BESART KRASNIQI: NË KUJTIM TË DËSHMORIT TË KOMBIT ISMET KRASNIQI

Prishtinë, 27. 03. 2014 – Sot, më 27 mars 2014 u mbushën 25 vjet nga rënia heroike e dëshmorit Ismet Krasniqi. Fillimi i demonstratave të përgjakshme të vitit 1989 ishin një ngjarje shumë e rëndësishme për Kosovën, sepse kjo demonstratë, si dhe ato të ’68-ës dhe ‘81-ës ishin një zgjim dhe një paraprijëse për një zgjim edhe më të gjerë mbarëkombëtar, synimi i të cilave edhe më tej mbetet pavarësia e plotë e vendit tonë dhe ribashkimi i saj me Shqipërinë dhe viset tjera etnike shqiptare. Këto demonstrata, të cilat ishin ndër më të përgjakshmet në historinë e Kosovës, ishin një alarm sinjalizues për popullin shqiptar se një rezistencë duhej të ndodhte për t’i ndaluar presionet, burgosjet, vrasjet, shtypjet dhe diskriminimet në çdo aspekt që pushteti fashist serb ushtronte kundër popullit shqiptar të Kosovës.
Si në çdo demonstratë që organizohej kundër pushtuesit serbo fashist, edhe në këtë demonstratë Ismet Krasniqi ishte në vijën e parë të tyre, duke u ballafaquar me bishat karpatiane serbo-çetnike, të armatosura deri në dhëmbë.
Ismeti me shokë, sikurse në demonstratat e 198-ës, edhe atë ditë e kishte mbytur frikën, sepse dashuria ndaj atdheut ishte më e madhe. Edhe pse u arrestua disa herë dhe u kërcënua me likuidim, Ismeti nuk ndalej, madje kërcënimet ishin edhe një motiv shtesë për ta luftuar regjimin antishqiptar. Ai, pa marr parasysh rrethanat për asnjë moment nuk hezitonte që aktivitetet për kauzën kombëtare t’i shtrinte në çdo vend, duke qenë organizator dhe pjesëmarrës i demonstratave edhe në qytete tjera të Kosovës, si në Besianë (ish-Podujevë), Ferizaj etj. Shquhej edhe në shkrimin e parullave për Republikën dhe ribashkimin kombëtar nëpër rrugë të ndryshme anekënd Kosovës. Edhe në vendin e punës, në Fabrikën e Mobileve në Prishtinë, nuk ishte vetëm një teknik i mobilierisë, por Ismeti jepte kushtrimin për organizime tjera antipushtuese, duke i organizuar edhe punëtorët shqiptarë të kësaj fabrike për një qëllim të përbashkët.

 Në një aksion të tij kombëtar, më 1982, Ismeti si një i ri patriot dhe trim shqiptar, e shqyen flamurin serb dhe, duke vrapuar, në të njëjtën shtizë e vë dhe e shpalos lartë flamurin kombëtar shqiptar, për çka edhe arrestohet të nesërmen në vendin e punës dhe burgoset për dy muaj, të cilat i vuan në burgun e Prishtinës, Ferizajt dhe Mitrovicës. Megjithatë, përkundër persekutimeve, arrestimeve dhe ndjekjeve që pushtuesi ia bënte, ai nuk u shmang nga rruga të cilën e kishte nisur, por vazhdonte të rezistojë kundër forcave pushtuese kriminale të Serbisë. Sepse, siç thotë edhe shkrimtari Fatmir Muja “ata që vënë veten në rrezik për atdheun, nuk e vënë atdheun në rrezik për veten”. I tillë ishte edhe Ismeti me shokë dhe shumë e shumë dëshmorë e heronj shqiptarë të rënë historikisht për të drejtat e popullit shqiptar për liri, pavarësi dhe ribashkim kombëtar shqiptar.
27 marsi i vitit 1989 tashmë është një datë historike për shqiptarët, sepse ajo sikurse dhe demonstratat tjera, sensibilizuan shqiptarët drejt nevojës për një mobilizim kombëtar që do të qonte në një lufte të drejtë, e cila u kurorëzua me luftën Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe rezistencën paepur të familjes Jashari në krye me komandantin legjendar Adem Jashari, dhe të shumë dëshmorëve e familjeve të tjera heroike që asnjëherë s’i munguan popullit shqiptar. Kështu i cilësoi edhe simboli i rezistencës tonë kombëtare, Bacë Adem Demaçi, duke theksuar se demonstratat e ‘89-shes, si dhe ato të ’81-shes e të ’68-ës ishin pararendëse e luftës së armatosur çlirimtare. Ishte 27 marsi, ku Ismeti me shokë u gjend para kriminelëve, gazit lotsjellës, tankeve dhe autoblindave, duke brohoritur për liri e për fitore deri në bashkim. Ishte kjo një demonstratë e fuqishme, një ballafaqim i pabarabartë, ku në njërën anë demonstruesit shqiptarë duarthatë qëndronin sypatrembur, me grushte të ngritur lart në shenjë bashkimi kundër armikut, ndërsa në anën tjetër qëndronte një makineri e tërë forcash policore-ushtarake serbo-çetnike. Rrugët e Prishtinës, përveç që ishin lagur me gjakun e dëshmorëve dhe të plagosurve shqiptarë, ishin mbushur edhe me shumë automjete të ndryshme të shkatërruara dhe të djegura të armikut, që nga Gjykata e Qarkut e deri në rrugën kryesore të lagjes Kodra e Trimave (ish-Vranjevci). Sepse, tashmë rruga e fitores veç ishte trasuar me gjakun e dëshmorëve që po binin gjithandej Kosovës.

Demonstrata në Ferizaj – Mars 1989 

Në demonstratat e 27 dhe 28 marsit në Kosovë ranë dëshmorë 28 demonstrues shqiptarë, si dhe u plagosën e arrestuan qindra të tjerë. Vetëm në Prishtinë, afër Xhamisë së Llapit, ranë dëshmorë Ismet Krasniqi, Vetim Shala, Sevdat Xhafolli, Shukrije Obërtinca dhe Mustafë Veselaj. Më 27 dhe 28 mars të vitit 1989 në Kosovë ranë dëshmorë afro 30 të rinj e të reja shqiptare, ndërsa u plagosën qindra të tjerë.

*************************************

PËR KOSOVËN TRIMI DHA JETËN

(Kushtuar dëshmorit të kombit Ismet Krasniqi, i rënë në demonstratat e 27 marsit 1989, në Prishtinë, gjatë përleshjeve fytafyt me policinë gjakatare serbe)
Demonstratat, po kush i nisi
Me shumë t’ri, Ismet Krasniqi
E lindi nëna ta flijojë veten
Për Kosovë trimi dha jetën
N’mars t’përgjakshëm tetdhjetë e nëntë
Erdh n’Grashticë një lajm i rëndë
Mos loto Ismetin, oj nënë
Djali yt, nënë, nuk është për gjëmë
Djali yt, nëno, mundi vdekjen
Ndaj Kosovës e mbajti besën.
Jo, or shka, sa t’ka Ismeta
S’ke çka lyp n’Kosovë, qebesa.
Dil dushman n’log mejdani
S’jemi qyqe, por shqipe mali
S’e lëmë nënën që na lindi
S’e lëmë trollin-o që na rriti
Bëhem gacë e të përcllojmë
Bëhem flakë e të shkrumbojmë
Përtej pragut s’kem’ ku shkojmë
Kush t’lakmojë në trollin tonë
Do t’pendohet, por do të jetë vonë.
Shporru bishë, ty të vraftë Zoti!
Ende është gjall-o Gjergj Kastrioti
Idriz Seferi e Mic Sokoli.
Jo, or shka, sa t’ka Ismeta
S’ke çka lyp n’Kosovë, qebesa.
Qëndro Kosovë veç edhe pak
Se agimin e ke n’ prag
Lidhi plagët mos t’rrjedhin gjak
Se për ty ka kush merr hak
Për ty rashë e m’duket pak.
Më trashëgojnë sokola mali
Për ty jetën Kosovë e falin
Kush me pushkë e kush me sëpatë
Syrin pishë e barkun thatë
Nuk e bëjmë vdekjen hesap.
Ballin lart ju nëna e motra
Me Ismetin nuk është shuar votra
Mjaft kësi trimash ka Kosova
Mbetën mjaft bij e bija
Shndrisin n’qiell porsi shkëndija
Me gjak të tyre frymon liria.
Jo, or shka, sa t’ka Ismeta
S’ke çka lyp n’Kosovë, qebesa.
Mos më pyet se ç’bëmë, oj nënë
Tregojnë varret që i kemi bërë
Hekurudhën e ha me dhëmbë
S’lejoj shka ta shkel me këmbë
Aferim, Ismet, aferim
Trim ke lindur, e po shkon trim
Kur t’lulzojë pema n’oborr
Jam aroma që kundërmon
Kur të shtrohet sofra n’shtëpi
Unë jam shija që sjell liri
Kur bie rrezja e agimit
Jam kristali i vezullimit.
Jo, or shka, sa t’ka Ismeta
S’ke çka lyp n’Kosovë, qebesa.

(Tekstin e shkroi: Prof. dr. Zenun Gjocaj)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura