SADRI RAMABAJA: UKSHIN HOTI DHE MENDIMI AUTONOM POLITIK SHQIPTAR

(Pashtriku.org, 16. 11. 2012) – Filozofia dhe mendimi politik shqiptar janë të lidhura ngushtë me emrin e Ukshin Hotit. Por, me emrin e Ukshin Hotit lidhet ngushtë edhe doktrina e shtetit – komb, si proces nëpër të cilin duhet të kalojë edhe kombi shqiptar në prag të integrimeve në strukturat euroatlantike… Në prag të luftës në Kosovë, jo vetëm nga ana e eminencës titiste-autonomiste në Kosovë, por edhe nga një lagje e mirë e atyre që ishin në ballë të organizatave ilegale, që u vunë në krye të misionit historik – themelimit të UÇK-së, nuk u përfill sa duhet mendimi i Ukshin Hotit, por as edhe ai i ekspertëve tjerë. Përkundrazi, ata e izoluan Ukshin Hotin sa mundën e si ditën! Për një periudhë relativisht të gjatë, Ukshin Hoti u shndërrua në peng edhe i kësaj politike!
Ukshin Hoti Intelektuali në shërbim të Kombit (*)
Në historinë bashkëkohore të kombit shqiptar dhe me këtë edhe të Kosovës, si pjesë e truallit etnik shqiptar, është hera e dytë që në prag të kurorëzimit të betejave për të përmbyllur epokën e krijimit të shtetit-komb, nga ana e Serbisë, arrestohen dhe burgosen, mbahen peng, ideologët e Lëvizjes për krijimin e Shtetit-Komb.
Herën e parë, në prag të shpalljes së pavarësisë, u burgos dhe u izolua ideologu i kryengritjes së përgjithshme shqiptare për pavarësi, Hasan Prishtina. Arsyet pse Serbia veproi atëbotë veproi ashtu me Hasan Prishtinën ishin mëse të qarta: lidhjet që ai kishte me kryengritësit dhe reputacioni si diplomat, mund të paraqitnin pengesa serioze në realizimin e objektivave serbe në dëm të hapësirës jetësore shqiptare. Mundësia e Hasan Prishitnës për ndërhyrje në favor të çështjes shqiptare çmoheshin edhe nga Beogradi dhe qarqe tjera shovene të Ballkanit. Për këtë arsye gjatë një pjese të mirë të kohës kur në Konferencën e Ambasadorëve në Londër (1913), do të trajtoheshin planet për copëtimin e tokave shqiptare dhe ky coptim tashmë ishte çështje e kryer, ai u mbajt në një burg afër Beogradit (Burgu në Zabel).

Tashti, herën e dytë, kur çështja e Kosovës po bëhej objekt trajtimi edhe nga qendrat e vendosjes politike, kur Lëvizja politike në Kosovë pritej të konsolidohej edhe në rrafshin ushtarak, si e kërkonte çasti historik, ashtu që Kosova të shndërrohej gradualisht nga një objekt siç ishte, në një subjekt diplomatik, ideologu i kësaj lëvizje, Ukshin Hoti, mbahet në burgjet serbe, për të mos e kaluar atë prag as sot e kësaj dite dhe çka është edhe më keq, për fatin e tij nuk flet e nuk përgjigjet kush!
Fryma shkencore në politikën kombëtare
Do të ishte në nderin e Akademisë sonë të Shkencave dhe Arteve dhe të Katedrës së Filozofisë të Universitetit të Prishitnës, të organizoj tribuna shkencore që objekt trajtimi do të kishin kontributin e Profesor Hotit në mendimin politik shqiptar. Por atë që deri sot nuk e kanë bërë institucionet tona shkencore dhe arsimore, janë përpjekur ta kompensojnë sa e si kanë mundur organizatat e ndryshme shoqërore. Kështu kishte bërë kohë më parë edhe Rinia e UNIKOMB-it, duke organizuar një tribunë për veprën dhe jetën e Ukshin Hotit, pa pretendime të mëdha për të vlerësuar në plane të gjera rolin dhe ndikimin e frymës hotjane në procesin e ndërtimit të shtetit, ndërkaq në rrafshin historik kontributin e tij në fushën e mendimit socio-politik. Ky angazhim i Rinisë së UNIKOMB-it meriton respekt dhe mirënjohje publike. Kështu jo vetëm që nderohet figura emblematike e Ukshin Hotit, por në rrugë indirekte, në këto çaste vendimtare që po kalon Kosova, të ashtuquajturës elitë politike, e para së gjithash inteligjencies së re, i kujton frymën për të cilën ka nevojë kombi – frymën hotjane, që do të ndikojë shumanshëm në ndërtimin e shtetit në funksion të demokracisë. Ndërkaq, përmes kësaj fryme, do të thoshte Seku Ture, njeriu e kupton se ligji, e vërteta dhe shkenca, vlejnë po aq sa i kthehen popullit…
Ukshin Hoti veçmas përmes librit “Filozofia e çështjes shqiptare” vuri bazamentin e shkencës së mirëfilltë politike, duke e vënë atë në funksion të kombit dhe demokracisë. Në fakt, këtë mision ai ia kishte shtruar vetes që me nxjerrjen e revistës “Demokracia autentike”, duke paralajmëruar qartë se mëtonte të fuste një frymë te re në jetën politike të kombit.
Në këtë trajtesë, shih për këtë, dua të ndalem më shumë tek materia e përmbledhur brenda kopertonave të librit “Filozofia politike e çështjes shqiptare”, e ndarë në tri pjesë.
Për njohësit e politikës, e veçmas për ata që kanë studiuar marrëdhëniet ndërkombëtare dhe gërshetimin e interesave të shtetit si subjekt i të drejtës ndërkombëtare, duke veçuar interesat e shteteve të mëdha, një ndarje e tillë nuk është e rastësishme.
Pjesa e parë e librit në fjalë hapet me studimin mjaftë domethënës edhe sot për aktualitetin politik shqiptar “Kosova dhe Evropa – Për një qasje shkencore të politikës në Kosovë”.
Profesor Hoti atëbotë ndjente mungesën e theksuar të kësaj fryme dhe grishte inteligjencien e Kosovës për punë serioze në fushën e politikës. Nëse kjo grishje e profesor Hotit atëherë ra në veshë të shurdhur, përmes manifestimit të saj sot, marrë guximin të ripërsërisë atë thirrje, meqë jo një herë është konstatuar se institucioneve tona edhe sot ju mungon qasja shkencore – fryma hotjane.
Në këtë pjesë të librit janë përfshirë studime me shumë interes të ndara në dy kapituj: “Shteti dhe interesat vitale të kombit”, ku autori na e sjellë të plotë mendimin politik të proveniencës së Perëndimit dhe më pas të Lindjes për këtë çështje.
Duke pasur parasysh njohjen, shkoqitjen dhe rivlerësimin e interesave jo vetëm të supershteteve, por edhe një lagjeje të shteteve të vegjël, në frymën e pasluftës së ftohtë, Hoti shtron për detyrë thellimin e studimit të proceseve integruese në Europë dhe vendin e Kosovës në këtë kuadër, por edhe të hapësirës shqiptare në tërësi në këtë rrafsh kohor.
“Ne kemi qenë gjithmonë të mendimit se, Shqipëria duhet ta ruaj pavarësinë e vet, dhe se Kosova duhet të jetë Republikë e barabartë me Republikat tjera në Jugosllavi”, nënvizonte atëbotë Hoti shkencëtar dhe Hoti politikan human. Procesi i bashkimit të shqiptarëve, konkludon më poshtë autori i librit, është dashur të zhvillohet brenda suazave integruese të Europës…”
“Ajo, (Europa, nënvizim imi), mund të akceptohet si bashkim i vullnetshëm i të gjitha palëve të interesuara dhe jo si imponim i njërës palë ndaj tjetrës. Mendonim – vazhdon më tej Hoti, se përparësitë e këtij solucioni të çështjes shqiptare ishin të trefishta:
1) Nuk do të shkaktonte acarim tej mase të raporteve ndërnacionale;
2) Do të ishte solucion efikas dhe i pranueshëm për të gjitha palët e interesuara, pos për shovinizmin serbomadh; dhe
3) Nuk do ta lejonte instrumentalizimin as të shqiptarëve e as të serbëve, në funksion të interesave të të huajve, globale apo regjionale”.

Nëse venerohen me kujdesë këto konkluza të Profesor Hotit atëbotë, nuk është vështirë të nënvizohet fryma thellësisht humane që mbizotëronte mendimin politik të tij, por edhe vizioni politik pragmatist për zgjidhjen e çështjes shqiptare në kuadër të procesit integrues në Unionin Europian, gjithmonë i bazuar në vullnetin dhe të drejtën politike për vetëvendosje. Profesor Hoti e kishte parasysh se cila nga palët nuk do ta pranonte këtë zgjidhje, prandaj në një analizë të tij të mëvonshme lidershipit të Kosovës i lëshonte thirrjen ultimative: bëje ose vdis!

Interesat dhe politika
Pas Dejtonit, për ata që e kishin të qartë se: ideja e interesit është vërtetë në thelb të politikës dhe se nuk dëmtohet nga koha dhe hapësira, Kosova u trajtua si “parcelë ekzotike… në truallin e Evropës”, ku ia vlente “për të sprovuar qëndrueshmërinë e teorive të llojllojshme globale…”, shprehet i indinjuar dhe plot mllef Profesor Hoti. “Poqëse inteligjencia e Kosovës tregohet sterile në procesin e kontekstit real të forcave dhe të drejtimeve realisht të mundshme të zhvillimit të mëtejshëm të proceseve politike, atëherë ajo sërish do ët bjerë në provim”, konkludonte Hoti në analizën e tij me titull “Shteti dhe interesat vitale të kombit”.
Intelegjencia jonë që u gjet si u gjet në krye të institucioneve të Republikës fiktive të Kosovës dje, dhe kjo sot, që në pjesën më të madhe qëndron larg politikës ose është servis i heshtur i saj, si duket nuk kishte dhe nuk ka parasysh përfundimet empirike të shkencës politike mbi politikën dhe interesat e shtetit. Prandaj, jemi ku jemi. Prandaj, trajtohemi kështu si po trajtohemi.
Në pjesën e parë të kryeveprës së Hotit, si refleksion i mendimit politik të proveniencës perendimore dhe asaj të lindjes, vjen studimi me titull “Shqiptarët dhe interesat vitale të kombit”, që citova më lart. Ky studim ishte i përgatitur në formë kumtese dhe i paraqitur në simpoziumin shkencor të Akademisë së Shkencave të Kosovës, të mbajtur në Prishtinë në qershor të vitit 1991 me temë shumë sinjifikative për kohën: “Shqiptarët dhe Evropa – dje, sot dhe nesër”. Ai kërkon rilexim të veçantë, jo thjeshtë vetëm për thellim të njohjes së mendimit politik të Hotit për këtë sferë, por ngase kjo çështje ruan aktualitetin e plotë edhe sot e kësaj dite. Aty çështja shqiptare është prezantuar si kompleks jo vetëm politik, por edhe strategjik, që ngërthen interesat jetike të palëve në konflikt.
Në planin teoriko-shkencor, mbështetur pikërisht në mendimin politik perëndimor, autori provon me fakte të drejtën e shqiptarëve për të rrumbullakuar procesin e ndërtimit të shtetit-komb, ngjashëm me kombet tjera të Europës. Me këtë rast Hoti merr në shqyrtim dhe mbështet konkluzën politike të Prof.Arben Putos, tek nënvizon faktin se, fuqitë e mëdha nuk e përgjysmuan Shqipërinë, siç theksohet shpesh, por e reduktuan në një Shqipëri viabël.
Duke patur parasysh se Shteti edhe më tej mbetet struktura juridike dhe politike e pazëvendsushme për qeverisje demokratike, pavarësisht faktit se më nuk mund të pretendoj për pavarësi të plotë, krijimi i shtetit-komb për popullin shqiptar nuk është thjesht domosdoshmëri dhe prerogativë historike, por edhe politike dhe ekzistenciale. Shteti, qoftë ai i ndërtuar mbi parimet filozofike nacionale (Franca), qoftë ai i ndërtuar mbështetur në përkatësinë kulturore dhe gjuhësore (Gjermania), apo ai i mbështetur ekskluzivisht në parimet e institucionalizimit (Anglia), mbetet struktura qenësore e organizimit politik i ngritur mbi të drejtën legjitime për ushtrimin e pushtetit në territorin përkatës. Por, nëse deri dje, sovraniteti i pakufizuar mbetej si gjakim eksplicit i shtetit, ndërkohë rrethanat kanë ndryshuar. Ndërvartësia si koncept politiko-juridik dhe mundësia e delegimit, respektivisht bartjes së një pjese kompetencash nacionale tek strukturat mbinacionale (rasti i UE-së), po fiton terren. Por edhe në këtë rast, parimi i subsdiaritetit është në dobi të shtetit-komb dhe mekanizmave të tij qeverisës. Kështu, edhe më tej, shteti gëzon legjitimitetin për ushtrimin e pushtetit, që mban lidhur kombin me shtetin. Shqiptarët në këtë kuadër nuk mund të bëjnë përjashtim.
Pengu – akt juridiko-politik
Çështja shqiptare edhe pas luftës titanike të UÇK-së vazhdon të mbetet peng i akteve politike dhe juridike të rrafshit ndërkombëtar. Pozita e tanishme e Kosovës, duket se është më shumë rezultat i thyerjeve dhe kompromisit midis dy etnikumeve: austro-gjermanëve në njërën anë dhe sllavëve në anën tjetër, nënvizon në një rast Hoti. Natyrisht, në këtë kuadër, rol të ndjeshëm kanë luajtur edhe interesat afatshkurtra amerikane. Rezoluta 1244 dëshmon se roli i Gjermanisë në prag të përfundimit të luftës ishte tejet ndikues. Ky akt politiko-juridik, që i shërbeu Gjermanisë për rikthim në skenën e diplomacisë botërore, me kalimin e kohës, Kosovën e bëri peng të diplomacisë dhe raporteve në relacionin Uashington – Bruksel – Moskë. Peng i këtyre raporteve mbetet edhe Ukshin Hoti.
Në prag të luftës në Kosovë, jo vetëm nga ana e eminencës titiste-autonomiste në Kosovë, por edhe nga një lagje e mirë e atyre që ishin në ballë të organizatave ilegale, që u vunë në krye të misionit historik – themelimit të UÇK-së, nuk u përfill sa duhet mendimi i Ukshin Hotit, por as edhe ai i ekspertëve tjerë. Përkundrazi, ata e izoluan Ukshin Hotin sa mundën e si ditën! Për një periudhë relativisht të gjatë, Ukshin Hoti u shndërrua në peng edhe i kësaj politike!
Rezonimi titist i të menduarit politik, që aplikuan autoritaristët tanë me gojën plot demokraci, nuk mund të jipte më shumë se kaq – rrëshqitjen graduale të Kosovës drejt njëfarë “autonomie kulturore” në prag të luftës (Marrëveshja për arsimin e vitit 1996 mes Milosheviqit dhe Rugovës), respektivisht krijimin e alibive për Serbinë për ricoptimin e sërishëm të trungut shqiptar, tani pas luftës! Këtë rrezik Ukshin Hoti e kishte parandierë dhe para gjyqit serb, si edhe në një vistër esesh, vinte në pah faktin se ndjehet peng politik, jo vetëm i Beogradit dhe Prishtinës, por edhe më gjerë. Peng tashti nuk është vetëm Ukshin Hoti, peng është edhe Republika e Kosovës. Dhe e tillë, peng politik, si duket ajo do të mbetet derisa ne si komb ta kuptojmë drejt sentencën politike të përfaqësuesit të idealizmës politike amerikane, ish presidentit të SHBA-ve, Vodrov Vilson, kur pati ngritur nevojën për të zhvilluar luftë, nëse duam ta përfundojmë atë. Natyrisht se kjo sentencë, tashti pas asaj që kaloi Kosova (1998-1999), do kuptuar në kontekst real, duke e bartur nocionin luftë në terrenin real politik, çka do të reflektohej në punën e institucioneve tona, mënyrën se si i ndërtojmë ato etj., në dobi të funksionalizimit të Republikës.
Udhëheqja dhe roli i saj
Në funksion të asaj që nënvizova më lartë, roli i udhëheqjes politike është i rëndësisë së veçantë. Këtë fakt e gjejmë të nënvizuar në veprën e Profesor Ukshin Hotit tek analizon raportin e inteligjencies me politikën.
Në studimet e tij, Ukshin Hoti përpos që ka analizuar kompleksitetitn e çështjes shqiptare, ai ka dhënë udhëzgjidhjet në frymën më humane dhe realisht më të mundshme për kohën kur janë shkruar ato. Ndër faktorët që do të reflektojnë në zgjidhjen e këtij kompleksi, që Hoti i ka kushtuar vëmendjen e duhur prej studjuesi, më duket se katër prej tyre meritojnë të potencohen edhe me këtë rast:
1. Lëvizja e gjerë kombëtare në Kosovë – rëndësia juridiko-politike e deklaratës kushtetuese dhe akteve tjera përcjellëse, po sidomos obligimet kushtetutare për krijimin e mekanizmave që ndërtojnë dhe mbrojnë shtetin (shih për këtë mbrojtjen e tij brilante në gjyq);
2. Republika e Shqipërisë – Shteti Shqiptar dhe rëndësia shumëdimensionale e tij në funksion të zgjidhje së çështjes shqiptare;
3. Jugosllavia, respektivisht Serbia – Këtu në fakt kemi të bëjmë me interesat serbe të dorës së parë dhe raportet e pjesëve që do të përbëjnë këtë federatë të re;
4. Superfuqitë ekzistuese – Në cilësinë e faktorit të katërt janë vlerësuar superfuqitë ekzistuese dhe interesat e tyre për rajonin, para së gjithash SHBA-të dhe Unioni Europian, por pa nënvlerësuar rolin e Rusisë dhe ndikimin e saj në politikën europiane.

UÇK që reflektonte pjekurinë politike dhe vendosmërinë e popullit për të marrë fatin e tij në duart e veta, për Prof.Ukshin Hotin ishte faktori vendimtar. Për rrethana të njohura, ai nuk pati fatin që në studimet e tij të analizonte rolin dhe vendin e saj në historinë më të re të Kosovës dhe kombit shqiptar në tërësi, sado që daljen e saj e pat përshëndetur. Sidoqoftë ai ishte, me plot kuptimin e fjalës, ideator i saj.
Faktorët e mësipërm, duke shtuar edhe UÇK si strukturë e rirreshtuar tashmë në TMK dhe në disa forca politike, me gjithë kushtëzimet që kanë, do të influencojnë në fatin e ardhshëm të shqiptarëve në tërësi dhe të Kosovës në veçanti, në statusin që do të gëzojnë në të ardhmen e afërt. Por, shkalla e realizimit të kauzës shqiptare do të varet shumë nga ata që do të jenë edhe tashti e tutje në krye të institucioneve të Kosovës, do të mund të ishte mesazhi i Ukshin Hotit.
Çlirimi i mendimit politik shqiptar
Me botimin e librit të Profesor Ukshin Hotit “Filozofia politike shqiptare” mendimi politik shqiptar, që ishte vazhdimisht i influencuar, qoftë nga trendet aktuale të mendimit letraro-romantik, qoftë nga impenjimi i interesave jashtëshqiptare, apo siç nënvizon në një rast Ukshin Hoti, nga “ngarkesat ideologjike dhe mangësitë në njohuritë mbi proceset reale ndërkombëtare politike” (shih veprën e cituar), tashti mund ta ndjejnë veten autonom. Është çështje tjetër se sa do të shfrytëzohet ky mendim politik autonom nga strukturat tona shtetërore, politike, e shkencore. Shtetet me traditë, doktrinat e personaliteteve të tyre shkencore i përvetësojnë dhe i shndërrojnë në platforma politike.
Rinia e UNIKOMB-it përmes organizimit të tribunës me sloganin grishës: NËSE JU DUHEM – JA KU MË KENI! vetëm sa ka dashur t`na rikujtoj se Ukshin Hoti dhe fryma hotjane në skenën politike shqiptare atëbotë (2004) mungonte. Investimi në rikthimin e tij, respektivisht në përvetësimin e doktrinës së tij politike në rrafshin institucional, është investim në dobi të çlirimit të plotë të mendimit politik, mëkëmbjes së dinjitetit kombëtar dhe në fund në dobi të ndërtimit të shtetit.
(*) Kjo kumtesë është lexuar në Tribunën e organizuar nga Rinia e UNIKOMB-it me sloganin ” NËSE JU DUHEM – JA KU MË KENI!”, mbajtur më 25. 06. 2004 në Prishtinë.

……………………………………………….

(ILUSTRIMET I PËRGATITI KRYEREDAKTORI I PASHTRIKU.ORG)

========================================

UKSHIN HOTI, PROMOTOR I LËVIZJES KOMBËTARE SHQIPTARE 1981 – 1999


KLIKONI KËTU:
http://pashtriku.beepworld.de/ukshin_hoti_filozof.htm

_________________________________________________

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura