SADRI RAMABAJA: ANA E ERRËT E LDK-së

Prishtinë, 26. 11. 2013 – Beteja për Prishtinën mes VV dhe LDK-së është vazhdim i betejave të UÇK-së në frontin politik. Kjo betejë, mund t`i jap fund teatrit absurd të politikës së LDK-së, që u tall me një brez të tërë. Prishtina nuk mundet dhe nuk do të duhej të lejonte të eklipsohet nga ana e errët e LDK-së, si një mallkim sui generis për Republikën.
LDK-ja në fillet e saj kishte përpjekje të kamuflohej si parti e nacionalizmit tradicional djathtist shqiptar, duke mos lejuar pozicionimin në forumet drejtuese persona të korruptuar në qeveritë kuislinge dhe segmente tjera të pushtetit milosheviqian. Natyrisht, nën rrogoz ajo pikërisht këtë kategori e kishte konsultuar për programin e saj, madje vazhdonte ta shfrytëzoj si “forcë” rezervë, të fjetur.
Në çastet e tatëpjetës së saj të pashmangshme dhe logjike, kur ajo dukej se po shkonte gradualisht në histori, në krye të saj u soll njëri prej bashkëpunëtorëve të Rrahman Morinës, qeveria e të cilit konsiderohej si qeveria më kuislinge në gjithë shekullin e robërisë së Kosovës. Ai erdhi në këtë pozicion pikërisht nga strukturat e saj të fjetura, që duket se në prag të këtyre zgjedhjeve dhe sidomos në fillim të balotozhait në prishtinë, janë mobilizuar edhe më shumë.

 Isa i LDK-së!

Duke u pozicionuar si forcë politike kuazi e djathtë LDK-ja kishte aplikuar me sukses stilin dhe gjuhën gebelsiane kundër forcave progresive, duke imituar banalisht pararendësit e shpifur ideologjik gjatë Luftës së Dytë Botërore, nën siglën e Ballit Kombëtar, duke lënë në harresë faktin se ajo ishte krijuar pikërisht nga eshaloni i dytë i Lidhjes Komuniste Jugosllave.
Rikthimi i LDK në skemën manipulative sot, duket mbi të gjitha në slloganin e saj. Struktura e të menduarit gebelsian, shpërfaqet qoftë edhe krejt rastësisht: Sot Komunën – nesër Kosovën (Sot Gjermanin – nesër botën!)
Koketimi i hapur me qarqe e krah politik, si puna e AKR ose PD, aty ku konsideron se i hyn në punë për të siguruar Komunën (si bie fjala në Prishtonë) dhe forcuar pozicionet për zgjedhjet e nivelit qendror, është pjesë e gjakimit intutiv të ndërdijes që gjatë gjithë fushatës të përcjell sinjale nxitëse tek “forca e fjetur”, ajo rezerva që dikur ishte pjesë publike e pushtetit milosheviqian, lehtë mund të shndërrohet në një lloj bumerangu politik të llojit të vet. Sindromi i Edipit si mundësi reale e një lloj katarsisi në përballjen e pritshme mes brezave, u dëshmua më mirë se kudo në Prishtinë. Ky fenomen, me mënyrën e shpërfaqjes në Gjermaninë e viteve të zgjimit (1968), tashmë është i njohur për sociologët se politologët. Shih për këtë, tallja me historinë si taktikë që po aplikon LDK në këtë periudhë, ka gjasa të shndërrohet problem më vete. Prandaj më 1 dhjetor, tatëpjeta e saj në Prishtinë do ua lë në duar penjtë manipulues që tërheqin regjisorët e këtij teatri absurd të politikës që u tall me një brezë të tërë.
Beteja për Prishtinën prandaj po kuptohet qartë e drejtë, jo vetëm nga anëtarët dhe simpatizuesit e Vetëvendosjes!, si betejë për ndryshim real në nivel të Republikës. Ajo është rrjedhë e betejave të UÇK-së si forca politiko-ushtarake më e suksesshme në historinë e këtij krahu të Shqipërisë, që me të drejtë do të mund të trajtohet si gjenerator i historisë ballkanike dhe evropiane në shekulli XXI. Kjo betejë, shih për këtë, duhet të përfundojë me fitoren e VV. Ndërkaq përpjekjet titanike për mbijetesë të liderit të konvertuar nga një komunist jugosllav në një “demokrat” pa ngjyrë, siç është Isa M., janë shprehje e luftës mes të resë që po vjen dhe të vjetrës në ikje.
Shih për këtë, projektin për faktorizimin e faktorit shqiptar në Ballkan, në trajtën e Shqipërisë Federale nesër, që gjithsesi se do ta përshpejtonte ardhja e VV në krye të Prishtinës, nuk mundet dhe nuk do të duhej të lejonim ta eklipsojë ana e errët e LDK-së, si një mallkim sui generis për Republikën.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura