EDITH DURHAM: SHQIPËRIA E EPËRME…

Pashtriku.org, 21. 02. 2013 – (Botimet IDK ka botuar librin: “Shipëria e Epërme (Një udhëtim në Shqipërinë e veriut të vitit 1908) të autores Edith Durham. Libri i ka 363 faqe dhe u përkthye nga Piro Misha.) – Një udhëtare angleze (Edith Durham) që në vitin e trazuar 1908 përshkon gjithë Shqipërinë e Veriut, duke nisur nga Shkodra, nëpër gjithë malësinë, deri në Prizren, Gjakovë, Prishtinë e Mitrovicë. Një rrëfim magjepsës, tronditës, pse jo dhe dramatik, që sjell të gjallë një botë sa epike e heroike, aq dhe të prapambetur, primitive e të pamëshirshme, ku asgjë s’është ashtu siç duket e, ç’është kryesorja, shpesh mjaft të ndryshme nga shëmbëllimet romantike që kemi për historinë. Një libër tepër i rëndësishëm për t’u lexuar nga kushdo që do të dijë e të kuptojë të shkuarën nga vijmë, jo thjesht një fotografi të një çasti të rëndësishëm të historisë sonë pak kohë përpara shpalljes së pavarësisë, por para së gjithash, realitetin njerëzor të një pjese të Shqipërisë para se ajo të bëhej e pavarur. Por, po ashtu, padyshim një libër që të ndihmon të kuptosh sa shumë fije të dukshme e të padukshme vazhdojnë të na lidhin me të shkuarën tonë, pa të cilat në fakt, është e pamundur të shpjegohet ajo që është Shqipëria e sotme me gjithë kundërthëniet e sfidat e saj dramatike.

Edith Durham (1863-1944)

* * *

Përmbajtja e lëndës:
I Toka e së shkuarës së gjallë 9
II Toka dhe ligji 28
III Kastrati, Shkreli, Gruda dhe Hoti 49
IV Selca, Vukli, Boga, Reci 91
V Pulati- Gjani , Plani, Thethi 121
VI Prokletija, Shala dhe Suma 147
VII Dukagjini – Dushmani, Berisha, Nikaj, Shala 172
VIII Ardhja e Kushtetutës 238
IX Në tokat e diskutueshme* – Gjakova, Deviçi 247
X Prizreni 282
XI Lura – Mirdita 314
XII Kthimi i Prenk Pashës 346
Epilogu 358

=============================

PARATHËNIE

Nëse një libër s’flet dot vetë, është e kotë të flasësh ti për të. Ndaj dhe s’do çoj kot veçse pak fjalë për një Parathënie. Në dy librat e mi të mëparshëm për Ballkanin, u përpoqa të tregoja se cilat qenë pikëpamjet kombëtare, qëllimet e aspiratat, si dhe cila qe mënyra e sjelljes apo zakonet e serbëve, si dhe të popullsisë të përzierë të Maqedonisë.
Të njëjtën gjë po bëj tani për popullsinë e Shqipërisë së Epërme.
E pata të vështirë të përzgjidhja nga grumbulli i materialit të mbledhur gjatë udhëtimit tim tetëmujor, së bashku me ato që kisha mbledhur gjatë vizitave të mia të mëparshme në Shqipëri, ndërsa nga ana tjetër, për shkak të mungesës së vendit qesh i shtrënguar të heq pothuajse po aq material përsa i takon folklorit, zakoneve dhe traditave, sa dhe ç’kam përfshirë në libër. Ky është një vend që njihet aq pak nga udhëtarët anglezë sa që e pashë të udhës të jap më parë një vështrim gjithëpërfshirës të tërësisë së vendit, pa u ndalur shumë në hollësi të fushave të veçanta të studimit, duke preferuar më mirë të sjell ç’më kanë thënë njerëzit, sesa të parashtroj pikëpamjet e mia. Sa për pikëpamjet e të huajve për Ballkanin, tashmë besoj se pjesa më e madhe prej nesh tashmë janë lodhur me to.
Çdo sukses që mund të kem arritur, ia kushtoj vetëm ndihmës bujare dhe dashamirëse që gjeta gjatë gjithë udhëtimit nga të gjithë pa përjashtim, por në mënyrë të veçantë nga françeskanët dhe priftërinjtë misionarë të malësisë dhe udhërrëfyesi im Marko; por po ashtu, mikpritësve dhe udhërrëfyesve nga të gjitha racat dhe fetë që unë pata. Njerëz besnikë, kurajozë, e mikpritës, të cilët ndoshta është e shkruar në Librin e Fatit të mos i shoh më, por “Kur njeriu tregohet i njerëzishëm e i mëshirshëm me të huajin, kjo dëshmon se është Qytetar i Botës; e se Zemra e tij s’është një ishull i ndarë nga Tokat e tjera, por një Kontinent që me to bashkohet.” Por takimi me ta s’do jetë i kotë, nëse nga kjo dëshmi e shkurtër disa nga lexuesit e këtij libri do kenë mundësi të mësojnë diç më shumë për karakterin e fiseve të malësisë.
Dhe më në fund, do thoja se megjithëse kreva hetime mjaft të kujdesshme në shumë vende, përpara nqaqë s’mbaja shënim një zakon të caktuar, s’ka dyshim që mund të ketë dhe gabime, për të cilët përgjegjësi mbaj vetëm unë.

M.E.D – shtator 1909

* * *

SHQIPËRIA E EPËRME

Kapitulli I
Toka e së shkuarës së gjallë
“Of old sat Freedom on the heights”

Lumi i madh i jetës s’rrjedh njëlloj për të gjithë. Vende vende ai zvarritet i mefshtë nëpër ca rrafshina të mërzitshme, të mbushura me monumente të një të shkuare të mugullt të cilët ngrihen brigjeve, aty ku ai s’ka forcë t’i përmbysë. Në të tjera vende, ai vërshon rrëmbyeshëm, duke latuar shtretër të rinj, teksa fshin të vjetrit. Ose shpërthen nëpër moçalishtet e krijuara përtej rrjedhës së tij dhe derdhet tej, i mbushur plot rrëzalla dhe hedhurina nga të gjitha kohët.
Moçalishte të tilla të jetës njerëzore gjen në shumë qoshe të Europës, por sidomos në Lindjen e Afërt. Për njerëzit që banojnë në këto vise koha thuajse s’ka lëvizur. Kur vjen mes tyre, udhëtari nga Perëndimi ndjen brenda vetes një si drojë, sepse i mbushur plot kujtime të vagullta nga agimi i racës së vet, i thotë vetes: “Kështu thua të sillesha dhe unë mijëra vjet të shkuara; kështu i zija dhe unë pritë armikut; kështu vallë të kem menduar e të jem sjellë dhe unë në agim të Kohës!”
Shqipëria e Epërme përbën pikërisht një nga këto qoshe. Them Shqipëria e Epërme, sepse për nga kushtet që ekzistojnë aty, ajo ndryshon shumë nga Shqipëria e Jugut, ndërsa në fakt ky libër merret vetëm me pjesët me të egra të Shqipërisë së Epërme.
Sado e habitshme që mund të duket, historia e Shqipërisë, një rrëfenjë e komplikuar me mjaft interes, mbetet ende për t’u shkruar. Tashmë dihet mirë se cilat janë pretendimet e grekëve, bullgarëve dhe serbëve në gadishullin ballkanik, njëlloj si ajo që dëshiron Austria, Rusia dhe Italia. Por gjithnjë ka qenë e modës që të drejtat dhe pretendimet e banorëve më të vjetër të këtyre viseve, shqiptarëve, të shpërfillen, ndaj dhe çdo plan i deri më sotëm për të reformuar dhe rindërtuar Lindjen e Afërt ka dështuar.
“Kostandinopoja, – të thotë shqiptari, “është çelësi i Lindjes së Afërt, dhe Shqipëria është çelësi i Kostandinopojës.”
Historia e çdo populli është një epikë e madhe, që për ta shkruar kërkon një punë që shkon përtej mundësive të mia. Skica e shkurtër e mëposhtme tregon vetëm kalimthi peripecitë që kanë ndikuar në fatin e popullsisë së Shqipërisë së Veriut, por megjithatë, s’ia kanë dalë të nënshtrojnë individualitetin e saj kokëfortë.
Periudha ilire (që nga rreth vitit 700 p.k. deri në 230 p.k.) – Në viset që tashmë njihen si Mali i Zi, Shqipëria e Epërme, Hercegovina dhe Bosnja dihet se banonte një popull i rreptë fisnor që njihej me emrin ilirët. Rreth vitit 300 p.e.r ata u pushtuan nga keltët, të cilët ka mundësi të kenë lënë gjurmë të thella tek njerëzit e sotëm, duke e ua përzierë gjakun me atë kelt.
Periudha romake – Luftëtarë të rreptë dhe piratë të regjur, ilirët bënë që mbi ta të sulej (në vitin 230 p.e.r) një ekspeditë ndëshkuese romake dhe pas një lufte të gjatë, më në fund Iliria u kthye në një provincë të Romës. Genti, i fundmi mbret i ilirëve, u mund dhe u zu rob në Shkodër në vitin 169 p.e.r. Vendi duhet të ketë patur një popullsi të dendur, sepse romakëve iu desh shumë kohë për ta pushtuar. Anë e mbanë Bosnjës dhe Hercegovinës gjenden me mijëra varre parahistorikë nëpër ca varreza të mëdha – të ngjashme me to janë gjetur në Serbi, në Mal të Zi, si dhe në Shqipërinë e Epërme. Në to kanë gjetur shumë sende bronzi dhe hekuri që paraqesin mjaft interes, sepse zbukurimet e gjendura në to vazhdojnë të përdoren, ose janë përdorur deri tash vonë nga fshatarët e Bosnjës, të Serbisë, Shqipërisë, madje dhe të Bullgarisë.

(…)

LEXONI LIBRIN NË ANGLISHT:


HIGH ALBANIA – BY M. EDITH DURHAM
http://digital.library.upenn.edu/women/durham/albania/albania.html

*   *   *

LEXONI LIBRIN:

“THE BURDEN OF THE BALKANS” BY M. EDITH DURHAM

http://www.peacelink.nu/Boker/Durham/Durham.html

====================================

(PËRGATITI KRYEREDAKTORI I PASHTRIKU.ORG)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura