SADRI RAMABAJA: VERIU I KOSOVËS NË VORBULLËN E KONTRADIKTAVE GJEOPOLITIKE

Prishtinë, 04. 04. 2015 – Raportet në relacionin Rusi-NATO, gjithnjë e më tepër po i afrohen pikës kulmore të vlimit. Në vorbullën e kontradiktave me karakter të pastër gjeopolitik, deklarata e kryeministrit Isa Mustafa, se trupat e Forsëc së Armatosur të Kosovës në formim, nuk do të kalojnë në veri, është krejtësisht antikushtetuese dhe në shpërputhje me interesat jetike të Kombit.
Raportet në relacionin Rusi-NATO, pas aneksimit të Krimesë, gjithnjë e më tepër po i afrohen pikës kulmore të vlimit. Veprimet ushtarake të Rusisë, siç është ky i fundit që ndërlidhet me testin e ashtuquajtur “Maja e shtizës”, njësi e ndërhyrjes së shpejtë, që brenda pak ditësh arrinë të dislokohet nga një vend në një tjetër, po vazhdon t’I shqetësojë jo vetëm vendet e Baltikut (Lituania, Letonia dhe Estonia).
Konstantin Sivkov, president i „Akademisë për Çështje Gjeopolitike” dhe njëkohësisht specialist për çështje ushtarake në Rusi, për çfardo lëvizje të re të ushtrisë ruse drejt pikave strategjike të NATO-s fajtor bën NATO-n, duke i cilësuar paraprakisht lëvizjet e trupave të saj drejt kufijve të Rusisë, si provokim i llojit të vetë.
Në këtë kontest, nëse analizohet deklarata e humanistit gjerman Rupert Nojdek për mundësinë e “shuarjes” së Republikës së Kosovës nga ana e Serbisë brenda pak ditëve, natyrisht duke pas për mbështetje këto trupa ruse, e ndërlidhur kjo me marrëveshjen e Brukselit (prill 2013), që duket se ka qenë nuni i Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë, respektivisht “Republikës Serbska” me ambalazhë, por edhe deklaratën e kryeministrit xhuxh Isa Mustafa, se trupat e Forsëc së Armatosur të Kosovës në formim, nuk do të kalojnë në veri të Kosovës pa marrveshje me NATO-n, e shqetësuar do të duhej të ndjehej edhe pala shqiptare, meqë duket qartë se kemi të bëjmë me një marrveshje që bie ndesh me frymën e kushtetutës, me interesat jetike të kombit.

(Ilustrimin e përzgjodhi editori i pashtriku.org, sh.b)

Ky konotacion i qartë gjeopolitik, njohësve të historisë politike të Evropës në prag të Luftës së Dytë Botërore ju risjell vetëvetiu në kujtesë të ashtuquajturën “çështje eruroaziatike”, për të cilën gjeopolitologët Harold Gjon Makinder (anglez) dhe Karl Haushofer (gjerman) atëbotë vlerësonin se mund ta ndryshojë historinë e botës.
A do të kemi përsëritje të historisë në trajtën tragjikomike?
Në këtë vorbull të këtyre kontradiktave me karakter të pastër gjeopolitik, rrethimi demokratik që i është bërë Serbisë përmes antarësimit të Rumanisë dhe Bullgarisë, fillimisht në NATO, e pastaj, me procedura të përshpejtuara, edhe në BE, do të duhej shikuar si pjesë qenësore të arkitekturës së re të sigurisë evropiane. Ndërkaq përgaditjen e terrenit për përfshirjen e gjithë Ballkanit Perendimor në kuadër të strukturave euroatlantike, do vrojtuar si pjesë e gjeopolitikës së Perendimit, që do t’i jipte fund çfardo influence ruse në rajon.
Fushbetejat e Rusisë në truallin e Ukrainës sot, dëshmojnë se rikthimi i gjeopolitikës si element shtesë i politikave nacionale ruse, për çfardo kalkulimi kundruall NATO-s, tashmë është evident. Faktet e prekshme që ndërlidhen me Krimenë, me krahina të tëra të Lindjes së Ukrainës dhe ndërkohë paralajmrimet për veprime të mundshme ushtarake të Rusisë drejt Baltikut dhe Ballkanit, janë dëshmia e thellimit të kontradiktave gjeopolitike me përmasa shqetësuese.
Thellimi i këtyre kontradiktave gjeopolitike mes Perendimit dhe Rusisë në dritën e zhvillimeve të reja në Greqi dhe Turqi, në përpjekje për të ruajtur rendin politik, fiton peshë specifike, meqë mund të dërgojë sinjale të gabuara drejt Moskës për të hedhur shikimin edhe drejt kësaj zone tejet gjeostrategjike.
Dr.Udo Shtajnbah (Steinbach), njëri nga profesorët eminent që ka kontribuar ndjeshëm në rilindjen e gjeopolitikës gjermane, si mendim i ri, duke analizuar luhatjet e Turqisë në këtë valë kontradiktash gjeopolitike, vë në dukje se tashmë për Turqinë ka kaluar koha kur ajo insistonte me çdo çmim që t’i bashkohet “Klubit Europian”. Turqia ka vite që është në kërkim të aleancave të reja, konkludon Shtajnbahu. Në këtë kërkim aleancash Turqia nuk përjashton as Rusinë. Por, siç vëren Profesori Shtajnbah, në këtë kuadër kemi të bëjmë edhe me mungesa të theksuara të kohezionit politik, që gjithësesi shkon në dëm të vizionit për një “Turqi të re”, të cilin e gjakon presidentii ri Rexhep Tajip Erdogan (RecepTayyip Erdogan).
Në debatin gjerman me Athinën ndërkohë duket qartë se më nuk bëhet fjalë për para të e majme të kreditorëve gjermanë, por për gjeopolitikën, pavarësisht se këtë ende askush nuk e thotë me zë. Por, ajo që kishte ndodhur fill pas Luftës së Dytë Botërore, kur ishte bërë publike Doktrina e Trumanit, që tashmë dihet se nuk i kishte marrë në konsideratë sa duhej këto apetite të Rusisë për këtë zonë, e rrjedhimisht kishte shërbyer për përshpejtimin e fillimit të Luftës së Ftohtë, nuk do të duhej të përsëritej tashti, në këtë vorbull kontradiktash gjeopolitike.
Përndryshe, a mund të quhet ai lëshim si leksion i historisë? Duket se jo.
Paralajmrimet për vizita të nivelit të lartë të qeverisë greke në Moskë, por edhe deklarata e Rupert Nojdek-ut për Kosovën, si një “kafshatë e vogël” për Serbinë, e që në fakt ka të bëjë me veriun e Kosovës, që skenarët e fundluftës në Kosovë (1999) po e risjellin në vorbullën e kontradiktave gjeopolitike, flasin qartë në dobi të tezës se, thellimi I këtyre kontradiktave mund ta rikthejë në jetë Luftën e Ftohtë.

– Kontakti me autorin: [email protected]

……………………………………………………………………………..

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura