Në 99 vjetorin e lindjes
SAMI REPISHTI, SHQIPTARI I MADH I AMERIKËS
Nga Xhafer Shatri
Më 6 prill të këtij viti, Sami Repishti mbushi 99 vjet.
I lindur në Shkodër e i shkolluar në Itali (më vonë, pas arratisjes), në Francë dhe në Amerikë, atdhetar e antifashist, Profesor Repishtin, që në rininë e hershme, e përfshiu vorbulla e rrezikshme, por e pashmangshme, e politikës.
Menjëherë pas çlirimit, i pakënaqur me sjelljet e dhunën mesjetare të regjimit, bashkëthemeloi Organizatën e Rinisë Demokratike.
Kjo i kushtoi me krejt rininë nëpër burgjet e tmershme të diktaturës dhe me vuajtje të papërshkrueshme për të dhe për familjen e tij.
Kjo nuk ishte e papritshme për Profesor Repishtin, sepse baba i tij, miku i ngushtë i Fan Nolit, i kishte thënë me kohë:
«Nuk ka tjetër shpëtim ky vend, veç vendosmënisë sonë me e mbrojtë. Me e dashtë e me e ruejtë, asht e vetmja rrugë nderi për ty, ashtu si ka qenë edhe për mue. Do të shohësh sa e vështirë asht me i qëndrue besnik asaj rruge…! »
Sami Repishti i ka qëndru besnik kësaj rruge: NJË JETË TË TËRË dhe çdo ditë e çast të saj.
Disa vjet pas daljes nga burgu, Repishti u arratis dhe më në fund mbërrijti në Amerikë.
Më vonë gjithë këtë kalvar, Ky do ta përshkruajë në librin e papërsëritshëm, « Nën hijen e Rozafës ». (Kushdo që nuk e ka lexuar këtë kryelibër për Vuajtjen dhe Qendresën le ta dijë se do të vdesë i vorfun!)
Në Amerikë, Profesor Repishti, krahas shkollimit, u mor aktivisht me çështjen e Kosovës dhe të Çamërisë.
Si themelues i Organizatës atdhetare Rinia Shqiptare Kosovare në Botën e Lirë, Profesor Repishti e mbrojti çështjen e Kosovës përmes shkresash të drejtpërdrejta, artikujsh, memorandumesh dhe raportesh të rregullta drejtuar Kongresit dhe Departamentit të Shtetit të SHBA-së, OKB-së dhe organizatave të ndryshme ndërkombëtare; burrave të shtetit dhe personaliteteve me ndikim gjithandej në botë.
Gjithë ajo veprimtari atdhetare, ku shkëlqen talenti, përgatitja intelektuale dhe zotësia e artikulimit të problemeve më të mprehta të Kombit, e bëjnë Profesor Repishtin një personalitet të dorës së parë në fushën e diplomacisë, të komunikimit, të mendimit politik dhe të historisë bashkëkohore të shqiptarëve.
Në vitin 1982, kur krejt Kosova po vëlonte në përpjekjet për Liri, Sami Repishti me bashkëvendasin e tij, heretikun e përjetshëm dhe intelektualin brilant, Arshi Pipa, organizuan një Konferencë Ndërkombëtare për Kosovën. Aty u shtrua, me kompetencë ekspertësh të fushave të ndryshme, çështja e pazgjidhur e Kosovës.
Më vonë punimet që u lexuan në këtë Konferencë u botuan në një libër të posaçëm, «Studime për Kosovën», që u bë referencë për studiuesit dhe diplomatët e ngarkuar me dosjen: Evropën Juglindore dhe çështjën e Kosovës.
Pas rënies së diktaturës, Profesor Repishti, përmes shkrimesh brilante u përpoq t’i ndihmojë elitat në Shqipëri që Atdheu i tij të jetë një shtet ligjor e me institucione të mirëfillta demokratike pa shfaqur asnjëherë ndonjë ambicje personale apo anime blanko politike, dhe duke mbajtur distancë higjenike e morale me pushtetarë të kompromituar apo të tjerë që i kishte nxjerrë rrëmuja në sipërfaqe.
Të gjithë njohësit e veprimtarisë atdhetare të shqiptarëve në Amerikë, e dijnë se Profesor Repishti është truri i mërgatës tonë atje…
Ai i bëri bashkë shqiptarët që ishin pikë e pesë dhe i orientoi, i udhëhoqi, pa dalë gati asnjëherë formalisht në ballë, dhe i artikuloi kërkesat e tyre e të Kosovës më mirë se askush tjetër. Ai ishte bashkëthemelues edhe i dy organizatave të tjera rëndësore të lobimit në Amerikë; Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan.
Profesor Repishti është Heroi i një brezi të artë që e bëri Amerikën dalzotësin vendimtar për çlirimin e Kosovës.
Përpjekjet e Sami Repishtit për Kosovën nuk përfunduan as pas Luftës. Ai i mbështeti institucionet e saj, i ndihmoi dhe i udhëzoi ato që Kosovën ta bëjnë shëmbull të një shteti funksional dhe demokracie të qëndrueshme.
Mirëpo, në kohën kur cubat e Kosovës me ndihmën e Edi Ramës, vendosën ta copëtojnë Kosovën për interesa të vetat e të Serbisë, Profesor Repishti, njëri prej zërave më autoritativ të kombit, iu kundërvu vendosmërisht këtij akti antishqiptar, mes tjerash, duke shkruar një ese-obelisk « Larg duart nga Kosova e Kosovarëve ».
Kjo ishte beteja e radhës e profesor Repishtit dhe e Njeriut që kurrë nuk i tha të keqës ‘Tungjatjeta’.
Kosova, prandaj, ka detyrime të mëdha, kolosale ndaj Sami Repishtit. Sepse në të gjitha udhëkryqet i historisë së saj bashkëkohore, ky ishte me të, besnik e i paepur, largpamës dhe me dije e përkushtim të jashtëzakonshëm.
Këto ditë pranvere, në 99 vjetorin e lindjes, një urim i posaçëm për Profesor Repishtin vjen prej idealistëve të Kosovës, të atyre që i dhanë asaj çdo gjë e pa kthim, gjithë jetën e tyre; pa i marrë dhe pa i kërkuar asgjë; nga ata që Sami Repishtin e patën idolin e zëdhënësin më origjinal të përpjekjeve të tyre, shokun e ideve të Lirisë dhe vëllaun e shpirtit.
Një urim i natyrshëm e vëllazëror për Njeriun, për Atdhetarin e Intelektualin që askush si Ky nuk i meriton vargjet e famshme të Nolit:
MBAHU NËNO, MOS KIJ FRIKË, SE KE DJEMT NË AMERIKE!