SHERADIN BERISHA: IBRAHIM KELMENDI ANËTAR I DEVOTSHËM I LRSHJ-së QË U THEMELUA MË 17 SHKURT 1982 (DËSHMI ARKIVORE)!

Pashtriku, 18 janar 2021: Ish veprimtari i Lëvizjes Ibrahim Kelmendi, në librat: ‘Atentatet’, Prishtinë 2007; ‘Lëvizja (Lindje e përgjakur) Bedri Islami bashkëbisedim me Ibrahim Kelmendin, Tetovë 2012, dhe në shumë shkrime e intervista të publikuara nëpër portale e rrjete sociale, viteve të fundit ka ndërtuar narracionin se: Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK) është pasardhëse e Lëvizjes për Republikën e Kosovës (LRK) e cila u themelua në Untergrupenbach të Gjermanisë, në shtëpinë e vëllezërve Gërvalla, më 17 Janar 1982.
Sipas Ibrahim Kekmendit, LRK’ja u formua me bashkimin e tri organizatave:
– Lëvizja Nacionalçlrimtare e Kosovës dhe Viseve tjera Shqiptare në Jugosllavi (LNÇKVSHJ), e përfaqësuar nga Jusuf Gërvalla,
– Organizata Marksiste-leniniste e Kosovës (OMLK), e përfaqësuar nga Kadri Zeka dhe
– Fronti i Kuq Popullor (FKP), i përfaqësuar nga Ibrahim Kelmendi. Dhe përcaktimi i saj kryesor ishte realizimi i Republikës së Kosovës në kuadër të ish-Federatës Socialiste të Jugosllavisë.
Ibrahimi në librin ‘Lëvizja…’ (f.62) thotë: “Atentati i kobshëm (i 17 janari ’82) na e plagosi edhe bashkimin e miratuar”, dhe ai shpreson se dokumentet bazike si: “procesverbali i bashkimit, platforma e saj dhe komunikata njoftuese” që i ka konfiskuar policia gjermane tashmë ia ka kthyer familjes Gërvalla dhe ato do të bëhen publike.

– Ibrahim Kelmendi –

U bënë tashmë 39 vjet nga vrasja e vëllezërve Gërvalla e Kadri Zeka, dhe akoma nuk dihet se a ekzistojnë a jo këto dokumente!
Ibrahim Kelmendi pretenton se shërbimet jugosllave, pos vrasjes fizike të themeluesve të LRK-së, organizuan edhe komplotin kundër saj. Sipas tij komplotimin duhet ta kenë komanduar kuadrot e UDB-së, Sabri Novosella dhe Abdullah Prapashtica, të cilët më 17 shkurt 1982 në takimin e mbajtur në Stamboll, simuluan formimin e ‘Lëvizjes për Republikën Shqiptare në Jugosllavi’ (LRSHJ) duke i bashkuar LNÇKVSHJ-së, përfaqësues Sabri Novosella, dhe PKMLSHJ-së, përfaqësues Abdullah Prapashtica, ndërsa më 9 maj 1982 i bashkangjitet edhe Xhafer Shatri si përfaqësues i OMLK-së!
***
Në arkivin e LRSHJ-së, për të cilën Ibrahim Kelmendi thotë se e themeluan “komplotistët Udbashë”, ka shumë materiale, letërkëmbime e qarkore të Qendrës Ekzekutive (QE) dhe Komitetit Qendror (KQ) të LRSHJ-së (…1983 – 1984) të shkruara nga dora e Ibrahim Kelmendit (Iljazi) në cilësinë e anëtarit më të devotshëm të këtij organi më të lartë!
***
Më 15 janar 1983, në Ludvigsburg, me iniciativën e Xhafer Shatrit u formua Qendra Ekzekutive (QE) e LRSHJ-së. Qendra Ekzekutive pushoi së vepruari më 3 mars 1984 në Gjenevë, kur u vendosë formimi i Komitetit Qendror (KQ). Në korrespondencën e anëtarëve ky organ (KQ) identifikohej me emrin “Dukagjini”.
Anëtarët e QE (KQ) të LRSHJ me pseudonimet e tyre ishin:
1. Xhafer Shatri (Xhema)
2. Ibrahim Kelmendi (Iljazi)
3. Hasan Mala (Plaku)
4. Faridin Tafallari (Fahriu)
5. Xhafer Durmishi (Salihu)

Për të faktuar rolin dominant të Ibrahim Kelmendit në LRSHJ-në e themeluar më 17 shkurt 1982 sipas tij nga ‘komplotistët udbashë’, në vijim sjellë (pa e komentuar) një QARKORE të shkruar në janar 1984 nga Iljazi (Ibrahim Kelmendi) si anëtar i Komiteti Qendror të kësaj lëvizjeje!
Qarkore e shkruar nga Ibrahim Kelmendi (Iljazi)
x. Janar 1984
SHOKËVE TË ‘QE’ PËR DISKUTIM, PËRMIRËSIM E APROVIM
Q A R K O R E

Po afrohet 2-Vjetori i formimit të LRSHJ-së dhe ende nuk kemi Program Politik e Statut të Organizatës sonë. Mungesa e tyre po vështirëson veprimtarinë, njëherit po kushtëzohen gabimet. Fajin për mungesë të tyre duhet ndarë të gjithë, nga baza e gjer në Komitet Qendror. Lehtësim kemi vetëm kur marrim parasysh rrethanat, të kushtëzuara nga ilegaliteti i thellë, nga vrasje e arrestimet, si dhe nga vështirësitë që sjell me vete Bashkimi.
Tani, të gjitha komitetet e celulat në rrethe, si dhe të gjithë militantët e LRSHJ-së, duhet të fillojnë nga diskutimet – të japin propozime e mendime, nga do dali përfundimisht Programi e Statuti i Lëvizjes. Themelet e Programit duhet të jenë Komunikata mbi Bashkimin (lëshuar në “Zëri i Kosovës”, nr. 1, 1982), si dhe kërkesa e mirëfillta të mbarë popullit, të vulosura me gjak e sakrifica dhe të njohura tani për mbarë botën. Në ndihmë duhet marrë edhe variantin e kontureve të Programit (të botuara në ZK, nr. , 1983).
Diskutimet le të fillojnë menjëherë, për të mos i vonuar rezultatet.
Gjatë diskutimeve duhet të mbizotëron fryma patriotiko-revolucionare, duhet të merren parasysh të gjithë faktorët, nga të cilët varet shumë se çka do kërkojmë, si do kërkojmë dhe si do fitojmë. Fryma e vëllazërimit me popujt liridashës të Jugosllavisë e të botës nuk guzon të vihet në dyshim – populli ynë liridashës ka dashur e çmuar të gjithë popujt liridashës të botës, kurdoherë, duke ua dëshiruar lirinë…
Është momenti të tregohet pjekuria e menquria patriotiko-revolucionare, vetëdija ideologjike e politike, si dhe historike, shpirti i internacionalizmit, i durimit revolucionar dhe sakrificës, edhe të jetës, kur e kërkon çështja e popullit e atdheut – liria dhe të drejtat. Nuk guzojnë të na i errin sytë shovenizmi, revanshizmi – këto duhet luftuar, së pari në radhët tona, në gjirin e popullit tonë!
Të tregohemi bijë e bija të popullit, t’i dalim zot misionit e çështjes, ashtu siç kërkohet nga populli e historia!
Komitetet, celulat e militantët e LRSHJ-së në botën e jashtme, pos diskutimeve, le të fillojnë nga fushata për grumbullimin e të gjitha adresave të bashkatdhetarëve në botën e jashtme, të anëtarëve të familjes, të fëmijëve në shkolla dhe jashtë, çfarë statusi (punëtor i “përkohshëm”, i migruar në Turqi e gjetiu, azilant, etj.). Këto adresa, po që se grumbullohen me sukses e shpejt, pos tjerash ndihmojnë për të dhëna statistikore, meqë armiku po fsheh të dhënat e vërteta.
Detyrë e përhershme është që të zgjerojmë, kordinojmë e forcojmë radhët e LRSHJ-së, për t’i dalur zot me sukses misionit!
Rezultatet e diskutimeve duhet të jenë dhënë më së voni gjer në fund të shkurtit, 1984. Kurse fushata për grumbullimin e adresave duhet të vazhdoj çdo herë.

– PËR REPUBLIKËN SHQIPTARE NË JUGOSLLAVI!
– LAVDI TË RËNËVE PËR LIRI E TË DREJTA TË POPULLIT E ATDHEUT!
– RROFSHIN POPUJT LIRIDASHËS TË MBARË BOTËS!
– RROFTË LËVIZJA PËR REPUBLIKËN SHQIPTARE NË JUGOSLLAVI!

Më x Janar 1984 Komiteti Qendror i LRSHJ-së
(Ibrahim Kelmendi – Iljazi)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura