SALIH KABASHI: NË BIBLIOTEKË – KAM RROTULLUAR DISA FAQE, EDHE ATY KUR MË DILTE NË RRUGË TRISHTIMI!

Paris, 20. 03. 2013 – (Kur trimat e Kosovës u kthyen nga Beogradi me Kosovën e shitur.) – Ditën e parë biblioteka më mori nga të ftohtit e nga bora dhe më futi brenda. Të dytën ditë më shkëputi nga një diell me dhëmbë… E, sot në të tretën ditë, më ndau nga një diell i bukur i mëngjezit dhe nga një erë aspak e lezetshme e pasditës. Kjo bibliotekë që më pëlqen ta quaj imja, është fortesa më e sigurt që bile për disa orë të ditës të ndjehesh mirë e pa bezdi dhe – si në shkollë. Sot kam shfletuar nga kutitë e mëdha materiale të formateve poashtu të mëdha. Kam rrotulluar faqe dhe jam ndalë aty ku më ka thënë kurreshtja – ndal! Por jam ndalë edhe aty ku e kur më dilte në rrugë trishtimi. Edhe jam ndalë në rastet kur ndonjë tekst më shkatonte të qeshura.
* * *
Më 1944, në nëntor, ekipi i Crvena Zvezdës e mundi në Beograd reprezentacionin e Shqipërisë më 11 : 2. Dy gola për shqiptarët i dha qëndërsulmuesi Loro Boriqi.
(Shqiptarët po fillonin humbjet në të gjitha fushat.)

Paris, 19 Mars 2013: Salih Kabashi në Bibliotekë…

* * *
Në të njëjtën kohë një delegacion i grave antifashiste jugosllave viziton Tiranën dhe merr pjesë në kongresin e grave antifashste shqiptare. Flasin përfaqësuesit e misioneve ushtarake amerikane, angleze e jugosllave, të cilët me radhë lavdojnë Enver Hoxhën dhe luftën e partizanëve shqiptarë për çlirimin e vendit nga okupatori.
(Nexhmija, ndërkaq zgjodhi fjalët më të bukura për mareshallin Tito.)
* * *
Më 1 shtator 1945, Qeveria e Serbisë caktoi anëtarë të rinj të Qeverisë. Ministër i xehetarisë u emërua Mehmed Hoxha. Në mbledhje për herë të parë merrnin pjesë përfaqësues të provincës së Kosovë Metohisë: Mehmed Hoxha, Fadil Hoxha, Rifat Berisha, Gjoko Pajkoviqi dhe Krsto Filipoviqi… U aprovua Ligji për Provincën e Kosovës e Metohisë në kuadër të Serbisë. Ligjin e arsyetoi Mosha Pijade dhe e votuan të pranishmit…

(Trimat e Kosovës u kthyen nga Beogradi me Kosovën e shitur.)
* * *
Më 23 dhjetor 1945 Këshilli Antifashist i refugjatëve nga Çamëria i dërgon apel ministrave të punëve të jashtme të fuqive aleate në Moskë, ku tregon gjenocidin mbi popullsinë çame të kryer nga monarko – fashistët grekë…

(Pastaj u harruan çamët, u harrua edhe Çamëria.)
* * *
Më 23 gusht 1967 Mika Shpilak, kryetari i Këshillit Ekzkutiv Federativ ishte për vizitë në Kosovë e Metohi. Atje e priti kryetari i Kuvendit, Fadil Hoxha, kryetari i Komitetit Krahinor të Lidhjes së Komunistëve, Veli Deva, kryetari i Këshillit Ekzekutiv Krahinor, Ilija Vakiqi dhe kryetari i Kuvendit të komunës së Prishtinës, Jovan Peqenoviq.

(Mika Shpilaku vizitoi minierat e Kosovës…)
* * *
Shtator 1967. Tito e Jovanka vizitojnë Maqedoninë. Në Strugë, Manastir e Ohër kanë dalë në pritje i madh dhe i vogël. Shpaliri i njerëzve të grumbulluar në të dyja anët e rrugës ka tejkaluar gjatësinë 7 kilometra…

(Të gjithë donin ta shihnin shokun Tito dhe t’i uronin jetë të gjatë sa malet.)
Shoqe e shokë, a ju kujtohen këto!?


– Autori është themelues dhe botues i revistës Republika.
==================== 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura