SADRI RAMABAJA: KARTELA E KRIMIT NË GREQI DJE DHE AJO NË KOSOVË SOT – DIFERENCA DHE E PËRBASHKËTA E TYRE

Prishtinë, 27. 02. 2015 – Kartela e krimit në Greqi dje, e aplikuar nga konservatorët dhe të ashtuquajturit socialdemokratë dhe ajo në Kosovë sot – që ka vulën e LDK-së dhe PDK-së, diferencat i ka të pandjeshme, ndërkaq të përbashkëtat shumëdimensionale. Edhe në rastin e parë, po edhe në këtë të dytin, Republika mbetet peng e krimit.
Kryetarja e Grupit parlamentar të të Majtëve në Parlamentin Evropian, Gabi Cimer (Zimmer) e arsyetoi koalicionin e të majtës greke në pushtet, Syriza, në krye të të cilit qëndron tashti kryeministri grek, Alexis Tsipras, me një fraksion të të djathtës ekstreme. “Greqia ndodhet në një gjendje kritike me karakter historik”, u shpreh ajo për gazetën gjermane “MitteldeutschenZeitung”. “Për shkak të krizës humanitare është vënë jeta e njerëzve në lojë. Kartela e konservatorëve dhe socialdemokratëve që kishte pushtetin në Greqi deri dje, ka pamundësuar çfardo shkarkimi të gjendjes së rënduar sociale.”
Për ta zhbllokuar këtë gjendje, Tsipras kishte nevojë urgjente për krijimin e shumicës në parlament.
Nëse tërheqim një paralele mes këtij qëndrimi të një pjese të mirë të të majtës evropiane dhe lagjes tjetër që shquhet me frymën e antiamerikanizmit, do ta kemi më të qartë se pse nuk pati mirëkuptim të duhur as nga e majta evropiane për koalicionin VLAN vitin që lamë pas dhe pse nuk ka aq sa duhet mirëkuptim as për dualizmin e politikave të Vetëvendosjes sot.

Një krah i këtij spektri politik europian, Vetëvendosjen e cilësojnë e tillë si është – forcë e spektrit të majtë, socialdemokrate, ndërkaq pjesa tjetër si ultra nacionaliste, meqë ajo, në themel të programit të saj politik e ka edhe bashkimin e Republikës së Kosovës me Republikën e Shqipërisë, si nukleusi i Shtetit-Komb.
Ndërkaq për t’ju kundërvënë politikave neokoloniale VV insiston në partneritet të plotë në raport me Serbinë, por edhe rishikim të konditave të komunikimit me Brukselin dhe misionin e tij – EULEX në Kosovë. Për këtë VV në programin e saj politik është shprehur pa ekuivoke – pro politikave për një shtet të së drejtës, pro shtetit zhvillimor e social, krejtësisht në përputhje me filozofinë politike të B-së.
E veçanta e këtij qëndrimi të fraksionit të të majtës në Parlamentin Evropian (PE) kundruall Greqisë sot, tek tërheqim paralele me Kosovën, rezulton në faktin se, derisa kundruall Syrizës ka mirëkuptim pse ajo, për të krijuar shumicën në Parlament, shtrëngohet ta marrë në koalicion një forcë politike të njohur për qëndrimet e saj ekstreme të djathta, ndërkaq kundruall forcave politike në Kosovë, që po bëjnë çmos të çmontojnë Kartelin e krimit që ka instaluar tashmë PDK & LDK, duke miratuar çfardo politikash neoliberale që i servirnin grupet e interesit brenda e jashtë Kosovës, e rrjedhimisht duke e sjellë Shtetin buzë falimentimit, ende nuk ka qëndrim koherent dhe në përputhje me vlerat politike të së majtës evropiane, përfshirë edhe fraksionin që kryeson Gabi Cimer (Zimmer) në Parlamentin Evropian. Përkundrazi, kjo kartelë tashmë e shpërfaqur edhe si segment publik i mafias që ka kapur shtetin (krijimi i monopoleve galopante që imponojnë krundet si ushqim për qytetarë në vend të miellit – DEVOLLI; krimi urban dje në Prishtinë e gjetkë; plaçkitja e qytetarëve përmes orëve të rrymës; uzurpimi i ndërmarrjeve publike nga kriminelët militantë – rasti i “Pastrimi-t” në Prishtinë…) gjen përkrahje nga simotrat e veta në PE, por nuk gjykohet drejt as nga e majta evropiane.
Do të duhej të mjaftonte egzodi masiv i popullsisë shqiptare në këta muaj dimri, pamjet trishtuese ku shihen familje të tëra që kalojnë kufirin Serbi-Hungari, vdekja e fëmijës dyvjeçar nga të ftohtit në ambiente shtallash në Hungari, mjerimi social ku është zhytur një pjesë e madhe e popullit të Kosovës… që të potencohet delegjitimiteti i qeverisë Mustafa – Thaçi … dhe rrjedhimisht mbështetja e forcave politike që po angazhohen për çlirimin e shtetit nga vargonjtë e kësaj kartele, që po mbahet në këmbë para së gjithash me mbështetjen nga jashtë.
Kartela e krimit në Greqi dje e aplikuar nga konservatorët dhe të ashtuquajturit socialdemokratë dhe ajo në Kosovë sot – që ka vulën e LDK-së, si pjesë e familjes së partive popullore konservatore në PE dhe PDK-së, që bie në gjumë si socialdemokrate dhe zgjohet si konservatore, diferencat i ka të pandjeshme, ndërkaq të përbashkëtat i kanë të shumta dhe shumëdimensinale. Si e para edhe kjo e dyta, po pamundëson çfardo shkarkimi të gjendëjes së rënduar sociale që ka prodhuar këto pesëmbëdhjetëvjetë pas çlirimit të Kosovës nga Serbia dhe këto tetë vjetë të pavarësisë formale. Edhe në rastin e parë, po edhe në këtë të dytin, Republika mbetet peng i krimit.
Nëse Greqia aktualisht ndodhet në një gjendje kritike historike dhe meriton vëmendje, pra edhe mirëkuptimin e së majtës për pozicionin e Sypras në gjetjen e rrugëve për të krijuar shumicën parlamentare dhe qeverisëse, e rrjedhimisht për ta nxjerr popullin nga mjerimi social, Kosova ka kohë që është shndërruar në laborator eksperimental të llojit të vet. Një pjesë e përgjegjësisë pse Kosova ndodhet në këtë gjendje, gjithësesi i bie edhe Parlamentit Evropian, rrjedhimisht edhe fraksionit të të majtës, që ka votuar pro instalimit të EULEX-it në Kosovë dhe nuk po e mbështet sa duhet VV dhe opozitën kosovare përgjithësisht në luftën kundër kartelës së krimit (PDLK-së).

– Kontakti me autorin: [email protected] 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura