SALI ONUZI: NGRITJA E FLAMURIT KOMBËTAR DHE E QEVERISJES VENDORE NË BICAJ TË LUMËS – NË DHJETOR 1913 *

Tiranë, 09. 12. 2013 – Ky sesion në kujtim e nderim të të rënëve nga masakrat sërbe një shekull më parë është edhe një thirrje për kujtesë, është gjithashtu edhe një presion pozitiv ndaj historiografisë zyrtare, akademike të sotme, e cila fjalën “masakër“ e ka zëvendësuar me “raprezalje”. Masakër sipas fjalorit të shqipes do te thotë “vrasje e therje e njerëzve të pambrojtur në masë e në mënyre mizore”. Pra ka tre elementë: vrasje në masë, vrasje e njerëzve të pambrojtur, dhe së treti në mënyrë mizore”. (Fjalori i GJSSH,f.f670) Kurse ”raprezalje”, italisht, në shqip do të thotë “hakmarrje e egër”. (shih Falorin Italisht – shqip te F.Leka e Z. Simoni) Shiheni se sa e ka ulur vlerësimin historiografia e sotme. Ky është një fakt i hidhur. Nuk ka në tekstin katër vellimesh të Akademisë së Shkencave të RSH, botim i vitit 2002) asnjë fjalë tjetër për këto vrasje mizore të njerëzve të pambrojtur fëmije, gra e pleq, e burra,1800 vetave. Siç nuk ka as në Fjalorin Enciklopedik shqiptar (botim 2008) asnjë zë dhe fjalë për masakrat e serbëve në Lumë më 1913.
Se sa rëndësi ka identifikimi i krimit më lejoni t’iu rikujtoj se me 15 janar 1999 kur pa kufomat e masakrës sërbe (45 vetave) në Reçak të Kosovës, William Wollker, pa një pa dy, tha ”ky është krim sërb”. Bota atëherë u trondit. Historia e ka shkruar tashmë se ç’ndodhi.
Treqind indianë u vranë në masakrën e Amristarit nga trupat britanike më 1919 po ajo përmendet kudo jo vetëm në botime akademike por edhe në tekstet shkollore, madje edhe në tekstet tona shqiptare. Po 1800 shqiptarët e Lumës!!! Këtu ka ndodhur genocidi i parë në Europë, ka shkruar publicisti hebrej austriak Leo Freundlich.
Kësaj popullsie të martirizuar ne duhet t’i japim një status, statusin e vendit të martirizuar. Në Botë ka një organizatë ndërkombëtare që jep statusin e vendit, të qytetit, të fshatit, të lagjes, apo të krahinës së martirizuar. Në Shqipëri e kanë fituar me të drejte këtë status Peza, Kuçi i Vlorës dhe Borova. Në (shoqëri civile dhe institucione shtetërore) duhet të paraqesim dokumentet përkatëse aty ku duhet që ky status të argumentohet e miratohet dhe që pushteti qëndror dhe ai lokal ta kenë në konsideratë kurdoherë, jo vetëm për t’i stimuluar moralisht, por edhe me investime etj.


Pushtimi sërb me 1912-1913 e bëri të pamundur shtrirjen e pushtetit të Qeverisë kombëtare të Vlorës në Lumë si dhe në gjithë Shqipërinë Veriore e Verilindore në të njëjtën kohë me krahinat e tjera. Por ai, megjithë tmerret e tij, nuk arriti ta ndalojë procesin historik. Luma iu bashkua shtetit të ri shqiptar të pavarur, ia doli të ngrejë flamurin kombëtar dhe të promovojë qeverisjen vendore. Luma, siç u tha këtu e kishte ngritur edhe më parë flamurin kombëtar në luftërat e saj për liri, po kësaj here ajo po e ngrinte këtë flamur edhe si simbol shtetëror, të njohjes së shtetit shqiptar, të bashkimit me të. Ky proces, ngritja e flamurit dhe promovimi i qeverisjes vendore aso kohë janë zhvilluar bashkë pikërisht për arsyen që thamë.
Në fakt studiuesit nuk i kanë kushtuar vëmendjen e duhur këtij realiteti, përpjekjeve dhe interesimit të Lumës për vendosjen e qeverisjes vendore pas tërheqjes së ushtrisë sërbe. Kjo është padyshim një ndikim nga historiografia e mëparshme, që stimulonte dhe vlerësonte vetëm historinë ushtarake, të luftrave dhe të kryengritjeve, duke lënë si në hije procesin e shtetformimit. Po edhe në kujtesën popullore këto përpjekje për pushtetin vendor duket se kanë lënë pak gjurmë.
Së pari, kohën e kanë dominuar dy ngjarjet e mëdha të vitit, kryengritja e shtatorit dhe masakrat sërbe. Masakrat kanë qenë aq të rënda e kobzeza, sa siç u tha, shuan mijëra jetë njerëzish dhe krijuan doemos një psikologji të tronditur, tmerri, ku themelore për ata që mbetën gjallë, ishte të rivendosej mundësia e jetës në fshatra, fise e shtëpi që kishin pasardhës. Kjo fatkeqësi, ende e paçmuar si duhet, ka pasë dimensione të mëdha, jo veç në familjet dhe fshatrat ku ndodhi, por lidhur ngushtë me ta, për arsye gjaku, miqësie e territoriale, edhe në gjithë krahinën e më gjerë madje. Kjo tragjedi, siç po them, e ka lanë disi në hije çështjen e qeverisjes vendore.
Së dyti, historia e raportit të popullsisë me pushtetin vendor. Në Lumë, si dhe në disa pjesë të Shqipërisë, robëria osmane e gjatë, ishte përjetuar me një pushtet osman të dobët, të përkohshëm, të paautoritet. Luma kishte autonomi, më shumë vetadministrohej mbështetur në Kanunin e saj, të Lumës, dhe sidomos pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit( 1878-1885) me udhëheqjen e saj vendore. Kujtojmë këtu Masbatanë e vitit 1903 që shënonte se veç këtyre 18 burrave nuk njohim pushtet tjetër. Pra kishte një pushtet lokal të dobët, shpesh inekzistent shtetëror të pushtuesit dhe një pushtet më të fuqishëm kanunor. Në Lumë që më 1909 qe përzënë kajmekani (nënprefekti) nga Bicaj dhe administrata lokale osmane kishte marrë fund.
Së treti, është krejt e kuptueshme që pas largimit të forcave sërbe të pushtimit, (25 tetor, në mesditë) politikanët atdhetarë të kohës, të interesoheshin për qeverisjen më të shpejtë, atë kanunore për tu dhënë përgjigje emergjencave të situatës, të ditës, sidomos pajtimit të gjaqeve etj. Dhe kjo u bë. Në Radomirë, siç marrim vesh, (Prof. Shefqet Hoxha. Luma në Lufterat për Liri) është mbledhur një kuvend që ka marrë vendime të kësaj natyre.
Por lumnjanët që kishin sfiduar e luftuar pushtetin osman, kishin kërkuar shtetin e tyre. Dëshmi e kësaj janë jo vetëm pjesëmarrja masive në kuvende e luftime, por edhe interesimi i veçantë për vendosjen, shtrirjen e pushtetit të qeverisë kombëtare të Vlorës në krahinë. Dokumentet tregojnë se edhe Qeveria e Vlorës që në maj 1913 kishte menduar për të shtrirë autoritetin e saj edhe në Lumë. Në një telegram të ministrit të punëve të brendëshme të saj, Myfit Libohovës, shkruhet se me “Me pjesët e Dibrës së Poshtëme dhe të sipërme, që u çliruan dhe që do të çlirohen, së bashku me krahinat e Matit dhe të Lumës, kemi ndërmend të formojmë një prefekturë. ”Ministri kërkon mendim se ku duhej të ngrihej qendra e prefekturës. (Qeveria e përkoheshme e Vlorës dhe veprimtaria e saj. F.139,dok nr 200.)

Një moment me rëndësi të veçantë përfaqëson takimi në Vlorë në gusht 1913, i Ramadan Zaskocit me Kryetarin e Qeverisë Kombëtare Ismail bej Vlorën. Sipas gazetës “Përlindja’ e Shqipnies”, që dilte në Vlorë, në takim ishte biseduar “mbi gjëndjen e malsisies që përfaqsojnë edhe mbi masat që duhen marrë për t’i sunduar ato vise pas mendimit të Qeveries, domethënë pas interesit të Shqipërisë marë” (Nr.5, datë 27 gusht 1913). Pra çlirimi nga pushtimi sërb dhe organizimi qeverisjes vendore të lidhur me Qeverinë kombëtare të Vlorës, janë pikat mbi të cilat është diskutuar e rënë dakort. Që të dyja këto, siç do ta shohim, do të jenë axhende politike e kohës dhe do të gjejnë zgjidhje brenda vitit 1913: edhe çlirimi, edhe qeverisja vendore.
Për Lumën pas 25 tetorit 1913 (largimit të trupave pushtuese sërbe pas ultimatumit austro-hungarez) ka filluar një kohë e re, ajo e lirisë. Dhe paria e Lumës, duke shprehur frymën atdhetare e demokratike, kërkon shtetin e saj, kërkon të qeveriset nga përfaqësues të tij. Është më rëndësi historike fakti i shënuar edhe ky në dokumente: nënkonsulli austro-hungarez, Kolrues, nga Prizreni i shkruan më datë 24 nëntor 1913 ministrit të jashtëm në Vjenë, Berthold, se një delegacion i parisë së Lumës ka shkuar në Shkodër për të marrë me vehte guvernatorin e caktuar (gjoja) prej qeverisë provizore të Vlorës për Lumën. Pra dy-tre ditë rrugë dhe delegacioni i Lumës duhet të ketë qenë në Shkodër më 27 nëntor, po atë ditë që aty ka mbërritur edhe Hasan Prishtina. Ne nuk e dijmë nëse ishte e kordinuar kjo arritje e njëkohëshmë në Shkodër, si e delegacionit të Lumës dhe e Hasan Prishtinës. Por as nuk kemi të dhëna se ishte një rastësi. Mendja të shkon se Hasan Pishtina, i cili pavarësisht se nuk ishte më ministër, ka autoritet (patriotik dhe moral as diskutohej) për të shkuar ai në kufirin serb (siç ia kishte caktuar vendimi i qeverisë së Vlorës) dhe kuptohet për të rregulluar punët në emër të saj. Shënojmë se edhe Shkodra me 28 nëntor 1913 ngriti Flamurin Kombëtar shqiptar.
Pas Shkodrës, ku mendojmë se delegacioni i Lumës (emrat e të cilëve nuk i njohim) dhe Hasan Prishtina kanë biseduar e kanë vendosur, nuk kemi më njoftime të konsujve dhe as të shtypit të kohës për Hasan Prishtinën dhe për zhvillimet qeverisëse e politike në Lumë në vitin 1913. Por dijmë detyrën që i pat vënë qeveria e Vlorës për të shkuar në kufi dhe njoftimin e Ministrisë së jashtme të Vjenës se Hasan Prishtina do të shkonte në Malësi të Gjakovës. Është afër mendsh të pranohet që para se të shkonte në Malësinë e Gjakovës, meqë ka një delegacion të Lumës në Shkodër, Hasan Prishtina, nën shoqërimin e tyre të jetë nisur për në Lumë për të përuruar në krye të nënprefekturës mikun dhe bashkëluftarin e tij Sadik Gostivarin. Jemi në fillim të dhjetorit 1913 dhe terreni ende është pa borë e pa acar.
Megjithatë, veç njoftimit të nënkonsullit austro-hungarez kemi edhe një njoftim gojor, të atdhetarit, Mustaf Mamusha, i cili më 1968 i pat thënë profesor Qamil Hoxhës se Sadik bej Gostivari (llogaritar i Hasan Prishtinës) ishte emnue nënprefekt i Lumës në fund të vitit 1913. (“Q.Hoxha,” Jeta dhe vepra ime” f.394) Më 1913 Mustaf Mamusha ishte djal 23 vjeç dhe pjesëmarrës në lëvizjet luftarake të kohës. Ai është i vetmi veteran që e ka bërë këtë njoftim.
Detyra që kish marrë për tu gjendur në kufi, konfirmimi i Vjenës se do të shkonte në Malësi të Gjakoves, ideali i tij i palëkundur i çlirimit të Kosovës dhe bashkimit kombëtar, delegacioni i Lumës në Shkodër për të marrë guvernatorin‘ e caktuar nga Qeveria (nënkonsulli thotë gjoja mbase ai ka dyshime se këtë qeveritar nuk do të kish caktuar Qeveria e Vlorës po Hasan Prishtina vetë dhe në fakt ai ishte një bashkëluftëtar i tij), të gjitha këtyre po tu shtohet karakteristika që i bënte ‘Përlindj’ e Shqypnies, Hasan Prishtinës se ai i merrte dhe i kryente detyrat kombëtare në mënyre heroike, të bëjnë të mendosh se Hasan Prishtina s’ka pasë pse të mos e shfrytëzonte këtë rast për Lumën, për të qenë i pranishëm në këtë ngjarje të veçantë historike. Një Flamur me Hasan Prishtinën, Luma e meritonte dhe i bën nder asaj.

– Hasan Prishtina (1873 – 1933) – 

Sidoqoftë, kjo që thamë, pjesmarrja e Hasan Prishtinës, ka nevojë për hulumtime të mëtejshme, ndërsa ngritja e flamurit dhe promovimi i qeverisjes vendore mendojme se duhet të ketë ndodhur në fillim të dhjetorit 1913 (datën ende nuk e dijmë). Mendimet e botuara tek revista “Dy Drinat” (qershor 2001) për datën 18 tetor (shih njoftimin e nënkonsullit austro-hungarez të 24 nentorit), ashtu dhe për pjesmarrësit në këtë ngjarje, nuk qëndrojnë (shih shënimin në fund të kumtesës).
Ngritja e Flamurit kombëtar në Bicaj (në shtëpinë e Et’hem Dostanit, na thotë profesor Qamil Hoxha) u shoqërua me vendosjen e administratës lokale të qeverisë së përkohëshme të Vlorës. Nënprefekt u vendos Sadik Gostivari. Ai do të qëndronte në këtë post të nënprefektit të Lumës edhe në një edicion të dytë, me qeverinë e Durrësit të princ Vidit më 1914’tën. Më pas, aktiv përkrah Hasan Prishtinës, Sadik Gostivari ndikon në organizimin e Kuvendit në Bicaj në shkurt 1915 për të përgatitur sulmin mbi Zhur. Më 1919 Sadik Gostivari do të jetë një nga antarët aktiv të Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës, të kryesuar nga Hoxhë Kadria dhe ku militonin Hasan Prishtina, Bajram Curri, Bedri Pejani etj.
Ne nuk e dijmë saktësisht ende se ç’administratë kishte nënprefekti në Lumë, po Rifat Iljazi ka treguar se kishte edhe disa xhandarë, në mes tyre Rexhep Hadrin (nga Kosova) dhe Nexhip Ahmetin nga Canaj (Lumë). Populli e brohoriti dhe e quajti këtë qeverisje vendore ”krijim i Albanisë në Bicaj të Lumës”, ose për ndryshe qeveria e Albanisë në Lumë. Krahas vendosjes së rendit, pushteti vendor në Lumë, me inisiativën e Hasan Prishtinës, ngriti në Bicaj (tek xhamia e Halile) me 18 tetor 1914 edhe shkollën me mësues Ibrahim Gotin.
*) Kumtesë e mbajtur në Kukës më 22 nëntor 2013, në sesionin përkujtimor në nderim të të rënëve nga masakrat e ushtrisë sërbe më 1913 në Lumë.
______________
Shënime:
Në revisten “Dy Drinat” është botuar edhe një informacion sipas të cilit flamuri ne Bicaj është ngritur me 18 tetor 1913 dhe është shpallë edhe qeverisja vendore me nenprefekt Sadik Gostivarin në prani të parisë së Lumës dhe 14 burrave të Kosovës të prirë nga Hasan Prishtina. (shih emrat e tyre më poshtë). Por lista e burrave të Kosovës është një më një (një më pak) po ajo që ka dhënë Mustaf Mamusha për shkurtin e vitit 1915, kur Hasan Prishina erdhi për të organizuar Kuvendin në Bicaj te xhamia e Halile për sulmin mbi Zhur. Dhe është pak e besueshme, që në të dy rastet, të kenë ardhur si shoqërues të Hasan Prishtinës po ajo shporë burrash, në një distancë kohe 15 mujore tepër të vështirë. Pastaj shoqëruesit e tij janë në fakt kryetar çetash kryengritëse në Kosovë, si Keri i Sadri Bardhit (gabimisht shënohet për “Sadik“,) Mehmet Konjuhi i Llapit, Rexhep Hadri etj., të cilët në shkurt 1915, është më afër mendsh, të ishin në Bicaj e në Lumë prej ku do të niste sulmi kundër ushtrisë sërbe në kufi e në Zhur drejt Prizrenit, siç ishte bërë plani dhe siç edhe u veprua në fakt. Emrat e burrave të shquar të Lumës dhe të Kosovës që sipas Ahmet Nergutit morën pjesë në këtë veprimtari, ai shkruan se i kishte gjetur në një “procesverbal“ në Arkivin privat të profesor Qamil Hoxhës, të cilin e ka ka bërë publik më 2001 ne Revistën ”Dy Drinat”. Por në veprën e Qamil Hoxhës ky “procesverbal“ nuk është përfshirë, sipas meje me të drejtë, pikërisht pse ai nuk i qëndron kritikës, për datën 18 tetor 1913, (Ushtria sërbe është larguar me 25 tetor nga Luma) për pjesëmarrjen e luftëtarëve nga Kosova dhe për mungesen e Ramadan Zaskocit.
Ja emrat e tyre :
NGA LUMA:

1- Islam Spahia, Kolesjan
2- Mulla Xhema, Canaj
3- Shahin Dema, Canaj
4- Ramadan Cejku, Lusën
5- Dervish Bajraktari, Ujmisht
6- Hoxhë Mehmeti, Shtiqën
7- Nexhip Ahmeti, Canaj
8- Maliq Nërguti. Morin
9- Sul Imeri, Shtiqën
10- Sul Myftari
11- Hasan Osmani
12- Jemin Gjana, Ujmisht
13- Rexh Imeri Nangë
14- Idriz Arifi, Nangë
15- Fetah Elezi,
16- Ali Bakalli, Nangë
17- Miftar Nika, Surroj
18- Xhafer Bislimi, Kukës

NGA KOSOVA:
1- Hasan Prishtina
2- Sadik Gostivari
3- Mehmet Kojuhi
4- Ajet Dervina
5- Mustaf Mamusha
6- Sheh Hasan Rufai
7- Një burrë prej Tetove
8- Keri i Sadik Bardhit
9- Mehmet Delia
10- Isuf Mehaniqi
11- Rexh Delia i Prizrenit
12- Selim Dervina
13- Hasan bej Kizolli
14- Rexhep Hadri

_______________
BURIME:
1- Report of the International Kommission of Balkan Wars. Washington, D.C.1914
2- Historia e popullit shqiptar. Botim i ASH te RSH.Velli i IV.Tirane 2002.
3- Fjalori Enciklopedik shqiptar. Botim i Akademisë së shkencave të RSH. Tiranë, 2008
4- Gazeta “Përlindje e Shqipnies” gusht-shtator-tetor-nëntor 1913.
5- Leo Freundlich “Albania’s Golgotha”. Vienë 1913
6-Edith Durham, Njezet vjet ngaterresa ballkanike.1920
7- Sotir Kolea ne “Liri e Shqiperise”, 1914
8- Robert Elsie, Texts and documents of Albanian History in “www albanian History.net përkthyer nga frengjishtja informacionin e “Corriere delle Puglie” Bari XXVI.354, datë 21 dhjetor 1913.
9- Arben Puto, ‘ Pavarësia e Shqipërisë dhe diplomacia e fuqive të mëdha”
10- Tahir Avdyli ”Hasan Prishtina në lëvizjen kombëtare e demokratike të Shqipërisë.
10- Ajet Haxhiu, Hasan Prishtina, Tiranë 1964.NSH botimeve “Naim Frashëri”.
11- Kujtim Nuro “Hasan Prishtina përmbledhje dokumentesh.
12- Qamil Hoxha “ Jeta dhe vepra ime” Geer. Tiranë, 2008
13- Shefqet Hoxha “ Luma në luftërat për liri”
14- Shefqet Hoxha “ Barbaritë serbe në Lumë e në rrethinë (1912-1913) Geer,2013.
15- Naim Manaj, ”Jehona e Topojanit”. 2002, botim i SHB “Dy Drinat”.
16- Sheradin Berisha, Kryengritja shqiptare e vjeshtës së vitit 1913” në “Dy Drinat”, 2006, nr. 8 f.40-64.
17- Xheladin Shala “Pushtimi i Kosovës nga Serbia dhe M.Zi 1912-15, Prishtinë 2012,
18-Fjalor i Gjuhes shqipe të sotme. Botim i ASH te RPSSH, Tirane 1984
19- Ferdinand Leka, Zef Simoni: Fjalor Italisht – Shqip.
20- Isa Halilaj, “Në rrugën e diturisë”. SHB “Iliria” Tiranë,1998
21- Sali Onuzi “Tetor 1913: Luma e kuqe e martirizuar” Zeri i Popullit, 26.10.2013.
22- Gazeta “Taraboshi”, që botohej në Shkodër, Tetor 1913
23- Studime Historike viti 2009 nr 3-4.
24- Dimitrije Tucoviq Vepra të zgjedhura në dy vëllime. Botim shqip në Prishtinë.
25- Leon Trotsky, “he war correspondence of Leon Trotsky. The Balkan wars 1912-1913. Nju Jork. Monad 1980.
26- Gazeta ”Atdheu” gusht 1913 (datë 30).
27- Gazeta ‘Liri e Shqiperisë” 1913.
28- Qeveria e përkohshme e Vlorës dhe veprimtaria e saj. Tiranë. 1963.

…………………………………………….

Punim i piktorit Ramazan Memishi, kushtuar të rënëve 

në masakrat serbe në kryengritjet 1912 – 1913.
……………………………………………………………………

(Ilustrimet i përgatiti kryeredaktori i pashtriku.org sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura