SALI ONUZI: TETOR 1913 – LUMA E KUQE, E MARTIRIZUAR

Tiranë, 30. 10. 2013 – Në Shpalljen e Pavarësisë me 28 nëntor 1912 aty ishte shpirtërisht edhe Luma, veçse lumjanët ishin në luftë dhe ata nuk e lanë pozicionin e tyre luftarak që u kishte caktuar Historia. Që në tetor 1912, me nisjen e Luftës së Parë ballkanike, Luma ishte në zjarr e flakë, përballë e në luftë me pushtuesit serbë. 1000 lumjanë dhe vullnetarë të Malësisë së Gjakovës mbajtën 4 ditë forcat serbe në Qafën e Duhles. Në nëntor të frikësuar nga trimat luftëtarë nga Luma bllokoi divizionet e armatës së tretë sërbe në Prizren, duke i dhënë kohë Ismail bej Qemalit që të zbriste në Durrësin ende të papushtuar nga forcat sërbe dhe të nisej për Vlorë (e bllokuar nga deti prej anijeve greke) për të ngritur Flamurin dhe shpallur Pavarësinë.
Nga 9-18 nëntor, siç raportonte nga Prizreni konsulli austro-hungarez Prochaska, “lumjanët po zhvillonin një luftë të ashpër e të përgjakshme që u kushtoi serbëve humbje të mëdha dhe i detyroi të thërrasin për ndihmë të gjitha forcat e tyre” (Shqipëria në dokumentet Austro-hungareze.1912. Vëllimi VI, Tiranë 2012, f342). Luma do të ndeshej përsëri në fund të nëntorit e fillim të dhjetorit 1912 me divizionin serb të riorganizuar e armatosur posacërisht për në Lumë që bëri vrasje e djegje masive. Popullsia mori malet në një dimër të ashpër.

– Lumjanët trima në istikame kundër ushtrisë barbare serbe –

 Edhe pas shpalljes së Shqipërisë së Pavarur, trupat sërbe nuk u larguan nga Luma, ata u vendosën në të ashtuquajturën “zonë strategjike”, që përfshinte gjithë zonën e krahut të djathtë të Drinit, në VL të Shqipërisç e më shumë. Pushtimi i egër sërb u shoqërua me masa barbare. Ushtria sërbe mbylli rrugët jetike të Malësisë për në tregjet e saj tradicionale në Gjakovë, Prizren dhe Dibër. Të gjitha burimet e jetës u prenë. Popullsia vuante nga uria. Gjenerali Filips, komandanti Europës në Shkodër njoftonte se “në malësitë e Gashit vdisnin nga uria 20 veta në ditë, viktima të sërbëve”. (Xheladin Shala “Pushtimi i Kosovës“ f. 232)
Me 29 korrik 1913 Fuqitë e Mëdha njohën Statusin e Shqiprisë së Pavarur, por ky vendim e përforconte ndarjen kufitare me gjysmën tjetër të Shqipërisë së përtej Drinit që mbetej nën robëri. Situata tepër e rëndë bën që në fund të gushtit 1913, tre përfaqësues të Shqipërisë VL, Elez Isufi i Dibrës, Ramadan Zaskoci i Lumës dhe Rexhep Bajraktari i Hasit të zbresin në Vlorë për të biseduar me Kryetarin e Qeverisë shqiptare Ismail bej Vlorën. Përfaqësimi i Lumës para Qeverise kombëtare me një burrë të rrallë dhe figurë të lartë si Ramadan Zaskoci, është dinjitoz,ashtu si dhe vlerësimi i tij si “perfaqësues “i krahinës nga popullsia e saj dhe nga Qeveria e Vlorës, e cila duket se ishte organizatore e takimit në fjalë.
Në fillim të shtatorit 1913 situata tepër e ngarkuar shpërthen në një kryengritje të rrufeshme. Janë dibranët të parët që përparojnë dhe çlirojnë qytetet e Dibrës, të Gostivarit, Tetovës, të Strugës e të Ohrit. Ndërkohë fillon kryengritja edhe në Lumë, me një sulm në dy krahë, në pjesën lindore dhe atë perëndimore të Gjallicës. Ushtria serbe mbyllet në Prizren e Gjakovë. Ky ishte një shpërthim i madh i zemërimit popullor, një goditje jo vetëm kundër pushtuesve sërbë por edhe një shuplakë e fortë kundër qëndrimeve antishqiptare të Europës së vjetër.

– Kryengritësit e Dibrës me artilerinë e zaptuar kundër ushtrisë serbe! – 

Për të shtypur kryengritjen Serbia, nën hundën e fuqive të mëdha të Europës sjell forca të shumta ushtarake dhe ripushton Lumën, Dibrën dhe gjithë Shqipërinë verilindore. Pushtimi shoqëroret me vrasje masive dhe djegje të shtëpive dhe të fshatrave. Në Lumë digjen 28 fshatra dhe vriten 1718 veta, fëmijë, gra dhe burra. (të dhëna operative, të pjesshme, të siguruara prej një zyrtari europian që punonte në Shqipëri nga Sotir Kolea dhe botuar nga “Corriere delle Puglie”, nr 354, datë 21 dhjetor 2013 e ribotuar në shtypin francez, anglez dhe atë shqiptar të kohës.) Martirizimi shkon në qiell, gjaku skuq përrenjtë dhe lumenjtë e krahinës. Jo me kot populli e ka thirrë “Luma e Kuqe”; e kuqe, pse ka shkuar gjaku rrëke. Kësaj periudhe i takojnë fjalët tronditëse që shkroi gazeta britanike “The Daily Telegraph: “Egërsia me të cilën vepruan trupat e gjeneral Jankovicit i tejkaluan gjithë tmerret e historisë”. Një oficer sërb shkruante ato ditë fjalët tragjike të genocidit: ”Luma nuk ekziston më“. 
Komisioni ndërkombëtar Carnegie sillte letrën e një ushtari sërb, pjesmarrës në këto krime, i cili shkruante se ishte e tmerrshme të ishe këtu dhe pyeste se si njerëzit mund të ishin kaq të ashpër sa të kryenin të tilla mizori dhe se në Lumë nuk ka veçse kufoma, pluhur e hi. Këtu në fshatra me nga 100, 150, 200 shtëpi nuk ka as një njeri, me të vërtetë asnjë. I mblidhnim në grumbuj nga 40-50 dhe i shponim me bajonetë deri tek i fundit. Kemi plaçkitur në të gjitha vendet.” Oficeri u thosh ushtarëve që të shkonin në Prizren dhe të shisnin sendet që kishin vjedhur.
“Masakër sërbe” dhe “Martirizim shqiptar” e ka quajtur shtypi përparimtar i kohës. Në Luftën e Parë dhe në Luftën e Dytë Botërore”, mes dhe pas tyre, kanë ndodhur në Botë masakra të tjera. Masakra e Amristarit në Indi, ku janë vrarë më 1919 nga 379-1000 indianë dhe ajo e vitit 1924 kundër 200 indigjenëve në Argjentinë përmenden në tekstet shkollore të historisë. Në Botë ka një organizatë të njohur e shumë të respektuar, ajo e Vendeve Martire me seli në Bolonja të Italisë. Në vitet e demokracisë nga Shqipëria kanë fituar statusin e vendit martir Peza, Kuçi i Vlorës dhe Borova. Nuk ka diskutim se me dokumentet që vërtetojnë martirizimin e padiskutueshëm të Lumës e në veçanti të Topojanit, të Përbregut, të Brekijes, të Kalisit etj do ta fitojnë edhe këto statusin e nderuar të vendit martir. A nuk ka shkruar e botuar Naim Manaj “Jehonën e Topojanit” një libër i mirë që i kushtohet këtij martirizimi? Po ashtu kohët e fundit ka botuar një libër fort të dokumentuar për këto barbarizma profesor Shefqet Hoxha. Ky martirizim nuk mund të harrohet me terma si dikur “gjakderdhje shqiptaro-serbe”, se gjaku i viktimës nuk mund të bëhet ujë me atë të kriminelit. Hilja për t’i shpëtuar përgjegjesisë së historisë, “mallkimit të historisë” siç do të kish thënë Hasan Prishtina, i bën disa edhe në ditët tona të propozojnë për të ngritur një përmendore të përbashkët(!) shqiptaro-sërbe për viktimat e luftës së fundit. Kjo natyrisht nuk ka për të ndodhur sa kohë shqiptarët të respektojnë gjakun e tyre të derdhur.
Pas ankesës së Qeverisë kombëtare të Vlorës, perandoria Austro-Hungareze i paraqiti më 18 tetor Mbretërisë sërbe një ultimatum me kërkesë për të tërhequr forcat nga Shqipëria brenda 8 ditësh. Me 25 tetor Beogradi u përgjigj me shkrim se forcat e saj ishin tërhequr. Nga fundi i tetorit – në fund të nëntorit 1913, Luma përpiqej të mbyllte plagët e rënda, krerët e saj merren me organizimin e vendit, të krahinës, mblidhen në Radomirë dhe lidhin besë për të likujduar hakmarrjen dhe zbatuar Kanunin e tyre. Por Luma është pjesë e Shqipërisë së njohur në Londër dhe ajo i ka vendosur që në gusht 1913 lidhjet konkrete me Qeverinë Kombëtare të Vlorës, me të cilën janë diskutuar edhe “masat që duhen marrë për t’i sunduar ato vise pas mendimit të Qeveries, domethënë pas interesit të Shqypniës marë”

– Kryengritësit e vjeshtës 1913 –

Për Lumën pas 25 tetorit 1913 ka filluar një kohë e re, ajo e lirisë. Dhe paria atdhetare e përparimtare e Lumës, duke shprehur frymën popullore, demokratike, kërkon shtetin e saj, lidhjet me shtetin shqiptar, kërkon të qeveriset nga përfaqësues të tij. Është më rëndësi historike fakti i shënuar nga nënkonsulli austro-hungarez, Kohlruss, nga Prizreni më datë 24 nëntor 1913 ministrit të jashtëm në Vjenë, Berthold, se një delegacion i parisë së Lumës ka shkuar në Shkodër “për të marrë më vete guvernatorin e caktuar prej qeverisë provizore të Vlorës për Lumën”. Pra dy-tre ditë rrugë dhe delegacioni i Lumës duhet të ketë qenë në Shkodër më 27 nëntor, po atë ditë që aty ka mbërritë edhe Hasan Prishtina. Ka fjalë ende të pakonfirmuara se ai ka ardhur bashkë me këtë delegacion në Lumë në fillim të dhjetorit 1913, ku është ngritur flamuri në Bicaj (në shtëpinë e Et’hem Dostanit) dhe ku është përuruar qeverisja vendore e saj. Një flamur me Hasan Prishtinën e meritonte Luma.
Më 25 tetor 1913 Luma po hynte në shtetin e ri shqiptar, por duke u ndarë nga Kosova. Kufiri ishte fatal për të, e ndante nga fusha e pasur e Kosovës, ku Luma tregëtonte blegëtorinë, pyjet dhe prodhimet e artizanatit dhe siguronte prodhimet bujqësore; e ndau nga qyteti, nga Prizreni, nga kultura, politika, tregëtia, nga traditat e tij te pasura dhe kjo do të ndjehej për 100 vjet e ndjehet ende dhe sot. Prizreni kishte qenë kryeqendra e Lumës që kur s’mbahej mend. Lumjanët ishin përfaqësuar aty denjësisht, mjafton të kujtojmë famëmadhen Lidhjen shqiptare të Prizrenit, ku lumjanët e nisën me të, të parët dhe e mbyllën me të, në fund, më 1885.
Por një shekull, ky kufi i rëndë nuk i ndau dot shpirtërisht lumjanët nga Kosova. Këtë tanimë e di gjithë Bota, e cila u habit me 1999, sa me eksodin biblik të kosovarëve, aq me pritjen vëllazërore të lumjanëve. Qyteti i Kukësit pret të vlerësohet një ditë për atë që ka bërë.
Shekulli i XXI do të vinte me një fytyrë tjetër: me demokracinë e Shqipërisë e me pavarësinë e Kosovës. Po ende kufiri dhe dogana janë aty. Europa ka më shumë se gjysëm shekulli që integrohet e bashkohet. Kjo nuk mund tu ndalohet shqiptarëve, të cilët nën flamurin e Europës do ta bëjnë një ditë këtë kufi të padukshëm.
*) Autori është historian ushtarak. Ka lindur në fshatin Nangë të Lumës dhe jeton në Tiranë. Për shumë kohë ka punuar në funksinone të larta në ushtri. Ka gradën kolonal dhe sot është në pension.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura