PROF.DR.ASSOC.SABIT SYLA: RECENSION PËR LIBRIN ‘NË RRUGË DREJT LIRISË’ TË AUTORIT AGIM SYLEJMANI

Prishtinë, 10. 12. 2016: (Intervistë me veprimtarin e shquar të çështjes kombëtare Mehmet HAJRIZI), Prishtinë 2016, f. 248) – Veprimtari, studiuesi dhe gazetari, Agim Sylejmani, vjen me një vepër tjetër, me titull “Në rrugë drejt lirisë”, që i dedikohet veprimtarit të njohur të çështjes kombëtare, Mehmet Hajrizi dhe Lëvizjes Kombëtare, kur ai veproi.
Ky botim është kryesisht intervistë, por edhe bashkëbisedim me këtë veprimtar. Vëllimi është përgatitur me kujdesin e duhur dhe duke iu përmbajtur rigorozisht kritereve shkencore e profesionale nga një studiues i apasionuar i historisë politike dhe diplomatike të Lëvizjes sonë Kombëtare.
Autori Sylejmani, nëpërmjet të kësaj vepre u ofron lexuesve, jo vetëm veprimtarinë e Mehmet Hajrizit, por edhe të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në një hark të gjatë kohor dhe në rrethana shpeshherë kritike të historisë sonë të re. Paraqitja e zhvillimeve çlirimtare e kombëtare në libër bëhet në mënyrë jo statike e kronologjike, por me një dinamikë që e mban lexuesin në kureshtje të vazhdueshme. Këtë dinamikë e ka siguruar profesionalisht autori, duke bërë pyetje dhe nën pyetje e ndërhyrje të panumërta, për të sqaruar çështjet bazike të veprimtarisë së gjatë e të bujshme të organizatës çlirimtare që përfaqëson i intervistuari. Librit, përveç përmbajtjes së sintetizuar, vlerë të veçantë i jep edhe gjuha me një stil të qartë e të kuptueshëm për çdo lexues.

Vepra e Agim Sylejmanit “Në rrugë drejt lirisë” është para së gjithash një tregues se historia dhe kultura shqiptare, nuk gjenden më të mbuluara vetëm nëpër arkivat e huaj, por edhe si thesar i gjallë e i arkivuar brenda nesh. Studimi i tyre, si vlerë dhe dëshmi e drejtpërdrejtë e identitetit tonë kombëtar, është sot gjymtyrë e lëvizshme e qendrave tona të ndryshme kërkimore e shkencore. Burimet relevante dhe të dorës së parë, përbëjnë komponentët bazë të një vepre shkencore.
Vepra përfshinë dhe trajton një lëndë voluminoze dhe të pasur ngjarjesh që lidhen, jo vetëm me fatin e individit e të një organizate të tërë, por edhe të kombit shqiptar në përgjithësi dhe të Kosovës në veçanti. Periudha historike e trajtuar në këtë vepër, ka vështirësi jo të pakta studimi edhe për faktin që pak është shkruar për të, prandaj ky libër përbën një kontribut të çmuar për historiografinë tonë, duke sjellë fakte dhe dëshmi primare.
Kemi bindjen se vëllimi është origjinal, jo vetëm për sa u përket të rejave dhe informacionit që sjell, por sidomos për interpretimet, të cilat sinqerisht dhe me objektivitet i paraqet veprimtari Hajrizi, pa rënë në grackën e subjektivizmit. Pavarësia e mendimeve dhe konkluzioneve të paraqitura, tregon për njohjen e mirë të problemeve, dhe trajtimin e tyre nga ky veprimtar, jo vetëm në këtë libër. Hajrizi në paraqitjen e tij para mikrofonit ruan gjakftohtësinë, duke u udhëhequr nga arsyeja krijuese dhe objektiviteti, madje edhe kur përshkruan çaste të tij personale shumë emocionante dhe të dhembshme për bashkëveprimtarët e rënë dëshmorë.
Veprimtari Hajrizi ia ka dalë mbanë të na paraqesë zhvillimin e ngjarjeve të ndërthurura me kontekstin kombëtar dhe atë ndërkombëtar, nga koha në kohë, duke na dhënë kështu një material kompakt në interpretim dhe strukturë.
Me botimin e kësaj vepre solide dhe sipas standardeve të kohës, po plotësohet një zbrazëtirë në mozaikun e trashëgimisë së Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Së fundi, ky botim do t’u shërbejë rretheve të gjera të publikut shqiptar, studentëve, pedagogëve dhe kërkuesve shkencorë brenda dhe jashtë Kosovës.

– Autori është drejtor në Institutin e Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura