SHERADIN BERISHA: ISA MUSTAFA – PRO NDRYSHIMEVE KUSHTETUESE NË FAVOR TË SERBISË UNIKE (MARS 1989)!

Pashtriku.org, 21 mars 2017: Po të lexosh shtypin e kohës: Rilindjen, Jedinstvon, Borbën, Politikën etj., dhe po të hulumtosh në arkivat e RTP’së do të zbardhet gjithanshëm kontributi i “ekspertit” Isa Mustafës me shokë, në procesin e ndryshimeve kushtetuese në favor të Serbisë Unike! Në këtë kontekt në vijim sjell një dokument të arkivuar në Radio Televizionin e Prishtinës (RTP), i cili zbardhet në gazetën “Rilindja”.
Në gjysmën e parë të marsit 1989 në kuadër të përfundimit të debatit kushtetues, Radio Televizioni i Prishtinës – RTP, në mbeshtetje të ndryshimeve kushtetuese, ka organizuar një debat publik, në të cilin ka marrë pjesë edhe “eksperti” gjegjësisht “drejtori i Entit Krahinor të Planifikimit Shoqëror” Isa Mustafa. Këtë debatë e ka pasqyruar gazetari Zenun Ҫelaj, në gazetën “Rilindja”, të ditës së mërkurë – datë 22 mars 1989, me titull: “Çështjet e harmonizuara nuk cenojnë autonominë”!

Kryetari i KE të Prishtinës Isa Mustafa (i dyti nga e majta) – në një mbledhje të dhomave të Kuvendit të Prishtinës, në vitin 1986.

Sa për ilustrim shkëpusim pjesë të diskutimit të “ekspertit” Isa Mustafa:
NGA TRYEZA E DISKUTIMEVE KUSHTETUESE TË TV PRISHTINËS:
ÇËSHTJET E HARMONIZIMIT NUK CENOJNË AUTONOMINË

TV i Prishtinës net më parë në kuadër të përfundimit të debatit kushtetues rreth propozimit të amandamenteve në Kushtetutën e RS të Serbisë, organizoi një tryezë, në të cilën merrnin pjesë Shefqet Mustafa, anëtar i Kryesisë së KSA të Kosovës dhe anëtar i Komisionit Kushtetues të Krahinës; prof.dr.Vesel Latifi, serkretar Krahinor i Judikaturës; Pjetër Kola, kryetar i Gjykatës Supreme të Kosovës, pastaj Rade Zvicer, kryetar i Komisionit Legjislativ Juridik të Kuvendit të KSA të Kosovës dhe anëtar i Komisionit Kushtetues të Krahinës, prof.dr.Habib Hashani, anëtar i Komisionit Kushtetues të Krahinës; Ahmet Omeragiq, zëvendës i sekretarit Krahinor të Mbrojtjes Popullore dhe mr.Isa Mustafa, drejtor i Entit Krahinor të Planifikimit Shoqëror.
Përgjegjësi e përbashkët për planifikim e zhvillim
Me amandamentin 33, përkatësisht me pikën 12, me nënpikat 1 dhe 2, përcaktohet procedura e përgatitjes së miratimit dhe e përmbajtjes se planit shoqëror, e cila përfshin edhe politikën ekonomike dhe zhvillimore me interes të përbashkët për tërë Republikën (e Serbisë) dhe po ashtu rregullohet edhe procedura e miratimit përmbajtja e planit hapësinor, i cili përmban organizimin, rregullimin, shfrytëzimin dhe mbrojtjen e hapësirës me interes të përbashkët për Republikën (e Serbisë) si tërësi – tha mr.ISA MUSTAFA. KSA e Kosovës pavarësisht e miraton planin shoqëror, si atë afatmesëm ashtu edhe planin afatgjatë, mirëpo në harmoni me politikën zhvillimore, e cila realizohet me interes të përbashkët. Rregullimi unik i planifikimit shoqëror në Republikë, duke përfshirë edhe politikën zhvillimore në interes të përbashkët, si dhe prurja e planit shoqëror në nivel të Krahinës, siguron realizimin e parimit kushtetues ose sipas të cilit republika ka përgjegjësi për zhvillimin vetjak dhe për zhvillimin e bashkësisë shoqërore në tërësi, e po ashtu edhe KSA e Kosovës ka përgjegjësinë e vet për zhvillimin vetjak dhe për zhvillimin e bashkësisë në tërësi.
Duke iu përgjigjur pyetjes se si bëhet harmonizimi i politikës zhvillimore dhe ekonomike, ai (Isa Mustafa -sh.b) shtoi se në amandamentin në Kushtetutën e RS të Serbisë kryesisht rregullohen drejtimet themelore të zhvillimit shoqëror dhe ekonomik në interes të përbashkët, pastaj nxitja e zhvillimit përmes bashkimit të mjeteve dhe të punës, mbrojtja dhe përparimi i ambientit të njeriut dhe çështjet e tjera, të cilat do të rregullohen në bazë të marrëveshjes në nivel të Republikës. Me këtë amandament përcaktimi i politikës zhvillimore dhe ekonomike bëhet me marrëveshje, që do të thotë se bëhet harmonizimi i interesave të përbashkëta të të gjithë subjekteve në Republikë. Me të nuk krijohet kurrfarë hapësire për rishpërndarjen regjionale të të ardhurave prandaj nuk mund të flitet për kurrfarë humbjeje të autonomisë së të ardhurave, përkatësisht autonomisë ekonomike. Me këtë amandament poashtu është përcaktuar obligimi që në kuadër të Bankës Popullore të Serbisë dhe bankave popullore të KSA-ve të harmonizohet propozimi i politikës kreditore, e cila është e lidhur me realizimin e politikës me interes të përbashkët në kuadër të Republikës së Serbisë. Ekonomia e tregut siç dihet, është e orientuar nga sigurimi i kushteve për lëvizjen e lirë të kapitalit, të mallit, të fuqisë punëtore, përkatësisht për realizimin e konceptit të tregut integral, andaj të gjitha ndryshimet të cilat janë propozuar në këtë lëmë sigurojnë parakushtin sistemor për realizimin e këtij koncepti të zhvillimit ekonomik. Këto çështje do të rregullohen më saktësisht me Ligjin Republikan dhe me Ligjin Krahinor për sistemin e planifikimit shoqëror, i cili tani do t’i jepet Kuvendit të Republikës së Serbisë, përkatësisht Kuvendit të Krahinës për shqyrtim dhe aprovim. (…) /Gazeta Rilindja, ditë e Mërkurë, datë 22 Mars 1989, faqe 4./
Lexoni faksimilin e “Rilindjes”:

Në saje të kontributit të Komisionit Kushtetues të Kosovës, (anëtar i së cilës ishte edhe “eksperti – i planifikimit shoqëror…” Isa Mustafa,) më 14 mars 1989, dy kryesitë e Kosovës (ajo e Komitetit Krahinor dhe e Kryesisë së Kosovës) përmes një kumtese të përbashkët, theksojnë, se: “përkrahin plotësisht amandamentet për Kushtetutën e RS të Serbisë, me të cilat mundësohet që RS e Serbisë të ushtrojë funksionet dhe kompetencat e veta të domosdoshme në tërë teritorin e Republikës…” dhe se me “këto ndërrime nuk ndryshohen parimet themlore të Kushtetutës së RSFJ’së të vitit 1974 dhe pikënisje është realizimi konsekuent i barazisë së plotë kombëtare të të gjitha kombeve e kombësive në RS të serbisë dhe në KSA të Kosovës”. (Burimi: Rilindja, 15 mars 1989) Edhe Kryesia e Konferencës Krahinore të Lidhjes Socialiste, më 16 mars 1989 u dha përkrahje të plotë amandamenteve të Kushtetutës së Serbisë dhe insistonte që Kuvendi i Kosovës të përkrahte këto amandamente! Më 17 mars u mblodhën delegatët e Këshillit të Dhomës Shoqërore – Politike të Kuvendit të Kosovës, ku përkrahën njëzëri amandamentet e Kushtetutës së Serbisë.” (Burimi: Rilindja 18 mars 1989)
Më 21 mars, Këshilli Ekzekutiv i Kosovës i propozoi Kuvendit të Kosovës që në Mbledhjen e caktuar për datën 23 mars të jepte pëlqimin për amandamentet në Kushtetutën e Serbisë. Më 23 mars 1989 (ditë e enjte) në Prishtinë në orën 10 paradite u mblodhën delegatët e të tri dhomave të Kuvendit të Kosovës:
1. Dhoma e Punës së Bashkuar me kryetar Raif Vërbnica;
2. Dhoma e komunave me kryetar Radoica Zhizhiq dhe
3. Dhoma Shoqërore – Politike me kryetar Shefqet Mustafa.
Në sallën e Kuvendit të Kosovës kishte mbi 500 njerëz, funksionar, punëtorë të sigurimit, mysafirë nga të gjitha komunat e Kosovës dhe nga Serbia, ndërsa ishin 190 delegatë të zgjedhur, qysh në nëntor të vitit 1988 nga komisionet kandiduese të të gjitha organizatave shoqërore – politike. Në këtë mbledhje të përgatitur nga Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Vukashin Jokanoviq, diskutuan 27 delegatë, 20 shqiptarë dhe 7 serbë, (N.Gjeloshi – fq.98) dhe në fund u aprovuan me aklamacion (ngritje të dorës) amandamentet e Kushtetutës së Serbisë. Ishin 11 vota kundër dhe dy abstenime, (po aty) por nuk dihej numri i votave “për” sepse nuk u numruan nga kryetari i Kuvendit. Nga pamjet në ekranin e RTP dhe fotografitë që u publikuan në shtypin e përditshëm, duket qartazi, se pjesa dërmuese e atyre që kishin ngritur dorën nuk ishin delegatë!
Këtë ngjarje antikombëtare e ka pasqyruar gjerësisht gazeta “Rilindja”, ditë e premte, datë 24 mars 1989, me titullin: “U DHA PËLQIMI PËR NDRYSHIMET NË KUSHTETUTËN E SERBISË”!
Lexoni faksimilin e një Rilindjes:

Pasditen e 23 marsit, (pasi u aprovuan ndryshimet kushtetuese në Kushtetutën e Republikës së Serbisë nga Kuvendi i Kosovës) shpërthyen protesta të fuqishme e të pandalshme në gjithë Kosovën, deri më 28 mars 1989 kur në Beograd u finalizua miratimi i Kushtetutës së RS të Serbisë. Ndërsa në Beograd festohej dhe ngriheshin dollitë për “Serbia unike” dhe “Ditën e ribashkimit” të saj (për të cilat kontribut të veçantë dha edhe “eksperti” Isa Mustafa), rrugët e Kosovës ishin përgjakur nga armata dhe njësitë speciale të Serbisë. Vetëm gjatë një jave, (nga 23 – 28 mars 1989) në disa qytete e fshatra të Kosovës u vranë 22 shqiptarë dhe u plagosën rreth 300 të tjerë!!! (…)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura