SADRI RAMABAJA: A E MERITON KOSOVA, KY BREZ – ALBIN KURTIN?!

Prishtinë, 04. 12. 2015: Si ndodhi që strukturat e nomenklaturës jugosllave të pozicionohen në krye të institucioneve të Republikës? Pse ata i tmerron afirmimi i platformës për bashkimin me Shqipërinë? Në ditën e pavarësisë, më 28 Nëntor, derisa po përballeshim me kordonet e policisë që treshja: Mustafa-Thaçi-Veseli i kishte dërguar në aksionin e turpit, tek e pashë se si po e arrestonin Albinin, në ndërdije më paralkaloi fëtyra e përgjakur e Ukshin Hotit nga policia serbe.
Atëbotë, derisa përgjakej Ukshin Hoti dhe degdisej prapa grilave, në Prishtinë, Ibrahim Rugova mbante konferenca para mediave dhe formalisht, në fund kërkonte lirimin e të gjithë të burgosurve politik dhe shtonte pas një lloj pauze: “edhe Ukshin Hotin”. E bënte këtë diferencim të Ukshinit nga të burgosurit politik, duke shpresuar se kështu do ta mbante larg asaj strukture që mund ta forconte Ukshin Hotin si oponentin e tij real.
Njëri nga pinjollët e strukturës tipologjike, të cilën e kam cilësuar si autonomist projugosllav, një gazetar me mendësi politike xhuxhe, si zë i nxhirur i asaj strukture, që sot identifikohet me LDK, e që de fakto është trashëgimtare e mbetjeve të nostalgjikëve të jugosllavizmit në Republikën tonë, duke pas në krye të saj pikërisht njërin nga titistët më të betuar të nomenklaturës së Milosheviqit në Kosovën e viteve 1981-1989, e bën po të njejtën luftë speciale ndaj Albinit, duke pretenduar ta shkëpusë atë nga struktura që po ndërton sot opozita e bashkuar. Kjo kategori do të donte shumë që Albini të largohej nga Kosova dhe t’ua linte terrenin e lirë elementëve projugosllav gjithandej. Këtë kategori xhuxhësh i tmerron gjithësesi vendi që tashmë ka siguruar Albin Kurti në histori, po aq sa edhe fakti se alternativa e prosperimit të Kosovës drejt bashkimit me Shqipërinë do të drejtohet nga idealistët që po i bashkohen gjithnjë e më shumë Vetëvendosjes.

– Albin Kurti i përkulet me nderim Ukshin Hotit në Krushë të Madhe –

Këta zëdhënës të ish nomenklaturave jugosllave, nuk i tmerron aq rruga që ndjek VV dhe Albin Kurti për të pamundësuar dëmet që shkaktojnë marrveshjet me Serbinë dhe demarkacioni me Malin e Zi, sa i tmerron fjalimi programatik i Albinit, që fund e krye është në hullinë e mendimit politik të Ukshin Hotit, të shprehura në esenë e tij të njohur “Shqiptarët dhe interesat vitale të Kombit”. Natyrisht këto interesa, që ndërlidhen edhe me ato të së ardhmes së Evropës, janë në përputhje me vendin dhe pozitën që duhet ta ketë Kombi shqiptar brenda familjes europiane. Maksimalizimi i fuqisë së Kombit, në dobi të “vetë shprehjes politike të identitetit kombëtar”, siç do të shprehej Ukshin Hoti, i tmerron nostalgjikët jugosllav, si puna e Adriatik Kelmendit.
Duket se burimi real i qëndrimit të një pjese të udhëheqjes së atëhershme të LPK ndaj Ukshin Hotit, që formalisht sot vetëquhet PDK, por realisht i është kthyer amës së saj – LDK-së, është provincializmi politik që ka prodhuar sindromi esadist, si te Ibrahim Rugova dhe pasuesit e tij, edhe te Hashim Thaçi dhe sejmenët e tij. Kjo strukturë edhe në kushtet e pushtimit të egër serb, nuk hezitonin të thirreshin në kuaziinstitucionet që gjoja kishte ngritur pushteti paralel, nuk hezitonin të talleshin me intelegjencën e populit dhe ta cilësonin Kosovën që vuante nën thundrat e pushtetit milosheviqian, si Shtet!
Nuk më habit as deklarata e kryeparlamentarit sot, që edhe pas demonstrimit të dhunës së pushtetit policor ndaj VV pa përjashtuar as pallatin, thirret në shtetin ligjor!

Atyre që kanë njohuritë elementare në lëmin e historisë politike të Europës, mbrëmja e 28 Nëntorit dhe veprimi i njësive elitë të Policisë së Kosovës, do t’ ju rikthejë në kujtesë veprimin e Hitlerit më 9 e 10 nëntor 1938, që ka hy në histori si Pogromi i nëntorit 1938 ose shkurt: Nata e kristaltë.
Rikthimi i hijeve të falangave të policisë politike që komandoheshin nga pinjollët e Milosheviqit, që i ngjanin këmbë e krye eshaloneve fashiste, është ogur i zi për rrjedhën e ngjarjeve. Këto zgjatime politike të kësaj policie nuk kursyen as personalitetet si Gani Krasniqin, Sami Kurteshin… që kanë dhënë aq shumë për Kosovën. Përkundrazi, i zvarritën, duke i përdhosur e poshtruar siç bënin dikur etërit e tyre. Ky soj i “njeriut-robot” çuditërisht nuk arrinë dot ta kuptoj se ata mbesin tutje ushtar të lirisë, e si të tillë shkojnë deri në fundin e shekullit të jetës dinjitoz e vërtikal.
Atëbotë, kur qe arrestuar Ukshin Hoti, jetoja në Basel. Lajmet nga Kosova ishin sa trishtuese, po aq edhe dëshpruese. Nga drejtori i Institutit për Studime Europiane isha ftuar të mbaja para studentëve dhe profesoratit një ligjëratë për gjendjen në Kosovë. Nuk hezitova të paralajmroj shpërthimin e luftës në një të ardhme të afërt. Ai që paralajmrimin tim e kishte marrë shumë seriozisht ishte profesori i nderuar, Stephan Kux, me të cilin, më pas do të ruaj kontakte të mira dhe tok i kishim bërë një analizë marrëveshjes së parë të Rambujesë dhe përmes Sherif Bilallit ia kisha përcjell delegacionit tonë në Rambuje. Në bisedën e gjatë me mikun tim, profesor Stephan Kux, i fola edhe për Ukshin Hotin dhe ia dhashë fjalën mbrojtëse të Tij që kishte para gjykatës serbe në Prizren, bashkë me një biografi të shkurëtr të profesor Hotit. Pa shkuar në banesë, e ftova për kafe njërin prej miqëve më të ngushtë të Ukshin Hotit – Bislim Elshani. Kisha idenë që me tu liruar Ukshin Hoti, bashkarisht t’ia mbushim mendjen që ta kalojmë në Evropë, konkretisht në Belgjikë, duke shfrytëzuar ca lidhje që kishim krijuar e që na premtonin se mund ta angazhonin në një Institut për Studime Politike. Në fakt, krejt ideja ime kishte të bënte me strategjinë për ta ruajtur Ukshin Hotin nga ndonjë e keqe më e madhe e pritshme. Bislimi më mirëkuptoi dhe qe angazhuar shumë seriozisht që t’ia mbushte mendjen profesor Hotit. Por profesor Hoti nuk do të ishte ai që ishte, nëse do t’mirrte në konsideratë këshillat tona. Ndërkaq përse unë kisha ardhë tek konkluzioni për mua tepër logjik, se Ukshinin duhej tërhequr nga Prishtina, ishte mendimi që më ishte ngulitur në kokë, por që nuk e bëja dot publik: Kosova, populli i Kosovës, i asaj gjenerate… nuk e meritonte Ukshin Hotin.
Ky konkluzion më erdhi në mendje pikërisht dje, derisa shihja Albin Kurtin, të lidhur me pranga, megjithëse rrinte kokëlartë, lis i drejtë, por me shikimin larg që, sado që reflektonte krenari të ligjshme, nuk kishte se si të mos ishte thellësisht i lënduar. Gjithandej, nga i zinte syri, shihte eskortën e hekurt të policisë elitë, të paparë ndonjëherë në Prishtinë, ato kordone “mercenarësh” të treshes kriminale Mustafa-Thaçi-Veseli dhe ne, disa qindra bashkëveprimtarë të tij të shpërndarë gjithandej, që ishim bllokuar në çdo udhëkryq që shpiente tek zyrta e VV!
A e meriton Kosova, ky brez, Albin Kurtin?
Në orët e mbrëmjes dhe thellë deri afër mesnate, pasi isha kthyer i dërmuar fizikisht e shpirtërisht në shtëpi, po ndiqja lajmet e agjencive të ndryshme dhe herë pas herë kaloja tek TV tona. Dikur vonë, kisha përfunduar shkrimin që e titullova Vox Populli në mbrojtje të Republikës dhe e postova në logarinë time në fb. Pas pak shkrimin e publikoi Epoka e re në Prishtinë dhe portali Pamfleti në Tiranë. U ndjeva mirënjohës ndaj kryeredaktorëve dhe disi i lehtësuar. Kisha bërë atë që kisha mundësi reale ta bëja si person, si intelektual – veprimtar.
Por, nuk ndjehesha i shkarkuar nga ai vrull mendimesh valë-valë, që po më zienin kokën. Pyetja retorike që më vinte në mendje, pasi kisha dëgjuar intervistën e Dr. Koço Danës, por edhe ca gafe banale të një ish bashkëveprimtarit tim sa isha pjesë e LPK-së, nuk më linin rehat, ma kishin tretur gjumin. Vrullshëm pyetja që po i parashtroja vetes ishte po ajo që i kisha parashtruar vite më parë për Ukshin Hotin.
A e meriton Kosova, ky brez, Albin Kurtin?

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura