DILAVER GOXHAJ (SHPËTIM GOLEMI): FORMACIONET E UÇK-së, DUHET TË MBROHEN E TË SULMOJNË PËR TË MBAJTUR EPËRSI NË LUFTË KUNDËR FORCAVE SERBE! (12 GUSHT 1998)

Pashtriku, 23 prill 2019: Ka më shumë se tre javë, që nga të gjitha agjensitë botërore,po vërshojnë me bollëk të madh lajme nga më trullosëset për poshtërsitë antinjerëzore gjithnjë e më të egra të serbëve në Kosovë, të cilat për serbët janë argëtim, ndërsa për kosovarët janë zhdukje fizike ose mjerim për të mbijetuarit. Ky akt mizor, që po kryhet nga forcat ushtrako-policore serbe nëpërmjet operacionit ushtarak që ka ndërmarrë kundër këtij populli martir, vërteton dukurinë historike se popujt e vegjël që janë të aftë të bëjnë luftë çlirimtare kanë hëngër vazhdimisht plumba, shkelma e grushta kur ata nuk mbrohen nga komuniteti ndërkombetar. Me sa duket tragjedia e këtij populli do të vazhdojë të jetë e tmerrshme. 

Çdo gjë po shëmbet, po vidhet, po shitet. Çdo gjë është rrënuar e braktisur. Kjo katastrofë njerëzore po realizohet nga e përkëdhelura e Evropës, e cila e ka emrin Serbi. Ajo, duke përfituar nga mosmarrëveshjet ndërmjet vetë shqiptarëve dhe nga mos akordimi i këtyre të fundit me diplomacinë ndërkombëtare; duke përfituar nga grindjet midis UÇK-së dhe partive politike në Kosovë si dhe nga dobësia relative e UÇK-së, ndërmori operacione ushtarake në të gjitha rajonet ku ka aktivitet luftarak çlirimtar, duke e motivuar se po luftoj “terrorizmin shqiptar”.
Sërbia shpalli se do të bënte luftë me UÇK-në dhe jo me popullin kosovar, por po ndodh e kundërta. Ai po lufton me popullin kosovar. Me këtë veprim ajo zbuloi sekretin, pasi vërtetoi se qëllimi i shtetit sërb është shfarosja e popullit kosovar, ndërsa ata që s’ do të mund t’i vrasë, t’i shpënguli nga trojet e veta.
Ky qëllim vërtetohet nga vrasjet e varrosjet masive në Rahovec e gjetkë, nga shpërngulja deri tash e 231 mijë shqiptarëve, nga bombardimi me artileri i më se 400 fshatrave dhe rrafshimi i rreth 300 prej tyre si dhe i 5 qyteteve të vogla. Të tilla dëmtime nuk arritën në këto shifra në Kosovë as në Luftën e Dytë Botërore 5 vjeçare, ndërsa Serbisë iu deshën vetëm 15 ditë të realizonte 10 – fishin e tyre.
Vetëm këto shifra bindin mbarë njerëzimin se Kosova është një popull i pushtuar. Kjo vërteton maksimën se çdo popull që i është aneksuar një populli tjetër jo me dëshirën e shumicës së tij por me vendime të më të fuqishmëve, quhet popull i pushtuar. Kjo është edhe arsyeja se pse nuk i dhimbset Serbisë gjaku që po derdh populli kosovar. Ky popull kërkon që të hiqet dorë nga ky aneksim i dhunshëm dhe t’i jepet e drejta të formojë shtetin e vet.

Zgjidhja e çështjes së Kosovës nga komuniteti ndërkombëtar, sipas parimit të vetvendosjes, do të çliroi përfundimisht edhe Evropën nga ndërgjegjia e vrarë dhe diktatura e Moskës; do të mundësojë qytetërimin e Serbisë si dhe atë të zhvillimit paqësor të Ballkanit.
Taktikat e ushtrisë sërbe në realizim të genocidit Sërbia, kur e pa se ky popull po e forconte çdo ditë ushtrinë e vet çlirimtare dhe shndërrimi i saj në ushtri të rregullt do t’i kapërcente objektivat e diplomacisë ndëkombëtare, ndërmori operacionin e shfarosjes. Të nesërmen e ndërmarrjes së këtij operacioni në shkallë të gjerë, më 24.07.1998, për çudi, bllokohen edhe fondet financiare të qeverisë së Kosovës në Zvicër, pa asnjë vendim të ndonjë institucioni ndërkombëtar vendim-marrës, ndërkohë që vendime të tilla, të atyre institucioneve, ka disa për Serbinë dhe nuk është zbatuar asnjë. Thua të jetë rastësi a thjesht një pakujdesi?’ Gjatë këtij operacioni taktika e përdorur nga serbët është ajo e lëvizjes me forca të shumta, të motorizuara e të blinduara gjatë rrugëve dhe në terrene të kalueshme prej tyre, duke u mbështetur tek zjarri i pakufizuar i artilerisë, me anën e të cilit bëhet goditja e të gjitha fshatrave që përfshihen në rrezen e zjarrit të saj. Sulmi vetëm me zjarr artilerie tregon se serbët kanë druajtje të zbresin nga blindi, madje më mirë mund t’i quajmë demonstrime se sa sulme. Në rast se forcat e UÇK-së do të ndërmerrnin sulme të shpejta, të fuqishme e të befasishme në krah e në shpinë të tyre, padyshim që do t’i kishin shpartalluar formacionet sërbe. Serbët përdorin këtë taktikë, me sa duket, thjesht për terror dhe për të tërhequr forcat e UÇK- së në kurthet e tyre, prandaj edhe aviacionin.në shumicën e rasteve, e kanë mbajtur në ajër e në gatishmëri.
Gjatë këtij operacioni u pa se serbët kishin vlerësuar drejt armatimin që disponon UÇK-ja, pasi për herë të parë u pa përdorimi i kamionëve të transportimit të ushtarëve mbuluar me mbrojtëse blindi të varur në spondet anësore, me qëllim për t’u mbrojtur nga zjarri i armëve të këmbësorisë gjatë rënies në pritë, si dhe mundësinë e të hedhurit të ushtarëve po nga spondet anësore. Asgjësimi i këtyre mjeteve mund të bëhet me granata dore, nga lart, në luftim e në prita të afërta ose me armatim antitank.
Një veçori tjetër dalluese nga ana e sërbëve,gjatë këtij operacioni, ka qënë dhe është kryerja e veprimeve luftarake vetëm dhe vetëm ditën, asnjëherë natën. Kjo tregon se ata jo vetëm që kanë frikë të lëvizin natën, prandaj mbyllen në kazerma, por e dinë se luftëtarët kosovarë e njohin terrenin me pëllëmbë dhe mund t’i godasin natën e në befasi. Gjithashtu mund të themi se ata nuk duhet të disponojnë mjete masive të shikimit natën, prandaj kryerja e sulmeve natën nga forcat e UÇK- së, duhet të jetë veprimi më i zakonshëm.
Veprimet e UÇK-së
Përsa u përket veprimeve të UÇK-së gjatë ketij operacioni ato puthuaj se patën kryesisht karakter mbrojtës, duke mos pranuar betejë me forca të shumta e të përqendruara. Kjo taktikë e shpëtoi UÇK-në nga shpartallimi, për të mos thënë nga asgjësimi.
Në rast se UÇK-ja do të kish pranuar t’i përqëndronte forcat në disa pika,ato do të ishin rrethuar e asgjësuar, pasi serbët grumbulluan shumë forca e mjete dhe, si rrjedhojë, siguruan epërsi dërmuese. Po të pranonin forcat e UÇK-së që të zhvillonin betejë, ky do të ishte gabimi strategjik më i madh nga ana e tyre. Mirëpo këtë veprim të mënçur strategjik UÇK-ja nuk e çoi deri në fund. Ajo, betejat me forca të shumta e të përqendruara, që serbët kërkonin t’ia impononin, duhej t’i kish zëvendësuar me një shpërthim zinxhir të shumtë luftimesh të vogla dhe me veprime taktike të rrufeshme e të befasishme, në shumë drejtime e në shumë vende, duke e goditur armikun pa pushim. Këtu duhej të qëndronte dhe duhet të qëndrojë epërsia e UÇK-së.
Por, me sa duket në radhët e UÇK-së mund të ketë elementë që ngatërojnë luftën mbrojtëse me luftimin mbrojtës. Në luftën mbrojtëse, që po bën Kosova nëpërmjet UÇK-së, duhet të mos mjaftohet vetëm me pritjen dhe përballimin e goditjeve serbe për t’u mbrojtur, por ta godasi armikun ngado e në çdo kohë e të mos druaj se mund ta quajnë agresore.
Si është mirë të veprohet
Formacionet e UÇK-së duhet të jenë vazhdimisht në lëvzje dhe në veprim. Ato të mos angazhohen në veprimet mbrojtëse pozicionale, sikundër u veprua në fillim të muajit korrik në Hadë e në Bardhin e Madh ose në fshatrat Gërcinë, Lipovec dhe Skivjan të Gjakovës, në datat 7-9/08/1998, por të mbrohen, duke e goditur vazhdimisht armikun; të sulmojnë e të kundërsulmojnë, duke e mbajtur gjithmonë nismën në duart e tyre. Nuk ka mbrojtje pa sulm. Të mos sulmosh por vetëm të mbrohesh qoftë edhe në rajone të fortifikuara, do të thotë të vulosësh vdekjen me dorën tënde. Në luftën guerile, që po zhvillon UÇK-ja, po të mbrohet pa sulme do të thotë vdekje për mbrojtësin. Në rast se forcat e UÇK-së do të gozhdohen vetëm në një vend, duke i dhënë mundësi armiku t’i godasë me forca të përqëndruara, ta kenë të qartë se luftën që kanë nisur do ta humbasin. Taktika e UÇK-së duhet të jetë e tillë,që kur serbët të sulmojnë me forca të shumta ajo t’i përhapi forcat e saj, por përhapja të mos bëhet për t’u fshehur pyjeve e maleve dhe të mos luftohet armiku, por të përhapet me qëllim që ta kundërsulmoi armikun në vende të tjera,ku ai paraqitet më i dobët se UÇK-ja, paralel edhe me luftimin me forcat kryesore të armikut, duke bërë mbrojtje të manovrueshme.
Gjatë organizimit të sulmit mbi armikun duhet të parashikohet në të njëjtën kohë edhe tërheqja, në mënyrë që porsa të përfundojë sulmi të largohen nga ai vend me të njëjtën shpejtësi që kryen sulmin, shpejtësi rrufeje, me qëllim qe të mos i japim mundësi armikut t’i dëmtojë. Kjo është metoda më e leverdishme që duhet të përdorin formacionet e vogla të UÇK-së për ta asgjësuar armikun dhe për të mos u dëmtuar prej tij. Manovra e përqëndrimit të forcave për të sulmuar dhe manovra e përhapjes së forcave kërkojnë aftësi të lartë komanduese nga drejtuesit e çdo formacioni të UÇK-së, e cila duhet të jetë një nga cilësitë dalluese të tyre. Pse vepruan kështu forcat e UÇK-së në Jezercë të Ferizajt më 09/08/1998 prandaj edhe patën sukses dhe, nuk perjashtohet mundësia që,në një të ardhme, ky luftim i suksesshëm të festohet si dita e artilerisë kundrajrore e Kosovës, pasi atë ditë u rrëzua edhe një helikopter me ushtarë serbë.
Një nga qëllimet e operacionit serb duhet të ketë qenë testimi i vendosmërisë së popullit kosovar e të forcave të tij politike për vazhdimin e luftës, si dhe vlerësimi i marrëdhënieve midis UÇK-së dhe qeverisë së Rugovës. Sërbët u sfiduan në të gjitha drejtimet, u tërbuan dhe si rrjedhojë u futën edhe më thellë në qorrsokak. Ky operacion bëri të mundur që të gjithë luftëtarët e rinj të UÇK-së të pagëzohen me luftën dhe, si rrjedhojë, të trimërohen më shumë dhe populli të jetë më i vendosur për të përballuar peripecitë e luftës. Drejtuesit e UÇK-së, ndonëse kanë bërë disa gabime taktike, u vërtetua se nuk qëndrojnë më poshtë se kuadrot e ushtrisë serbe. Kjo u vërtetua dhe po vërtetohet çdo ditë në zonën e Junikut, Deçanit, Rekës së Keqe, Dushkajës, Hasit, Llapushnik, Ferizaj e Drenicë. Kjo gijotinë njerëzore që bënë serbët duhet t’i ketë bindur të gjithë komandantët e formacioneve të UÇK-së për domosdoshmërinë e unitetit dhe bashkërendimit të veprimeve luftarake midis tyre, pavarësisht se në këte fazë të luftës që po zhvillon ajo, ku baza e veprimeve luftarake është nisiativa e komandantëve dhe jo urdhëri luftarak i eprorit, nuk mund të ketë një organizim bashkëveprimi aq të përpiktë dhe aq të programuar si në luftën me front të rregullt. Megjithatë,midis formacioneve të UÇK-së duhet, që nga një komandë unike, të organizohet bashkëveprimi midis tyre si dhe me formacionet e armatosura të vetmbrojtjes së fshatrave, me kritere më elastike.
A kemi vepruar drejt në të gjitha rastet?
Mungesa e koordinimit të sulmeve në shpinë e në krahë të forcave serbe gjatë ditëve të operacionit të verës,sidomos në luftimet e Llapushnikut, si dhe mosgoditja e kollonave të tij tregon se në mendimet strategjike të drejtuesve të UÇK-së, të këtij populli me përvojë luftarake, duhet të ketë mendësi të pafalshme primitive. Parë në këtë kontekst, mund të themi se edhe sulmi për marrjen e Rahovecit, përveç mangësive që kemi përmendur në një shkrim të veçantë, ka qenë një veprim i nxituar. E themi këtë pasi dihet se në rast se sundon malin dhe në luginë ke mundur të sigurosh disa pika strategjike, si Malishevën dhe Rahovecin, – do të thotë se ke epërsi. Mirëpo mbathia e këmbëve në male, me fillimin e sulmit nga forcat serbe, tregon se UÇK-ja ose nuk kishe forca të mjaftueshme (epërsi) për mbrojtjen e këtyre pikave strategjike (gjë që do të thotë se me marrjen e Rahovecit ishte kalamallëk) ose nuk kishe besim në forcat e veta. Në rast të kundërt ndeshjet me armikun do të ishin të ashpra dhe, kur ai të mbrinte në Malishevë, ose do të ish përgjysmuar ose nuk do të guxonte të shkonte atje.
Dëshira e forcave të UÇK-së për mbajtjen e mbrojtjen e Rahovecit e të Malishevës nuk ka dyshim se ka qenë e madhe, por për të realizuar këtë atyre u kanë munguar plani paraprak strategjik dhe forcat e mjaftueshme, pasi nuk mund të shpjegohet ndryshe mbritja e forcave serbe në Malishevë pa iu prekur asnjë qime floku.
E ardhmia na takon neve Pavarësisht nga këto gabime, vlen për t’u theksuar se në radhët e UÇK-së, e sidomos në organet drejtuese të saj, ka e duhet të ketë shumë djem kosovarë të kthyer nga Perëndimi, gjë që garanton vazhdimin e luftës deri në fitore. Sado dëmtime të ketë patur UÇK-ja, formacionet e saj kurrë nuk do të kthehen në terroristë e banditë, si ushtria serbe, pasi ata janë më të qytetëruar se çdo komandant sërb, i çdo rangu qoftë; pasi ata e kanë bërë shkollën e demokracisë, kurse serbët jo vetëm që se njohin atë por ata nuk kanë nxjerrë mësime nga historia dhe po e imitojnë atë si të parët e tyre barbarë. Aftësitë drejtuese të këtyre djelmoshave janë vënë re si në sigurimin e mbrojtjes së popullatës së Dushkajës, Junikut,Podrimies, Drenicës e gjetkë ashtu edhe në shfry- tëzimin me zgjuarsi të kufijve shtetërorë të Shqipërisë për të garantuar furnizimin dhe shpinën e forcave të tyre.
Ndërmaria e sulmeve kërkon guxim
Sot ushtria sërbe dihet se ka epërsi ndaj UÇK-së si në armatim, mjete luftarake ashtu edhe në njerëz, pasi ka një efektiv luftarak prej 135 mijë ushtarë e oficerë, që i takon 1314 ushtarë për çdo 10 km katrorë, ku 55 përqind e këtij efektivi janë oficerë, nënoficerë kariere dhe ushtarë profesionistë me kontratë, ku këta të fundit po veprojnë aktualisht në Kosovë. Kjo ushtri disponon rreth 1000 tanke, mbi 450 avjonë të ndryshëm, rreth 150 helikopterë luftarakë dhe mbi 1300 gryka zjarri artilerie të kalibrit të madh me tërheqje mekanike dhe vetëlëvizëse.
Në vështrim të parë, të zë frika kur sheh këto shifra, dhe, natyrshëm, të lind pyetja se si mund të fitojë epërsi UÇK-ja ndaj kësaj ushtrie të madhe, të mekanizuar e të blinduar? Historia ka vërtetuar se popujt, sado të vegjël e sado të pa armatosur që të jenë, kur është fjala për të mbrojtur lirinë, pavarësinë dhe nderin e tyre, godasin me forcë dhe fitojnë edhe kundra armiqve të egër e barbarë, shumëherë më të armatosur e më të fuqishëm, sikundër është ushtria serbe. UÇK-ja dhe populli trim kosovar është duke dhënë një shembull shumë të mirë se si duhet e se si mund të luftohet një armik shumë i armatosur.
UÇK-ja edhe pse u trondit pak, ajo shumë shpejt po e rimerr vehten, prandaj as ajo, as populli kosovar, as është nënshtruar, as është trëmb ur dhe as do të nënshtrohet dhe trëmbet. Ajo do t’ia heqë epërsinë ushtrisë sërbe, duke manovruar e duke e futur ushtrinë serbe në terrene të papërshtatëshme për atë dhe të përshtatëshme për UÇK-në. Domethënë ta detyrojë ushtrinë sërbe të luftojë atje ku nuk mund të shfrytëzojë epërsinë e saj në armatim e teknikë luftarake, ta tërheqi armikun atje ku ai nuk mund t’i përdori dotë me efektivitet tanket, avjonët dhe trupat e motorrizuara, ta detyrojë atë të luftojë ushtar-me luftëtar kosovar. Ky është momenti më i favorshëm për UÇK-në për t’i dhënë luftim armikut, pasi i ka hequr atij mundësinë e përdorimit të teknikës luftarake, atje ku terreni është i njohur për luftëtarët e UÇK-së dhe i vështirë e armiqësor për ushtarin sërb, i cili do të detyrohet të luftojë jashtë bazave të tij dhe jashtë e larg blindit, ku ai gjen mburojë.
Ushtarët serbë janë të detyruar të ecin mbi një tokë që lëshon flakë e zjarr, të jetojnë në panik midis një populli që nuk i ka njojtur asnjëherë për miq, por për armiq të egër, të pabesë e që duhet të luftohen deri në vdekje. Pushtuesit serbë nuk kanë për ta ndjerë vehten për asnjë çast të sigurtë në truallin e Kosovës martire, pavarësisht nga numri i ushtarëve që kanë atje, i sasisë dhe i fuqisë së zjarrit të armëve të tyre.
“Rilindja”, 12 Gusht 1998
________________________
DILAVRER GOXHAJ (SHPËTIM GOLEMI): ME ÇDO KUSHT DUHET TË SHPARTALLOJMË PLANET E ARMIKUT (4 Gusht 1998)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8675

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura