SHERADIN BERISHA: ÇFARË ‘ELITE POLITIKE’ KA KOSOVA SOT?!

Pashtriku, 27 janar 2019: Nga zhvillimet politike të pasluftës në Kosovë kam mësuar se “elita politike” shqiptare s’ka asgjë të përbashkët me ndërgjegjen njerëzore dhe etikën politike. Madje jam bindur plotësisht, se ky soj si i tillë nuk i përketë fare këtij kodi etik njerëzor e politikë, sepse po të ishte e kundërta (të ishin të përgjegjshëm dhe njerëzor), riciklimi i tyre në pushtet nuk do të ishte kaq i qëndrueshëm dhe afatgjatë.
Për më tepër kam kuptuar se, për të qenë i riciklueshëm në pushtet duhet të jesh:
– servil,
– gënjeshtarë,
– manipulues,
– intrigantë,
– skajshmërisht i pandërgjegjshëm, dhe njëkohësisht të shtiresh sikur po bësh çudira për të mirën e qytetarëve!
Qytetarët (kjo ‘turmë’ e mashtruar) fjalët e politikanit, me tone zotimi (premtimi) e entuziazmi gjithmonë i kanë përceptuar si ‘veprime’ të përkryer. Prandaj, kjo masë e qytetarëve që nuk gjykonte shumë, vazhdimisht është kënaqur me fjalën e bukur të liderit, dhe rrallë kush prej tyre e ka vrarë mendjen se ai po i mashtron e gënjen parreshtur!
***
Në fillim të vitit 2015, mijëra familje shqiptare po iknin nga Kosova nëpër Serbi pikërisht në kohën kur opozita po organizonte protesta nëpër qytetet e Kosovës, (për dorëheqjen e Jabllanoviqit dhe mbrojtjen e Trepçës), të cilat në fund kulmuan me protestat e 24/27 janarit 2015 në Prishtinë!
Tani shtrohet pyetja:
Pse shqiptarët që po largoheshin nga Kosova, revoltën e tyre të akumuluar prej vitesh nuk e kapitalizuan në sheshin “Skënderbeu”, për ta mundur të keqen?!
A e dini Pse?!
Sepse ky popull asokohe përveç pozitës (PDK’LDK), realisht nuk i besonte as opozitës (VV’AAK’NISMA), ngase në mesin e tyre kishte manipulues, vjedhës të parasë publike (pëmes tendereve dhe përqindjeve) dhe shkatërrues e shitës të pasurive (aseteve) tona kombëtare!

***
Për mendimin tim të gjitha partitë politike dhe liderët e tyre që synojnë pushtetin janë të njejtë, përjashto këtu Lëvizjen Vetevendosje, të cilës akoma s’ia kemi provuar pushtetin ekzekutiv në nivel qëndror. Rrjedhimisht rivalitetin e tyre politikë e ka ndërtuar ‘lufta e egër’ dhe e pakompromis për pushtet, e jo parimet apo etika e tyre politike!
Për gati 20 vjet rresht pas luftës në Kosovë, kemi parë se si lidershipi i partive “rivale”, gjatë zhvillimeve të ndryshme politike, e veçanërisht gjatë fushatave elektorale në debate të shumta televizive, nuk i kursejnë fjalët, për të artikuluar sa më shumë premtime të rreme e boshe, por edhe akuza dhe kundërakuza ndaj njëri tjetrit, për të joshur e mashtruar sa më shumë elektoratin e varfër për votë!
Shikuar nga ky prizëm, “lufta” për pushtet këtë lidership e bënte të ndryshëm dhe mjaftë “armiqësorë” në sy të opinionit publik, ndërkohë që në jetën e përditshme ata (shefa) bashkëpunojnë mirë me kompanitë ^ firmat e shumta, të regjistruar në emër të vëllezërve, fëmijëve të tyre, të afërmve apo të miqve, të cilat përfitojnë tendere shumëmilionëshe (nga paratë e taksapaguesve) për ndërtimin e rrugëve, autostradave, shkollave, shesheve, qendrave sportive, ndërtesave shumëkatshe etj.etj.
Tashmë dihen shumë fakte se, kjo garniturë e politikanëve, para dhe gjatë luftës ka abuzuar e vjedhur qindra milonë marka gjermane, franka zvicerane, dollarë etj., nga fondi i 3%’it dhe Fondi “Vendlindja Thërret”, ndërsa pas luftës përveç parasë publike, ka menaxhuar dhe kontrolluar kontrabandën me derivate të naftës, me narkotikë, me cigare etj.
Për më tepër strukturat e tyre politike (edhe ato parapolitike) i kanë përcaktuar mirë qytetet dhe zonat për menaxhimin e kazinove – bixhozeve, bastoreve – lojrave të fatit etj., në Kosovë, të cilat bashkëpunojnë me bosat e politikës dhe grupet tjera të interesit në shtetet e rajonit e më gjerë.
Kjo “elitë politike” rrjedhimisht nga këto veprimtari të ligjshme e të paligjshme ka krijuar pasuri përrallore! Duke e shfrytëzuar fuqinë e pushtetit, në vendet më atraktive të Kosovës dhe jashtë saj, kanë ndërtuar hotele e lokale të natës për punë biznesi, pallate e shtëpi shumëkatshe, villa e supervilla luskoze etj.
Po t’i vizitosh lagjet e Prishtinës: Veternikun, Taslixhen, Arbërinë, Dardaninë, etj., apo Liqenin e Badofcit, Grykën e Rugovës, Malet e Sharrit, Brezovicën, Përvallën etj, etj., do të shohim, se sa mirë e rahatshëm bashkëjetonë kjo “elitë” e politikanëve, ndërkohë që shumica e popullatës janë të papunë, dhe përballen çdo ditë me tmerrin e skamjes!
Shpresa – thonë – vdes e fundit, ama nuk duhet lejuar që kjo klasë e papërgjegjshme politike, t’ia mbysë edhe shpresën këtij populli të përvuajtur!!!
Për fund!
Publicisti dhe disidenti i njohur kroat, Bruno Bushiç (1939 – 1978) para se të vritej nga shërbimi sekret jugosllavë (më 16 tetor 1978, në Paris), ka thënë:
“Kur të çlirohemi nga robëria serbe dhe të krijojmë shtetin, do ta shihni se si do të vjedhin këta tanët. Secili gjatë shekujve na ka vjedhur dhe plaçkitur, por më e tmerrshme do të jetë kur të na vjedhin këta tanët dhe kur t’ia shesin pasurinë rrotave të s’amës nga gjithë bota dhe makro-vjedhësve. Do të vërsulen kundër nesh sikur shpendë grabitqarë. Atëherë pyetja më e madhe dhe më e pazgjidhshme do të jetë – si të shpëtojmë nga njerëzit tanë?”
Dhe sot ka ardhur koha të mendojmë sinqerisht, si të shpëtojmë nga këta grabitqarët tanë të pangopshëm e hileqarë!!!
***
Nëse s’është kështu më thoni si është ndryshe!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura