Pashtriku, 24 dhjetor 2020: ‘Enver Hoxhaj ka thënë se nëse fiton UÇK-ja, pastaj PDK-ja, unë do të kërkoj azil në Beograd’. – Hashim Thaçi.
***
Nënkryetari i Kryesisë së PDK-së dhe Kryetari i degës së kësaj partie në Skënderaj, Sami Lushtaku, dje në rrjetin e tij facebook ka shkruar se “me unitet të plotë, kemi caktuar Profesorin e nderuar, ushtruesin e detyrës së Kryetarit të Partisë, z.Enver Hoxhaj, si kandidat për Kryeministër të vendit për zgjedhjet e ardhshme parlamentare të cilat do të mbahen së shpejti”. Dhe sipas Lushtakut: “Profesor Hoxhaj është pa dyshim kandidati më i mirë, i cili me bagazhin e tij akademik e profesional, do të jetë alternativa më e mirë për ta drejtuar Qeverinë e Kosovës.”
Është e vërtetë se Enver Hoxhaj është profesor universitar. Në vitet 1994 – 2000 ka studjuar në Universitetin e Vjenës, ku ka marrë titullin e Doktorit të Filozofisë në Histori.
BILALL SHERIFI, HASHIM THAÇI DHE ENVER HOXHAJ
Gjykata Kushtetuese më 21 dhjetor 2020 konstatoi se qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Avdullah Hoti (nga 3 qershori) është zgjedhur në mënyrë jokushtetuese, pasi vota e deputetit Etem Arifi, i dënuar me burgim efektiv prej një vit e tre muaj, ishte përcaktuese për qeverinë. Gjykata kërkoi shpalljen e zgjedhjeve të reja.
Këto ditë po përflitet se NISMA Socialdemokrate e Fatmir Limajt do të bëjë koalicion parazgjedhor me PDK-në për zgjedhjet e parakohshme që priten të mbahen në shkurt të vitit 2021! Madje edhe vetë z.Limaj ka shprehur gatishmërinë për një koalicion të tillë! Një koalicion PDK-NISMA është i mundur, sepse shumica e drejtuesve të NISMËS në krye me Fatmirin – deri në shkurt të vitit 2014 ishin pjesë e PDK-së.
Sekretari i Përgjithshëm i NISMËS S., z.Bilall Sherifi, në dhjetë vitet e para të pasluftës ishte njeri nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të kryetarit të PDK-së, Hashim Thaçi. Shpesh e kanë quajtur si hije e Hashim Thaçit! Prandaj duke qenë i afërt e ka njohur mirëfilli edhe karakterin e Hashimit!
Bilall Sherifi në tetor 2016 në një intervistë të emisionit “Republika” që e drejtone, Dardan Gashi në “Tribuna Channel” thotë, se Hashim Thaçi njerëzit që i ka shpallur dikur tradhtar dhe kriminel tash i ka bashkëpunëtorët më të ngushtë. Sherifi ka thënë se Thaçi e ka quajtur tradhtar dhe kriminel ministrin Enver Hoxhaj (kandidatin aktual të PDK-së për kryeministër), dhe se u ka kërkuar të mos shoqërohen me të.
“Hashim Thaçi na ka njoftuar me të, ne nuk e kemi njohur. Ai na ka thënë se Enver Hoxhaj është një njëri i cili në Vjenë e ka sabotuar UÇK-në, ka punuar kundër UÇK-së e edhe kundër PDK-së.
Madje ka thënë, Thaçi, po e citoj: “Enver Hoxhaj ka thënë se nëse fiton UÇK-ja, pastaj PDK-ja, unë do të kërkoj azil në Beograd”.
Dhe në këtë kontekst Sherifi ka deklaruar se: “Thaçi ka thënë mos rrini me Enver Hoxhajn se ai është kriminel. E citoj bukfalisht si ka thënë”!
Sherifi thotë se ‘Hashim Thaçi shumicën e atyre që i ka pasur pranë tash i ka nëpër burgje’.
Edhe kjo bënë vaki ndër shqiptari!
—————–
Burimet:
Tribuna Channel – Emisioni Republika – Bilall Sherifi, 13. 10. 2016
Citimi nga minuta 8:00 – 9:40…
https://www.youtube.com/watch?app=desktop&v=TCRyacmI3nk
***
Periskopi,com – 13 tetor 2016, 20:29
‘Hashim Thaçi dikur e quante kriminel dhe tradhtar ministrin Enver Hoxhaj’
https://www.periskopi.com/hashim-thaci-dikur-e-quante-kriminel-dhe-tradhtar-ministrin-enver-hoxhaj/