Pashtriku.org, 11 maj 2015 – (Në 16 vjetorin e zhdukjes pa gjurmë të Ukshin Hotit) – Më 16 maj, bëhen 16 vjet që nuk dihet asgjë për vendndodhjen dhe rrethanat e zhdukjes së politikanit e filozofit të shquar UKSHIN HOTIT. Lidershipi politikë e institucional i Kosovës, për 16 vjet rresht nuk ka folur, ose rrallë herë ka folur për Ukshin Hotin! Më shumë ka heshtur, dhe kështu në heshtje e ka heshtur ndriçimin e fatit të këtij personaliteti EMBLEMATIK të KOMBIT tonë. Duke pasur parasysh këtë heshtje cinike, e për më tepër ‘harresën’ dhe indiferencën e pashembullt të institucioneve shtetërore, akademike dhe personaliteteve tjera publike, ndaj UKSHIN HOTIT, portali PASHTRIKU.ORG, (tashmë katër vite rresht) nga 11 – 16 maj 2015 organizon ‘JAVËN E UKSHIN HOTIT’ me moton ‘UKSHIN HOTI – NUK I PËRKET HARRESËS!’ Gjatë kësaj jave do të publikojmë – studime të Ukshin Hotit, shkrime, analiza e kujtime të studiuesve, bashkpunëtorëve e miqve, kushtuar këtij SOKRATI të pavdekshëm Shqiptar. Dhe kjo “JAVË…” le të shërbejë si THIRRJE dhe POROSI, për klasën politike e institucionale shqiptare dhe gjithë opinionin publik, se UKSHIN HOTI s’do t’i përkas kurrë HARRESËS! Ai ishte, është dhe do të mbetet i GJALLË në mesin e të gjallëvet, duke e sfiduar PËRJETËSISHT VDEKJEN!
KU ËSHTË UKSHIN HOTI?!…
Gjashtëmbëdhjetë vjet më parë, (më 16 maj 1999), Ukshin Hoti, derisa po vuante dënimin në Burgun e Dubravës, befasisht pranon vendimin nr.24/2241/05 të nënshkruar nga drejtori i burgut, Aleksandër Rakoçeviq, për “lirim me kusht” nga burgu (!!!), pas mbajtjes së dënimit prej pesë vjetësh, që ia kishte shqiptuar gjykata serbe në Prizren – në shtator të vitit 1994. Pas përfundimit të luftës, shokët e burgut që ishin ndarë për herë të fundit me Ukshin Hotin, kanë deklaruar se ishte ditë e diele (një ditë e pazakontë për t’u liruar nga burgu) kur baca Ukë (kështu e thërrisnin ata) rreth orës 10 – 11 të paradites, i shoqëruar nga tre punëtorë të sigurimit serb, është nxjerrë nga ambientet e brendshme të burgut të Dubravës. Dhe, pas këtij momenti, sot e atë ditë, nuk dihet asgjë për fatin e këtij intelektuali, politologu e atdhetari të shquar.
KU ËSHTË UKSHIN HOTI? A ËSHTË GJALLË APO I VDEKUR UKSHIN HOTI? – pyesin tashmë 16 vjet shqiptarët! Dhe për çudi, askush s’ka dhënë një përgjigje të sakt për fatin dhe vendndodhjen tij, ndërkohë që për këtë rast janë thurur parreshtur spekulime, madje ka pasur edhe prononcime publike se, Ukshin Hoti është gjallë, dhe se po mbahet në burg shtëpiak, për ‘kusuritje politike’ etj.
HESHTJA DHE INDIFERENCA NDAJ UKSHIN HOTIT ËSHTË KRIMINALE!
Pas përfundimit të luftës, familja e Ukshin Hotit, veçanërisht motra e tij – MYRVETJA, ka trokitur në të gjitha dyert e partive politike dhe të institucioneve të Kosovës dhe të Shqipërisë, dhe ka kërkuar zëshëm ndriçimin e fatit të Ukshin Hotit. Politikanët tanë – motrës Myrvete, i kanë premtuar se, çështjen e Ukshinit do ta ngrisin në çdo takim zyrtar me faktorët e huaj, për ta detyruar Serbinë që të zbardhë fatin tij. Por, fatkeqësisht, deri më sot asnjë premtim i dhënë, nuk është mbajtur, çka do të thotë se ata kanë GËNJYER, dhe për më tepër kanë luajtur me ndjenjat e familjes së madhe HOTI.
***
Pas 16 vjetësh për herë të parë Kuvendi i Republikës së Kosovës, (më 8 maj 2015) në kuadër të rekomandimeve për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur ka pranuar kërkesën e peticionit (me 13 mijë nënshkrime) të mbledhur nga një grup qytetarësh të Rahovecit, për zardhjen e fatit të Ukshin Hotit! Dhe kjo kërkesë me rekomandime, ashtu si shumë kërkesa tjera të ndjeshme të qytetarëve tanë, mund të përfundojnë në arkivin e Kuvendit!
Për 16 vjet rresht, kjo klasë politike (pozitë e opozitë bashkë), me këtë heshtje mbytëse dhe cinike për një personalitet KOMBËTAR si Ukshin Hoti, shpërfaq gjithanshëm indiferentizmin histerik të tyre.
Në të vërtetë Lëvizja Vetëvendosje dhe lideri i saj, Albin Kurti, kanë folur për Ukshin Hotin, madje edhe e kanë vizituar familjen dhe shtëpinë Muze të Ukshin Hotit në Krushë të Madhe, por nuk duket se kanë bërë veprime konkrete institucionale apo edhe jashtë institucioneve, që ta ngrisin këtë çështje në ato përmasa për zbardhjen e fatit të tij.
Për fat të keq, edhe Adem Demaçi dhe akademik Rexhep Qosja (si dy personalitete publike), gjatë këtyre viteve nuk kanë qenë aq të zëshëm, që të ndikojnë tek instancat shtetërore apo edhe të bëjnë trysni tek faktori ndërkombëtar, për zbardhjen e fatit të Ukshin Hotit!
Për fatin e Ukshin Hotit s’e kanë ngritur zërin sa duhet, as institucionet akademike e shkencore etj., siç janë:
– Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës,
– Instituti Albanologjik,
– Instituti i Historisë,
– Shoqata e të Burgosurve Politik,
– Shoqata e Veteranëve të Luftës së UҪK-së,
– Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut,
– Avokati i Popullit, si dhe shumë organizata tjera Jo-qeveritare…
– Madje për Ukshin Hotin, fatkeqësisht ka heshtur pjesa më e madhe e mediave të shkruar dhe elektronike shqiptare, në vend se të sensibilizonin këtë çështje – për çdo ditë, deri në zbardhjen e fatit të tij!
***
Në qershor të vitit 1999 intelektuali ynë i shquar Dr.Moikom Zeqo, në një APEL drejtuar opinionit publik, jo rastësisht ka theksuar, se: “Indiferenca (për Ukshin Hotin) është kriminale. Indiferenca nuk është gjë tjetër veçse pajtim me torturuesit dhe ndoshta me vrasësit e tij. Ukshin Hoti nuk i përket harresës. Ai është në vetë thelbin e kujtesës së kombit. Ukshin Hoti nuk mund të vdesë dhe në të vërtetë nuk ka për të vdekur kurrë. Qenia e tij intelektuale është e pashlyeshme dhe është prezent kudo. Kosova dhe kombi shqiptar kanë nevojë urgjente për mendimin e Ukshin Hotit. Ukshin Hoti sakrifikoi gjithçka dhe askush nuk ka të drejtë të jetë mosmirënjohës, të mos ketë respekt apo të mos përkulet me nderim përpara figurës së tij. Kjo indiferencë, heshtje apo mosmirënjohje e tyre ndaj Ukshin Hotit, gjithësesi i bën të papërgjegjshëm politiksht”.
PËRGJEGJËSIA!!!
Prandaj përgjegjësia politike, historike e kombëtare, nga Konferenca e Rambujesë (shkurt 1999) e deri më sot, për mos zbardhjen e fatit të Ukshin Hotit, natyrshëm bie:
1. mbi Ibrahim Rugovën, si Kryetar i LDK’së dhe Kryetar i Kosovës;
2. mbi Hashim Thaçin, si shef i Drejtorisë Politike të UҪK’së, shef i Delegacionit të Kosovës në Rambuje, kryetar i PDK’së, si ish’Kryeministër i Kosovës dhe aktualisht zëvendëskryeministër dhe ministër i jashtëm;
3. mbi Isa Mustafën, si kryetar i LDK’së dhe kryeministër i Qeverisë së Kosovës;
3. mbi Fatmir Sejdiun, si Kryetar i LDK’së dhe Kryetar i Kosovës;
4. mbi Atifete Jahjagën, si Kryetare e Kosovës;
5. mbi Bajram Rexhepin, si Kryeministër i parë i pasluftës në Kosovë dhe si Ministër i Brendshëm në qeverinë Thaçi’2;
6. mbi Nexhat Dacin, si Kryetar i Kuvendit të Kosovës dhe kryetar i LDD’së;
7. mbi Jakup Krasniqin, si zëdhënës i UÇK’së, dhe Kryetar i Kuvendit të Kosovës;
8. mbi Agim Ҫekun, si komandant i TMK’së, një kohë kryeministër dhe ministër i FSK’së;
9. mbi Kadri Veselin, si shef i Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK), tani kryetar i Kuvendit të Kosovës;
10. mbi Ramush Haradinajn, si kryetar i AAK’së;
11. mbi Fatmir Limajn, si ministër në qeverinë Thaçi’1 dhe tani kryetar i Nismës për Kosovën,
12. mbi të gjithë liderët kryesor politik e institucional, në Shqipëri dhe në Maqedoni!
13. mbi Adem Demaçin dhe ak.Rexhep Qosjen, si dy personalitete kombëtare;
14. dhe mbi të gjitha institucionet akademike – shkencore, mediatike dhe organizmat tjerë me ndikim në shoqërinë tonë!