GJEKË GJONLEKAJ: PROFESOR MHILL (MICHAEL) MARKU

New York, 05. 10. 2015: Javën e kaluar dërguam për ribotim shkrimin anglisht për Dedë Gjo’Lulin të Michael Markut, i cili shihet qartë se e kishte amerikanizuar emërin e tij të vërtetë shqiptar. Për t’ia adaptuar emërin e tij natyrës shqiptare menduam se emëri Mikel ishte shumë afër emërit Michael, por një ditë më vonë gjetëm se emëri i tij i vërtetë kishte qënë Mhill Marku e jo Mikel Marku. Kërkojmë falje për këtë. Të gjitha shkrimet e tij në gazetën “Dielli” janë botuar me emërin Michael Marku. Përzierja e emërave të huaj me emëra shqiptar shumë herë shkakton huti. Disa lexues kërkuan të dijnë më shumë për jetën dhe veprimtarinë e këtij shqiptaro-amerikani dhe për t’ua plotësuar dëshirën gjetëm këto shënime që ishin botuar në gazetën “Dielli” në qershor të vitit 1966, menjëherë pas vdekjes së tij. (Gjekë Gjonlekaj)
***
Kur dita më ditë pritej dalja në dritë e nji libri të Prof. Michael Markut, ai vdiq papritmas në Monterey, Calififorni, ku ishte drejtor i shkollës shqipe n’Institutin e gjuhve t’Ushtrisë Amerikane. Vdekja e shpejtë e tij la në pikllim jo vetëm familjen, farefisin e miqët e shumët, por edhe ata që e njifshin nga shkrimet e tija aq të bukura. Michaeli, megjithse larg vendlindjes ishte në kulmin e duhun në shërbim t’atdheut dhe të shqiptarve, tue nderue malet bujare t’Shalës që i dhanë jetë. Dukagjinin fole Shqiptarizmi dhe mbarë shqiptarët, sepse nder shtyllat e shtypit të lira në mërgim, artikujt e tij ishin të pandërpremë, plot shije letrare, me baza shkencore, konstruktiv, larg partinash, thjeshte dhe vetëm shqiptar në dobi të Kombit, pse i thjeshtë dhe vetëm shqiptar ishte vetë Michaeli. Po kështu, shkruante ndër gazeta e revista të huaja sidomos n’anglisht tue synue me ndriçue e sqarue të huajët mbi Shqipni e të drejta të Shqiptarve.

Michael Marku leu në Shalë në luftën e parë botnore, kur Serbët në ikje e sipër prej ushtrive Austro-hungareze shkelën dhunisht nëpër malet tona, tue djegë e shktarrue, tue grabitë e masakrue popullin. Po me ket kohë vritet burrnisht tue luftue edhe baba i Michaelit me dy vllazën, tue e lanë atë foshnje dy muajsh. Me kujdesin e famullitarit, Michaeli në moshën e bukur fort të rritëshme hyni në shkollë në konviktin “Malet tona” në Shkodër, ku kreu filloren e gjimnazin shtetnuer, tue u shque gjithmonë i pari i klasës, i pari në sport, i pari në guxim, i pari në nderë e karakter, shembull në sjellje, fisnik në punë e në veprime, burr i matun ndër gjykime, gja që provon mos përkulja e tij para të rijve komunista t’asaj kohe, që dhanë e mueren m’ e bindë të hynte në celulat e tyne, por jo vetem që nuk mujten me e mashtrue, por u qëndroi burrnisht me arsye e grusht, tue u mundue me i ndriçue se ishin në rrugë të gabueme, mbasi për Michaelin komunizmi ishte qysh atëherë pansllavizëm rreziku i kombit shqiptar, gja që tashma e pamë të gjithë. As demagogjia fashiste nuk e futi Michael Markun në kurthë. Burgimi i tij në Liceun shtetnuer në Shkodër me 1940 provon qartë se ndjenjat e të ndyerit ishin me popullin e synimet e përpjekjet për nji indipendencë të plotë, liri e demokraci të vërtetë për çka Shqipnia kishte aq nevojë.
Studimet universitare i kreu n’Europë, kurse në Californi muer diplomën-Master Degree n’arte e histori.
Në fund e ndjejme për detyrë të theksojmë se veprimtaria kulturore kombetare e shumllojshme e Profesor Michael Markut, ishte shëmbull për të gjithë shqiptarët e mërgimit. Me vdekjen e tij mergimi shqiptar humbë nji shtyllë të fortë, nji personalitet të dalluem në dobi të pergjithshme kombtare. Qoftë i përjetshem kujtimi i Tij.
Show original message
G&S Farmington, Mich.5/6/1966
***
NGA REDAKSIA E DIELLI-T
Profesor Marku lindi në Shalë të Dukagjinit me 27 Shtator 1919, i bir i Mark Markut dhe i Drande Mirashi. Shkollën fillore e bëri në Shkodër 1926-31 dhe pastaj studjoi në Liceun Shtetëror të këtij qyteti prej 1931-1938 dhe vjetin e fundit e bëri në Tiranë me 1939. Me 1939-43 studjoi në Farnesina të Romës, Itali, dhe u diplomua rishtasi me 1964 në San Jose State College, Californi, me titull MA in History.
Profesor Marku mësoi për pesë vjetë në shkolla Italiane (1946-1950) dhe pastaj emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Qe profesor dhe pastaj Chairman në DLI të Monterey, Calif. Përveç artikujvet të shumtë shqip dhe anglisht, Profesor Marku është author i THE RED PIONEER.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura