Prishtinë, 21. 10. 2013 – Në çdo nivel të veprimit në jetën tonë të përditshme, qoftë kjo në sferën e politikës a biznesit, në ndërveprimin tonë social apo në fushën e mendimit etik, dominon një numër i përcaktuar personash, të cilët kuptojnë mirë procesin mental dhe modelin veprues të masave. Kjo eminencë gri, tërheq penjtë që kontrollon mendimin politik publik.
Pak ditë na ndajnë nga 3 nëntori 2013. Skena politike në Republikën e dytë shqiptare ndjehet të jetë e polarizuar. Ndërkaq masa po vazhdon t`i nënshtrohet një manipulimi eksperimental të llojit të vet. Blloku i së keqes (PDK+LDK+AAK+AKR), është hedhur në sulm. Ai nuk len mjet pa përdorë në shërbim të manipulimit ekstrem të masës. Ruajtja e pushtetit për këtë lukuni manipuluesish paraqet kushtin elementar të egzistencës, ndërkaq mbetja në pushtet garanton rrjedhën e burimeve financiare në kontot e klaneve të interesit që riciklojnë pushtetin dhe sigurojnë vazhdimin e sundimit.
Duke përcjell me vëmendje këtë pjesë të fushatës, përfshirë edhe mediat e përfshira në këtë ekspandim manipulimi, duke mos u kufizuar vetëm tek RTK-ja, mediat e shtypura dhe portalët që i ka krijuar dhe i mbikqyrë pushteti, duket se të gjithë tok, sundimtarë dhe shërbyes të tyre, kanë përvetësuar tej mase „10 strategjitë e manipulimit“ të satiristit francez Sylvain Tims.
– Për më shumë se dy javë fushata e partive të Bllokut të së keqes është përqëndruar në përmbysjen e realitetit, largimit të vëmendjes së opinionit nga problemet kryesore;
– Ka tentuar të përmbys realitetin, duke bërë përpjekje të prezentohet si faktor për zgjidhjen e problemeve që ka shkaktuar vet (rasti i TVSH për qytetarët tanë të Kosovës Lindore);
– Ka rifilluar së numruari mbrapsht ndeshtrashat e sistemit (duke e cilësuar tutje neoliberalizimi ekstrem, privatizimi pa kriter si vlera moderne etj);
– Ka stivuar rendin e ndryshimeve, duke i bërë vështërsitë më të pranueshme (Bisedimet e ashtuquajtura teknike me Serbinsë gradualisht i ka quajtur me emrin e vet real – bisedime politike. Fundi i tyre tashmë nuk dihet. Ato duket se janë të ndërlidhura me fatin politik të Thaçit. Në kulmin e fushatës zgjedhore lejon ardhjen e pinjollit të Milosheviqit në Graçanicë pavarësisht se kishte paralajmruar se nuk do të tolerohen zyrtarët serb deri më 2 nëntor …)
– Ju kanë drejtuar masës si fëmijëve të vegjël (Si babadimri kur premton kukulla e lodra tjera të pafund… masa duhet të flejë e kënaqur. Do të ketë 160 milion euro investime… Do t` jua ndreqim një stadium si ai I Barcelonës; Do të ringjallim edhe të vdekurit – qoft edhe në bronz…);
– Është koncentruar për nxitje emocionesh tek masa, në vend të refleksioneve, si njëra nga teknikat më të veçanta për të lënduar arsyen e shëndoshë të njeriut. (Premtimi i miliona investime, punësim nga një person për familje, hapje fabrikash, lojë me emrin e presidentit të fetishuar në perendi…);
– Ka investuar në kultivimin e injorancës si metodën më perfide për mbajtjen nën kontroll të masës. (ulja e cilsisë në arsim si mjet);
– Ka krijoj mendimin tek masa se ajo ka një zhvillim mesatar (prandaj politikën duhet lënë ta bëjnë elita).
– Ka krijuar një lloj pranimi pasiv të ndjesisë së inferioritetit (duke krijuar paragjykime për vetveten se nuk janë të aftë sa duhet për të mbajtur e prosperuar shtetin…prandaj kemi nevojë të kemi përherë tutor të formatit të UNMIK-ut, EULEX-it…);
– Ka krijuar përshtypjen se është pushteti ai që njeh popullin më mire se ai vetveten. (Duke vazhduar me metodat e veprimit të vëzhgimit të secilit dhe kudo, me metoda që masa I mendonte se I takojnë të shkuarës. Duke rinkthyer sindromin orvellian të frikës dhe humbjes së shpresës për ndryshime të mundshme…)
Debati i munguar
Tashmë nuk ka institucion a mekanizëm ndërkombëtar që ka hartuar e publikuar raporte mbi Kosovën, e që nuk ka potencuar rritën e korrupcionit si fenomen që po mban peng Republikën. Ndërkaq politikat neoliberale të aplikuara në procesin e privatizimit, tashmë kanë shpërfaqur hapur tendencëat neokoloniale të fuqive të rajonit dhe më gjerë, për ta trajtuar Kosovën si treg të hapur, ndërkaq qytetarët e aftë për punë vetëm si fuqi e lirë. Shih për këtë, prodhimi vendor, madje edhe ai i bujqëve të vegjël, nuk i konkurron dot tregtarëve të mëdhenjë, që kanë uzurpuar tregjet dhe po e shpjejnë farmerin tonë drejt falimentimit. Këto masa deinkurajuese për ekonominë vendore, janë arsyet reale përse e bënë dështimin e sistemit tek ne më të dukshëm se sa në vendet tjera të rajonit. Ndërkaq segmentet tjera të shoqërisë sonë, parasëgjithash arsimi dhe shëndetësia, kanë pësuar degradim të ndjeshëm, duke krijuar shije të hidhur për gjithë sistemin.
Mungesa e strategjisë zhvillimore dhe para së gjithash politikat e këqia të drejtimit, janë tok prodhuesit e efekteve negative të ekonomisë sonë edhe ashtu të brishtë. Debati për këtë dshtim ka munguar në mediat tona; po mungon edhe gjatë kësaj fushate. Madje shkaktarët real të këtij dështimi ekonomik dhe mjerimi social, ata që ishin dhe janë në krye të këtyre insttucioneve që përbëjnë shtetin, pa u skuqur fare, sërish japin premtime për investime qindramilionshe, për një Prishtinë evropiane!, për ndërtime të fushave të sportit sipas kritereve të larta FIF-as, për hapjen e fabrikave – diku të kërpudhave e diku të përpuimit të leshit, që do të krijonin vende pune për qindramijëra të papunë, sikur t` i ketë penguar dikush që këto „vizione“ t` i realizonin edhe gjatë këtyre 14 vjetë lirie dhe 5 vjetë jete të Republikës!
Manipulimi ngritet në sistem
Kolapsi ekonomik, terrori urban (sidomos në Prishtnë), kriza sociale, rënia e cilësisë në arsim dhe shëndetësi etj., po e shpjejnë Republikën bashkë me sistemin drejt dështimit.
Ato struktura që kanë sjell këtë gjendje, nuk do të ishte e logjikshme që ta reformojnë sistemin dhe ta nxjerrin nga gjendja ku e kanë katandisur. Ndërkaq injorimi që i bëhet kësaj krize, jo vetëm gjatë kësaj fushate, duket se vije edhe nga arsye logjike.
Kjo oligarki sunduese nuk është në gjendje të krijoj struktura të reja, që do të ishin të çliruara nga mikrobi i së keqes. Përkundrazi, kjo oligarki sunduese, vazhdon manipulimin e ngritur tashmë në sistem, po me ato premtime që erdhi në pushtet, meqë gjykon se masa „këtë bulmet don“!
Kjo fushatë shpërfaqi edhe një herë manipulimin masiv që bëri e po bën oligarkia sunduese, duke shfrytëzuar të gjithë mekanizmat e mundshëm shoqëror. Kush vepron kështu, tashmë dihet. Jnaë pikërisht krijuesit dhe drejtuesit e strukturave qeverisëse të padukshme (shërbimet sekrete të partive tona, sidomos ato ët LDK-s dhe PDK-së), që në fakt janë mekanizmat real që sundon sot shoqërinë shqiptare. Ato struktura po mbajnë peng Republikën, i japin trajtë qenies dhe vetëdijes së masës, duke krijuar edhe shijet e masës (përmes mekanizmit trushpërlarës të telenovelave, premtimeve milionshe, universiteteve fiktive…), duke sugjeruar edhe sunduesit e rinj-të vjetër.
Këtë fenomen do të duhej parë edhe si produkt i demokracisë sonë tejet të brishtë. Shih për këtë, pothuajse në çdo nivel të veprimit në jetën tonë të përditshme, qoftë kjo në sferën e politikës a biznesit, në ndërveprimin tonë social apo në fushën e mendimit etik, shohim se të gjitha këto sfera dominohen nga një numër i përcaktuar personash, të cilët kuptojnë mirë procesin mental dhe modelin veprues të masave. Këta janë ajo eminenca gri, që tërheq penjtë dhe që kontrollon mendimin politik publik.
Kjo eminencë gri me kohë është shndërruar në ombrellë mbrojtëse për oligarkin sunduese. Është pikërisht kjo eminencë, si dorë e fshehur e oligarkisë sunduese, ajoqë krizën ekonomike dhe sociale, si fenomene degraduese të shoqërisë, ia ka arritur t` i shmang nga debati zgjedhor falë mjeteve malnipulative. Si ndodhi kjo? Përgjegjia në këtë pyetje do të ishte korrektura dhe shërbimi më e mirë që do të mund t` i bënim ambientit tonë politik dhe gjithë procesit transformues. Në qendër të vëmendjes, tek atëherë do të ngritej Njeriu, gjendja reale, tejkalimi i së cilës do t`i mundësojë atij jetë të dinjitetshme dhe prosperim shoqëror. Dita D – e agsholit të fillimit të fundit të manipulimit dhe heqjes së maskave – 3 nëntori, le të shërbejë si një fillim i mbarë i ndryshimit të madh të pritshëm.