SHERADIN BERISHA: DHUNIMI I FEMRAVE GJATË LUFTËS NË KOSOVË – KRIM I PANDËSHKUAR!

Pashtriku.org, 15. 12. 2013 – Më 24 Nëntor 2013, në Solothurn të Zvicrës, BISHZ, organizoj tubim për festën e Flamurit dhe të Pavarësisë së Shqipërisë. Me këtë rast u përuruan edhe librat e katër autorëve, si të: Luljeta Selimit, Xhevat Rexhajt, Lebit Murtishit, dhe Gani Qarrit. Për librat, folën: Sheradin Berisha, Saranda Ademi, Hamzë Morina, Gani Qarri, Idriz Mehmeti, Abas Fejzullahi dhe Isuf Ismaili. Gjatë këtij tubimi u shfaq edhe një program i pasur muzikor, ndërsa në fund organizatorët (BISHZ) ndanë mirënjohje për dëshmorët dhe disa veprimtarë që dhanë kontribute të veçanta në fusha të ndryshme në Zvicër e më gjerë. Me këtë rast për lexuesit e portalit pashtriku.org, sjellë vështrimin tim për librin e autores Luljeta Selimi: “Rrëfime tronditëse – femrat e dhunuara gjatë luftës së Kosovës”, me titull: “DHUNIMI I FEMRAVE GJATË LUFTËS NË KOSOVË – KRIM I PANDËSHKUAR!”
* * *
Kush është Luljeta Selimi
Luljeta Selimi ka lindur më 19. 09. 1969 në Prishtinë. Është bijë e dy prindërve intelektualë, babai inxhinier e nëna farmaciste. Përveç shkollës fillore, ajo ka mbaruar shkollën e mesme, fakultetin për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, fakultetin e gazetarisë dhe shkollimin e lartë mjekësoro – shëndetësor, drejtimin “Gjinekologjia, Tramutologjia dhe shfaqja e saj tek pacientët” në Holandë. Pas luftës ka specializuar në Traumatologji, në Universitetin e Trierit në Gjermani, te Prof.Lutz Besser, si dhe ka kryer disa kurse për psikiatri dhe ka marrë disa diploma dhe certifikata në këto fusha. Në vitin 2000 për çështje profesionale ka qëndruar në Australi, pastaj një vjet (në vitin 2001) ka qenë për specializim në Holandë, ndërkaq në vitin 2007 ka bërë një specializim 3 mujor në Costermano, Verona të Italisë, në Institutin Don’Bosko, ku ka pasur trajnime dhe demonstrime të drejtë për drejta me pacientë të këtij instituti përpara profesorëve. Luljeta Selimi merret edhe me krijimtari letrare. Ajo me përkushtim shkruan poezi dhe tregime dhe në këto fusha ka marrë disa çmime. Gjithashtu ajo angazhohet edhe në krijimin e grupeve letrare në mënyrë që artëdashësve të rinj t’u jepet mundësia për ta shprehur talentin e tyre. Deri me tani ajo ka botur këto vepra letrare: 1. “Lindje pa emër”, poezi, 2. “Tre muajt e Anitës”, roman, 3. “Venitja”, roman, 4. “Udhëkryqi” roman. 5. “Kosova në shifra – 2003” bashkautor me gjermanin Armin Matiu, 6. “Rrëfime tronditëse – femrat e dhunuara gjatë luftës së Kosovës”, publicistikë. Ky libër është përkthyer në gjuhën angleze, gjermane dhe italiane. Po ashtu ka punuar edhe në 12 libra shkencorë – të karakterit profesional, qoftë vetëm, qoftë me grup autorësh.


 * * *
Për më tepër, Luljeta Selimi ka punuar si gazetare dhe zëdhënëse në Entin e Statistikave të Kosovës, ndërsa tani punon si udhëheqëse e Statistikave të Shëndetësisë në Agjencionin e Statistikave të Kosovës, dhe si drejtoreshë në organizatën humanitare – joqeveritare të gruas “Jeta në Kastriot”, e cila ndihmon femrat e dhunuara gjatë luftës në Kosovë. Në këtë kuadër ajo ndihmon: gratë e veja, fëmijët jetim, familjet e dëshmorëve, familjet e invalidëve dhe femrat kryefamiljare.
* * *
Kjo organizatë humanitare, të cilën e drejton Luljeta Selimi, ka vepruar edhe gjatë luftës në Kosovë, ndërsa zyrtarisht është regjistruar në maj 2001 dhe ka një ekip prej 15 vetave, 11 mjekëve dhe 4 infermiereve, të cilat punojnë vullnetarisht, pa u ndihmuar fare nga institucionet e shtetit. Këtë organizatë e mbështesin kryesisht njerëzit vullnetmirë dhe donatorë të ndryshëm, dhe me ndihmat e tyre trajtohen plagët trupore dhe shpirtërore të femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë (1998 – 1999).
* * *
Nga të dhënat biografike për autoren e librit “Rrëfime tronditëse – femrat e dhunuara gjatë luftës së Kosovës”, Luljeta Selimi – mësuam se ajo është një intelektuale e formuar profesionalisht në disa fusha, si: në gazetari, në letërsi, në mjekësi, në psikiatri etj., dhe të gjitha këto fusha duket se i ka sublimuar (i ka gërshetuar) me kohë në aktivitetin e saj humanitar, si drejtoreshë e Organizatës Humanitare-Jo’qeveritare “Jeta në Kastriot”, e cila ndihmon femrat e dhunuara seksualisht gjatë luftës në Kosovë (1998-1999), përkujdesen për fëmijët e tyre, si dhe ju ofrohet trajtimi i nevojshëm mjekësor për rehabilitim të plotë në shoqërinë tonë. Libri i Luljeta Selimit “Rrëfime tronditëse – femrat e dhunuara gjatë luftës së Kosovës” ka 70 faqe, dhe përfshinë 20 rrëfime tronditëse të dëshmitareve që kanë përjetuar dhunën seksuale, gjatë luftës në Kosovë, dhe duket se kjo dhunë me përmasa mizore ishte planifikuar mjaftë mirë nga regjimi pushtues serbë!
Një parantezë – krimi i planifikuar!
Ashtu sikurse në ekonomi që çdo ecuri zhvillimore planifikohet paraprakisht, edhe në politikë shkaktimi i ngjarjeve dhe krizave të ndryshme planifikohen, nuk ndodhin aksidentalisht, pra nuk zhvillohen spontanisht. Presidenti i 32’të i SHBA’ve Franklin D.Roosvelt (1882-1945) ka një thënie epokale. Ai thotë (po citoi): “Në politikë asgjë nuk ndodh aksidentalisht! Në qoftëse diçka ndodh duhet të jeni të sigurt se ajo është planifikuar në atë mënyrë”. Prandaj, krimet në masë, vrasja e shqiptarëve të paarmatosur, pleqë, gra e fëmijë, plaçkitja e pasurisë, djegjja dhe shkatërrimi i vendbanimeve, dhunimet e femrave shqiptare, spastrimi etnik dhe shpërgulja e popullatës shqiptare nga Kosova (1998-1999) nuk ishin vepra aksidentale – spontane, por të organizuar e palnifikuar mirë që të ndodhin në atë mënyrë siç kanë ndodhur. Pra, krimet dhe gjenocidi në Kosovë u krye në emër të një politike, të një plani kolektiv shtetëror, të cilin Shtabi kriminal i Millosheviqit e kishte emërtuar “Potkovica” – Plani “PATKOI”. Në realizimin e këtij plani famëkeq, Serbia si shtet mobilizoi të gjitha resurset njerëzore dhe teknologjike, administratën shtetërore, transportin publik, mjetet financiare, mediat, gjyqësinë, dhe mbi të gjitha strukturën e gjerë ushtarake – policore e paramilitare, duke filluar nga Korpusi ushtarak i Prishtinës, që përbënte superstrukturën e Armatës së tretë serbe në Kosovë, Korpusin 21 të Nishit, Korpusin 37 të Uzhicës, Korpusin 24 të Kragujevcit, Korpusin special dhe armatën e parë të Beogradit, Korpusin 2 të Podgoricës, strukturat e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, si: policia e rregullt e Kosovës, Forcat speciale të policisë, Forcat e ashtuquajtura antiterroriste, Shërbimi i Sigurimit serbë (UDB-a), njësitë paramilitare, “Shkorpionët”, “Tigrat e Arkanit”, “Beli Orlovi” (Shqiponjat e Bardha) të Voisllav Sheshelit, “Beretat e Kuqe”, njësitë kriminale të serbëve lokalë etj.

Kreu kriminal serbë: Gjeneral Dragoljub Ojdaniç, Sllobodan Millosheviç dhe gjen. Nebojsha Pavkoviç, Nebojsha Pavkoviç, Milan Milutinoviç, Dragoljub Ojdaniç, Sreten Lukiç, Nikola Shainoviç dhe Vlladimir Lazareviç.

Plani Potkovica – “Patkoi”!

* * *
E bëra këtë parantezë, për të shpërfaqur faktin, se në dhunimin e dëshmitareve që rrëfejnë në këtë libër, kanë marrë pjesë: policë, kryepolicë, ushtarë, ushtarakë – madje edhe me gradën gjeneral, si dhe paramilitarë të shumtë! Këto forca kriminale dhunimet i kanë kryer individualisht dhe në mënyrë grupore, nëpër shtëpi, në ambiente të shkollave, (si në fakultetin juridik në Prishtinë, në shkollën fillore “Naim Frashëri”, në lagjen “Arbëria” të këtij qyteti…), në male, në rrugë, në strehimore të improvizuara etj., dhe në shumicën e rasteve këto akte kriminale janë bërë në prezencën e prindërve, të vëllezërve, të bashkëshortëve të fëmijëve dhe të afërmve të tyre. Mosha e femrave të dhunuara sillej nga 13-14 deri në 44-45 vjeç. Gjatë dhunimit seksual, këto bisha me pamje njeriu, për ta nënshtruar viktimën, përveç dhunës fizike, kanë përdorur kondakun e pushkës, thika, dana elektrik, litarë, cigare dhe mjete tjera të forta, me të cilat atyre ju kanë shkaktuar plagë të rënda trupore dhe shpirtërore, ndërsa një numër prej tyre edhe kanë vdekur! Se dhuna seksuale ka lënë pasoja të rënda, dhe ishte si të thuash “vrasje” fizike dhe shpirtërore për femrat e dhunuara, autorja e librit ka arritur ta argumentoj bindshëm, gjatë përshkrimit të gjendjes emocionale të dëshmitareve, derisa po rrëfenin për ngjarjen e ndodhur.
* * *
Luljeta Selimi, kontaktet e para me dëshmitaret e dhunuara i ka bërë, derisa po raportonte si gazetare nga zonat e luftës. Vetëm gjatë luftës, ajo bashkë me personelin e organizatës “Jeta në Kastriot”, ka kryer 112 lindje në vendstrehimoret malore, dhe prej tyre 109 fëmijë kanë mbijetuar dhe sot janë shëndosh e mirë, ndërkaq 3 fëmijë kanë vdekur, dy nga të ftohtit ndërsa një nga ngrënja e gjarpërit.
Autorja në libër shkruan, se OJQ “Jeta në Kastriot”, kanë evidentuar 2018 femra të dhunuara, për të cilat përveç dëshmive gojore, me shkrim dhe fotografive të shumta, kanë videoxhirime, dhe raporte të mjekëve: gjinekologë, infektologë, neoropsikiatër, për gjendjen e tyre shëndetësore dhe trajtimin përkatës për secilën paciente veç e veç.
Nga kjo shifër e evidentuar, 114 femra janë në gjendje të rëndë psiko’fizike, sepse “kanë plagë të dukshme në trup, kanë gjinjë të prerë dhe prerje të ndryshme në pjesë tjera të trupit, kanë djegje me cigare, gishtrinj të këputur, 9 prej tyre kanë nga një sy të verbuar ose të dëmtuar pjesërisht, 37 veta tjera kanë plagë të hapura në fytyrë, ndërsa 3 femra kanë bërë vetëvrasje! Ndërkaq 386 gra janë të braktisura nga burrat, për shkak të dhunimit nga forcat kriminale serbe! (Burimi: Kërkesa publike (mars 2008) për ndihmë nga OJQ “Jeta në Kastriot”, pashtriku.org)
* * *
Duke pas parasysh vitet e pasluftës në Kosovë, duket se e vërteta për dhunimet e femrave gjatë luftës, është margjinalizuar, dhe ka mbetur nën hije – siç thotë Luljeta Selimi në libër, nga njerëzit e rëndomtë e deri te pushtetarët tanë, por edhe nga vetë ndërkombëtarët që veprojnë në Kosovë. Ata sillen sikur këtu nuk ka ndodhur as luftë, as vrasje, as djegie e plaçkitje as dhunime, as asgjë prej gjëje. Ose edhe më keq, sillen sikur dhunimet kanë ndodhur diku tjetër, e jo këtu, para syve tanë dhe të botës!!!
Autorja nuk do t’i kishte botuar, këto rrëfime – sikur të mos dominonte kjo harresë kolektive, e mbi të gjitha sikur një ditë të mos i thoshte një e dhunuar, se ato “përveç se janë të dhunura janë edhe të braktisura dhe të fyera.” “Ne që jemi dhunuar dhe sot vuajmë jemi morali dhe pamorali i të gjithë kosovarëve! Edhe kur jemi në mesin e të gjallëve, ne, sërish ndjehemi te vdekura! Edhe kur ecim rrugës, e ndjejmë peshën e dhunimit, e shohim atë në sytë e njerëzve, të cilët, ndoshta, kurrë nuk do të mund ta imagjinojnë së çfarë kemi përjetuar. Ne jemi plaga e çdo njeriu, vuajtja dhe mungesa e çdo fëmiu. Edhe kur njerëzit qeshin, pa kujtuar fare së ne ekzistojmë, ne mendojmë së ata qeshin dhe tallën me tragjedinë tonë. Edhe kur lotojnë, shajnë e pështyjnë edhe atëherë ne jemi pjesa më e dhëmbëshme dhe më tragjike… Ne sot jemi të braktisura, dhe pesha e çdo gjëje që po ndërtohet në Kosovë rëndon mbi ne! Ne jemi gjaku, pluhuri dhe pështyma e djeshme e sotme dhe e nesërme e Kosovës, andaj dikush duhet ta ngre zërin për ne. Po ta them, ngase ti mund ta bësh këtë, sepse ti çdo ditë mjekon plagët tona. Dhëmbja jonë do të ishte akoma më e madhe po ta bënte dikush për tallje apo përfitime…” – i ka thënë ajo, Luljeta Selimit.

…………………………………

Rrëfimet e femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovës!

 

* * *
Luljeta Selimi përmes rrëfimit të dëshmitareve vë në dukje edhe disa virtyte e karakteristika të gruas dhe të burrit gjatë ngjarjeve të përjetuara. Spikatë njëkohësisht guximin dhe vendosmërinë e gruas, si dhe sinqeritetin, qyqarllëkun dhe karakterin e burrit.
Me këtë rast po i referohem katër dëshmitareve të këtij libri:
1. Guximi dhe vendosmëria e mjekes së Re për t’ia shpëtuar jetën vajzës së dhunuar!
Në një spital ushtarak të UҪK-së sillet një vajze (H.N) e dhunuar nga forcat kriminale serbe, e cila ishte në gjendje të rëndë shndetësore. Mjekët ushtarakë edhepse i kishin dhënë gjak, jeta e saj ishte në rrezikë, sepse gjaku nga plagët vazhdonte t’i rridhte pa ndërprerë. Ata donin t’ia shpëtonin jetën me çdo kusht dhe ftuan një mjeke femër nga një zonë tjetër e luftës. Me këtë rast ka adhur një mjeke e Re, e cila edhe pse ishte gjinekologe e padiplomuar, vendosi të kryej një ndërhyrje kirurgjikale në pjesën gjenitale të vajzës së dhunuar. Ndërkohë një mjeke tjetër, (gjinekologe e diplomuar), kur i pa plagët e vajzës, mjekes së re i drejtohet me fjalët: “mos e mundo, lëre të vdes. E sheh se kanë filluar t’i dalin organet jashtë, unë nuk do t’i hyja një pune të tillë”. Mjekja e re, edhe pse e shqetësuar, ishte e vendosur t’ia shpëtonte jetën vajzës së dhunuar. Ajo ia kthen me shpejtësi: “Do t’më ndihmosh apo jo”… “Unë mendoj se është rrezik, ajo mund të vdesë”,… Mjekja e Re pa humbur kohë ka filluar intervenimin kirurgjik, dhe nuk është ndalur edhe atëherë kur kishin filluar granatimet serbe në afërsi të spitalit. Ajo me guxim të pashoqe përfundoi operimin me sukses. Edhe pas operacionit mjekja e Re nuk doli nga dhoma, vajzës ia pastroj edhe plagët në pjesë tjera të trupit dhe kështu ia shpetoj jetën. (L.Selimi – Rrëfime tronditëse…, faqe 14 – 15)
2. Qyqarllëku i një burracaku, i cili akuzon gruan për dhunimin që ia bënë forcat serbe, derisa ai ishte fshehur në kotec të pulave!
Dëshmitarja R.R., nga një fshat i Therandës, kishte burrin një vajzë (Norën) 13 vjeçe dhe djalin 9 vjeçar. Vajzën, pasi ishte plagosur një ditë nga forcat serbe, derisa po merrte dru në malë, e kishin larguar jashtë Kosovës për shërim, ndërsa ajo kishte mbetur në shtëpi vetëm me burrin dhe djalin. Burri i saj nuk e ndihmonte fare atë dhe kishte ditë që nuk dilte nga shtëpia, madje edhe atë ditë kur u rrethuan nga forcat kriminale serbe, dëshimtarja R.R (gruaja e tij) e kishte lutur që të largoheshin sa më parë nga shtëpia (pët t’i shpëtuar më të keqes), por ai e ka kundërshtuar duke i thënë se: “Unë e djali do të mbesim këtu…”. Kur forcat serbe po futeshin në shtëpi ky burrec ka lënë gruan dhe djalin në dhomë dhe me shpejtësi është fshehur në kotec të pulave. Policia serbe hynë brenda, marrin R.R dhe djalin dhe i nxjerrin në oborr. Derisa po kontrollonin në shtëpi, kriminelët i thonë dëshmitares: “Ku e ke burrin? Nëse nuk na jep para dhe ar, do të ta vrasim djalin.” Ajo është përpjekur të gjej pak para e ari, për ta shpëtuar djalin, por burri i kishte marrë të gjitha me vete, edhe paratë edhe arin. Derisa policët e kërcënonin me fjalët “O arin, o djalin” burri nga koteci i pulave e shikonte në heshtje këtë ngjarje, nuk bënte zë, “e donte shpirtin e vet më shumë se djalin” – thotë dëshmitarja R.R. Në këtë situatë të rëndë, një polic i pashpirtë me tri të shtëna nga revolja ia vretë djalin, ndërsa dëshmitares ia lidhin durat prapa dhe e dhunojnë derisa ajo e ka humbur vetëdijen. Krejt këtë ngjarje e ka shikuar heshturazi nga koteci, burri i saj. Pas kësaj ngjarjeje të dhimbshme R.R’në e ndihmojnë disa banorë të një fshati tjetër aty afër dhe ia mjekojnë madje edhe plagët e shkatuar me thika, ndërsa gjatë kohës së bombardimeve për atë kujdesen vëllai dhe nusja e tij. Katër ditë pas përfundimit të luftës burri i R.R, kthehet në shtëpi dhe në prani të vëllaut të saj, atë e fajson për dhunimin që ia bënë forcat serbe! Burri i thotë: “Më mirë të kishe vdekur, tani je pa fëmijë dhe pa burrë, është dashur ta vrasësh veten, je fajtore që të dhunuan serbët”, ndërsa R.R me lotë në sy i thotë: “Unë fajtore! Ngase ti i more paratë dhe nuk ua dhe barbarëve ta shpëtosh djalin tënd, unë fajtore që ti nuk na le të dalim nga fshati edhe atëherë kur të gjithë e shifnim rrezikun”!  “Motrën tënde e dhunuan ushtarët serbë dhe unë s’mund ta kem më grua! – i thotë ai vëllait të R.R dhe largohet për të mos u kthyer kurrë më familje. Ky është karakteri i një burracaku! (faqe 21 – 23)

Bunari i mbushur me kufoma të shqiptarëve të masakruar!

3. Karakteri burrëror, (burri që pranon fajin dhe turpin për atë që i kishte ndodhur gruas së tij)
Dëshmitarja B.B. nga Gjakova nënë e 6 vajzave dhe një djali 12 vjeçar, pas bombardimeve të NATO-s, bashkë me burrin dhe fëmijët si dhe katër familje tjera strehohen në shtëpinë e një miku në dalje të Gjakovës. Në një mengjes herët Policia e kishte thyer derën, ku ishin strehuar dhe janë futur brenda. Pasi i kanë plaçkitur të gjitha gjësendet me vlerë, janë përpjekur t’i ndajnë burrat nga gratë… dëshmitarja ka kundërshuar, ndërkohë që një djalë i cili ishte strehuar aty, vritet gjatë kohës që po provonte të largohej, me këtë rast vdes edhe nëna e tij nga plagët e marra gjatë tentimit për ta mbrojtur djalin nga vrasja!
Barbarët serbë, të revoltuar, nga ky kundërshtim i lidhin të gjithë meshkujt, ndërsa gratë dhe vajzat i zhveshin dhe i dhunojnë në prani të burrave dhe fëmijëve të tyre. Dhe të gjitha këto skena mizore, kriminelët i kanë filmuar me Kamerë. Dëshmitarja fillimisht rrëfen, se si e kanë dhunuar tre vetë, vajzën 15 vjeçare, e cila pas gjysëm orë vdesë nga kjo dhunë shtazarake, pastaj për një femër tjetër të re, e cila derisa po klithte për ndihmë, ia hiqnin edhe thonjtë e gishtave! Ndërkaq për vete thotë se gjatë dhunimit ia kanë prerë edhe gjirin!
Pas kësaj ngjarjeje makabre, gratë i lëna të lirë, ndërsa mashkujt i marrin me vete. Burrin ia burgosin dhe katër muaj pas përfundimit të luftës lirohet, ndërsa për djalin 12 vjeçar nuk di asgjë, edhe sot e kësaj dite. Kur është kthyer burri nga burgu, B.B, duke u ndjerë e turpëruar për dhunimin që ia kanë bërë forcat kriminale serbe në prani të tij, ka kërkuar që të kthehet në familjen e saj (në gjini), por burri me lotë në sy, i thotë: “Jo grua, ti nuk do të shkosh askund, ti je nderi i familjes, dhe nëse dikush është i turpëruar në këtë shtëpi, atëherë ai jam unë. Nderin e familjes është dashur ta mbrojë unë e jo ti. Ti je e pafajshme, ti ishe dhe je gruaja ime. Ti do të jeshë mburrja dhe krenaria ime, sepse ti nuk deshe të ikësh pa mua, dhe unë, bashkë me të gjithë ata burra të tjerë të Kosovës, që nuk e morëm pushkën, jemi të turpëruar, e jo ju, nënat që Kosovës ditët t’i falni dhe t’i lindni djemë që ditën dhe guxuan t’i dalin zot Kosovës”! Sot dëshmitarja B.B, jeton bashkë me burrin dhe vajzat, me shpresë se do t’i kthehet një ditë edhe djali i tyre vetëm. (faqe 29 – 31)
4. Një familje intelektuale nga Prishtina që e kishte përjetuar luftën nga televizioni…
Dëshmitarja H.G një intelektuale nga Prishtina, vetëm pas 24 marsit 1999 kur nisën bombardimet e NATO-s, dhe kishin filluar forcat ushtarake-policore dhe paramilitare t’i nxjerrnin me dhunë shqiptarët nga shtëpitë e tyre në Prishinë, kishte besuar në vatrat e luftës që ishin ndezur gjithandej Kosovës. Deri atëkohë ajo dhe burri i saj luftën e kishin parë e përjetuar vetëm nga ekrani i televizionit! Kjo ishte e vërteta, sepse gjatë vitit 1998 kur lufta e përgjakshme kishte kapluar shumë qytete dhe fshatra të Kosovës – në Prishtinë, zhvillohej një jetë “normale”, njerëzit mbrëmjeve shetisnin të qetë – në sheshin Nënë Tereza, bënin ahegje të ndryshme, punonin klubet e natës dhe lufta përjetohej sikur të ndodhte në një vend tjetër, e jo në Kosovë!
Dëshmitarja H.G gjatë rrëfimit pa hamendje thotë se si “intelektuale isha lidhur ngushtë me ata që ishin kundër luftës sepse ishim mësuar që të tjerët të vriten në demonstrata, të tjerët të dalin në protesta, të tjerët të vuajnë e shpresonim se do të mund të fitonim në kurriz të të tjerëve!” Ndërkaq, H.G’s i kujtohen mirë fjalët e burrit, në momentin kur po e merrnin kriminelët nga shtëpia për të mos u kthyr kurrë më. Ai ka mallkuar vetën që nuk kishte shkuar t’i bashkohej UÇK-së, dhe derisa po futej në veturën e kriminelëve, gruas dhe vajzës me zërin gjithë vaj u ka thënë: “Nuk e meritoj as të qahem sepse unë nuk po vdes si trim, si trimat me pushkë në dorë, por si një qyqar, si një i marrë që nuk e përkrahu luftën Çlirimtare të popullit të vet”.
Ndërkohë që i kishin përzënë të gjitha familjet e lagjes, njësitë kriminale serbe të gjithë mashkujt i morën, ndërsa 20 femra (gra e vajza) bashkë me to edhe dëshmitaren H.G dhe vajzën e saj, i kanë dërguar në shkollën fillore “Naim Frashëri”. “Dy që ishin mbi 40 vjet i vranë menjëherë! E vranë poashtu edhe një plak tjetër” – thotë dëshmitarja H.G. Ajo pastaj gjerësisht ka rrëfyer për aktet e tmerrshme e mizore të dhunimit seksual që kryen forcat ushtarake serbe në ambientet e shkollës, ndaj saj, ndaj vajzës dhe femrave të tjera… (faqe 34 – 36)
* * *
Ne edhe pas 14 vjetësh nga përfundimi i luftës, nuk e dimë numrin e saktë, të nënave e motrave tona të dhunuara mizorisht nga forcat kriminale serbe. Është shkruar shumë herë në mediet tona, se gjatë luftës në Kosovë (1998-1999), forcat militare dhe paramilitare serbe kanë përdhunuar 20 mijë femra shqiptare, por askush deri më sot nuk e ka vërtetuar këtë shifër kaq të lartë, madje as vetë organizatat e huaja të cilat kanë bërë hulumtime të shumta në këtë drejtim.
Kur flasim për shifrat, është i habitshëm edhe një fakt tjetër!
Ne ende nuk e dimë as numrin e saktë të njerëzve të vrarë e të masakruar gjatë luftës në Kosovë (1998-1999). Në shumë prezentime të politikanëve, historianëve, publicistëve, analistëve, të shoqatave për të drejtat e njeriut etj., përmenden shifra të ndryshme. Thuhet se gjatë luftës në Kosovë janë vrarë: – 10 000, – 12 000, – 13 000 apo – 15 000 shqiptarë! Kjo shpërfaqje (shumësi) e shifrave tregon se, sa të papërgjegjshëm jemi si shtet dhe shoqëri, ndaj njerëzve tanë që u flijuan për këtë vend!

* * *
Në librin e Luljeta Selimit, dëshmitaret përmendin edhe emra të krimielëve që kryen dhunimin, siç janë: Dragan Spasiq, Nenad Stojanoviq, gjeneral Vujiq, dhe për fat të keq edhe pse dihen tashmë emrat e tyre, (dhe të qindra kriminelëve të tjerë), deri më sot askush nga përgjegjësit e sigurisë në Kosovë, as policia apo prokuroria e UNNMIK’ut as këta të EULEX’it, por as policia e Kosovës apo prokuroria vendore, madje as institucionet tjera ndërkombëtare apo ato vendore (Qeveria, presidenca, Kuvendi apo shoqëria civile), nuk kanë treguar gatishmëri, për t´i ndjekur e arrestuar këta kriminelë. Për çudi as Tribunali i Hagës, i cili aktet e dhunimit të femrave në Kosovë i specifikonte si krime kundër njerëzimit, shkelje të ligjeve të luftës, torturë, etj., asnjëherë nuk është interesuar t’i trajtoj në gjyq, dhe prandaj asnjë dëshmitare e dhunuar nuk ishte ftuar në gjykim për të dëshmuar kundër kriminelit Millosheviq dhe gjeneralëve të tij. Në mënyrë selektive janë trajtuar edhe krimet dhe gjenocidi, që kryen forcat ushtarako’policore e paramilitare serbe në mënyrë të planifikuar, kundër popullsisë shqiptare në Kosovë. Këtë fakt e ka pranuar edhe vetë Prokurori i kësaj gjykate Richard Goldston, i cili ka deklaruar se “për krimin e përdhunimit, komuniteti ndërkombëtar nuk ka qenë kurrë i interesuar”!
* * *
Për më tepër, ky tribunal as që është munduar ndonjëherë t’i ndjek kriminelët e organizuar në nivelet më të ulëta të sistemit shtetëror serb, që kryen krime dhe gjenocidë në Kosovë!
Për këtë fakt flasin vetë hetuesit e OKB-së për krime të luftës.
Pas përfundimit të luftës në Kosovë, në një raport për masakrën e Qyshkut (14. 05. 1999), të publikuar nga Michael Montgomery dhe Stephen Smith, hetuesi i OKB-së për krime të luftës, Dennis Milner – ka theksuar (po citoi): “Puna e ekipit të tij do të vazhdojë të fokusohet thuaja tërësisht në rangun e lartë të regjimit të të kryeakuzuarit për krime lufte, kryetarit jugosllavë Sllobodan Millosheviq”. “Mund të thuhet se Tribunali (i Hagës – vërejtja ime) as që është themeluar ndonjëherë ose kurrë nuk ka pasur për qëllim të vihet pas gjykimit të akterëve të krimeve në nivelet e ulëta”… “Ne do të insistojmë”, – thotë Milner – “në atë se ata në krye janë personat përgjegjës, dhe se ata, duke qenë të implikuar, kanë tërhequr këmbëzën.” Edhe M. Cherif Bassiouni, një tjetër hetues i OKB-së për krime lufte në Kosovë, mbështet fokusimin e Tribunalit të Hagës vetëm mbi Sllobodan Millosheviqin dhe bashkëpunëtorët e tij të lartë. Madje Z. Bassiouni, për çudi deklaron (po citoi): “Çështja themelore, nuk është në dënimin e krimeve të kaluara, por në parandalimin e krimeve të ardhshme”…!!! Ndërsa Florence Hartmann, Zëdhënëse dhe këshilltare e Prokorisë së Tribunalit të Hagës, nga tetori 2000 deri në tetor 2006, në librin e saj “Paqja dhe ndëshkimi”, ka shkruar (po citoj): “Tribunali i Hagës (ICTY) pa dyshim më shumë se cilido gjyq tjetër ishte paramenduar t’i shërbente në rend të parë politikës, e jo drejtësisë” (Florence Hartmann: Paqja dhe ndëshkimi, Koha – mars 2011, f.30)
Si përfundim!
Duke u bazuar në deklarimet e përgjegjësve ndërkombëtarë të hetuesisë, duket se vrasësit e mijëra shqiptarëve dhe dhunuesit e femrave shqiptare që përfshihen në librin e Luljeta Selimit, nuk do të dalin kurrë para drejtësisë, dhe se ky krim do të mbetet përjetësisht i pandëshkuar!
Sheradin Berisha – Solothurn, 24. 11. 2013

————————————–

NJË FOTO FLET MË SHUMË 10 000 FJALË!

 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura