SEJDI VESELI: DEMONSTRATAT E PRANVERËS ’81 – ZGJIMI I GJAKUT SHQIPTAR, QË U KURORËZUA ME FAMËMADHEN UÇK

(Prishtinë, 15. 03. 2013) – Jemi në muajin e përvjetorit të 32-të të demonstratat shqiptare të mars-prillit 1981, të cilat nga shumë analist me të drejt u quajtën Pranvera shqiptare ’81. Kjo u provua në vepër! Por, këto demonstrata lirisht mund të emërtohen edhe “Zgjimi i Gjakut”. Ngjashëm me motivimin e autorit të poemës me të njëjtin emër, të poeti arbëresh Vorrea Ujko, të promovuar në Mitingun e Poezisë në Gjakovë, për çka nga servilet shqipfolës të Beogradit u shpërblye me shpalljen e tij “persona non grata”, përjetësisht.
Gjatë përvjetorëve të më hershme, siç më ka renë të lexoj dhe të dëgjojë nëpër akademi solemne, për këto ngjarje, të cilat ia shtuan peshën krenarisë dhe lavdisë tonë kombëtare, dhe me keqardhje mund të them, se nga subjekte të ndryshme kam vërejtur përpjekje shumë drejtimesh për përvetësimin e rrolit të organizatorit të këtyre ngjarjeve, me rëndësi të madhe për historinë tonë kombëtare.
Është e kuptueshme se këto demonstrata nuk shpërthyen vetvetiu apo spontanisht. Pa dyshimin më të vogël mund të përfundohet, se ato ishin të organizuara nga një subjekt apo subjekte të orientuara drejt, si në aspektin politik ashtu dhe në atë kombëtar. Gjithashtu, nuk duhet lënë anash edhe një të vërtetë të pakontestueshme apo thënë më shkoqitur, diçka që dihet, se për përgatitjen e këtyre ngjarjeve historike, ndihmesë shumë të madhe dhe të pa zëvendësueshme dha Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë.
Kjo ndihmë vëllazërore erdhi tek ne shqiptarët nën pushtimin serbo-sllav nëpërmjet mjeteve të komunikimit masiv si: radio Tirana, radio Kukësi, RTVSH, gazetat, revistat dhe librat, shoqëritë kulturore-artistike, filmat…dhe çka ishte më e rëndësishmja nëpërmjet pedagogëve të zgjedhur të Universitetit Shtetëror të Tiranës, të cilët u ligjëronin studentëve shqiptar të Universitetit të Kosovës…Sot së koti mundohen disa sojsëz, të cilët i ndërrojnë bindjet e tyre politike më shpesh se të brendshmet e tyre, për anashkalimin kësaj të vërtete të pakontestueshme. Por, dielli nuk mund të mbulohet me shoshë, thotë populli. Në kontekst të përforcimit të kësaj të vërtete, dua të shtojë edhe dy të dhëna:
– Përveç reagimeve politike dhe diplomatike, Komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë së RPSSH, Enver Hoxha, menjëherë pas shpërthimit të demonstratave urdhëroi:
a) Ngritjen e gatishmërisë luftarake të FASH dhe forcave mbështetëse në shkallën më të lartë;
b) Të përgatiten për transportim në kushte të luftës, armatimet dhe pajisjet tjera luftarake të dedikuara për shqiptarët në viset e okupuara, si p.sh. nga baza e tyre në Gjegjan…. Duhet theksuar, edhe kjo: se efektivat ushtarake dhe ato të mobilizuara të bazës tankiste të Shkëmbi i Kavajës ishin përshëndetur me familjet dhe të afërmit e tyre dhe ishin përgatitur për nisje tanket dhe mjetet tjera të blinduara dhe ishte krye mbushja e tyre me karburant. Kur jemi këtu te mbushja, është me interes të theksohet,se kjo mbushje ishte krye sipas skemës së planit: mbushja e parë në Durrës, mbushja e dytë në Kukës dhe e treta në Prishtinë. Duhet të dinë të gjithë ata të cilët përpiqen, që për interesa të politikës ditore të mbulojnë me vellon e harresës të vërtetat e pakontestueshme, ngjajnë ma ata që përpiqen për të bërë lavër në ujë.

Shpërthimi i këtyre demonstratave mua autorin e këtij shkrimi, me gjeti të organizuar në Frontin Nacional Çlirimtar (FNÇ), që ishte formuar në një mbledhje, sipas rregullave konspirative, në Prishtinë me 28 nëntor 1979, fillimisht i emërtuar Fronti i Çlirimit Kombëtar, për të ndryshuar pas një kohe të shkurtë në FNÇ.
Synimet programore të FNÇ ishin në përputhje me ato të popullit shqiptar, të punohet në të gjitha drejtimet për çlirimin dhe ribashkimin kombëtar, në një shtet të vetëm!
Sipas informatave që kishim nga terreni, në kohën e shpërthimit të demonstratave të 11 marsit 1981, në kuadër të FNÇ vepronin 87 treshe, të cilat shtriheshin në të gjitha trojet shqiptare nën pushtimin serbo-sllav. Patjetër, se pjesëtarët e FNÇ-së vepruam aktivisht në këto demonstrata, duke u angazhuar për masivizimin e tyre, në orientimin e demonstruesve, në neutralizimin e gazit helmues, në dhënien e ndihmës së parë të plagosurve, në lëvizjet taktike për t’i ik rrethimit policor… Por kjo nuk na e jep të drejtën të themi, siç thonë disa, se ja ne ishim të vetmit ata që organizuan këto demonstrata.
Nga veprimtaria e pjesëtarëve të FNÇ-së, sidomos gjatë demonstrimeve popullore shqiptare të 1 ,2 dhe 3 prillit, dua t’u vej në dije me këto raste, se:
– një grup i pjesëtarëve të FNÇ-së, në mesin e të cilëve ishte edhe Dëshmori i Kombit Afrim Zhitia dhe një grup punëtorësh ndërtimtar, nën drejtimin e Rrahman Bahtirit atëherë punëtor i KNI “Ramiz Sadiku”, (i cili vdiq në virin 2010, edhe pse ish i përndjekur politik dhe veteran i UÇK, pa ndonjë përkujdesje shoqërore dhe në varfëri ekstreme), me ndihmën e kazmave hapen dyert e Medresës së vjetër, për t’i liruar nxënësit fetar nga objekti, ku i kishin mbyllur “profesorët” e tyre, dhe të cilët menjëherë pas lirimit shumica prej tyre kyçen në radhët e demonstruesve;
– një grup tjetër në mesin e të cilëve ishte edhe Dëshmori i Kombit Bajram Bahtiri, përballë vetëshërbimit pranë shkollës “Asim Vokshi” në Kodrën e Trimave e sulmojnë auto veturën e policëve të veshur në civil. Në bashkëveprim me demonstrues të kësaj lagjeje dhe atyre të Grykës së Labit, të cilët kishin vënë doganën në hyrjen veriore të Prishtinës, huazohet ekskavatori i deponisë së mbeturinave, me të cilin sulmohet dhe asgjësohet autovetura e policisë, ndërsa policët çarmatosën, për çka ditë më vonë pëlliste sojsëzi Kolë Shiroka;
– një grup tjetër i pjesëtarëve të FNÇ, në mesin e të cilëve ishin Rrahman Dini (ish i përndjekur politik dhe veteran i UÇK), Ramadan Aliu dhe Adem Hasani (që të tre vdiqën pas luftës dhe sot nuk interesohet gati askush për familjet e tyre…), i shpëtuan shumë demonstrues nga pozita nën rrethim dhe nën bombardimin e pandërprerë me bombola lotsjellësi, që gjendeshin të bllokuar në hapësirën në mes Teatrit Kombëtar dhe ish Hotel “ Bozhuri”, duke demontuar pengesat-gardhin e lartë prej 4 metrash, të ndërtuar më herët prej dërrasave… Jo rastësisht i përmenda emrat e vetëm 6 shokëve, 4 të vdekurve pas lufte dhe të dy dëshmorëve, sepse ne të gjallët do të përmendemi gjatë përgatitjes së profilit të FÇK. Por tani duhet të kryejmë një punë me përparësi më të madhe. Duhet të përmbushim amanetin e shokëve të rënë, anë e kënd Truallit tonë arbëror! Ribashkimi i Shqipërisë është ky Amanet!
Çfarë ishte reagimi i organeve të pushtetit në Beligrad dhe i kuislingët shqipfolës në shërbim të Prishtinës?
Me demonstratat e 11 marsit nuk u morën shumë, si udhëheqja qendrore e pushtuesve që kishin selinë në Beligrad, ashtu dhe kuislingët e tyre me seli në Prishtinë. Ndërsa demonstratat e 25 dhe 26 marsit dhe sidomos ato të 1, 2 dhe 3 prillit u sulmuan edhe nga terë arsenali jo edhe i vogël dhe i papërvojë i titizmit dhe hegjemonizmit serbo-sllav. Sulmet e tyre barbare shoqëroheshin nga propaganda fashizoide kundra-shqiptare. Synimi parësor i kësaj propagande ishte etiketimi i demonstruesve, pra i një populli të tërë. Në këtë drejtim, tellallët e kësaj propagande shfrytëzuan pa kursim frazat që kishin mësuar nga ideatorët-katilët serbomëdhenj, gjatë përgatitjeve për mbrojtjen e të ashtuquajturit sistem vetadministrativ të bashkësisë së kombeve të “bashkuara dhe të vëllazëruara”. Kështu demonstrimet gjithëpopullore të shqiptarëve, në kërkim të drejtave të tyre të natyrshme njerëzore dhe kombëtare të 11, 25 dhe 26 marsit dhe ato të 1,2 dhe 3 prillit 1981, i klasifikuan si “kundërrevolucionare”, ”armiqësore”, “kundër vëllazërim – bashkimit”, “iridentiste”…..!
Kjo propagandë serbo-madhe shoqërohej edhe nga aplikimi i masave represive sipas kombinimit të formave dhe mjeteve të dhunës mesjetare me ato rankoviçiste, për t’i shpërndarë këto demonstrata dhe për të thyer përjetësish pjesëmarrësit e tyre.
Kjo dhunë e shfrenuar serbo-çetnike arriti të kundërtën, nga ajo që synonin aplikuesit e saj. Ushtrimi i kësaj dhune nxori në rrugë një popull të tërë. Kushtet e krijuara dhe të rrënjosura në Kosovën administrative dhe në viset tjera shqiptare për një shekull nga pushtuesit hegjemonist serbo-sllav, sidomos nën maskën e “vëllazërim bashkimit” dhe të “vetadministrimit” ishin shumë të rënda. Ato krijuan plagë të shumta, të dhembshme dhe në vazhdimësi. Për të kuptuar peshën e këtyre plagëve, mjafton të veçohen vetëm disa prej tyre: shkalla e lartë e papunësisë, niveli i ulët i standardit të jetesës e përmbi 80% të shqiptarëve, niveli i ulët i pagave, emigracioni i detyruar, jo vetëm ai ekonomik, por dhe ai politik, diskriminimi mbi baza kombëtare, eksploatimi i egër kolonialist i pasurive minerare….. Kjo bëri që përveç karakterit social këto demonstrata të marrin edhe karakterin shumë të qartë politik. Duhet theksuar se ky karakter politik ishte produkt i subjekteve të organizuara politike dhe kombëtare shqiptare, të cilat ishin brenda dhe në ballë të demonstrimeve. Për këtë ka dëshmi të pa kontestueshme, se në përputhje me zhvillimet ndërmerreshin veprime përkatëse të demonstruesve, në shumicën e rasteve në përputhje me udhëzimet e pjesëtarëve të këtyre organizatave liridashëse, të cilat ishin themeluar kaherë dhe që kishin vepruar në vazhdimësi dhe fshehtazi, për të sjellë kushtet për përzënien e pushtuesve nga trojet tona dhe për ribashkimin e tyre me Shqipërinë Londineze. Për këto veprime u arrestuan dhe u dënuan me dënime të rënda shumë djem dhe vasha besnike të popullit dhe Vatanit, pjesëtarë të këtyre organizatave!
Karakteri politik i këtyre demonstratave u sublimua në kërkesën kryesore të tyre: “Kosova Republikë” e cila shoqërohej me kushtrimin: “Republikë, Kushtetutë, ja me hatër, ja me Luftë!; “Jemi shqiptar-jo jugosllav”, ”Lironi të burgosurit politik”, “Trepça po punon – Beogradi po ndërtohet”,“Mjaft me eksploatimit kolonial të pasurive tona”….
Sjelljet e pushtuesve dhe kuislingëve kishin karakter fashist!
Zyrtarët serbomëdhenj dhe kuislingët e tyre shqipfolës vendor nuk kursyen as edhe një mjet pa e përdorë për qëllimet e mbulimit të shkaqeve të vërteta të gjakderdhjeve, të cilat përgjakën sheshet e qyteteve, lokalet e Universitetit… Por, dielli nuk mund të mbulohet me shoshë. Këto gjakderdhje ishin pasojë e një fushate barbare e terrorit të organizuar shtetëror serbo-sllav, të zbatuar nga njësitë specializuara policore-ushtarake.
Kundër demonstruesve paqësor shqiptar u përdorën të gjitha gjinitë e forcave të sigurisë, të cilat e kishin vënë Kosovën nën masat represive të shtetrrethimit. Tanket, gjuajtësit shumë-tytash të raketave, njësitë e artilerisë dhe mjete tjera operative ishin pozicionuar në vijën e parë dhe të dytë mbrojtëse nga ndonjë “blitz kreig” i Ushtrisë Shqiptare.
Nëpër hyrjet, daljet dhe sheshet e qyteteve ishin pozicionuar tanket, ndërsa paranë shkollave, organeve të pushtetit kuisling ishin vendosur auto-blinda. Për qëllimet e shqetësimit dhe frikësimit të jo vetëm të demonstruesve, por edhe të popullatës në përgjithësi, mbi tërë hapësirën e Kosovës kryheshin fluturime të shpeshta dhe shumë të ulëta nga avionët luftarak Mig-21, me që rast gjatë rritjes së shpejtësisë për t’u ngritur, shpërthenin murin e zërit edhe natën, duke shkaktuar ndjenjën e shpërthimit të ngjashëm me mjetet më të fuqishme plasëse. Këto janë fluturime shumë të ulëta. Ato që të krijojnë përshtypjen se do të përplasen me pemët dhe pullazet edhe të shtëpive një katërshe, të cilat njihen si fluturimet “fshesa”, ndërsa ne terminologjinë ushtarake serbijane njihen si “brišuċi let”. Janë këto fluturime edhe për qëllimet e demonstrimit të forcës përballë kundërshtarëve.
Është për t’u studiuar insistimi i vendosur i kryepolicit jugosllav Franjo Herleviq, të bazuar në përfundimet e arritura në shtabin e tij në Hajvali, për t’u vu nën mbrojtjen e afërt nga “iridenta” edhe disa shtëpi-banesa të “poverenikëve” të dëshmuar të UDB dhe KOS në fshatin Hajvali. Në këtë mbrojtje të afërt, përveç autoblindave dhe ekuipazheve të tyre me kompletet e plota luftarake, përfshihej edhe dërgimi i njësiteve të policisë speciale.
Demonstratat e 11 marsit ishin kryesisht studentore. Ato filluan në Mensën e Qendrës së studentëve të Universitetit të Kosovës, duke marrë për shkas kushtet vërtet të vështira të ushqimit dhe të banimit. Në këtë demonstrim morën pjesë afro 3000 student. Ato u shpërndanë duke u përdorur pa kursim mjetet e dhunës, sidomos gazrave ngacmues. Nuk u kursyen as dhomat e konvikteve në të cilat u hodh sasi enorme të këtyre gazrave.
Nga universiteti u shpërndanë neper çdo cep të vendit misionar për organizimin e demonstratave. Kështu ndodhi që me 25 mars të shpërthejnë demonstrata të fuqishme në Prizren, të cilat u shpërndanë pas një përleshjeje me milicinë, për të shpërthyer të nesërmen në gjashtë qendra të Kosovës.
Nga pushtuesit dhe servilët e tyre shqipfolës, që në fillim këto protesta u klasifikuan rëndë, për të arsyetuar dhunën që u ushtrua gjatë zhvillimit të tyre, si dhe atë që do të ushtrohej për kapjen dhe arrestimin e organizatorëve të tyre.
Demonstratat e 1,2 dhe 3 prillit shpërthyen në të gjitha qendrat e Kosovës.
Reagimi i aparatit të dhunës së pushtuesit ishte shumë i egër dhe i pa mëshirshëm. Kundër protestuesve u përdorën shkopinjtë e gomës, bombat e gazrave ngacmuese me djegëje të ngadaltë, armët e zjarrit (pistoleta, automatiku M-56, Ak-47, Skorpion M-84), cisternat me ujë… Për pasojë, përleshjet që pasuan ndërmjet demonstruesve paqësor dhe forcave të pushtuesve të komanduara nga Franjo Herleviq, rezultuan me demonstrues të vrarë dhe shumë të plagosur, nga të dyja palët. Në mesin e demonstruesve të plagosur, një numë i madh i tyre kishte humbur gishtërinjtë e duarve, si pasojë e djegëjeve të rënda gjatë përpjekjeve për t’ua kthye policisë prapa bombolat e hedhura lotsjellëse.
Përveç kësaj pati një numër të madh të demonstruesve të arrestuar dhe të izoluar, të cilët ju nënshtruan torturave të egra nga bishat e UDB-së.
Çfarë ishte reagimi i diplomacive evro-perëndimore?
Demonstrimet masive të shqiptarëve në pranverën ’81, jo vetëm se i tronditen themelet e dobiçit të Versajës dhe AVNOJ-it, por ato e shqetësuan edhe Evropën Plakë. Duke e ditur brishtësinë e lidhjeve të brendshme të dobiçit të saj, Evropa kishte arsye edhe të shqetësohet.
Informatat nga vendngjarja emetoheshin e publikoheshin në çdo cep të Globit. Por qëndrimi i diplomacive evro-perëndimore karshi terrorit të egër që ushtrohej mbi shqiptarët paqësor nga çizmja fashizoide serbo-sllave mbeti në nivelin e konstatimeve.
Ishte Shqipëria Londineze e cila ngriti zërin pranë tek të gjitha institucionet relevante ndërkombëtare, në mbrojtje të vëllezërve të vet, ndaj të cilëve po ushtrohej terror i egër, sipas parametrave të tribuve tej karpatiane, nga aparati i dhunës së shtetit serbo-sllav. Se kjo dhunë po ushtrohej ndaj shqiptarëve për të vetmin faj të tyre, pse nuk do të pranojnë kurrë të asimilohen dhe shndërrohen në “jugosllavë”, pse po demonstronin paqësisht në kërkim të të drejtave të tyre njerëzore dhe kombëtare për t’u vetëpërcaktuar dhe vetëvendosur për të ardhmen e vet. Kërkesë kjo e garantuar me dokumente ndërkombëtare për të drejtat universale të njeriut (siç shkruhet në Rezolutën e OKB nr 637 të aprovuar nga OKB me 16/12/1952).
Shteti i lirë shqiptar edhe kësaj radhe theksonte fuqishëm, se Kosova, ashtu dhe trojet tjera shqiptare nën pushtimin sllavo-grek, janë pjesë të saj; se këto troje janë ndarë dhunshëm nga tërësia e shtetit të pavarur shqiptar, nga mujsharët evro-perëndimor, në pazarllëqet e tyre me “Ariun e Sibirit” pas Luftës së Parë botërore. Ndarje kjo e “rilegjitimuar” me marrëveshjet e Jaltës të treshes të fuqishme të kohës, menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.
Jehona e këtyre demonstratave në opinion
Jehona që bënë këto demonstrata në opinion në tërë hapësirën e ish-federatën jugosllave, dëshmoi një të vërtet të pakontestueshme, se kjo ngrehinë artificiale e cila gjoja udhëhiqej sipas parimeve të vetadministrimit të kombeve dhe kombësive të bashkuara “me vetë-dëshirë” përreth himnit avnojist “hej slloveni” është e gjykuar të përfundojë pashmangshëm dhe turpshëm.
Këto demonstrata shqiptare ishin edhe një paralajmërim për analistët, se dobiçi i përbashkët evro-rusë i kishte ditët e numëruara.
Një dekadë më vonë, ky paralajmërim u dëshmua në vepër!
Demonstratat e Pranverës 1981 paralajmëruese të UÇK-së
Gjeneratat të cilat demonstruan shesheve të qyteteve dhe fshatrave të Kosovës, në mars-prillin 1981; ato të cilat u torturuan dhe që mbajtën shumë vite burg nëpër kazamatet serbosllave, janë po ata që punuan me përkushtim për themelimin, masivizimin, forcimin dhe drejtimin e Famëmadhes UÇK, jo vetëm në Kosovën administrative, por edhe në Luginën e Preshevës dhe të Vardarit, do të jenë jo vetëm udhërrëfyes, por edhe bashkëveprimtar të gjeneratave më të reja, drejt përmbushjes së plotë të Amanetit të Lumenjve të Gjakut të dëshmorëve e martirëve dhe të Lotëve të nënëlokeve zemërplasura!
Lavdi e përmotshme për Dëshmorët e Kombit!
Shqipëria do të ribëhet, një e vetme dhe e ribashkuar!
Rroftë populli liridashës shqiptar!
Me 11 shkurt 2013
Prishtinë /Shqipëri Natyrale

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura