UK LUSHI: LIBRI I IDENTITETIT

New York City, 22. 05. 2012 – (Disa fjalë mbi librin e Mehmet Krajës “Identiteti kosovar”, botuar nga PEN Qendra e Kosovës në Prishtinë vitin e kaluar.) Nga të gjitha gjinitë e shkrimit, më të vështirat janë ato hibride. Veprat me përzierje zhanrore zakonisht janë o dështim i plotë, o sukses madhështor. Letrat shqipe kanë qenë me fat para gjashtë muajsh ndërsa PEN Qendra e Kosovës në Prishtinë ka nxjerrë në dritë librin më të ri të Mehmet Krajës “Identiteti kosovar”. Ky libër do të duhej të ishte shkak për kremtim sepse varganit të arritjeve të shkrimit shqip i është bashkangjitur një përmbledhje e shkëlqyeshme hibride, e cila ka përmbajtje eseistike, publicistike, pamfletiste dhe bile edhe polemiste.
     Intelektual i pranishëm në jetën kulturore shqiptare për gati 40 vjet; autor i dhjetë romaneve, pesë përmbledhjeve me tregime, dhjetë dramave, tre librave me shkrime kritike dhe publicistike; qindra artikujve në shtypin tonë dhe të huaj; dhe protagonist i shumë zhvillimeve kyçe politike ndër shqiptarët e Ballkanit— akademik Kraja është njohës i mirë i historisë dhe aktualitetit regjional dhe, si rezultat, person plotësisht kompetent për të shkruar për çështje identitare. Autoriteti i dijenisë së Krajës, megjithëkëtë, është vetëm njëra komponentë e rezultantës së vlerës së librit; tjetra janë guximi dhe liria intelektuale, të cilat Kraja i përdorë si bisturi për të depërtuar thellë në qelbin e gjërave të pathëna dhe të mjegullta mbi historinë, kulturën dhe politikën e Kosovës, por edhe njësive tjera shtetërore kudo jetojnë shqiptarët në Ballkan.

______________________________

     Libri “Identiteti kosovar” është i organizuar në tri pjesë në të cilat shqyrtohen dhe shkoklohen identiteti historik, kulturor dhe politik i Kosovës. Pra, qendra kryesore e vëmendjes së Krajës në libër është Kosova dhe identiteti i saj në korrelacion me hapësirën ballkanike, mirëpo, e vërteta e tërë është që, libri është dhe inspektim i identitetit parcial dhe total të shqiptarëve— natyrisht prej perspektivës së Kosovës.
     Pjesa e parë merret me aspektin historik të identitetit të Kosovës. Në paragrafët e faqeve të kësaj pjese Kraja nuk heziton të kritikojë pamjaftueshmërinë e studimeve historike (sidomos atyre materiale), trullosjen e “elitave” shqiptare prej fillimit të zhgërmoçjes së Perandorisë Osmane, pështjellimin tonë gjatë dhe pas shpalljes së Pavarësisë me 1912, e deri lëkundjet dhe pavendosmëritë e sotme. Këtu, shkrimtari nga Prishtina nuk ngurron t’ua përplasë për fytyre indiferencën dhe “pragmatizmin” ndaj çështjes së Kosovës shumë mendimtarëve shqiptarë dhe gjithsesi komunistëve në të gjitha anët e kufijve që ndajnë popullin tonë.
     Pjesa e dytë, mbase më e mira dhe– në të njëjtën kohë– më kontraversja e librit, eksploron identitetin kulturor të Kosovës. Në këtë pjesë Kraja gërmon deri në palcën e identitetit fetar, atij gjuhësor, kundron me kujdes në trashëgiminë kulturore joidentitare dhe pastaj, në fund, i bën një shqyrtim regjës dhe shterrues kulturës, letërsisë dhe arteve të Kosovës. Kjo pjesë është pa dyshim pjesa që fton më së zëshmi për reflektim. Përgjatë 158 faqeve të saj, Kraja fshikullon shumë fenomene dhe cene, çfarë sigurisht do të trazojë disa njerëz të cilët mendojnë që identiteti është realitet singular; por lexuesit inteligjentë dhe mendjehapur do të duhej të kapin kontekstin e gjykimeve pa asnjë vështirësi. Profesor Kraja me qëllim dhe vetëdije zhvoshkë gjërat fuqishëm ngaqë beson që shumica e shqiptarëve kemi rënë në apati të frikshme shoqërore dhe identitare, prandaj në përputhje me rrethanat mënyra e vetme ta zgjosh dikë nga mugullia e plogështisë është ta shkundish fort.
     Pjesa e tretë e librit trajton elementin politik të identitetit te Kosovës – me theks të veçantë në periudhat sundimit të Jugosllavisë dhe të ndërkombëtarëve mbi Kosovën . Kjo pjesë përshkohet nga venerime dhe vlerësime të mprehta për llumin e përfshirjes dhe administrimit ndërkombëtar në Kosovë, mirëpo edhe për naivitetin, injorancën, miopinë dhe mercenarizmin e një pjese të madhe të “klasës” gjegjësisht “klasave” politike shqiptare. Pjesa e fundit mbaron me një shtjellim të kundërthënieve mes koncepteve komb–shtet dhe me një zbërthim interesant të kosovarizmës kundrejt shqiptarizmës si magmë grupore panshqiptare.
     Por, nëse vepra e Krajës në aspektin lëndor është një margaritar shkëlqyes, në aspektet teknike libri megjithatë ka ca të meta, të cilat ndofta mund të përmirësohen në rast ribotimi. Defektet formale kryesore të librit janë tri.
     I pari është mungesa e fusnotave dhe shënimeve për parafrazimet dhe shtjellimet e ideve të të tjerëve si fjala bie në faqen 39 për Betejën e Kosovës nga viti 1389, faqen 44 kur Kraja shkruan për shkollën antropologjike serbe, faqen 45 kur diskuton Kopitarin dhe Goethen, apo faqen 405 kur merret me librat, komentet, analizat dhe intervistat për Kosovën dhe diskursin evropian kundruall shtetit të Kosovës.
     I dyti është mungesa e konkluzioneve të librit. Çdo punim i tipit të librit të Krajës bëhet më i afërt dhe më gjithëpërmbledhës kur përmban pjesën e konkluzioneve dhe propozimet e rekomandimeve të autorit për çështjen për të cilën është shkruar.
     Dhe i treti defekt teknik është mungesa e bibliografisë.
     Është e pritshme që Kraja mund të mbrohet kundër cilësimit të këtyre mungesave si defekte sepse ai ka shkruar një libër që është një lloj pamfleti i veçantë i pikëpamjeve të tij, por prania referencave, konkluzioneve dhe bibliografisë vetëm sa do të kishte bërë librin edhe më të çmuar.
     Sido që të jetë, Mehmet Kraja duke u ulur dhe shkruar një libër të nevojshëm dhe voluminoz prej 500 faqesh për çështjen e identitetit të Kosovës na ka dhënë të gjithë shqiptarëve një dhuratë dhe – për më më rëndësi– një shkas që debatet identitare panshqiptare të fillojnë dhe zhvendosen, nga sipërfaqësia e faqeve të gazetave dhe fletushkave, në terrenin e analizave dhe përimtimeve serioze apo në libra dhe forume tjera adekuate. Opinioni shqiptar e ka rastin të shfletojë këtë libër dhe ta shfrytëzojë atë si trampolinë të një diskutimi publik gjithëpërfshirës. Përderisa literatura origjinale e shkruar nga shqiptarët për temën dhe mejtimet tona mbi çështjet identitare në bibliotekat dhe institucionet shkencore të rruzullit është shumë e pakët, do të ishte për duartrokitje përkthimi i librit sëpakut në anglisht, gjermanisht, frengjisht dhe serbisht. Kontributi eseistiko-publicistik i akademik Krajës “Identiteti kosovar” është literaturë që nuk mund të shmanget nga asnjë studiues apo njeri që është i interesuar në realitetin shqiptar respektivisht që do të kuptojë identitetin e tanishëm dhe situatën e sotme të shqiptarëve, e sidomos Kosovës. Profesor Kraja ka prodhuar një tour de force të vërtetë, të cilën do të ishte mirë ta ketë në raftet e veta çdo bibliotekë shqiptare, qoftë institucionale, qoftë shtëpiake.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura