SHARLATANËT …
Sharlatanët, halabakët, mashtruesit dhe hipokritët
Nga Skënder Sadri KAPITI
Sharlatanët, halabakët, mashtruesit dhe hipokritët janë fatkeqës për shoqërinë, por dhe çuditërisht ata gjithmonë kanë arritur dhe ia kanë dalë që të marrin vleresim dhe respekt nga shoqëria, duke u paraqitur sikur ata janë të dobishëm dhe sikur ata i shërbejnë shoqërisë.
Madje shoqëria e manipuluar dhe e mashtruar prej tyre, në jo pak raste edhe i ka besuar e mitizuar shumë asish kësish halabakësh, mashtruesish, hipokritësh e sharlatanësh.
Ky a nuk ka qenë dhe a nuk është realitet në Shqipëri?!
A nuk janë këta të parapëlqyerit e pushtetit dhe të politikës sepse janë edhe servilë, sepse janë mashtrues e vetëmashtrues të mëdhenj; sepse pra janë njëlloj si politika, sepse janë edhe të korruptuar si ajo; sepse këta janë edhe mbështetja intelektuale, mediatike e publike e status quosë, e mosndryshimit dhe e mosprogresit. Sukses të tillët kanë sidomos në një shoqëri të kapur nga korrupsioni dhe të paemancipuar intelektualisht, civilizisht e demokratikisht.
Sharlatanët, mashtruesit, halabakët dhe hipokritët janë ata të cilët dukjen e kanë tjetër gjë si bamirësi, shpirtgjërësi, të ndershëm, të drejtë, patriotë e të pakorruptuar, por që botën e brëndshme dhe shpirtin e kanë tjetër gjë, e kanë të kundërtën: e kanë plot ligësi, urrejtje, pabesi, egoizëm, korrupsion, hipokrizi e djallëzi.
Me të tillë sharlatanë, mashtrues, hipokritë e halabakë është e mbushur dhe e këcënuar edhe demokracia madje më shumë në majë dhe në kulm, domethënë në pushtetin e saj.
Sharlatanë, halabakë, hipokritë e mashtrues janë edhe fallcopatriotët, janë edhe ata të cilët mundohen që paaftësinë dhe dështimet e veta, egoizmin dhe xhelozinë e tyre ta maskojnë pas kritikave subjektiviste, nihiliste të pozicionuar e “të justifikuar” nga sëmundja e delirit dhe nga inferioritetit i tyre karshi aftësive dhe arritjeve të të tjerëve.
Kur shoqëria ka shumë të tillë sharlatanë, mashtrues, hipokritë e halabakë të cilët kapin drejtësinë, qeverisjen, kompetencat, intelektualizmin, akademinë, patriotizmin, partitë, demokracinë dhe shoqërinë civile, ajo shoqëri e ka të vështirë të prosperojë, e ka të vështirë të qeveriset nga ligji e morali, nga e drejta dhe e vërteta.