BEHXHET SH. SHALA – BAJGORA: DIKUSH PAS ZGJEDHJEVE TË 8 QERSHORIT DO TA FITOJË PJESËN JOTRANSPARENTE TË KRYETARIT LEGJENDAR!

Prishtinë, 05. 06. 2014 – “Arsyetim” për “shfajësim” – Para se ta bëjë një analizë për zgjedhjet e 8 qershorit botërisht deklaroj se askush nuk qëndron prapa meje. As në aspektin material e as në aspektin politik. As në aspektin familjar. Prej këtyre që po kandidojnë në zgjedhje nuk e kam as edhe një anëtar të familjes që pretendon të bëhet deputet apo edhe kryeministër! Janë disa lidhje të rrethit të 8-të apo të 9-të ose si thuhet te ne, bisht pas gardhi por që nuk mund të më vënë në ndonjë konflikt interesi të mundshëm apo të më akuzojë dikush për lidhje familjare. Në fakt, Ramush Haradinaj është dhëndërr yni pasi është i martuar me një mbesë të bajgorëve të fshatit Kunushec të Besianës. Edhe Dauti gjithashtu. Me Rada Trajkoviqin jemi rritur në një oborr pasi familja ime ka qenë e vetmja familje shqiptare që ka jetuar në enklavën e rrethuar nga kolonistët serbë në qendër të Besianës. Nuk kemi mundur të krijojmë as lidhje familjare e as miqësore sepse na rrihnin çdo ditë dhe atëherë raportet multietnike nuk kanë shërbyer si model për bashkëjetesë apo fqinjësi të mirë siç po ndodhë sot, për fatin tonë të mirë! Atëherë ishte raporti, i shtypyri dhe shtypësi! Gjyshin e Albulena Haxhiut, patriotin e madh dhe luftëtarin e vendosur për bashkim kombëtar, Ahmet Haxhiun e kam pasur shok të idealit dhe të veprimit kur shpërndanim armë në pregatitje të luftës së armatosur në kohën kur disa kandidatë që sot pretendojnë poste i shitnin ato armë që vinin nga shtetet perëndimore. Patrioti i papërsëritshëm, Ahmet Haxhiu vdiq pas torturave në Burgun e Prishtinës dhe Centralni Zatvorin në Beograd , pa e dhënë asnjë emër të shokëve.

Sot, fëmijët e atyre që e torturuan Bacën Ahmet krijojnë politika dhe opinione në Kosovën multietnike. Fehmi Mujota është dhëndërr i do kushërinjve pak më të largët të dajëve nga Lupçi i Epërm. Me Skender Hysenin jemi rritë në Besianën time dhe në Podujevën e tij! Edhe kandidati shumë i mirë i AAK-së, Milazim Abazi është mik imi i mirë por nuk kam raporte familjare. Ismet Beqiri më konsideron dhëndër sepse e kam gruan nga Kodra a Trimave (na ishte dikur). Dhëndër gjeografik apo territorial. Babën e Vlora Çitakut e kam pasur dhe e kam shumë për zemër sepse me të ndjerët Agim Çavdarbasha dhe Avdush Hasani më merrnin si fëmijë me vete kur bënin ndeja prej boemëve buzë lumit Llap. Në fakt, Shaipi ma pa hajrin sepse nga unë u mësua ta luaj lojën e shahut si duhet. Ka qenë si rregull se në 100 lojë gjithmonë e fitonte nga unë një lojë! Janë edhe do lidhje që nuk çojnë peshë në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve dhe se fuqia e interferimit tim në këto rezultate janë shumë larg nga ato që i ka Ian Cliff, psh. Për shumicën e subjekteve politike nuk kam vlerësim pozitiv. Në 6-të subjekte politike që besoj se do të jenë pjesë e Kuvendit të ardhshëm apo qeverisë ka të tillë që kanë problem me ligjin dhe me siguri, edhe në të ardhmën e afërt do të kenë problem me ligjin! Nuk ka subjekte me duar të pastërta apo krejtësisht të pastërta! Prandaj, nuk i mbajë krahun askujt ndonëse krahun e luftës e kam më të afërt për kah gjaku! Pas qershorit të vitit 1999 jam distancuar nga disa veprime të pjesës së pandërgjegjshme dhe të kriminalizuar të këtij krahu. Një kohë Xhef Billi, zëdhënës i UNMIK-ut më quante Behxhet Vetvendosja si dhe disa medie që ishin shndërruar në nevojtore publike të Hashimit. Kam miq edhe në LDK por jo “ ushtarët “ e Ibrahim Rugovës që e sabotuan luftën me të gjitha mjetet e mundshme në me krye “komandantin“ e tyre. Edhe në NISMA dhe AKR kam miq. Nuk konsideroj se kam armiq sepse mendimi dhe veprimi ndryshe sjell cilësi dhe për këtë nuk kam mëdyshje fare!
Kurrë nuk ka qenë më vështirë të parashikohen rezultatet e zgjedhjeve se kësaj radhe. Madje, as Nexhmedin Spahiu që gjithmonë ka dalë me parashikime kësaj radhe nuk po ka guxim intelektual dhe qytetar ta bëjë këtë që të mos e rrezikojë reputacionin prej analisti. Të vetmin rezultat që po e parasheh është se Isa Mustafa do të përfundojë në burg nëse bëhet kryeministër! Prognozë interesante mbase e motivuar nga shkaqet personale. Për arsye se Nexhi nuk është në listën e LDK-së apo…?!
Parashikimi i rezultateve sot është sikur t’i parashikosh zhvillimet në bursën e Wall Street-it. Sepse, luan nga çasti në çast. Gjasat për fitore rriten ose zvogëlohen në përpjestim me premtimet që i bëni apo dezinformatën që e bëni! Nga dita kur u shpallën zgjedhjet e parakohshme kisha mëdyshje të mëdha; si do t’i fitojë zgjedhjet PDK dhe pse duhet t’i fitojë këto zgjedhje LDK. Në rrrethana normale dhe në një vend normal PDK do të kalonte në opozitë me shpejtësi të dritës ndërsa LDK as që do të vinte në shprehje t’i fitojë këto zgjedhje. Po Kosova është vend i vakive dhe, edhe ndërkombëtarisht njihet si rast sui generis. ”Lufta“ midis PDK-ës dhe LDK-ës është betejë për mbijetesë politike dhe ekzistenciale. Humbësi do të shkojë në muze apo në….! Për vend të parë dhe të dytë nuk shoh tjera subjekte përveç PDK dhe LDK.
– PDK ka gjasa të mëdha të fitojë kryesisht për shkak të fushatës që po e bënë Hashim Thaçi dhe strukturës së organizuar mirë si dhe votuesve tradicionalë që nuk lëvizin shumë. Pozita e kryeministrit dhe logjistika institucionale është një përparësi që nuk e kanë subjektet tjera politike. PDK bëri potez të mençur që pas largimit të Jakup Krasniqit dhe Fatmir Limaj që e formuan NISMËN, lidhi koalicion parazgjedhor me PD, PSHDK, LB dhe disa grupime të vogla. Mos ta harroj edhe partinë e fuqishme politike që udhëhiqet nga qytetarja e Brukselit me banim të përkohshëm në Prishtinë, znj. Edita Tahiri. Këto prurje PDK-së i sjellin më shumë vota se që kanë humbur me NISMËN. Pastaj, premtimet që i bëri Hashim Thaçi pati mundësi t’i realizoi para ditës së zgjedhjeve që është hendikep i madh për oponentët dhe përparësi për subjektin që është në krye të koalicionit parazgjedhor. Fushata e Hashim Thaçit ishte shumë paqësore dhe nuk ishte përjashtuese. Premtimet e menjëhershme që nuk ishte në gjendje t’i realizojë i adresonte te AKP dhe Kuvendi i shpërndarë sipas parimit cezarian; lavdia është e imja, përgjegjësia është e juaja! E bëri një listë me kandidatë që i shpërndau sikur vezët e qyqes duke ua humbur gjurmët atyre që lehtë bien në sy! Votuesi mesatar nuk ka kohë e as mundësi ta hulumtojë listën! Prandaj i voton ata që Hashimi i ka futur në vaskën me domestos e që tash shkëlqejnë nga pastërtia! Edhe llaskucët i ka sistemuar mirë e sidomos prurjet që kanë dalë nga vërshimet dhe përmbytjet në subjektet tjera politike! Përfundimisht, kjo fushatë është fushata më e mirë e Hashim Thaçit deri sot sepse u përmbajt edhe në raste kur fyhej rendë nga mediet dhe partitë kundërshtare. Që është e pazakontë për mentalitetin ballkanik! Megjithatë, unë nuk do të dëshiroja të jem në lëkurën e tij.
– LDK asnjëherë nuk e ka pasur më lehtë ta mund PDK-në se në këto zgjedhje po të dinte të vepronte si duhej. Po të bënte koalicion parazgjedhor me AAK-në apo AKR-në dhe po të dinte të sillej si duhet me Fatmir Sejdiun duke e caktuar si bartës të listët, fitoren do ta kishte të garantuar. Apo të bënte përpjekje t’i mblidhte copëzat e thyera të LDK në një mozaik të përbashkët , fitorja do të ishte çështje teknike! LDK dhe patriarku i saj, Isa Mustafa e bënë një fushatë të zbehtë, të vonuar dhe me një fjalor ofendues dhe të dhunshëm. Për mua ishte shumë befasues fakti se të rinjt e LDK-së apo prurjet që do të duhej të ishin bërthama e reformimit të brendshëm të LDK, përdorën një fjalor shumë të dhunshëm dhe ofendues! Një parti paqësore, me një fjalor të tillë nuk shkojnë kurrësesi. Kjo e tregon pafuqinë e këtij subjekti edhe për faktin se hartimi i listave është bërë nën kërcënime dhe në baza klanore! LDK një herë e mirë duhet ta kuptojë se Ibrahim Rugova ka vdekur dhe se nuk mblidhen vota me varre apo me manipulimin e anëtarëve të familjes Rugova! Njëherë me Ukën e tash me Teutën! Duket e trishtueshme që bëhen përpjekje për t’i fituar votat me ndihmën e “ushtarëve“ të Ibrahim Rugovës kur ai, as për së gjalli nuk ka pasur ushtarë me përjashtim të një gjenerali, Adelina Ismajlit! Në pozitën më të vështirë është Isa Mustafa. Nëse nuk bëhet kryeministër, e pati puna e tij ndërsa edhe nëse bëhet kryeministër e pret prokurori Nexhmedin Spahiu!
– VV është lëvizje apo parti, që me përfundimin e reformave të brendshme që ka filluar me të madhe do të jetë forca politike kryesore në zgjedhjet e radhës. Nëse deri atëherë nuk përçahet edhe kjo. Është shtëpi me tri shtylla; e Albin Kurtit, e Florin Krasniqit dhe Rexhep Selimit me mundësi t’i shtohet edhe shtylla e katërt e Shpend Ahmetit. Një shtyllë mund lehtë të zëvendësohet me shtyllën e Ilir Dedës që duket se është edhe vet qëllimi. Zgjedhjet do të jenë pëprcaktuese për të ardhmën e VV. Është bërë një gabim i madh që nuk është përdorur më mirë fitorja në Prishtinë. VV nuk është dashur të merret me trashigiminë e Isa Mustafës duke rrënuar objekte (rrënimet kanë qenë simbolike) por është dashur të merren me të ardhmën! Me projekte konkrete. Prishtina është zonë e fuqishme zgjedhore dhe marrja me ndërtimet ilegale apo masakrimin urbanistik që e kanë lejuar të tjerët do t’i kushtojë me vota VV. Janë dëmtuar shumë bizneset dhe ekonomia e vogël. VV sot ka votues kryesisht të rinj të cilët lehtë i ndërrojnë subjektet për të cilat votojnë! Konteksti politik e dëmton shumë VV si dhe faktori ndërkombëtar! Si dhe papajtueshmëria midis pjesës kombëtare dhe pjesës së butë të VV që ka tendencë të dominojë brenda VV.
– AAK deri me kthimin e Ramush Haradinaj nga Haga ka qenë parti pa kokë dhe jetime! Deri më tani nuk ka qenë e konsoliduar dhe strukturuar si subjekt politik. Në zgjedhjet lokale i mori disa të goditura duke humbur bastionet e garantuara. Tash po bënë një fushatë të mirë, me një fjalor të matur dhe të pranueshme për opinionin dhe votuesit! Lista me kandidatë është bërë në bazë të meritokracisë dhe besnikërisë. Ramushi ka karizmë politike dhe pa të AAK do të bëhej parti e mëhallës! E meta e Ramushit është se ka shumë llaskucë rreth vetes që në kthesën e parë ia kthejnë shpinën! Dhe se e luajti gabim lojën pas kthimit nga Haga. Kjo mund t’i kushtojë edhe me përqindje të votave!
– NISMA për Kosovën është ofertë politike e pjesës se rebeluar të PDK-së, Jakup Krasniqit dhe Fatmir Limaj. Koha ka qenë shumë e shkurtër për konsolidimin e radhëve dhe shtrirjen e rrjetit në Kosovë! Oferta politike është më e fortë se oferta ekonomike! Fushatën e filluan mirë ndërsa vazhdimi ishte ashpërsim i fjalorit që herë-herë ishte ofendues që nuk shkon me karakterin e Jakup Krasniqit. Impulsiviteti i Fatmir Limaj dhe procesi gjyqësor e kufizon Limajn në paraqitje publike, debate dhe ballafaqime tjera duke e dobësuar këtë subjekt. Por, si thotë populli: “si u frikova , shumë mirë u martova “
– AKR është subjekt politik që ka krijuar një bërthamë të fortë ekonomike (Behgjet Pacolli, Mimoza Kusari me trashigimtarin Bernard Nikaj dhe partnerin e kahmotshëm Fadil Ismajlin). Tash e kanë edhe Agim Bahtirin , i cili nuk e di se nga piku por ka gjasa të mëdha të bjerë nga fiku! Biznesmen është edhe Dardan Gashi. Krahu politik është më i dobët dhe përbëhet nga Bajram Kosumi që është bërë ylber politik dhe Ibrahim Makolli. Naim Malokun nuk po di ku ta vendos ndërsa Afrim Hoti, pas stazhit të praktikantit, nëse e mbijeton do të bëhet treshe me ylberin politik dhe diasporën politike. Për AKR-në do të ishte shumë më mirë t’ia marrin nga duart Agim Bahtirit çiftelinë dhe ta mbajnë sa më larg mikrofonit në të kundërtën kanë mundësi t’i bien kavallit të gjithë bashkë dhe si subjekt politik! Vlerë për AKR janë edhe Suzana Novobërdaliu dhe Myjezene Selmani. Përparësi e AKR-së është të merret sa më shumë me ekonomi e sa më pak me politikë!
Këto janë subjektet politike që do të jenë pjesë e Kuvendit të Kosovës. Gabimet dhe befasitë janë të mundshme ndërsa unë nuk jam i pagabueshëm! Aspak.
Rezultatet e mundshme
Të gjithë po deklarohen se do të fitojnë duke iu drejtuar kryetarëve të tyre me kryeministër i ardhshëm. Të gjithë të parë dhe të gjithë kryeministra! Kjo ndodhë vetëm në Kosovë! Mendoj se fituesi duhet të kërkohet midis PDK-së dhe LDK-së. Fitues do të jenë edhe NISMA dhe AKR kur ta kalojnë pragun. Fitues mund të jenë VV dhe AAK nëse e rrisin përqindjen e votave. Në rezultatin përfundimtar kanë mundur të ndikojnë votuesit serbë nëse do të pranoheshin të gjitha listat nga Serbia. Tash, përcaktues do të jenë të “pavendosurit“ të cilët përcaktohen në momentin e fundit dhe aty për aty! Nga këta më së shumti do të përfitojnë LDK dhe VV. Realisht, në rrethana normale nuk e meritojnë fitoren as PDK e as LDK. Në mungesë të alternativës, për shkak të kryeneçësisë dhe shkapërderdhjes së opozitës , PDK do të jetë fituese e cila fiton me 26 deri në 29 %. LDK do të jetë e dyta me 22 deri në 25%. E treta do të jetë VV me 12 deri në 15% ndërsa e katërta AAK-ë me 9 deri në 12%. NISMA për Kosovën do t’i ketë 6 deri në 7% ndërsa AKR 4.50 deri në 5,90%.
Koalicionet e mundshme
Mos u besoni fjalëve të forta se nuk bëjmë koalicion me të apo me atë! Pushteti dhe interesi i bashkon edhe ata që kanë luftuar edhe me armë e jo partitë tona politike apo individë që nuk mund ta paramendojnë jetën pa pushtet. Madje, pa pushte edhe në një vend që nuk është shtet.
1. Me fitoren e PDK-së fiton edhe LDK e sidomos lideri i saj me gardën e elefantëve që duan ta sigurojnë mbijetesën me çdo kusht apo në çdo rrethanë. Nëse LDK nuk e pranon koalicionin atëherë AAK mund të bëhet partnere me Ramushin kryeministër. Aty do të jenë edhe NISMA me AKR-në. Koalicioni PDK-LDK siguron stabilitet jofunksional por siguron numra të mjaftueshëm.
2. Po fitoi LDK partneri kryesor mund të jetë VV dhe AKR. Nëse VV refuzon në lojë hynë AAK me NISMËN. Ky do të ishte një koalicion më i brishtë me një opozitë të fuqishme. Pakicat shkojnë me fituesin. Në variantin e dytë Isa Mustafa nuk do ta lëshonte postin e kryeministrit.
Përralla janë deklarimet se do të hyjmë në koalicion vetëm nëse pranohet programi i partisë sonë kur dihet se fituesi i cakton rregullat e lojës. Sikur që prijësi i valles e përcakton ritmin dhe dinamikën e valles! Mund të gaboj në parashikime por e them se jam munduar të jem shumë korrekt dhe i paanshëm. Në mbrëmje të 8 qershorit do i krahasoj rezultatet e zgjedhjeve pas së cilave ndërtimi i koalicioneve do të jetë vetëm çështje teknike. Por, definitivisht me 8 qershor 2014 dikush do të fitojë zgjedhjet e dikush atë pjesën jotransparente (të mbuluar) të figurës së lakuriquar të kryetarit lexhendar e që është kopje e një pikture të piktorit spanjoll, Francisko Goja. Uroj zgjedhje të mbara dhe të qeta!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura