SADRI RAMABAJA: ‘DEJTONI 2’ PËR REPUBLIKA SRPSKA N’VERI TË KOSOVËS!

(Prishtinë, 27. 10. 2012) – Takimi mes Thaçit dhe Daçiqit tashmë po shihet disi i ngjashëm, respektivisht si prolog i „Dejtonit 2“ për Kosovën. Produkti i këtij takimi, gjithashtu pritet të jetë krejtësisht i ngjashëm me atë të „Dejtonit 1“. Përfundimi merret me mend!
Njohësit e rrethanave në prag të “Dejtonit 1” e kanë parasysh se paraprakisht ishte diskutuar varianti për ndarjen e Bosnjës mes Kroacisë dhe Serbisë. Ky projekt ishte tumirë disi në heshtje në disa qendra të vendosjes në Europë. Boshnjakët atëbotë të ndodhur para variantit që të humbasin krejtësisht ose të shpërtojnë atë që mund të shpëtohej, pranuan variantin më pak tragjik, respektivisht vendimet e Dejtonit që i jipnin serbëve më se 49% territor të Republikës, pavarësisht se ata nuk përbënin më shumë se 30% të popullsisë.
Autorët e kësaj platforme e kishin fare të qartë se me këtë “zgjidhje” të përkohëshme, po krijonin një shtet jofunksional dhe të paaftë për të qenë. Por përfundimi i dramës boshnjake linte nën hije këtë skenar tragjik.
Nëse këtë periudhë historike e vështrojmë pa ngarkesa ideologjike, do të venerojmë paralele të jashtëzakonshme mes vendimeve që ishin marrë në përfundim të Luftës së Parë Botërore në Paris dhe vendimeve që u morën në Dejtonin-1 për Bosnjën, dhe me hapjen e dialogut politik mes Prishtinës dhe Beogradit që po fillon tashti, që nëse venerohet nga këndvështrimi gjeostrategjik, do të mund të quhej Dejtoni-2.
Pas Luftës së Parë Botërore, Gjermania nuk ishte ndëshkuar aq sa meritonte. Riçard Hollbruk për këtë shkruan në parathënjen e librit të Margaret Macmillan-it, “Paris 1919” se “shumica e gjermanëve jashtë Komandës së lartë nuk e kuptoi se Gjermania kishte mbaruar ushtarakisht, dhe, prandaj, nuk e shihnin 11 nëntorin e vitit 1918 si ditën e dorëzimit. Hitleri do ta kapitalizonte këtë; premtimi i tij për të zhbërë Traktatin e Versajës ishte një temë popullore dhe e rëndësishme gjatë ngritje së tij në pushtet”.
Pas përfundimit të luftës në Kosovë, 12 qershorin e vitit 1999, as dje e as sot, shumica e serbëve nuk e shohin si kapitullim. Pasuesit e Sheshelit dhe Milosheviqit në Serbi, presidenti aktual i Serbisë dhe kryeministri i saj, si reperezentuesit më besnik të një qeverisjeje socialfashiste, erdhën në pushtet pikërisht falë angazhimit të tyre për të korrigjuar “lëshimet” që ishin detyruar t`i kapërdinin udhëheqësit e tyre. Ndërkaq shuarja e Republikës së Kosovës mbetet prioritet i tyre në gjithë aktivitetin politik afatshkurtër e afatgjatë.

……………………………………….

Një foto flet sa 10 000 fjalë!

Bruksel, 20.10.2012: Takimet e para Thaçi-Ashton-Daçiq, për procesin e finalizimit të një marrëveshjeje “historike” të llojit “Dejtoni’2”!

…………………………………………

Takimi mes Thaçit dhe Daçiqit tashmë po shihet disi i ngjashëm me prologun e takimeve mes treshes Milosheviq, Tuxhman dhe Izetbegoviq, respektivisht si prolog i „Dejtonit 2“ për Kosovën. Produkti i këtij takimi, gjithashtu pritet të jetë krejtësisht i ngjashëm me atë të „Dejtonit 1“. Përfundimi merret me mend!
Fatkeqësisht si Hollbruku edhe një lagje tjetër diplomatësh tjerë që kishin kontribuar në thyerjen e armatës serbe në katër luftrat e përgjakshme në Ballknain e fundshekullit XX-të, nuk kishin arritur dot ta kuptonin se përmes vendimeve që ishin marrë në Dejtoni-1, pavarësisht se po “groposnin një pjesë tjetër të Versajës” ende nuk kishin arritur të shuanin oreksin e hegjemonizmit serb për zgjerim të territoreve. Madje, ata kishin bërë krejt të kundërtën, duke i lënë një shije të mirë këtij oreksi, që po reflektohet sot ndaj veriut të Kosovës.
Shih për këtë, në Bruksel dhe qendra tjera europiane, kaherë flitet për domosdoshmërinë e korrigjimit të vendimeve të Dejtonit-1 në dobi të projekteve paraprake hegjemone serbe, duke i krijuar mundësinë krijesës së Dejtonit 1 – Republikës Serbska, që t`i bashkohet Serbisë. Por këto qarqe i fusin veshët në lesh nëse ju kujtohet Kosova Lindore (Lugina e Preshevës) dhe sidomos Maqedonia Shqiptare (pjesa perendimore e FYROM-it).
Duket se faza e parë e takimeve mes Thaçit dhe Daçiqit do të ketë për temë diskutimi pikërisht idenë për krijimin e shtetit në shtet, që do t`i ngjajë si veja vesë statusit të Republika Srpska-s në Bosnjë, për të cilin në intervistën dhënë “Evropës së lirë” u shpreh kundër ligjëruesi në Universitetin Yale, Ivo Banac.
Ky insistim i baroneshës Ashton dhe një lagjeje diplomatësh aleatë të Serbisë po qet në pah pikërisht mosunitetin brenda Unionit Europian edhe në raport me përspektivën e Republikës së Kosovës. Jo rastësisht, kjo lagje diplomatësh, në vlerësimet e brendshme e cilësojnë Kosovën, ngjashëm si Bosnjën, si shtet i dështuar.
Në këto rrethana, konkluzioni i profesorit Banac se “ajo që i nevojitet Kosovës është një lloj tjetër i qeverisë që do të ishte më pak e prekur nga akuzat për korrupsion dhe të gjitha llojet e mashtrimeve – gjë që aktualisht është një pengesë shumë serioze për Kosovën” është një anamnezë reale për gjendjen në Kosovë.
Ndërkaq fakti se Kosovës i mungon opozita e organizuar, duke përjashtuar në këtë kuadër Vetëvendosjen që konsiderohet për disa qendra europiane si forcë politike që çekuilibron interesa shumplanëshe për Ballkanin, jo vetëm ato që kanë të bëjnë me interesa politike, por shumë më shumë ato që mpleksen me interesa ekonomike të korporatave shumëkombëshe, për fat të keq, e vështërson tej mase gjykimin e ftohtë edhe të vet profesor Banacit!
Autenticiteti politik i Vetëvendosjes dhe insistimi i saj parimor për zgjidhjen e çështjes shqiptare në Ballkan konformë parimeve filozofike progresive, e në përputhje të plotë me parimin bazë të të drejtës së kombeve për vetëvendosje politike, duket se do kohë të gjejë mbështetjen e pritshme. Sidoqoftë, në mungesë totale të çfardo zëri opozitar tjetër, kjo kohë do të jetë më e shkurtër se sa mund të parafëtyrohet sot në Prishtinë nga analistë oborrtarë dhe në disa qendra europiane që burim informimi kanë këtë kategori “ekspertësh”.

…………………………………………..

SHTOJCË E PASHTRIKU.ORG

NEGOCIATAT E REJA ME SERBINË MUND TË PËRFUNDOJNË ME

NDARJEN E KOSOVËS SIPAS MODELIT BOSHNJAK!

Plani i Serbisë për ndarjen e Kosovës në dy etnitete (shqiptare dhe atë serbe) nuk është risi. Ky plan i projektuar nga Ak. Dobrica Qisiç, ndonëse gjatë periudhave të caktuara është përdorur si planë rezervë për realizimin e synimeve serbe, po ta lexosh me kujdes pakon e Ahtisaarit do të spikasësh me lehtësi shumë elemente të kamufluara apo të modifikuara, të cilat reflektojnë qartë këtë ndarje. Dihet mirëfilli se substrati i ndarjes së Kosovës ngjashëm me Bosnjen dhe Hercegovinën (BiH), është hedhur përmes krijimit të enklavave serbe, dhe veçanërisht shkëputjes së plotë të pjesës veriore të Kosovës (Leposaviçit, Zubin Potokut dhe Zveçanit, duke përfshirë këtu edhe Mitrovicën verore deri në urë të lumit Ibër), nga tërësia e ushtrimit të pushtetit prej institucioneve të Kosovës, që dolën nga rezoluta 1244 e OKB-së. Kjo ndarje e vijëzuar tashmë në pakon e Ahtisaarit, u legalizua edhe me miratimin e zemërgjerëve të ashtuquajtur “Grupi i Unitetit”, si rezultat i bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit (me ndërmjetësimin e ekipit të Ahtisaarit) që u zhvilluan gjatë vitit 2005 – 2007 në Vjenë. Sot, pas katër vjet e gjysmë – nga shpallja e Pavarësisë, me takimin Thaçi-Ashton-Daçiq (më 20 tetor 2012), kanë nisur negociatat e reja, të cilat mund të përfundojnë me ndarjen e Kosovës, sipas modelit boshnjak!

Shikoni disa Plane të Serbisë për krijimin e etnitetit serb në Kosovë!

…………………………………….

NDARJA E BiH

Në vjeshtën e vitit 1995 qendrat e vendosjes: SHBA-të dhe BE (pas një lufte të përgjakshme afër 4 vjeçare) ndërmorën nismën për ndaljen e luftës në Bosnje. Negociatat midis palëve ndërluftuese përfaqësuar nga presidenti i atëhershëm serb Solobodan Millosheviç, presidenti kroat Franjo Tuxhman dhe presidenti boshnjak Alija Izetbegoviç, u hapën në bazën e forcave ajrore Rajt-Paterson në Dejton – Ohajo në 1 nëntor 1995. Bisedimet u kryesuan nga Riçard Hollbruk i cili atëkohë ishte ndihmës sekretar i shtetit në administratën amerikane. Përfaqësuesit e BE dhe Grupit të Kontaktit, Britania, Franca, Gjermania dhe Rusia, morën pjesë gjithashtu në negociatat e sforcuara në këtë bazë ajrore. Tre javë pas nisjes së bisedimeve, Millosheviç, Tuxhman dhe Izetbegoviç arritën më së fundi një marrëveshje dhe iniciuan një Marrëveshje të Përgjithshme Kornizë për Paqen në BiH në 21 nëntor të atij viti. Dokumenti, i cili përfundimisht u bë i njohur si Akordet e Paqes të Dejtonit (DPA) u nënshkrua zyrtarisht nga të treshja Millosheviç – Tuxhman – Izetbegoviç, në 14 dhjetor 1995 në Paris.

Shikoni një ilustrim nga këto bisedime që u finalizuan me ndarjen e Bosnjes!

FINALIZIMI I NDARJES …

………………………………………..

(Shtojcën dhe ilustrimet i përgatiti kryeredaktori i pashtriku.org)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura