SHERA I BURGUT TË MITROVICËS

SHERA I BURGUT TË MITROVICËS

Nga Xhafer Shatri

Një ditë vjeshte të vitit 1974, më morën në burgun e Pejës dhe më dërguan në burgun e Mitrovicës. Më kujtohet si sot: binte një shi i ftohtë si lëng bore. Kur e kaluam Urën e Istogut, i pash përmes grilash të «maricës» Livadhet e Tomocit. Ishte vjeshtë e vonë dhe nuk kishte bagëti. Veç do sorra, pikë e pesë, ladronin nëpër qiell.

Ideja e parë që më shpoi, si gjylpanë, ishte se këto livadhe, ku më kishte mbetur një fëmijëri e trazuar, nuk do t’i shoh më për një kohë të gjatë…

Në mbrëmje mbërrimë në Mitrovicë.

Mua më futën, nëse nuk gaboi, në qelinë numër 6. Dritarja me grila të shpeshta nuk kishte xham, në fakt ia kishin hequr qëllimisht, dhe nëpër të hynte brenda një erë e ftohtë dhe e shkretë që të rrahte si kamxhi.

Dikur vonë, duhet të ketë qenë mesnatë, kërciti dera e rëndë e metalit. U ndez drita dhe brenda hyri një burrë i vogël me një surrat të shëmtuar.

«Unë jam Shera. Drejtori. Dhe unë e ti jemi armiq përgjithmonë…»

Fliste disi si ta kishte gojën e mbushur plot me pshesh. 

Kah fliste ia pash duart e vogla, të zeza dhe të mbuluara me qime. E kqyra me vëmendje, ashtu e kishte edhe fytyrën, dhe, nuk e di por krejt papritur m’u kujtua Darwini.

Nuk u durova pa i thënë: «A nuk t’u prit deri në mëngjes, po erdhe në mesnatë mem shpallë luftë a…?»

Ku hyni e ku doli.

Pasi ma përsëriti disa herë se është armik imi, e hëngër dreqi e shkoi.

* * *

Asokohe aty kanë qenë do gardianë që përpiqeshin me mish e me shpirt ta imitojnë Sherën me sjellje e me gjithçka tjetër. 

Me përjashtim të Rizait, një djalë i pashëm e i sjellshëm deri çaty. Nga sytë e tij të zgjuar buronte një njerëzillëk krejt i veçantë.

Pas një kohe, aty e sollën me shërbim si gardian shokun tim të fëmijnisë dhe fqiun tim të parë, Halil Mehën. 

Kur më pa për herë të parë, iu mbushën sytë plot lotë. U ngushtua shumë. Qe besa edhe unë, por u mbajta. 

Kurrë s’e harroj, i shtrëngonte duart prej sikletit, taman si atëherë, kur si nxënës, sa herë nuk i bënte detyrat e vështira të shkollës dhe mësuesi, si ta dinte, i drejtohej pikërisht atij, Halilit. 

E dija sepse 8 vjet të shkollës fillore kemi qenë jo vetëm shokë shpirti e klase por edhe shokë bange.

Një ditë, Halili erdhi të më çoi te berberi. Pasi më tregoi se në shtëpi të gjithë janë mirë, krejt papritur më tha: 

«Ai shoku yt e ka rrehë Sherën!»

Unë: «E cili shok?»

Halili: «Kadriu, Kadri Osmani…»

Nuk e dija se edhe Kadriun e kishin sjellë aty.

Unë: «E qysh e ka rrehë, more?»

Halili: «Shera e ka çu në drejtori, në zyrë dhe janë ngatërru’ me fjalë. Në fjalosje e sipër Kadriu ia ngjesh shuplakë Sherës… Ndërsa ky pisket në kupë të qiellit dhe janë shku gardianët e kanë lidhë dhe e kanë rrahë shumë keq Kadriun…»

* * *

Më vonë, pas 20 vitesh, kur e kam takuar Kadriun, më ka treguar me detaje:

«Një ditë më çuan te Shera në zyrë… Ai ishte ulur në një karrigë, nga ato që sillen… Ia nisi të më tregoi se ai dhe unë ishim armiq për sa të jetë jeta. Ma lëshonte nga një fjalë dhe sillej në karrigë si fëmija në karuzel. Dikur e teproi dhe e pata të pamundur të përmbahem: 

Jam çu në këmbë dhe ia kam zatetë shuplakë me krejt forcën time. Është sjellë disa herë në karrigën e tij qesharake… Kur erdhi në vete ka piskat serbisht. ‘U pomoç! U pomoç!’ (Ndihmë! Ndihmë!)… 

Erdhën të gjithë gardianët dhe, pasi më lidhën, u shfryen shtazarakisht në mua…»

Pas Çlirimit, kam ndëgjuar se gjatë Luftës Sherafedin Ajeti, Shera e kishte hëngër kryet e vet.

Kështu thoshte Nana Ajshe për ata që ishin mbushë taksiratë dhe u vinte fundi për faqe të zezë.

  • Burgu i Mitrovicës

© Pashtriku.org

___________________

ANATOMIA E NJË ATENTATI, MË 17 JANAR 1982, NË UNTERGRUPENBAH TË GJERMANISË

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura