirra kryesinë e komunës së Vitisë. Në këtë mbledhje njëri ndër ta, mori pjesë edhe sekretari i Sekretariatit të Punëve të Brendshme (të SPB-ës) Can Periqi, i cili përfaqësonte tri komunat (Gjilanin, Dardanën dhe Vitinë). Në atë kohë mua më patën propozuar delegat të Kuvendit të Kosovës dhe njëkohësisht të ma vazhdonin mandatin për kryetar të komunës së Vitisë. Mirëpo, në të vërtetë unë se si po shkonin punët rrëmujë, nga njëra anë, dhe meqë me Lilin kisha lidhje farefisnie, nga ana tjetër, nuk prisnja ditë të mira në karrierën time politike. Shih, për këtë arsye doja të tërhiqesha vetë para se të më shkarkonin organet shtetërore jugosllave, ndaj për këtë e pata njoftuar Isuf Zukën, se e kam ndërmend ta propozoja për kryetar. Mirëpo, ai nuk pranoi kurrsesi. Derisa unë po bisedoja në pëshpëritje me Isuf Zukën, Can Periqi më tha: Ti nešto pretiš nam kolegu (Ti po i kërcënohesh diç kolegut tim). Nga ky qëndrim i tij unë e kuptova se Isufi e paska njoftuar Can Periqin për arrestimin e Halilit, ndaj unë u bëra kinse nuk dija asgjë për çështjen e Halilit, ndaj i thashë:
– Unë Halilin e njoh mirë, ai vetëm flet, por është i pazarar.
– E, moj presedniqe ti ništa ne znaš, mi imamo u ruku çitavu bandu u Prištini i okolini na ÃÂelom sa Halilom!ïâ¬Âª
Në këtë mua më kishin caktuar si aktivist në fshatrat Sllatinë dhe Smirë, ku më tepër se gjithkund gjetiu po vlonte intensiteti më i hovshëm në shpërthimin e demonstratave. Meqë isha tepër i lodhur, shkova te mbesa ime (vajza e vëllait) për të pushuar dhe për të ngrënë bukë, e cila banonte në banesën e ambulancës.
Porsa fillova të drekoja, erdhi dhëndri , Ramadani, i cili më lajmëroi se përjashta te dera po më kërkonte dikush, sepse ai nuk i njihte. Njërin e kishte njohur, ai ishte Sadiku. Ishin punëtorët e UDB-ës, ndaj unë menjëherë dola dhe u përshëndeta me ta:
– Urdhëroni, hyni brenda të pimë nga një kafe! – u thashë unë atyre.
– Jo nuk kemi kohë që të hyjmë brenda, por erdhëm që të pyesim ty a ka ndonjë gjë të rëndësishme?
– Sa dij unë deri më tani nuk ka asgjë – iu përgjigja unë.
– Ti je me ta, sepse këtë po e dëshmon edhe Halili. Këtë po ta themi troç edhe ne që ta dijsh mirë – më tha po ai që edhe ma bëri pyetjen. Meqenëse u ntrashën fjalët mua nuk më mbeti tjetër, por t’ua ktheja me të njëjtin ton e sjellje arrogante.
– Ju lutem, mos më pengoni në punët e mia, se unë jam duke kryer detyrën time – ia ktheva pa ngurrim.
– E ne, në ç‘detyrë jemi, me kë jemi ne? – më pyeti ai.
– Ju jeni duke ndjekur sthrigat. Ju nuk keni se ç‘të më thoni për Halilin, sepse
unë atë e njoh më mirë se ju, e njoh shpirtërisht si vëlla e si trim sypatrembur. Dinie mirë se keni hyrë thellutave dhe po fluturoni
në qiell si ai kali i përrallave. Sjellja Juaj e papërgjegjshme ndaj meje, e shpifjet ndaj Halilit ta dini se do të ju kushtojnë shtrenjtë një ditë.
– Edhe mua po më konsideroni të këtillë shok kryetar. Ne e dimë se ju na keni ndihmuar gjatë demonstratave për hir të së drejtës dhe të së vërtetës, të cilën na e ofruat më 3 prill të vitit 1981, por mos mendoni se ia keni arritur qëllimit, sepse punët nuk merren ashtu me turr. Në një konsultim që u bë, polici social boshnjak pat pohuar se trima për mua janë ata udhëheqës komunalë, që depërtojnë në mesin e nxënësve demonstrantë, sepse ne e dimë që fëmijët dhe nxënësit janë të mashtruar, është mashtruar tërë Kosova – shtoi polici.
– O, burrë, vetëm ju po thoni diç të këtillë, por të tjerët nuk pajtohen me ju, ndaj, o, burra mund të shkoni kah keni ardhur, sepse ju kujtoni se Halili është si ju dhe unë. Atij nuk mund t’i nxirrni ndonjë fjalë, sikur edhe ta vrisni. Ju paski ndërmend të nxirrni hak në njeriun e pafajshëm – u nxeva unë, duke i ntrashur fjalët me ta. Si duket ata kishin një qëllim të caktuar, të mos më propozonin as për kryetar, se lëre më për delegat krahinor jo se jo. Veten e parafytyroja në burg, ndaj në ndarje me ta u thashë se edhe unë do të gjejë një vend të qetë në këtë botë.
Kur u ktheva ta vazhdoja drekën aty ku e kisha lënë e pashë sa ishte sahati, ndaj vetmevete thashë: jeho kënga ime jeho – le të bëhet çka të dojë, sepse biseda ime me ta mori kahje të zyrtarizuar armiqësore, kurse Lili po vuante ditët më të vështira në burgun e serboçetnikëve barbarë.
– VIJON –
_______________________________
Në 40 vjetorin e demonstratave të pranverës 1981
SABIT ALIDEMA: HALIL ALIDEMA – METEORË LIRIE (6)
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=11097