(Prishtinë, 31 gusht 2012) – Gjermania dhe Kina po vazhdojnë të demonstrojnë raportet e tyre te veçanta. Pozicioni i ndryshëm për çështje të ndryshme, nuk cënon harmonin në lëmin e interesave reciproke. Ky model marrdhëniesh, do te mund të shfrytëzohej fare mirë për raportet mes Berlinit dhe Prishtinës.
Shteti në mendimin politik të marrdhënieve ndërkombëtare përcaktohet si aktori kryesor. Në këndvështrimin teorik janë të njohura pikëpamjet e shkollave të ndryshme (asaj liberale, realiste dhe radikale) mbi rolin e shtetit në raportet ndërkombëtare. Por që të tri këto shkolla pranojnë rëndësinë e fuqisë. Ky rol në raportet mes Gjermanisë dhe Kinës, pavarësisht pozicioneve herë – herë të ndryshme për tema të ndjeshme, si ajo mbi liritë dhe të drejtat e njeriut, demokracinë si koncept politik dhe qeverisës etj., po reflektohet në mënyrën më të hapur të mundshme.
Pekinë, 30. 08. 2012: Kancelarja gjermane, Angela Merkel, gjatë takimit me premierin kinez, Ven Jiabao.
…………………………………………………..
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, në vizitën e saj të dytë që ia bëri Pekinit, dëshmoi edhe një herë se këto raporte të veçanta janë në shërbim të interesave nacionale gjermane dhe si të tilla ato meritojnë kujdesë e respekt të plotë shtetëror. Ajo e vetëdijshme se çfarë d.t.th. fuqia blerëse e Kinës për ekonominë gjermane, u përkujdesë që në këtë vizitë, të jetë e shoqëruar prej shtatë ministrave (nga gjithësejt 15 ministri sa i ka Gjermania). Ky penjim i fuqishëm jo vetëm politik, do të shfrytëzohet edhe prej mikëpritësit të saj, premierit kinez, Ven Jiabao, për të shenjuar defilimin e tij të fuqishëm në politikën e jashtme.
Diplomatët gjerman këtij takimi duket se i kanë kushtuar kohën dhe vëmendjen e duhur, duke mos anashkaluar edhe rolin e krenarisë së zgjuar kineze që ndërlidhet me të ashtuquajturin rrafsh të gjeopolitikës emocionale. Ata kanë përgatitur për nënshkrim me këtë rast një listë të gjatë marrveshjesh për nënshkrim, duke mos lënë anash edhe një deklaratë përmes së cilës është potencuar kursi i ri i raporteve mes Berlinit dhe Pekinit.
Gjermania mbetet tutje vendi i vetëm europian që organizon takime të përbashkëta të kabineteve qeverisëse me Kinën. Shih për këtë, në qarqet diplomatike europiane tashmë ka filluar të flitet për raportet e veçanta mes Gjermanisë dhe Kinës dhe rolin e tyre në plan më të gjerë.
Por bashkë me kancelaren gjermane për Pekinë nuk kanë udhëtuar vetëm politikanët dhe gazetarët. Një bllok i tërë biznismenësh, ndër më të njohurit të “motorit ekonomik të UE-së”, po e shoqërojnë kancelaren në vizitën e saj në Pekin. Për ndërmarrësit e fuqishëm gjerman Kina mbetet tregu më i madh, por edhe më me interes në plan afatgjatë.
Kjo dinamikë e raporteve gjermano-kineze mund të shënoj intenzitet edhe më të madh në vitin që vjen, kur priten ndryshime brezash në krye të politikës si në Pekin, ashtu edhe në Berlin. Për këtë, që tashti po kujdesen aparatet diplomatike të të dy vendeve. Dinamika e këtyre raporteve do të venerohet sidomos në rrafshin tekniko-teknologjik, ku Gjermania zë vend kryesor në shkëmbimet ekonomike gjermano-kineze. Ndërkaq thellimi i kursit të shkëmbimeve ekonomike për fuqinë në ekspansion të Azisë, vazhdon të mbetet në kreun e prioriteteve. Por, për të shtuar peshën e tyre në arenën politike botërore, që të dy gjigantët, kanë nevojë për njëri-tjetrin edhe në rrafshin politik. Përderisa Gjermania tashmë është shndërruar në promotore të UE-së, si projekt jo vetëm ekonomik, po edhe politik dhe më gjerë, pavarësisht ndeshtrashave që po kalon, nevoja për ta pasur Kinën si mbështetëse në tejkalimin e krizës së borgjeve, që ka reflektuar me krizën e euros dhe humbjen e besimit në vet projektin e UE-së, është evidente. Dhe kjo mbështetje, duket se nuk do të mungojë.
……………………………………….
Angela Merkel in China: Milliardenverträge unterzeichnet
………………………………………..
Ky model bashkëpunimi mes dy fuqive, do të mund të ishte fare i mundshëm për një rifillim të mbarë mes Gjermanisë dhe Republikës së Kosovës, tashmë pas mbylljes së zyrës së Përfaqësuesit Civil ndërkombëtar (ICP), poqëse ky veprim do të shkonte në dobi të forcimit të pavarësisë së Republikës dhe jo në funksion të fillimit të dialogut politik me Serbinë. Heqja e mbikqyrjes së pavarësisë nga kjo zyrë, për fat të keq nuk po bëhet në funksion të forcimit të pavarësisë së shtetit, por në funksion të dobësimit dhe defunksionalizimit të shtetit, meqë po përgatitet terreni për statusin e autonomisë për veriun e Kosovës. Krejt kjo rrudhje graduale e shtetit, është produkt i shantazheve dhe mungesës së vizionit politik, që pretendon ta mbajë tutje Republikën në stadin e një protektorati të Brukselit.
E vetkuptueshme, fuqia e Kosovës nuk është tregu prej 2 milionësh, që tërheq investitorët e mëdhenjë gjermanë, por pozita e saj gjeopolitike. Në këtë kuadër rol të veçantë do të mund të luante përvoja pozitive në rrafshin historik mes dy popujve tanë dhe interesat reciproke për prosperimin e rajonit drejt Brukselit. Ndërkaq, diaspora jonë e fuqishme në Gjermani do të mund të shërbente si një amalgamë e llojit të vet.