SALI ONUZI: SHQIPËRIA KISHTE NJË LËVIZJE ANTIFASHISTE TË FUQISHME

Tiranë, 04. 09. 2014: Ky vit është vit i 70 vjetorit të fitores së Luftës Antifashiste të Popullit shqiptar, pra edhe i fitores së Lëvizjes Antifashiste të tij. Lufta dhe Lëvizja kanë qenë të lidhura ngushtë mes tyre. Populli shqiptar ia doli që përballë pushtimit fashist të krijonte gradualisht një Lëvizje të fuqishme antifashiste që u bë më e organizuar dhe drejtuar pas krijimit të Partisë komuniste shqiptare (8.11.1941) dhe u institucionalizua me krijimin e Frontit Antifashist Nacionalclirimtar (16.09.1942), të organizatave e shoqatave antifashiste. Lëvizja kishte si qëllim vetdijësimin e popullit shqiptar për gjendjen e pushtimit, frymëzimin e besimin e tij në fitore. Kishte përballë një ushtri të madhe armike që kish vënë në qarkullim një propogandë mashtruese “për çlirimin e Shqipërisë”, “për krijimin e Shqipërisë së madhe”, por edhe veprimtarinë e reaksionit vendas që i shkonte pas me “nuk i delet Italisë, është fuqi e madhe, gjermani po ashtu,” madje ”ky nuk kish ardhur si pushtues”, ishte gjoja “në kalim, “na njeh si shtet të pavarur “ etj etj.
Kësaj propogandë ç’mobilizuese e ç’kombëtarizuese iu kundërvu Lëvizja Nacionalclirimtare me forma të tilla si organizime të fshehta, takime e biseda, protesta, demonstrata, me shtypin e saj ilegal etj. Ilegalët u bënë shpirti i Lëvizjes. Në veçanti rinia, sidomos ajo e shkollave të mesme dhe punëtorët. Mu te dera e Ministrisë së sotme të Mirëqënies Sociale dhe të Rinisë është pllaka që përkujton Strehën Vorfnore të Tiranës, nxënësit e të cilës, (thotë pllaka) morën pjesë aktive në luftë kundër pushtuesve dhe tradhëtarëve të vendit. Lexuesi mund të kujtojë me këtë rast filmin e bukur artistik të Kinostudios sonë, aq mirë të realizuar, “Lulëkuqet mbi mure”. Historia flet për rininë e gjimnazit të Tiranës, të Shkodrës, të Liceut të Korçës, të Institutit pedagogjik të vajzave në Tiranë, të shkollës Tregetare në Vlorë, e sa e sa të tjerë që u shquan në këtë lëvizje të fuqishme, ashtu si punëtorët e Kuçovës, ato të ndërtimit etj.

“Këshilltarët e Hekalit” – punuar nga Fatmir Haxhiu, piktor i merituar.

Mund të kujtojmë edhe “Debatikun”, organizatën antifashiste të Fëmijëve të kryeqytetit. Sado të rinjë, ata kryen aksione te suksesëshme (punë që mund t’i bënin vetëm të vegjëlit pa rënë në sy të milicisë fashiste dhe të xhandarëve të qeverisë kuislinge), si shpërndarje traktesh, djegëje makinash të armikut, shërbime informative, korrier etj. Shumë anëtar të Debatikut u burgosën dhe u torturuan nga fashistët. Me vonë disa prej tyre dhanë jetën për liri në rradhët partizane. Kinematografia shqiptare e ka skalitur me filmin e famshëm “Debatik” të regjizorit Hysen Hakani, ish debatikas.
Lufta në qytete, jeta e ilegalit kane qenë sa të rëndësishme aq edhe të vështira. Komandantë të shquar në drejtimin e batalioneve dhe brigatave të UNҪ e kanë vlerësuar shkallën e rrëzikut nga armiqtë për lëvizjen antifashiste në qytete, ku largimin prej andej e kalimin në mal partizan, ilegalët e prisnin me kënaqësi.
Lëvizjes antifashiste shqiptare pushtuesit italianë dhe gjermanë i vunë kundër masa të rënda e të ashpra, terrorin, burgimet, internimet në kampe përqëndrimi e pushkatimet. Pushtuesit burgosën dhe dërguan në kampe internimi dhe përqendrimi mijëra të rinjë dhe të reja shqiptare, në Mathauzen, Aushvic, Dahao, Ravensbruk, Bukenvald, Ventotene, Selanik, Porto- Romano, Prishtinë etj. Edhe atje shqiptarët u shquan për pjesëmarrje në lëvizjen antifashiste. Majfton të kujtojme këtu Ali Kucin, nga Vlora, që u bë i njohur në shkallë botërore për udhëheqjen e tij në kampin e tmerrshëm te Dahaut, Gjermani, duke u shpëtuar jetën mijra të burgosurve në kamp. Shumë shqiptarë të dërguar në këto kampe të vdekjes u vranë, e disa prej tyre shpëtuan rastësisht nga vdekja e sigurtë. Bezat Imaj, nga Gjirokastra, i rradhitur me shokët për tu pushkatuar, shpëtoi rastësisht nga që nuk e kapën plumbat. Pat ardhur në Shqipëri pas viteve nëntëdhjetë një grup i televizionit gjerman dhe e pat intervistuar për të dëshmuar si vuajtjet në kamp edhe sjelljen humane pas lufte të qytetarëve të zakonshëm gjermanë që i strehuan dhe ushqyen në shtëpitë e tyre të internuarit që kishin dalë gjallë nga kampet si Bezati, Beqir Xhepa nga Tirana, e shumë të tjerë.
Në fakt historiografia shqiptare është ende deficitare në paraqitjen e lëvizjes antifashiste në burgje (siç e bën psh artistikisht kënga e famshme e Mine Pezës “ku kam djalin ku kam vajzën, m’i kanë mbylle në burg të zi, farefisin ma kanë tretur, larg në ishuj në Itali.) dhe sidomos në kampet e internimit dhe në kampet e përqëndrimit. Padyshim edhe letërsia artistike, e cila megjithatë ka sjellë si dëshmi romanin e shkëlqyer të Petro Markos “Nata e Ustikës”.
Me 22 qershor 1942, në Fushë-Firej në qytetin e Shkodrës ranë heroikisht kundër qindra italianëve Branko Kadia, Jordan Misja dhe Perlat Rexhepi. Nesër-pasnesër i gjithë burgu i Shkodrës këndonte këngën e Tre heronjëve “Ҫ‘ka po thotë Kadia flakë le të kallet shpia, ta marrë vesh Shqipnia se na i dalim zot/, te cilën e kish kompozuar me një mandolinë i burgosuri Kol Jakova. U çmendën milicët duke u përpjekur ta shuanin, por me kot, kënga fluturoi në gjithë Shqipërinë. Jakova tregonte se kur doli nga burgu e kish dëgjuar të këndohej në Jug të Shqipërisë, paçka se nuk ia njihnin autorin. Antifashizmin e përhapnin shpirtërat e njerëzve, zemrat e tyre.
Lëvizja dhe Lufta zhvilloheshin të lidhura ngushtë si mishi me kockën. Ka një rast interesant. Në Durrës më 1944, meqë pushtuesit gjermanë se ndalonin as luftën e as lëvizjen brenda në qytet arritën deri aty sa evakuan gjithë popullsinë e qytetit, e nxorën jashtë Durrësit. Një rast pa precedent në Luftën e Dytë Botërore. E megjithatë nuk ia dolën dot ta ndalonin lëvizjen antifashiste NҪL si në Durrës e në gjithë Shqipërinë.
Bazat e Lëvizjes ishin shtëpitë e ilegalëve nëpër qytete, apo kasollet e thjeshta të fshatarëve dhe të malësoreve. Kjo Lëvizje antifashiste shqiptare, në të cilën u përfshinë gjithë shtresat e popullisë së Shqipërisë, “pa dallim feje, krahine dhe ideje” çoi natyrshëm drejt organizimit të formacioneve ushtarake antifashiste partizane, të njësiteve guerile, të çetave, të batalioneve, të brigatave (24 të tilla) etj. Lëvizja antifashiste është dëshmi e shpirtit të paepur e të pamposhur të popullit shqiptar, e patrotizmit, e mençurisë dhe e guximit të tij. Ajo gjithnjë është vlerësuar lart si fenomen historik i shqiptarëve gjatë luftës së Dytë Botërore. Prandaj ka zënë një vënd të merituar në kujtesën e popullit tonë, në Historinë e Shqipërisë dhe në studimet që janë bërë e bëhen për të.
Pikërisht se Lëvizja antifashiste ka një vlerë të tillë historike, armiqtë e Shqipërisë janë përpjekur ta mohojnë atë. Madje mu në Konferencën e Paqës në Paris, më 1946, ish kryeministri grek Caldaris në vijim të akuzave të tij për gjoja agresionin ushtarak të Shqipërisë (në fakt të Italisë fashiste) ndaj Greqisë, pat thënë se lëvizja partizane, lëvizja popullore antifashiste në Shqipëri nuk kishte ekzistuar, se gjoja për mungesë të kësaj lëvizjeje edhe ushtrinë e rregulltë në Shqipëri në Luftën e Dytë Botërore e paskeshin pas krijuar aleatët!
Po Lëvizja antifashiste shqiptare ka bërë emër në botë, ndërsa emrin e Caldarisit Bota e ka harruar. Aleatët e mëdhenjë antifashistë, SHBA, Britania e Madhe dhe B.Sovjetik e çmuan lart luftën e popullit shqiptar kundër pushtuesve fashistë që në fund të vitit 1942. Bota njeh dhe çmon me respekt popullin shqiptar për kontributin që ka dhënë me Luftën e tij Nacionalclirimtare, me Ushtrine e tij NCl, me heronjtë dhe dëshmorët e tij. Është kjo Lëvizje antifashiste humane dhe shumë e organizuar që pas kapitullimit të Italisë strehoi dhe shpëtoi 15 mijë ish-ushtarë italiane; që shpëtoi qindra hebrenj nga gjermanët, sa asnjë prej tyre nuk e futën në dorë.
Një rast që vlerësohet sot anekënd Botës.
Tridhjetë infermjere dhe sanitarë amerikanë, avioni i të cilëve ra në Shqipëri, të kërkuar gjurmë pas gjurmë nga gjermanët, për 62 ditë dhe netë u strehuan nëpër shtëpitë e fshatarëve dhe qytetarëve shqiptarë dhe kaluan nga Elbasani në Bregdet e prej aty në pjesën e çliruar të Italisë, janë gjithashtu një rast për të treguar se çfarë mund të bënte Levizja antifashiste në Shqipëri. Madje ky rast u suall edhe si shembull nç Konferencën e Paqës të Parisit.
Lëvizja Antifashiste Nacionalçlirimtare është një monument i madh i historisë sonë – në Luftën e Dytë Botërore.

—————————————–

Lulëkuqet mbi mure

Debatik

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura