DONIKA GËRVALLA: KOSOVA NË GJERMANI SHIHET SI SIMBOL I KRIMIT TË ORGANIZUAR DHE I KORRUPSIONIT (II)

(Pashtriku.org, 10. 07. 2012) – Sot unë Donika Gërvalla nuk mund të shkoj në Gjermani e të bisedoj me askënd për Kosovën. Pse? Sepse Kosova në Gjermani shihet si simbol i krimit të organizuar dhe i korrupsionit. A është i tepruar ky vlerësim a është real unë nuk di ta vlerësoj! Por kështu shihet. Dhe sa herë që vij në Kosovë të njejtën gjë e dëgjoj edhe nga kamarieri edhe nga taksisti, nga aktivisti politik, nga profesori i Universitetit, edhe nga gazetari. Me të gjithë ata që bisedoj të njejtin vlerësim kanë. Në vendin tonë, në Republikën e Kosovës, tash me fusnotë, në vendin për të cilin babai im vërtetë sakrifikoi çka pati, jo vetëm jetën e tij po ai sakrifikoi karrierën e tij si gazetar, si muzikant, si shkrimtar, sakrifikoi mjaft, sakrifikoi vendlindjen e tij dhe u detyrua të shkonte në emigracion. Do të thotë Republika e Kosovës, për të cilën ai sakrifikoi në fund jetën, është një shtet i cili identifikohet kryesisht me korrupsion dhe krim të organizuar.
A.BAJRAMI: Ju megjithatë në Tiranë ishit mysafirë, ishit një familje që u soll nga vetë pushteti për arsye se ishit familje e një veprimtari. Do të kisha besuar se keni pasur një status të them ashtu të privilegjuar në sistemin e Enver Hoxhës, megjithë këto që i thuani.
D.GËRVALLA:
Shikoni, ajo ka qenë e dyanshme. Në radhë të parë në Shqipëri ne kemi pasur një respekt të jashtëzakonshëm nga njerëzit e thjeshtë që i takonim në rrugë. Unë jam marrë me flaut dhe në moshë shumë të vogël unë dilja në skenë dhe pjesa më e madhe e njerëzve kur kaloja në rrugë më njifnin dhe flisnin me mua, jo që isha unë diçka ndonjë artiste botërore ku me ditë se çka, po për ata isha vajza e Jusuf Gërvallës, isha vajza e atij kosovarit, me fjalorin e tyre, i cili u vra në Gjermani për Kosovën. Dhe jo rrallë njerëzve ju shpërthente vaji kur më takonin, më përqafonin vërtetë si të më kishin njeri të afërt. Njerëzit e thjeshtë në Shqipëri na kanë respektuar jashtëzakonisht shumë. Kur kemi shkuar fillimisht në Shqipëri pati një përpjekje të të pushtetit që meqenëse ne erdhëm të paktën të ishim të kënaqur që kishim një copë bukë për të ngrënë dhe të na izolonin nga pjesa tjetër e lëvizjeve. Çfarë ndodhi? Filluan të vinin autobusët e parë me turistë shqiptarë nga Gjermania. Natyrisht se refleksi i tyre i parë ishte të shohim se si jetonin familja e Jusuf Gërvallës dhe kur vinin e shifnin si jetonim ishin mjaft të tronditur dhe u shpeshtuan letrat që i shkonin byrosë politike dhe Enver Hoxhës: ne i kuptojmë se i keni rrethanat e vështira po na lejoni t’i ndërtojmë një shtëpi ose një banesë që të jetojnë kushte dinjitoze.

DONIKA GËRVALLA

_______________________________

A.BAJRAMI: Menjëherë pas shkuarjes tuaj atje, në cilin vit?
D.GËRVALLA:
Në vitin 1983 filluan të vinë grupet e para dhe natyrisht edhe ato ishin grupe mjaft të shoshituna para se t’ju lejohej të vinin në Shqipëri. Unë njoh mjaft miq të babait që nuk u është lejuar të vinin në ato rrethana në Shqipëri. Atëherë kur e panë këtë këmbëngulje të shqiptarëve që vinin nga jashtë për të qenë prezentë, për të parë si po rritemi për t’u kujdesur për ne, menjëherë ndryshoi taktika. Më vonë na shpërngulën në një banesë krejt tjetër, na dhanë kushte materiale më të mira, por natyrisht që u shtua edhe survejimi edhe përgjimet edhe të gjitha ato. Do të thotë në Shqipëri ka qenë i privilegjuar gjithkush që i mjaftonin të hollat për të pasur buk deri në fund të muajit. Ai ka qenë privilegji kryesor, sepse pjesa më a madhe ishin edhe në atë pikë. Këto probleme ne nuk i kemi pasur. Ne kemi jetuar, për kushte shqiptare, mjaft mirë. Nuk kemi qenë të persekutuar nga pushteti. Ajo nuk ka ndodhur, por nuk është edhe që ka pasur ndonjë përkushtim të madh të tyre për ne.
A.BAJRAMI: Po keni pasur komunikime, kontakte me udhëheqjen e Shqipërisë, me Enver Hoxhen, Nexhmijen?
D.GËRVALLA:
Nexhmije Hoxha vinte rregullisht, një herë në vit kur ata kishin ditën e dëshmorëve, vinte në kohën kur llogariste që vinë pjesa më e madhe e njerëzve, rrinte dhjetë minuta, pinte një kafe, sillej mjaft mirë dhe përfundonte vizitën e saj dhe shkonte. Me Enver Hoxhën nuk ka pasur kontakte. Unë jam e vetmja që e kam takuar njëherë kur kam qenë në moshën 11 vjeçare, një vit mbasi patëm shkuar në Shqipëri: Mua më morën nga shkolla dhe më çuan që t’i qoj lule në tribunë për paradën e 1 Majit. Aty kam kaluar 5, 6-7 minuta me të, ndërkohë që parada vazhdonte Përndryshe kontakte të drejtpërdrejta nuk kam pasur.
A.BAJRAMI: Foli diçka me juve, ju tha diçka? A e dinte kush jeni ju?
D.GËRVALLA
: Unë jam e sigurt se e dinte, sepse kur fëmjët e tjerë shkuan përpara, se atje ishte zakoni që qojshin lule, pionierët i dërgojnë lule udhëheqjes, dhe u vërsulën fëmijët tjerë dhe i çuan lule dhe mua më nxorën më pas për efekt, të duket pak më e veçantë, dhe Ramiz Alia e prek në krah të djathtë Enver Hoxhën dhe i thotë: Shoku Enver kemi një fëmi të Gërvallajve këtu. Atëherë ai më mori para vetes dhe në ndërkohë që vazhdonte parada unë e ndjeja se ai qante, sepse ndjeja lotët e tij që më binin mbi kokë, dhe ai përkulet e më thotë në vesh se babai ytë është Qemal Stafa i Kosovës. Ka shumë interpretime në Shqipëri pse ai e thotë një gjë të tillë. Por realiteti është se kjo ka qenë biseda që kemi zhvilluar.
A.BAJRAMI: Çfarë ndjenja keni për Enver Hoxhën dhe sistemin e tij sot? Mendoni se…!
D.GËRVALLA:
Unë jam pjesë e lëvizjes studentore për shembjen e kësaj diktature jashtëzakonisht të egër. Unë kam parë dhe kam lexuar mjaft edhe për diktatura tjera të Evropës Lindore, por ajo që ka ndodhur në Shqipëri është e paimagjinueshme për dikë që nuk ka jetuar atje. Unë kam qenë pjesë e grupit të studentëve të cilët kanë bërë një grevë urie me qëllim që emri Enver Hoxha t’i hiqet Universitetit të Tiranës dhe të hiqet marksisëm-leninizmi si degë obligative në çdo fakultet. Në fund patëm sukses e ndodhi ashtu edhe siç kërkuam. Do të thotë unë nuk kam asnjë konsideratë për ata, për ndjenja nostalgjike që kanë të bëjnë me biografinë e tyre, por jo me realitetin shqiptar përpiqen edhe mua të më tregojnë, por në kohë të Enverit Shqipëria ka qenë më ndryshe. Edhe në kohë të Hitlerit janë ndërtuar autostrada por kjo nuk do të thotë që Hitleri i ka bërë nder Gjermanisë sepse shkatërroi gjysmën e shtetit të tij me aventura. Prandaj unë për këtë sistem dhe për ata pushtetar nuk kam asnjë konisderatë dhe mendoj që koha edhe më tepër do të tregoj se çfarë ka ndodhur.
A.BAJRAMI: Në kohën sa ishit atje kishte edhe kosovarë që keni pasur komunikim, apo!
D.GËRVALLA:
Kishte mjaft kosovarë dhe ata ishin të ndarë në dy grupe. Kishte mjaft kosovarë që kishin ardhur të persektuar nga Kosova dhe jetonin në Shqipëri dhe atje ishin persekutuar dhe jetonin nëpër burgje. Kishte të tjerë që kishin ardhur si student, sidomos pas vitit 1981 si pjestar të demonstratave të 81-shit, por si pjesë e shoqërisë shqiptare që ishin me një të metë që vinin nga një vend i huaj për Shqipërinë, jeta për ta nuk ka qenë aspak e thjesht. Shumë pak prej tyre arritën të integrohen vërtet. Unë vërtetë i shoh në pjesën më të madhe janë kthyer në Kosovë mbas çlirimit. Nuk ka qenë e lehtë ta përballosh atë realitet sidomos kur nuk ke lindur aty dhe kur njeh diçka tjetër, kur dinë që liria e mendimit, liria e lëvizjes, liria personale duket pak më ndryshe.
A.BAJRAMI: Ju vendosët të largoheni nga Shqipëria në vitin 1992 dhe të ktheheni në Gjermani. Pse nuk mbetët në Shqipëri meqenëse u rrëzua sistemi komunist dhe tani besohej se do të hapet rruga për një demokraci dhe pse nuk mbetët me familjen tuaj, sepse familja mbeti?
D.GËRVALLA:..
. vend ku mund të shkoja jashtë Shqipërisë ose Kosovës më vonë sepse aty më priste varri i babait tim pra kisha lidhje shumë intime edhe pse historia ka qenë mjaft e pakëndshme kështuq unë kam ardhur në vitin 1992 thjeshtë për të ndjekur studimet. Kur erdha këtu pash që ka një realitet krejt tjetër në Gjermani në radhët e organizimit të shqiptarëve nga koha që unë mbaja mend apo nga ato që kisha lexuar nga koha kur vepronte babi. Pash që kishte një mekanizëm të organizuar mjaft mirë. Për mua ishte surprizë, njerëzit flitnin lirshëm njëri me tjetrin. Unë i mbaja mend shqiptarët në Gjermani të frikësuar nga konsullata nga ambasada nga njëri nga tjetri, jo spiun jo më fotografoi. Ato ishin hequr.
A.BAJRAMI: Tani është koha kur lufta shpërtheu në Jugosllavi. Nisi organizimi i shqiptarëve madje edhe në Kosovë e jo vetëm në diasporë. U themelua Lidhja Demokratike e Kosovës. Në ato dhjetë vite sa ishit në Shqipëri kanë ndodhë ndryshime të mëdha të them ashtu në tërë rajonin në Jugosllavi por edhe në diasporë. Po u kyçët ju?
D.GËRVALLA:
Unë kur erdha fillimisht jetoja në Hamburg, por mjaft shpesh shkoja në Shtutgart sepse thjeshtë më tërhiqte varri i babait tim doja që për ato kohë që kisha jetuar në Shqipëri kur s’kisha pasur mundësi, doja që të jem sa më afër. Në këto udhëtimet e mia natyrisht që unë takoja miq të afërm të babait tim. Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjermani në atë kohë ishte Hafiz Gagica, të cilin unë e njoh qysh kur ai ka qenë 19-20 vjeçar, sepse i përkiste një rrethi të djemëve të ri që ishin afër babit dhe me te pata shkuar në zyrë e aty pata njohur Sali Çekun i cili punonte gjithashtu në zyrën e LDK-së në qendrën për informim dhe kështu në mënyrë shumë të natyrshme unë hyna në ato rrethana diku përpiqesha të ndihmojë me një shkrim, diku me një aktivitet. Dikur më duket në vitin 1996 të them të drejtën nuk e mbaj mend sakt, por në kuadër të LDK-së më zgjodhën nënkryetare, një funksion që e bëra një vit ose dy vjet, por unë e kisha mjaft të ndarë punën time. Merresha me informimin e opinionint gjerman, me krijimin e kontakteve me gjermanët, me përkujdesjen e rrjetit të miqëve dhe partnerëve që kishim dhe në atë drejtim mendoj që ne, LDK në Gjermani ka shënuar një rritje me kalimin e kohës por edhe një të cilësisë së organizimit.
A.BAJRAMI: Në Gjermani ju thatë nisit të bashkëpunoni si të them me zyrën e LDK-së ku ishte zoti Hafiz Gagica kryetar dhe Sali Çekaj. Po më vonë e morët edhe pozitën e zyrtares për informim, zëdhënëses dhe ishit fytyra e LDK-së por të them edhe e Kosovës në Gjermani. Ishit mjaft aktive. Si nodhi kjo? Pse ndodhi kjo në fakt? Pse e morët atë punë?
D.GËRVALLA:
Viti 1998 mua më gjeti zëdhënëse të LDK-së në Gjermani për shkak se nuk kisha më mundësi të isha kryetare, thjeshtë nuk i kisha mundësitë familjare. Unë doja të përfundoja studimet, kisha një djalë të vogël dhe çështje e zëdhënëses për shtyp ose e zëdhënëses së partisë është pak më, në Gjermani mua më përshtatetj më tepër sepse ishte më tepër e lidhur drejt me gjerman dhe ai ishte i lidhur drejt me punët që bënim ne. Punët e tjera bëheshin nga zyra në Shtutgart. Prandaj në vitin 1998 kur filloi Serbia ofenzivën e saj me masakrat që i bëri në Drenicë filloi natyrisht një kapitull krejt i ri edhe për ne në Gjermani do të thotë jo vetëm për ju që keni jetuar këtu. Dhe opinioni gjerman ishte mjaft i gatshëm që të pranon edhe shpjegimet tona edhe verzionin tonë e jo vetëm verzionin e konsullatave dhe ambasadave serbe që ishin në Gjermani.
A.BAJRAMI: Para se të vazhduaj për punën e juaj në LDK në atë kohë më intereson të di pse nuk iu kthyet në Gjermani aktivitetit politik aty ku mbeti babai juaj me ata njerëz që tashmë ishin në LPK. Kishin krijuar atë strukturën të unifikuar të them ashtu. A patët komunikim me dike prej shokëve të babait?
D.GËRVALLA:
Pikërisht asaj strukture iu ktheva sepse shokët e afërt të babait tim, miqt e babait tim ndodheshin tani në Lidhjen Demokratike të Kosovës, sepse jo vetëm Shqipëria dhe Evropa Lindore por edhe Kosova kishte bërë hapa të mëdhenj nga viti 1982 kur unë isha larguar për në Shqipëri, dhe për mu ishte surprizë mjaft e madhe ajo formë e re e komunikimit që ekzistonte mes tyre. Pra unë u ktheva pikërisht aty ku unë mendoja ta gjej babain tim dhe jo në Lëvizjen Popullore të Kosovës e cila kishte mbetur mjaft e kufizuar si numër sepse pjesa më e madhe e veprimtarëve të vjetër për Kosovën kishin shkuar dhe i ishin bashkangjitur Lidhjes Demokratike të Kosovës si lëvizje në Gjermani.
A.BAJRAMI: Gjatë punës tuaj në LDK e takuat Ibrahim Rugovën? Çfarë ishin raportet me te?
D.GËRVALLA:
Unë Ibrahim Rugovën me siguri si fëmijë mund ta kem takuar por nuk e mbaj mend. Ndërsa për herë të parë e kam takuar në Shqipëri ditën që kam dalë nga greva e urisë të studentëve, në shkurt të vitit 1991. Atëherë ai së bashku me Ali Aliun, Bujar Bukoshin dhe Hafiz Gagicën kishin ardhur, ishte herë e parë që Rugova vinte në Shqipëri, dhe ndoshta, ai ka ardhur herët në mëngjes tek ne, do të thotë mund të ishte ndër vizitat e para që kanë bërë në Shqipëri. Unë kam parë që Rugova mua më konsideronte si vajzën e shokut dhe mikut të vjetër dhe unë kam folë me shumë gjerman që kanë qenë pjesë e strukturave shtetërore të cilët e njihnin rastin e babit dhe vrasjen dhe secilën herë më thonin se e di e di se presidenti Rugova kur ka qenë në Gjermani ka biseduar.
A.BAJRAMI: A kanë pasur afri Rugova dhe Jusufi?
D.GËRVALLA:
Unë nuk e di se sa afri kanë pasur më vonë por unë e di që ata kanë një shokë të përbashkët me të cilin Rugova ka ndarë dhomën si student dhe babi herë pas here, si kanë qenë kushtet atëherë nëpër konvikte ka fjetur në dhomë të tyre do të thotë përmes Isa Zymberit si shok i tyre ata kanë kaluar mjaft kohë bashkë në fillim të studimeve. Se si kanë shkuar më vonë, babi ka shkuar në gazetë, Ibrahim Rugova në Institut Albanologjik. Besoj se nuk kanë pasur kontakt të përhershëm por e kanë njohur mjaft mirë njëri-tjetrin dhe e di që të dyja palët kanë pasur konsideratë për njëri-tjetrin.
A.BAJRAMI: Po si kryetar i LDK-së apo i lëvizjes në Kosovë Ibrahim Rugovën si e vlerësoni ju sot?
D.GËRVALLA:
Si pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës që jam vet unë i lejoj vetes të them gjithmonë të shprehem pak më kritike se sa ata që kanë ndejtur anash dhe vetëm kanë ditur të kritikojnë gjithnjë. Natyrisht që Lidhja Demokratike e Kosovës dhe kryetari i saj, si përpjekja e parë e shqiptarëve për të krijuar një pluralizëm politik, dhe një liri mendimi brenda Kosovës, nuk mund të ishte e suksesshme 100 për qind. Natyrisht LDK-ja mbidominonte realitetin politik në Kosovë dhe jo ashtu po të ulemi në letër dhe ta bëjmë që ekzistojnë shumë parti politike të cilat kanë mendime të ndryshme etj. etj. Por Lidhja Demokratike e Kosovës krijoj një realitet të pajtimit kombëtar i cili nuk ishte përpara saj. Unë mendoj që pa rolin e Rugovës të tillë siç ishte, ne nuk do të ishim në gjendje që në vitet 1990-të të bashkoheshim gjithë bashkë. Dikush thoshte; ti ke qenë titistë, ti ke qenë enveristë, ti ke qenë këtu, ti atje dhe nuk do të lindte kjo energji dhe kjo dinamikë që çoi në rrëzimin e diktaturës së Millosheviqit.
A.BAJRAMI: Megjithatë, brenda vetë LDK-së sidomos në diasporë poashtu ndodhi një konflikt i brendshëm, ai unitet humbi ndoshta në momentet kyçe. Dikund në pjesën e dytë të viteve 1990-të na kujtohet se ka pasur një konflikt madje edhe të hapur në mes LDK-së këtu në Prishtinë dhe Ibrahim Rugovës dhe qeverisë në egzil të Bujar Bukoshit atje. Ju ishit në një ndërtesë me Bujar Bukoshin. LDK-ja, si ishin raportet, pse ndodhi ajo?
D.GËRVALLA:
Në një pjesë të kohës kemi qenë në një ndërtesë me zyrën e qeverisë në Shtutgart. Ajo nuk është për t’u, nuk mund të heshtet që pati fërkime jashtëzakonisht të mëdha dhe pati qëndrime të cilat unë nuk i kam kuptuar nga asnjëra palë sepse në fund të fundit të dyja palët kishin një qëllim pozitiv dhe të dyja palët punonin përditë për arritjen e atij qëllimi pozitiv dhe me metoda që ishin mjaft të ngjashme, pothuajse identike. Bujar Bukoshi drejtonte fondin e 3%-shit por pa aktivet dhe nëndegët e LDK-së në Gjermani ai fond i 3%-it do të ishte vetëm një teori sepse ishin njerëzit tanë ata që shkonin dhe shëtisnin nga fshati në fshat dhe i motivonin njerëzit të mblidhnin dhe të pasurohet ky fond dhe këtu të mbahet jeta, do të thotë të financohet jeta paralele, e cila zhvillohej këtu. Por konflikti në mes Bukoshit dhe Rugovës natyrisht, mendoj sidomos për shqiptarët në Gjermani, sidomos për atë pjesë që ka qenë e angazhuar në LDK nuk ka qenë e lehtë për t’u përbirë sepse në njërën anë për herë të parë ke një qeveri të cilën dëshiron ta përkrahësh dhe për të cilën punon përditë dhe në anën tjetër e ke Rugovën dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës që ndodhet në Gjermani. Unë e them hapur ashtu siç i mendoj gjërat. Unë them që të dy do të duhej të kishin gjetur mundësinë të ulen dhe të zgjidhin problemet e tyre, se nuk kanë qenë probleme në mes qeverisë dhe LDK-së. Po mendimi im dhe unë po flas tani, se ai ka qenë problem në mes Ibrahim Rugovës dhe Bujar Bukoshit dhe mënyrës jokompatible që ata kanë pasur mes vete për komunikim.

Familja e Jusuf Gërvallës

______________________________________

A.BAJRAMI: Kryetari i sotëm i LDK-së poashtu ishte në atë kohë në qeverinë e Bukoshit, zoti Isa Mustafa. Si e shihni atë në atë mesin, në këtë raport, ishte ai natyrisht ministër i Bukoshit ishte edhe ai në taborrin e atyre kundër Rugovës?
D.GËRVALLA:
Unë këtu nuk mund të them asgjë sepse nuk mbaj mend biseda të tilla. Unë e mbaj mend Isa Mustafën si njeri jashtëzakonisht korrekt me faturat e 3%-shit, me ato punët me të cilat merrej. Nganjëherë e kam përjetuar qoftë Mustafën, qoftë Bukoshin si persona që me shumë hezitim i lëshonin të hollat nga dora. …, kishte disa gjëra që do të duhej të ishin financuar me fondin shtetëror të Kosovës. Do të ishin marrë disa masa për financim të disa strukturave të cilat do të ishin të gatshme kur të vinte koha të kthehej pjesa më e madhe e shqiptarëve. Unë aty e kam parë pak si të stepur dhe të frikësuar nga frika se mos thonë se kemi vjedh mos thonë se kemi marrë.
A.BAJRAMI: Edhe sot e kësaj dite diskutohet 3%-shi dhe madje ka pasur së fundi edhe akuza ndaj, pikërisht Bujar Bukoshit por edhe vet Isa Mustafës se janë keqpërdorur të hollat e asaj kohe. Keni përshtypje se ka pasur keqpërdorime të fondit?
D.GËRVALLA:
Nëse kërkon përshtypjen time shumë personale, unë them që jo sepse unë e kam parë se në çfarë forme kanë punuar. Unë nuk e kam përshtypjen se të hollat e fondit të 3%-shit janë shpërdoruar. Unë mendoj megjithatë se do të ishte dashur që me ato të holla të 3%-shit të financoheshin shumë gjëra që janë lënë pikërisht nga kjo frika se dikush mund të vjen dhe mund të thotë se i keni shpërdoruar të hollat.
A.BAJRAMI: Keqpërdorimi mund të konsiderohet pse vetëm nuk janë harxhuar sa duhet shpejt dhe jo se janë harxhuar gabimisht!
D.GËRVALLA:
Mund që të jenë lënë anash gjëra që sot po shihet se janë vitale për Kosovën.
A.BAJRAMI: Për çfarë e keni fjalën p.sh.?
D.GËRVALLA:
Po e kam fjalën për krijimin e një kuadri të njerëzve të rinj të cilët veç jetonin në Gjermani të përgatitur në, qoftë në çështje të protokollit, qoftë në çështje, mbështjetja e studentëve të rinj.
A.BAJRAMI: Po flisni për ndërtim të administratës, të diplomacisë, jo për luftë për armatim?
D.GËRVALLA:
Jo! Jo! Nuk po flas për atë. Unë t’ju them të drejtën gjatë kohës që kam vepruar në kuadër të Lidhjes Demokratike të Kosovës, unë jam marrë me palën gjermane, Sali Çeku dhe Hafiz Gagica janë marrë edhe me çështje të stërvitjes së ushtarëve dhe oficerëve, të armatimit etj. etj. Unë aty veç çka flas gjëra që kam dëgjuar sepse unë aty lidhje nuk kam.
A.BAJRAMI: Ju ishit aktive deri në fund të luftës, deri në vitin 1999 por shumë shpejt mandej sikur u larguat, e braktisët LDK-në apo çka ndodhi?
D.GËRVALLA:
Jo unë me përfundimin e luftës në Kosovë, dhe këtu unë e kam pasur si qëllim që kur kam hyrë në një lëvizje poltike se unë LDK e konsideroja si lëvizje politike e jo aq si parti e ngurt, kam qenë pak alergjike ndaj partive, ngaqë vija nga një sistem totalitar ku ekzistonte vetëm një parti, Partia e Punës së Shqipërisë. Prandaj LDK për mua ishte një lëvizje por unë e kisha të qartë se nuk do të merrem gjithë jetën time në Gjermani me aktivitete të tilla në këtë formë politike. Unë vij nga sfera e artit dhe e kulturës, unë do të doja që të organizoj aktivitete të tjera kulturore të mbështes njerëz aty ku kam mundësi. Për mua ishte shumë e qartë, që me përfundimin e luftës përfundon edhe detyra ime si zëdhënëse e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Them të drejtën nuk kam pasur ndonjë presion ose ndonjë inat por kaq, kështu ishte plani im. Në momentin kur krijohen mundësitë që njerëzit të kthehen të lirë në Kosovë, unë e përfundoj punë time.
A.BAJRAMI: Iu kthyet flautës, iu kthyet studimeve? Çka keni bërë prej vitit 1999 deri sot?
D.GËRVALLA:
Jo, unë iu ktheva studimeve sepse i kisha lënë shumë anash. Pastaj nga viti 1999 deri sot përveç studimeve unë punoj vazhdimisht. Në ndërkohë kam tre fëmijë, në atë kohë kisha një djalë të vogël. Kam gjetur një kompromis në mes jetës familjare dhe jetës profesionale, por edhe luftoj çdo ditë me çështjet teknike dhe të tjera që sjellë jeta e përditshme.
A.BAJRAMI: Keni qenë dëshmitare, të themi ashtu e shumë zhvillimeve dhe një ecjeje në Kosovë dhe rreth Kosovës, e cila tani po merr formën e shtetësisë këto vitet e fundit. Do të doja të ma jepni një vlerësim, një këndvështrim tuajin se çka shihni kur e shihni Kosovën sot? Është kjo ajo për çka Jusuf Gërvalla dhe të tjerët luftuan?
D.GËRVALLA:
Unë e di që publiku ynë është i ndieshëm ndaj fjalëve të rënda, megjithatë ata që më njohin e din që unë nuk kursehem në fjalë, nuk i bie rrotull. Unë e kam pasur vështirë në vitet 1990-të bashkë me bashkëpunëtorët e mi që krijojmë kontakte në Gjermani, që t’i mbajmë ato dhe thjeshtë të krijojmë një përkrahje e cila u pa që doli jashtëzakonisht e vlefshme. Ne atëherë kur patëm nevojë për ndihmë, qoftë të shteteve evropiane, qoftë NATO-s dhe të tjerëve. Sot unë Donika Gërvalla nuk mund të shkoj në Gjermani e të bisedoj me askënd për Kosovën. Pse? Sepse Kosova në Gjermani shihet si simbol i krimit të organizuar dhe i korrupsionit. A është i tepruar ky vlerësim a është real unë nuk di ta vlerësoj! Por kështu shihet. Dhe sa herë që vij në Kosovë të njejtën gjë e dëgjoj edhe nga kamarieri edhe nga taksisti, nga aktivisti politik, nga profesori i Universitetit, edhe nga gazetari. Me të gjithë ata që bisedoj të njejtin vlerësim kanë. Në vendin tonë, në Republikën e Kosovës, tash me fusnotë, në vendin për të cilin babai im vërtetë sakrifikoi çka pati, jo vetëm jetën e tij po ai sakrifikoi karrierën e tij si gazetar, si muzikant, si shkrimtar, sakrifikoi mjaft, sakrifikoi vendlindjen e tij dhe u detyrua të shkonte në emigracion. Do të thotë Republika e Kosovës, për të cilën ai sakrifikoi në fund jetën, është një shtet i cili identifikohet kryesisht me korrupsion dhe krim të organizuar. Në vitin 2012 për mua nuk ka vlerësim më rrënues, privat, për mua personalisht si vajzë e tij, se sa kjo. Unë e shoh këtu shpesh kur vij, qoftë edhe pushtetarë afrohen, dëshirojnë të bëjnë përmendore, dëshirojnë të bëjnë takime përkujtimore. Unë mendoj që respekti as ndaj Jusuf Gërvallës, dhe Bardhosh Gërvallës e Kadri Zekës, as ndaj Jasharajve as ndaj të tjerëve nuk tregohet duke ndërtuar përmendore, respekti tregohet duke ndërtuar një shtet i cili ju kthen dinjitetin shqiptarëve, sepse po t’i shohësh rrugës, në dallim nga viti 1990 kur ne e mundëm Millosheviqin, me ndihmën e të huajve por ne e mundëm Millosheviqin, ne me punën tonë kaq vjeçare e sollëm lirinë e Kosovës dhe sot ndodhemi në një shtet ku njerëzit ecin me kokë poshtë edhe po i pyete pak se si e ndiejnë veten çdo i treti të thotë se po të kisha një mundësi do të kërkoja të shkoj dikund jashtë.
A.BAJRAMI: Po kush mendoni se është përgjegjës pse është kështu si e shpjegoni ju?
D.GËRVALLA:
Është shumë e thjeshtë. Jo vetëm që e mendoj unë por realiteti flet. Ne kemi një qeveri e cila nga pjesa më e madhe e popullatës e para; e vërtetë apo e pavërtetë unë nuk jam gjykatës që ta vërtetoj, sepse unë nuk kam qenë e pranishme gjatë zgjedhjeve por një pjesë e madhe thonë që disa vota janë vjedhë, disa vota thjesht janë manipuluar dmth vënë në pikëpyetje legjitimitetin demokratik të kësaj qeverie që ekziston sot; e dyta ne kemi qeveritarë të cilët në vitin 1999 kur janë kthyer në Kosovë, janë kthyer me 100 marka në xhep, sot zyrtarisht deklarojnë pasuri të llahtarshme. Unë i njoh rrogat këtu. Si vjen deri tek shuma të tilla të paimagjinueshme në deklarimet e tyre. Nuk po flas për ato që nuk deklarohen, po flas vetëm për ato që deklarohen legalisht. Me këtë dua të them që është një frymë shumë e pashëndetshme e cila atë shqiptarin në Dubovik, i cili vitet 1980-të ka vuajtur nga policia serbe, në vitet 1990-të ka vuajtur nga papunësia, nga mbyllja e shkollave, nga presioni direkt i policisë serbe, në vitin 2012 prapë e lë kokulur sepse e sheh që nuk ka kurrfarë perspektive as për vete e as për fëmijët e tij.
A.BAJRAMI: Ku është rrugëdalja nëse ju do të ishit në pozitë të bënit diçka? Çka është ajo që do ta kishit ndryshuar? Njerëzit në pushtet apo sistemin?
D.GËRVALLA:
Kosova ka nevojë të zgjedhë një qeveri e cila nuk premton përralla por e cila ka mundësi që me më pak korrupcion, unë sot po të më kishit pyetur para dhjetë vjetëve do të kisha thënë nuk është temë për ne, por sot nuk kam iluzion se Kosova do të shlirohet kaq shpejt nga korrupcioni. Por me më pak korrupcion dhe me vizion më të qartë për shtetin dhe të ardhmen do të arrin të ndërton këtë shtet. Unë nuk e shoh këtë qeveri në asnjë aspekt, të aftë të sjellë një të ardhme ku unë do të doja t’u them fëmijëve të mi shko dhe jeto atje. Ka diçka, siç e thatë, unë jam rritur në një ambient i cili ka qenë në njërën anë diktatura shqiptare, me gjuhën e saj me demagogjinë e saj, në anën tjetër ambienti i Lëvizjes Popullore të Kosovës të cilin unë e njoh një pjesë të madhe, unë pak i njoh direkt, por i kam ndjekur shkrimet e tyre, fjalët e tyre. Unë vërej që ka shumë LPK në qeverinë e Kosovës sot. Me këtë nuk dua të them që mua më pengon fakti që ish-anëtarë të Lëvizjes Popullore të Kosovës sot qeverisin Kosovën, por ka një element i cili më kujton kohën kur kam jetuar në Shqipëri. Unë e njoh këtë gjuhë, këtë demagogji që unë flas e flas e flas e them se unë po e luftoj korrupcionin në ndërkohë kur unë jam vetë pjesë e korrupcionit. Ajo është një gjuhë demagogjike e trashëguar, nuk e di, ose nga struktura të vjetra shqiptare ose nga struktura të reja shqiptare.

Donika Gërvalla

________________________________

A.BAJRAMI: Mendoni se sistemi i Enver Hoxhës është i instaluar sot në Kosovë në vitin 2012?
D.GËRVALLA:
Ndoshta jo i Enver Hoxhës po i njerëzve që e pasuan Enver Hoxhën dhe të cilët i përdorën të njetat metoda si Enver Hoxha të paktën në aspektin ideologjik. Unë shoh shumë, t’ju marrë një rast që të mos jem e njëanshme unë me shumë kurreshtje kam dëgjuar biseda të gjata të Albin Kurtit, në televizionin shqiptar. E kam vënë re që ky njeri edhe pse është shumë i guximshëm përdorë të njejtën gjuhë pothuaj se staliniste kur flitet për të drejtat personale, për të drejtat e njeriut, për atë se çfarë mund të shkruaj shtypi, çfarë duhet të fshihet për hir të një ideali më të lartë, etj. etj. Unë, më vjen shumë keq që e gjej këtë gjuhë që unë e kam mësuar në shkollë në Shqipëri, dhe kështu janë rritur atje gjenerata të tëra. Këtë gjuhë demagogjike unë e gjej në Kosovë në deklaratat e qeveritarëve, nga mëngjesi deri në mbrëmje. Shumë rrallë më befason dikush me fjalë konkrete dhe me propozime të shëndetshme.
A.BAJRAMI: Po kjo qeveri që e përmendni ju nuk është vetëm me njerëz prej LPK. Ka edhe njerëz të LDK-së, madje shumë të afërt të Ibrahim Rugovës që janë brenda.
D.GËRVALLA:
Natyrisht që nuk është vetëm e LPK-së. Unë mora këtë segment që unë e kam shumë të afërt, që unë e ndiej, kur dikush fillon dhe dy fjali i thotë unë e shoh se ky ka kaluar shumë kohë gjatë me pasardhësit e Fatos Nanos ose me mësuesët e tij. Fatkeqësia është edhe ajo, unë shoh shumë miq të vjetër të asaj kohe, njerëz të cilët gjatë viteve 90-të kanë lëvizë në Kosovë shumë procese. I shoh sot janë këshilltar, kanë një vend komod pune dhe ndoshta edhe kërcënimi me papunësi, ndoshta kërcënimi me atë që nesër, pasnesër mund të rrish në shtëpi, të dalësh në pension dhe të mos kesh asnjë ndikim në jetën politike i detyron këta njerëz të heshtin. Ka edhe diçka tjetër. Krimi i organizuar nuk është vetëm krim ekonomik në Kosovë. Krimi i organizuar është krim që përfundon me vrasjen e njerëzve në mes të rrugës. Prandaj, frika. Nuk mendoj që mund të kërkohet nga shqiptarët në Kosovë që me dekada të tëra të jetojnë me frikë dhe megjithatë të ngulin këmbë. Unë jam rritur me një baba i cili nuk ka pasur frikë, dhe të kthehem tek ajo se ka ardhur koha të mos heshtet. Babai nuk ka heshtur. Kam atë pretendim që në Kosovë ka ardhur koha të mos heshtet. Të gjithë e dimë realitetin, të gjithë e dimë që për një deklaratë ose për 500 euro që dikush nuk i paguan haraç dikujt që vjen t’ia kërkoj mund të vritesh vet, mund të vriten pjesëtarët e familjes, mund të kidnapohen fëmijët. Prandaj për një realitet që ne e njofim mjaft mirë, kë presim që të vij dhe të na e ndryshoj?
A.BAJRAMI: Siç e shpjegoni ju, del se alternativë brenda kësaj elite politike gati edhe nuk paska!? Meqenëse kemi, Prishtina qeveriset nga LDK-ja! Nuk është se Prishtina është ndryshe prej pjesës tjetër të Kosovës. Qeveria qendrore përfshin në vete një pjesë të madhe të spektrit politik ku nuk është vetëm PDK-ja e njerëz që dikur ishin në LPK. Flisni për opozitën e cila poashtu thoni se ka një gjuhë të rëndë gati enveriste. Kush mbeti këtu që mund ta nxjerr këtë vend në rrugë të drejtë?
D.GËRVALLA:
Unë kam njohur gjatë këtyre viteve kaq shumë djem dhe vajza të reja, që janë shkolluar nëpër Universitete të mira, që në fillim të viteve 1999, 2000, 2001 kanë ofruar potencialin e tyre, kanë ofruar mundësitë e tyre dhe gjithmonë janë refuzuar nga frika pak a shumë provinciale, se nëse ai vjen nga jashtë dhe më tregon mua. Ka në Kosovë kaq shumë të rinj që kanë një vizion kaq të qartë, se nuk ka nevojë për ndonjë filozofi të madhe, sendet janë shumë të thjeshta. Mundësitë ekonomike janë në njërën anë, dëshirat janë në anën tjetër dhe vetëm duhet gjetur një zgjidhje e cila është konform ligjit, të mos shkelet ligji, të mos shikoj secili si të pasuroj xhepin e vet, po sesi të mbetet pak edhe për atë që është për t’u bërë. Unë nga Gjermania e shoh që ju këtu psh. nuk keni as përkrahje ndërkombëtare që do t’i nevoitej Kosovës. Keni një EULEX i cili është jashtëzakonisht i ngurt në strukturat dhe joefektiv. Sot duan të burgosin dike, nesër ndërrojnë mendjen, unë shoh këtu ambasador të cilët në vendet e tyre janë nëpunës të thjeshtë ndërsa këtu sillen si mbretër të vegjël, në këtë pashallëkun e tyre në Kosovë. Pra ka mjaft zgjidhje por ka nevojë në radhë të parë për njerëz që qeverisjen e Kosovës nuk e shohin si një mundësi për të shtrirë pushtetin e tyre, por për të përmbushur një detyrë katërvjeçare, tetëvjeçare, kaq sa ta kenë mandatin, të bëjnë një hap të vogël dhe t’i lëshojnë radhën tjetrit që vjen.
A.BAJRAMI: Do të thotë kjo Kosovë kështu si është nuk është ajo të cilën e mendoi dhe për të cilën luftoi Jusuf Gërvalla dhe shokët e tij?
D.GËRVALLA:
Jo! Definitivisht jo, se natyrisht kur e shoh, nganjëherë e ngushlloi veten kur e shoh realitetin dhe them: Para 20 vjetësh ende ka qenë ushtria e Milloshqviqit në Kosovë. Policia ka mundësi të kapi të parin që i del përpara, veç pse si ka pëlqye pamja e tij, ta rrah, ta len në vend, ta burgosë dhe gjithçka. Kur e krahasojmë me realitetin tonë para 20 vjetësh, natyrisht që jemi në një kohë krejt tjetër. Por Kosova është e lirë, Kosova është shtet dhe ka disa gjëra disa vogëlsira të cilat. Jusuf Gërvalla luftoi me penë për Republikën e Kosovës. Dhe unë për vete e kam parë si shumë tragjike që diku i vihet një fusnotë, diku kthehet në Republikë Kosovo, pa asnjë nevojë që ne të marrim përshkrimin serb të Republikës tonë. Do të thotë kam përshtypjen se është një lehtësi e madhe me të cilën gjërat e rëndësishme i nënshtrohen interesave të përditshme të pushtetarëve tanë, prandaj unë nuk jam pesimiste. Unë e di që kam parë më shumë se një herë në jetën time që shqiptarët në Kosovë janë mjaft të durueshëm. Gjyshja ime e përdorte një shprehje: gjithçka këputet prej së holli vetëm zullumi prej së trashi. Dhe shqiptarët kanë dëshmuar këtu se nëse teprohet nuk janë ata që mund t’i zbusësh me dy rroga ose me tre rrugë të reja që ndërtohen. Unë mendoj se këta njerëz kanë merituar që t’ju kthehet dinjiteti. Mua t’ju them sinqerisht më vjen zor të bisedoj me dikë në Gjermani, me dikë që më kërkon një mendim para se të vij në Kosovë. Me shumë turp bisedoj me ta, duke e ditur që ka qeveritar që dërgojnë letër Prishtinës që kryeministri të mos marrë pjesë në këtë konferencë se ndryshe kancelarja gjermane ose një kryeministër i një shteti tjetër nuk merr pjesë. Ne kemi një qeveri me të cilën qeveritarët e huaj nuk duan të kenë fotografi, nuk duan t’u japin dorën. Iu shmangen dhe kjo, shikoni një gjë shumë të vogël, çfarë bën tani Jeremiq, ai aspak nuk vjen në Gjermani që të bëjë propagandë për Serbinë. Ai vetëm erdhi dhe tha; unë nuk do t’u them asgjë, shifeni vetë. Unë jam e bindur se po të ekzistonte në Gjermani mundësia dhe Gjermania ka qenë motorri kryesor i cili ka çuar në njohjen e pavarësisë në Evropë, po të kishte mundësi Gjermania ta rikthente atë kohë dhe ta bënte të pabërë njohjen e pavarësisë së Kosovës, nesër do ta kishin bërë.

A.BAJRAMI: Na vjen keq nëse është ashtu. Sidoqoftë diskutimet e tilla do të vazhdojnë. Zonja Donika Gërvalla, ju falemnderit shumë që ishit mysafire në emision. Shikues të nderuar me këtë e përfundojmë emisionin e sontëm. Deri në shikimin e ardhshëm ju përshëndes. Natën e mirë.

– FUND –

………………………………….
Shikoni edhe këtë pjesë të intervistës në YouTube:

===================================

NË VIJIM MUND TË SHIKONI NJË DEBAT PËR KOSOVËN,

KU KA MARRË PJESË DONIKA GËRVALLA.

………………………………………….

……………………………………………

____________________________

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura