SALIH MEHMETI: PAMIRI – ZGJIDHJA E NJË ENIGME ILIRO’MAQEDONASE

Prishtinë, 08. 12. 2012 – (Ku është Pamiri? – Vështrim gjeografik – Krahina malore e Pamirit është një nga viset më magjepsëse të Azisë Qendrore. Pamiri përfshin një sipërfaqe të gjerë vargmalesh e pllajash që njihen rëndom si Malet e Pamirit ose Pllajat e Pamirit. Pamiri gjendet në juglindje të Taxhikistanit të sotëm, pikërisht në provincën autonome të Gorno-Badakhshan e cila për një kohë të gjatë kërkon shkëputje prej pjesës tjetër të Taxhikistanit.
Leka i Madh dhe Pamiri
“…Arnautët, ose Shqiptarët, si pasardhës të drejtpërdrejtë nga Ilirët dhe Maqedonasit” (Journal of the Royal Anthrpological Institute of Great Britain and Ireland – 1879, fq. 232)
Epirotët, Ilirët dhe Maqedonasit e vjetër rilindën në mesjetë si raca bashkohore shqiptare” (Great races of mankind – John Clark Ridpath, 1893, fq. 209)

Shikoni – Pamirin brenda Taxhikistanit.

……………………………………….

Në krahinën e Pamirit qenësojnë dhjetëra bashkësi të përveçme etnike të dallueshme njëra nga tjetra por që e quajnë vetën me etnonimin ‘Pomirian’. Disa prej këtyre bashkësive etnike shquhen nga të tjerat nga vetë fakti se janë të racës së bardhë. Për njëfarë kohe sundoi mendimi se popullsitë e Pamirit duhen të jenë me zanafillë iraniane. Njëra ndër bashkësitë e përveçme etnike në Pamir njihet me emrin Uakhan që numëron diku 15.000 frymë. (lexoni ketu: http://www.pamirs.org/panoramas.htm)
Është për t’u shënuar se një pjesë e Uakhanëve jetojnë edhe në Hunzë të Pakistanit, ndërsa pjesa tjetër e uakhanëve janë të ngjashëm jo vetëm antropologjikisht me kalashët por kanë edhe pikëtakime gjuhësore. Ngjashmërisht, sikur që hunzakët dhe kalashët e cilësojnë vetën pasardhës të ushtarëve të Lekës së Madh ose Iskandarit siç e kanë të ngulitur në vetëdijën e tyre, poashtu edhe uakhit e quajnë vetëveten si pasardhës të Lekës së Madh (Për më tepër shih: Një udhëtim nëpër Pamirin afgan ‘A JOURNEY TO THE AFGHAN PAMIR’. Fushata e paharrueshme gjurmuese e sipërmarrë nga etnologu i guximshëm danez Ole Olufsen në vitet 1898-99 shënon disa kënde tjera të prejardhjes së mundshme të popullsive të Pamirit nga ushtarët e Lekës së Madh. “Leka i Madh njihet nga të gjithë popujt e Azisë Qendrore si Iskandar, dhe sundimtarë të ndryshëm të luginave të Pamirit e cilësojnë vetën si pasardhës të Iskandarit’ – shkruan Ole Olufsen në librin e tij të vyeshëm ‘Përgjatë Pamirit të panjohur; ekspedita e dytë daneze 1898-99’.

Leka i Madh (356-323 p.l.K)

*   *   *

The Nationality of Alexander the Great!

George FINLAY Alexander the Great spoken Albanian.

Siç e kemi vënë në dukje edhe më parë, pushtimet e Lekës u bënë më të zorshme në malësitë e Baktrisë dhe Sogdianës nga ku fiset e atyshme sulmonin në mënyrë të befasishme dhe të çrregullt ushtrinë e Lekës e cila edhe ashtu ishte e pakënaqur me kuturisjet e udhëheqësit të tyre që nuk dinte për ndalje. Sidoqoftë, pas luftërave të rrepta Leka arriti të zaptojë këto krahina të pabindura në të cilat ai la një pjesë të garnizioneve të tij për të ruajtur rendin si dhe lidhi martesë me bijën e një prijësi vendas e cila njihet me emrin Roksana. Natyrisht, një lidhje e tillë e krushqisë i detyrohet më shumë arsyejeve politike, sepse duke u lidhur martesa synohej paqësimi i atyre krahinave. Kemi përmendur gjithashtu se pas vdekjes së Lekës së Madh asnjëri nga ushtarët e tij nuk u kthye në atdhe; ushtarët e tij mbetën në garnizionet ku ishin, garnizione të cilat duhet të jenë bërë pjesë e mbretërive të veçuara të ushtarëve të Lekës në Azinë Qendrore. Privilegji i të qenurit klasë sunduese e ushtarëve të Lekës sigurisht se u krijonte edhe epërsi; dhe pikërisht kjo epërsi e të sunduarit mund të jetë njëra nga arsyejet e moszhdukjes së identitetit iliro-maqedonas të ushtarëve të mbetur në këto vise të harruara. Është fare e pavend të thuhet se bashkësitë etnike që e quajnë vetën pasrëndëse të Lekës e kanë ruajtur të pandryshuar identitetin e tyre burimor, ama fatmirësisht nuk janë përzier me raca të tjera.
Aristidh Kola në librin e tij ‘Arvanitët dhe prejardhja e grekëve’ shkruan se: ‘Rreth 6 mijë ushtarë ilirë, pas vrasjes së Klitit nga Aleksandri i Madh, e veçuan pozicionin e tyre prej tij dhe u endën nëpër Braktanë, derisa përfunduan në Kafiristanin e sotëm, midis Afganistanit dhe Pakistanit verior’. Ndërkaq, një pohim po kaq të sigurt e gjejmë gjithashtu edhe tek historiani romak Justini i cili duke folur për caktimin e hisenikëve të Perandorisë Maqedonase pas vdekjes së Lekës thotë se: ‘Iliri Pito u vu në krye të Medisë së Madhe..’ (M. Junian Justini, Epitoma Historiarum Philippicarum Pompei Trogi, Libri XIII, 4, 13). Ndonëse Media e Madhe dhe Baktria ndodhën larg njëra tjetrës, fakti i pasqyruar nga Justini na jep arsyeje të mendojmë se edhe ushtarët e thjeshtë ilir duhen të jenë vendosur pikërisht në këto vende, varësisht ku gjendeshin ata: nëpër garnizione, fortifikata, pika kyqe malore e rrugore, etj.

Pamje nga Pamiri

Liqeni Iskander – kul që mban emrin e Lekës së Madh.

Lexoni ketu: http://tajikistan.orexca.com/iskanderkul_lake.shtml

…………………………………………………

Gjurmë të tjera të Lekës së Madh në Pamir
Ekspedita të ndryshme turistike nënvizojnë faktin se diku në vargmalet e Pamirit gjendet liqeni Iskandarkul (vërejtje: Iskandar është shndërrim lindor i emrit Aleksandër, i emërtuar pas Lekës së Madh). Ky liqen është njëri prej më ngjashnjyesve në mbarë Azinë Qendrore. Këndej pari duhet të ketë kaluar Leka i Madh duke synuar pushtimin e Samarkandit. Në viset rreth e përqark gjëllijnë shumë tregime legjendare mbi kultin e Lekës së Madh.
Një tjetër dëshmi e pranisë së mëvonshme të Lekës së Madh në këto treva është edhe qyteti i Khujandit, i cili edhe pse nuk ndodhet bash në Pamir por përtej Pamirit diku në Taxhikistanin Verior i cili është themeluar nga Leka i Madh dhe është quajtur si Aleksandria e largët. Mbase një qytet i themeluar nga Leka i Madh logjikisht duhet të ketë qenë i populluar nga ushtarët e Lekës së Madh, sepse Leka i Madh synonte që të mos linte prapashpine mundësi për kryengritje kundërmaqedonase nga fiset vendase. Në librin interesant ‘Azia Qendrore: Kazakistani, Taxhikistani, Uzbekistani, Kirigistani’ të grupit të autorëve Bradley Mayhew, Greg Bloom, John Noble, Dean Starnes në faqen 368 flitet se Aleksandria e largët (dmth Khujandi i sotshëm) ishte ngulimi (avanposti) më i largët në lindje i ushtrisë së Lekës së Madh. ‘Në të vërtetë, Leka nuk u zgjerua edhe aq shumë në Samarkand por trupat e tij u kthyen sërish dhe Aleksandri i Madh vendosi të ndërtoi një kala të fuqishme në anën e Khujandit modern, i cili strategjikisht ishte i përsosur për mbrojtje dhe pushtim’ (http://www.discovery-tajikistan.com/archive/2005/win7.php).
Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të qartësohet një gjë sa i përket gjurmëve të Lekës së Madh në këto vise të Pamirit e gjetiu. Hulumtues të ndryshëm e pranojnë gjerësisht faktin e pranisë së padiskutueshme të ndikimit të Lekës së Madh, si në qytete të vjetra, rrugëkalime, liqene, madje ndonëse në mënyrë më të kursyer edhe popullata pinjolle të ushtrisë së Lekës së Madh. Keqindentifikimi ka të bëjë me keqparaqitjen e këtyre gjurmëve si mbeturina të ushtrisë ‘greke’ ose kulturës ‘greke’. Nëse qytetet janë ndërtuar sipas stilit arkitektonik të Greqisë së Lashtë kjo nuk flet aspak se qytetet e Lekës së Madh në Azi janë greke. Sot qytetet që ndërtohen gjithandej botës bëhen sipas stilit të ndërtesave të larta amerikane; por kjo nuk i bën qytetet amerikane. Pjesa më e madhe e ushtrisë së Lekës së Madh ishte e përbërë nga popullsi jo greke, siç ishin maqedonët, fiset ilire e thrake dmth të së njejtës gjuhë. Kjo edhe është afërmendësh për shkak se Leka i Madh e ka pasur precedanin e shpërthimit të qytet-shteteve greke kundër Lidhjes së Korintit dmth kundër Maqedonisë.
Sipas Lawrence A. Tritle në librin e tij ‘The greek world in the fourth century’ fq. 123, thotë se Filipi (i ati i Lekës) me fitoren në Kereonë morri kontrollin e gjithë qyteteve greke dhe se parandaloi një marrëveshje greko-perse. Gjatë tërë kohës, shtetet e nënshtruara greke nën sundimin e Lekës mezi prisnin të kryengritëshin kundër maqedonëve. Në librin interesant ‘Greek mercenaries: from the late archaic period to Alexander” Matthew Trundle në fq. 8 dhe 52 përmend se mbreti pers Dari angazhoi mbi 50.000 mercenarë grekë kundër Lekës së Madh. Prandaj, dosido Leka i Madh në ushtrinë e tij nuk mund të jetë mbështetur gjithaq në trupat greke: vendin më të rendësishëm padyshim se e kanë zënë maqedonët, ilirët e thrakasit që ishin të një trungu etnik.
Këtu gjen vend thënia kuptimplotë e studiuesit të zellshëm britanik për shqiptarët Wadham Peacock në librin e tij të shkëlqyer ‘Albania: the Foundling State of Europe” (London 1914) ku shkruan se: ‘njerëzit të cilët mësyen mbi Babiloninë, Persinë dhe Indinë ishin stërgjyshërit e shqiptarëve’. Diodori i Sicilisë i cili jetoi në kohën e Cezarit dhe Augustit romak ka lënë një fragment shumë të rendësishëm që mund të na ndihmojë sadopak ta përforcojmë mendimin tonë. Diodori thotë se: ‘grekët që ishin vendosur në Baktri dhe Sogdianë, e që për një kohë të gjatë kishin duruar me hidhërim qendrimin e tyre midis njerëzve të racave të tjera, tani kur u përhapen fjalë se mbreti ka vdekur prej plagëve të marra, ngrenë krye kundër maqedonëve. Ata krijuan një bandë prej 3000 burrash dhe kaluan nëpër vuajtje të mëdha gjatë rrugës së kthimit të tyre për në shtëpi. Më vonë ata u masakruan nga maqedonët pas vdekjes së Lekës’ (Libri XVII 99.5-6)
Lidhjet me shqiptarët
Pamiri përnjëfarë kohe është cilësuar nga mbështetësit e teorisë indo-europiane të gjuhëve si djepi i gjuhëve indo-europiane! Më pas, ky ‘djep’ është zhvendosur edhe në vende të tjera, gjë që flet për pasigurinë e madhe të tezës indo-europiane. Mirëpo, a thua përse u pandeh për njëfarë kohe Pamiri si djep i gjuhëve indo-europiane? Ky cilësim i Pamirit është jo i merituar dhe është shkaktuar nga mosnjohja e historikut të gjuhëve që fliten brenda Pamirit. Asnjëherë nuk i është dhënë rëndësi faktit të qartë se në Pamir kanë qenë vendosur fise iliro-maqedone të Lekës së Madh. Më vonë, gjuha ilire e përhapur nëpër Pamir është menduar se është gjuha bërthamë, ndërkohë që gjuha bërthamë duhet kërkuar në hapësirën danubo-egjeane në Ballkan ku jetonte i ndarë në fise populli pellazg.

………………………………….

Hunza, Kalasha and Pamiri with Albanian roots

Hunza – Kalash People have Albanian Roots – (PART 2 of 2)

Zanafilla e gjuhëve që fliten në Pamir duhet kërkuar në Iliri. Pamiri fatkeqësisht përgjatë historisë është kredhur nga dyndjet prej më të ndryshmëve të pushtuesve mongol, iranian etj. Gjithsesi, këto pushtime duhet të kenë pasur çmimin e vet: ato i kanë zhdukur emërtimet ilire ose nëse nuk i kanë zhdukur atëherë kanë krijuar përzierjet nga më të ndryshmet, që mund t’i ngatërrojë edhe studiuesit më të mirë. Dimë, se emrat e maleve – oronimet, lumenjëve e rrjedhave ujore – hidronimet janë më të qendrueshme nga ndërfutjet gjuhësore; si të tilla duke e njohur aftësinë e qëndrueshmërisë së këtyre toponimeve atëherë i duhen dhënë rëndësi më shumë për të njohur më mirë Pamirin. Në kapitullin për Hunzën kemi nënvizuar se toponimi – etnonim Hunza ka një shpjegim të bindshëm që e jep gjuha shqipe dmth ‘Hundë e vogël’ lugina – pllajë e cila ka trajtën e një hunde të rrethuar nga malet. Janë hedhur disa shpjegime të ndryshme mbi kuptimin etimologjik të fjalës ‘Pomir’ mirëpo kjo nuk i ka dhënë fund mirë shpjegimit të plotë shkencor të emërtimit ‘Pamir’. Pikërisht, ky mosrrumbullakësim i etimologjisë së Pomirit kërkon domosdo – shmërisht edhe shpjegime të tjera. 
Një shpjegim goxha bindës mund ta gjejmë sërish nga gurra fjalësore e gjuhës shqipe, madje në dy mënyra. Zakonisht, në literaturën historike dhe etnografike Pamiri njihet me po këtë emër, edhe pse banorët vendas e quajnë Pomir. ‘Pamir’ në gjuhën shqipe mund të zbërthehet në dy fjalë: ‘Pa (Pamje) Mir (E Mirë) pra pamje e mirë, gjë që ka njëfarë logjike. Le ta bëjmë një përfytyrim sado modest: ta zëmë se jemi ushtarët e Lekës së Madh. Malet e pafundme të Hindokushit duhet t’i kenë lodhur me të vërtetë ushtarët e Lekës, mirëpo zbutja e terrenit malor dhe shfaqja e pllajave të magjishme e të pakufishme bëri që ushtarët e Lekës të kishin para syve të tyre një pamje të mirë. Pra, Pamir = Pamje e Mirë. Varianti tjetër ‘Pomir’ aspak nuk bie në kundërshtim me kuptimin e të parit, sepse Pomir në gjuhën shqipe mund të zbërthehet edhe si Po + mirë. Që të dy variantet etimologjike të gjuhës shqipe përputhen plotësisht me të vërtetën dhe ndjenjën e mirë që shkakton kundrimi i pllajës nga malet e Hindokushit.
Në aspektin etnografik, popullsitë e Pamirit ose Pomirit shfaqin një larmi trajtash të llojndryshme që meritojnë një vrojtim të posaçëm. Në dyert e shtëpive pamiriane skaliten dy brirë të përdredhur cjapi ose dhie, që mund të shihet edhe në Hunzë ose në luginën Kalashe. Natyrisht, dukuria e ruajtjes së këtij simboli dybrirësh që është i lidhur pashmangshëm me Lekën e Madh dhe helmetën e tij me dy brirë dhie (sipas Plutarkut) është çështje që do trajtim më të gjërë.

Pamja e fëmijëve nga Pamiri.

Veshjet dhe tradita pamirase

*   *   *

About Pamirians(pamiri people)

Shkurtimisht, le të përmendim se kjo ndihmon edhe mbështetësit e teorisë së Dhul Qarnenit, personazhit legjendar të përmendur edhe në Kuran, që e identifikojnë me Lekën e Madh. Dhul Qarnain në arabisht ka kuptimin e ‘Dy Brirëshit’. Natyrisht, engima ‘Dhul Qarnain’ nuk është zgjidhur ende sepse ka interpretime nga më të ndryshmet, mirëpo simboli i dybrirëshit i ruajtur besnikërisht në etosin pamirian, ofron një perspektivë tjetër në mbështetje të ithtarëve të Lekës së Madh. Tjetër aspekt që nguc vëmendjen tonë është edhe përdorimi i disa veglave muzikore që janë të ngjashme me lahutën shqiptare.
– Për çdo vërejtje, kritikë, këshillë apo pyetje mund t’i drejtoheni autorit në: [email protected]
_____________
Bibliografia:
1. http://www.pamirs.org/maps.htm
2. http://www.iras.ucalgary.ca/~volk/sylvia/Pamir1.htm Throug the Unkown Pamir’ Ole Olufsen´
3. http://www.eki.ee/books/redbook/pamir_peoples.shtml The people of the Pamirs
4. A Journey to Afghan Pamir
5. Arvanitët dhe prejardhja e grekëve, Aristidh Kola
6. Central Asia: Kazakhstan, Tajikistan, Uzbekistan, Kyrgyzstan, Turkmenistan
By Bradley Mayhew, Greg Bloom, John Noble, Dean Starnes
Edition: 4, illustrated
Published by Lonely Planet, 2007
ISBN 1741046149, 9781741046144
7. ‘The greek world in the fourth century’ Lawrence A. Tritle
8. ‘Greek mercenaries: from the late archaic period to Alexander’ Matthew Trundle
9. Albania: the Foundling State of Europe” (London 1914)
10. M.Junian Justini, Epitoma Historiarum Philippicarum Pompei Trogi, Libri XIII, 4, 13
11. Diodorus Siculus, Libri XVII 99.5-6
12. http://www.discovery-tajikistan.com

 

============================

PAMIRI DHE SHTETET TJERA PËRRETH

======================================

(ILUSTRIMET I PËRGATITI KRYEREDAKTORI I PASHTRIKU.ORG, SH.BERISHA)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura