SADRI RAMABAJA: TAKIMI I G-20’ës HODHI DRITË MBI RINGJALLJEN E LUFTËS SË FTOHTË!

Prishtinë, 09. 09. 2013 – Qeveria amerikane po dëshmohet e vendosur për ndërhyrjen ushtarake ndaj Sirisë, qoftë edhe duke iu shmangur Kartës së OKB-së. Eruzioni i të Drejtës Ndërkombëtare, edhe në këtë rast, flet shumë për nevojën urgjente të OKB-së për reformë.  

Këshilli i Sigurimit që prej themelimit të tij, asnjëherë nuk ka vepruar bazuar ekskluzivisht në të Drejtën Ndërkombëtare. Madje, kur janë cenuar interest e pesëshes (SHBA, Rusi, Kinë, Francë dhe Britania e Madhe) që gëzojnë të drejtën e vetos, KS ka reflektuar si një instancë e pastër politike që merr vendime varësisht nga interesat e akcilës fuqi, respektivisht palë.
Kështu ishte në rastin e luftës në Kosovë dhe intervenimit të NATO-së, kështu ndodhi edhe me Ruandën, por edhe me Irakun, Libin dhe tashti po ngjet edhe me Sirinë. Në këto raste në fakt Bashkësia ndërkombëtare, nëse gjërat venerohen nga prizmi i pastër i legalitetit, do të duhej dënuar, për faktin se ka toleruar ushtrim të gjenocidit, pastaj vrasjen e qindra-mijëra njerëzve të pafajshëm, civilëve, grave, fëmijëve e pleqëve.

– Demokrati Obama! –

Ndërhyrja protektoriale çështje e hapur
Por, që nga rasti i Kosovës, edhe e Drejta Ndërkombëtare Publike ka pësuar ndryshime esenciale pozitive; ajo tashmë nuk është viktimë e luftërave për dominim politik të superfuqive, por as edhe viktimë e ngurtësisë interpretative të shemave juridike. Madje rasti i Kosovës ka legjitmuar plotësisht një lloj të ndërhyrjes protektoriale, right to protect, një lloj detyrimi për ndërhyrje nga ana e Bashkësinë Ndërkombëtare në shërbim të mbrojtjes së grupeve etnike të pambrojtura, pjesëve të tëra të popullsisë që bëhen objekt keqtrajtimi nga qeveritë e paprgjegjshme apo palëve politike në konflikt.
Në raste të kësaj natyre, ushtrimi i së drejtës së vetos nga ana e njërës nga pesë superfuqitë që gëzojnë këtë të drejtë politike, nuk suspendon moralin dhe të drejtpn e Bashkësisë Ndëprkombëtare për ndërhyrje ushtarake.
Çështja tashmë shtrohet në rrafshin e pastër politk të gjykimit. Kjo e drejtë për ndërhyrje nga akcila superfuqi në cilindo kënd të globit, a ka gjasa të keqpërdoret në dobi të interesave të pastra politike.
Le t` i hedhim për një çast një sy rastit të Sirisë. Çështja as nuk ka gjasa të dërgohet në Këshillin e Sigurimit, meqë që tashti është e qartë se Rusia do të ushtrojë të drejtën e saj të vetos. Ndërkaq mundësia për verifikimin e saktë se kush ishin përdoruesit real të gazit helmuaes: ushtria e Bashar Al-Asadit, apo një pjesë e opozitës që supozohet se ka shfrytëzuar këtë akt për të krijuar alibin e ndërhyrjes amerikane, mbetet e hapur.
Në këtë rast, e qartë, para se të ndërhyhej ushtarakisht, do të duhej të pritej rezultati i testit që do ta sjellin Inspektorët e OKB-së të ngarkuar për këtë çështje. Ky fakt, por edhe pregaditja e opinionit për intervenim jo vetëm në SHBA, na sjell në vëmendje rastin e intevenimit në Irak më 2003. Atëbotë, poqëse do të pritej rezultati i inspektorëve lidhur me hulumtimet në terren, ish presidenti amerikan Gjorgj W. Bush, nuk do ta fillonte dot luftën në Irak. Dhe nëse po, gjithësesi intervenimin nuk do ta motivonte me thirrjen se diktatori irakian, Sadam Huseini, na qenkërka posedues i armëve për shfarosje masive.
Ndërkaq sot, në rastin konkret të Sirisë, leksioni me Irakun na mëson se, para intervenimit do të duhej që Bashkësia Ndërkombëtare ta kishte të qartë se çfarë pretendohet të arrihet me shfronësimin e një diktatori (siç është rasti me Bashar Al-Asadin), apo një elite a force politike (siç ishte rasti me Vëllazërinë Ismalame në Egjipt).
Trazirat në Kosovë në vitin 2004 kishin dëshmuar se edhe në rastin e Kosovës, Bashkësia Ndërkombëtare ose një pjesë e mirë e saj, përfshirë edhe një lagje shtetesh të BE-së, nuk e kishte krejtësisht të qartë se çfarë do të bëhej me Kosovën pas intervenimit: do të lejohej të shkonte ajo drejt pavarësisë së plotë, apo do të risilleshin në tavolinë skenarë shtesë. Fakti se Kosova as dje e as sot nuk po trajtohet nga historiografia evropiane si ish koloni e Serbisë, por si një ish provinc e saj, flet për një dualizëm të theksuar politik tejet të dëmshëm për përspektivën e rajonit. Ndërkaq imponimi i vazhdimit të bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit, tashmë në Bruksel, edhe pas shpalljes së pavarësisë (17 shkurt 2008), duke e shndërruar në palë Serbinë agresore, flet në dobi të variantit të dytë – ekzistencës së skenarëve shtesë e në dëm të sovranitetit dhe integritetit shtetëror të Republikës së Kosovës.
Për SHBA-të mbrojtja e Izraelit – prioritet i klasit të parë
Takimi i G-20 në St. Petersburg hodhi dritë mbi përpjekjet e Rusisë për të ringjallur epokën e Luftës së Ftohtë, respektivisht atë të ndarjes së sferave të interesit mes Rusisë dhe SHBA-ve. Dhe me këtë u dëshmua se e Drejta ndërkombëtare në rrafshin e marrdhënieve ndërkombëtare mbetet tutje një reesurs i dobët. Për interesat amerikane në Lindjen e Afërt mbrojtja e Izraelit mbetet gjithësesi prioritet i klasit të parë. Në këtë kuadër pretendimet e Uashingtonit dhe telavivit për rrëzimin e qeverisës ë Bashar Al-Asadit, në sfondin e dobësimit të Iranit, mbesin të rëndësisë së veçantë.
Sidoqoftë, në këtë ndërmarrje duket se po përsëritet gabimi i ndërhyrjes amerikane në dobi të kryengritësve avganistanez (talebanëve para së gjithash) në luftë kundër Rusisë (1979). Ndërkaq nëdrhyrja në Siri, po të bëhej që në fillim të shpërthimit të protestave masive të popullsisë kundër diktatorit Asa, hapësira për dominim të grupeve të islamit radikal, para së gjithash selefife, nuk do ët arrinin të konsolidoheshin dhe të kishin pesën që kanë ato sot. Këto grupe falë edhe rrjetit të organizuar që kanë, kanë ushqyer këto radhë me vullnetarë nga e gjithë hemisfera islame, duke mos përjashtuar, për fat të keq, as hapësiërn shqiptare.
Samantha Power, ambasadorja amerikane prnaë OKB, fare hapur u deklarua se qeveria e saj as që do të bëjë përpjekje për të sjellë farë projektrezolute për miratim në Këshillin e Sigurimit lidhur me legjitimimin e ndërhyrjes në Siri. Sërish, qeveria e SHBA-ve, duke reflektuar si fuqia dominuese në botë, do ët veprojë, nëse e sheh të arsyeshme, edhe pa mbështetjen e OKB-së.
Erozioni i së Drejtës Ndërkombëtare vazhdon
Kapitulli i VII-të i Kartës së OKB-së parasheh ndërhyrjen ushtarake vetëm në dy raste: nëse një shtet sulmon një shtet tjetër ose në rast se paqa botërore vihet në rrezik. Për që të dy rastet, megjithatë vendos Këshilli i Sigurimit. Në epokën e Luftës së Ftohtë, meqë dihej qartë se asnjëra nga palët dominuese nuk do të mbështeste pikëpamjen e pales tjetër, intervenimi bëhej sipas skenarit të njëanshëm, duke mos përfillur Kartën e OKB dhe kapitullin në fjalë.
Bombardimi i popullsisë civile në Siri gjithashtu paraqet shkelje të rëndë të të Drejtës Humanitare Ndërkombëtare ashtu si edhe përdorimi i armëve kimike. Pavarësisht kësaj, miratimi i çfardo rezolute në Këshillin e Sigurimit, falë bllokadës që ushtrojnë aktualisht Rusia dhe Kina, përmes të drejtës së vetos, pamundëson de fakto legjitimimin e veprimeve në emër të Bashkësisë Ndërkombëtare. E drejta e vetos që gëzojnë pesë anëtaret e përhershme të Këshillit të Sigurimit, si një relikt i Luftës së Dytë Botërore , tashmë është bërë pengesë edhe e reformimit të OKB-së. Diçka të ngjashme kishim edhe gjatë gjithë epokës së Luftës së Ftohtë. Sidoqoftë, që prej rënies së Murit të Berlinit dhe shtendosjeve që përjetoi Bashkësia Ndërkombëtare, e Drejta Ndërkombëtare ka pësuar ndryshime cilësore. Ndërkaq rasti i Sirisë dhe intervenimi i SHBA pa përfillur kartën e OKB-së, më së paku që mund të thuhet, është se rrezikon erozionin e tutjeshëm të të Drejtës Ndërkombëtare dhe me këtë rikthimin në epokën e Luftës së Ftohtë. Shih për këtë reformimi i OKB-së tashmë rezulton si një domosdoshmëri; ndërkaq në zingjirin e ngjarjeve në Lindjen e Afërt pas intrvenimit amerikan në Siri, do të mund të shërbente sigjithësesi si preventivë reale e shmangies së luftës së tretë botërore.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura