Pashtriku, 12 Korrik 2019: Kompleksi Monumental i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit paraqet njërën nga periudhat më të ndritshme të historisë sonë Kombëtare, atë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878 – 1881). Kompleksi i Lidhjes shtrihet në pikën më delikate të hapësirës urbane të qytetit, i rrethuar nga Lumbardhi, Kompleksi i Marashit dhe shtëpitë e Kalasë së Prizrenit. Përveç që ka vlerave të shumta të arkitekturës sonë, Kompleksi ka një rëndësi të madhe historike, pasi që në Medresenë dhe Xhaminë e Mehmed Pashës u mbajt Kuvendi Themelues i LSHP, më 10 qershor 1878.
Për këtë arsye ky Kompleks, më 26. 02. 1968 është vënë, nën mbrojtje të shtetit me vendimin nr. 260 të Entit për Mbrojtjen e Përmendoreve Historike dhe Rariteteve Natyrore të Prizrenit. (Enti për Mbrojtjen e Përmendoreve Kulturore të Komunës së Prizrenit, është themeluar me vendimin e Kuvendit të Komunës së Prizrenit, nr. 01/4434/67, të dt. 19.4.1967).
Më 10 qershor 1968, në selinë e Rezidencës së Qeveritare të LSHP-së u hap Muzeu i LSHP-së,
Aty gjendet Sektori Historik me tematikë historike te Lidhjes, ku prezentohen dokumentet e shkruara, armë të vjetra dhe pamje të figurave historike e politike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Ndërsa me rastin e shënimit të 100 vjetorit të LSHP-së në vitin 1978, Muzeu në ndërtesën e Medresesë (të Bajrakli Xhamisë) u pasurua edhe me:
– Sektorin e Etnologjisë,
– Sektorin e Arteve Figurative dhe
– Bibliotekën e specializuar për LSHP-në.
Ne katin përdhesë të medresesë gjendet Sektori Etnografik, me veshje karakteristike nga trojet e banuara nga shqiptarët, dhe në katin e parë gjendet Galeria e Arteve me piktura – me tematikë kushtuar personaliteteve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
***
Pak histori:
ROLI HISTORIK I LIDHJES SHQIPTARE TË PRIZRENIT (1878 – 1881)
Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte lëvizja e parë shqiptare e organizuar në mënyrë:
– administrative,
– politike dhe
– ushtarake që prej kohës së Skënderbeut, në të cilën morën pjesë të gjitha krahinat e Shqipërisë dhe në të cilën u kombinuan të gjitha format e luftës çlirimtare, që nga kuvendet popullore deri te parashtresat politike, që nga misionet diplomatike deri te kryengritjet e armatosura.
Ajo ishte e para lëvizje masive, e cila synoi të përmbushte programin madhor të Rilindjes Kombëtare Shqiptare në kushtet e Krizës Lindore të viteve 70 të shek. XIX – njohjen e kombit shqiptar si një bashkësi të pandarë, mbrojtjen e tërësisë territoriale, në katër vilajetet shqiptare atë të Kosoves, Shkodrës, Manastirit dhe Janinës dhe formimin e shtetit shqiptar autonom.
***
Lidhja Shqiptare e Prizrenit si organizatë, shenonte një hap të madh nga pikëpamja e funksioneve politike, e shtrirjes territoriale dhe e mjeteve të luftës në krahasim me besëlidhjet e mëparshme. Ajo ishte e para organizatë kombëtare që krijoi degë të saj në të gjitha krahinat shqiptare dhe e para organizatë atdhetare që përdori për interesat e lartë të vendit krahas pushkës edhe penën. Për më tepër, Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte e para organizatë, e cila jo vetëm u vesh qysh në fillim me funksione pushtetore, por arriti në fund të fitonte atributet e një qeverie të përkohshme shqiptare, pothuajse krejtësisht të pavarur nga autoriteti i Perandorisë Osmane.
***
Lidhja Shqiptare e Prizrenit për herë të parë sfidoi prepotencën e Fuqive të Mëdha, agresivitetin e monarkive fqinje dhe arrogancën e Portës së Lartë.
Nën udhëheqjen e atdhetarëve më të përparuar, si:
– Abdyl Frashëri,
– Ymer Prizreni,
– Sulejman Vokshi,
– Shuaip Spahiu,
– Ahmet Koronica,
– Zija Prishtina,
– Mustafa pashë Vlora,
– Ali pashë Gucia,
– sheh Mustafa Tetova,
– Iljaz pashë Dibra (Qoku) etj.,
LSHP mundi t’i nënshtronte armiqtë e brendshëm, t’i izolonte bashkudhëtarët e përkohshëm dhe të merrte karakterin e një fronti të gjerë, duke e udhëhequr Lëvizjen Kombëtare Shqiptare në mënyrë të shkallëzuar, por gjithnjë në ngritje, derisa arriti në veprën e saj më kulmore, në formimin e qeverisë së përkohshme shqiptare.
***
Një nga fjalimet që u mbajt mend në LSHP ishte ai i Abdyl Frashërit: “Qëllimi i Kuvendit është që t’ua presim hovin armiqve të pashpirt, duke lidhur besën shqiptare dhe duke u betuar që t’i mbrojmë me gjak trojet që na kanë lënë gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë”.
Dy aktet e para që mori Lidhja e Prizrenit ishin një peticion nisur Kongresit të Berlinit dhe një tjetër perandorisë osmane. Aty bënin të qartë se Shqipëria nuk mund të jepte asnjë pëllëmbë tokë nga viset e saj, të shoqëruara me dhjetëra firma nga atdhetarët pjesëmarrës.
***
Lidhja e Prizrenit u shtyp pasi erdhi deri në pragun e sendërtimit të programit të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Materialisht ajo u shtyp nga ushtria e Perandorisë Osmane. Në të vërtetë ajo u mbyt edhe nga konspiracioni ndërkombëtar që organizuan kundër saj Fuqitë e Mëdha. Por edhe pse u shtyp, ajo pati një varg arritjesh me rëndësi të madhe historike.
***
Gjatë viteve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878-1881) u bënë hapa më të mëdhenj sesa gjatë dhjetëvjeçarëve të kaluar në procesin e bashkimit të shqiptarëve, pavarësisht nga dallimet fetare, përkatësia shoqërore, shpërndarja krahinore dhe pikëpamjet politike, në një bashkësi të vetme kombëtare, e cila, për më tepër, u sanksionua edhe në llogoret e luftës së udhëhequr prej saj për të mbrojtur tërësinë tokësore dhe për të formuar shtetin kombëtar shqiptar.
***
Lidhja Shqiptare e Prizrenit i dha një shtytje të paparë deri atëherë edhe lëvizjes kulturore shqiptare. Përparimet e arritura brenda tre vjetëve të jetës së saj në fushën e mendimit shoqëror, të letërsisë publicistike dhe të krijimtarisë letrare ishin më të mëdha, sesa hapat e kryer gjatë dhjetëvjeçarëve të mëparshëm.
***
Lidhja e Prizrenit krijoi më në fund një pikë të shëndoshë referimi si me programin e saj politik, ashtu edhe me formën e saj organizative për lëvizjet e mëvonshme çlirimtare të shqiptarëve deri në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë – në 28 nëntor 1912…
Postime të Lidhura
DR.MOIKOM ZEQO: POST SCRIPTUM PËR LASGUSH PORADECIN (KOHA POETIKE E LIRIKUT TË MADH)
Tiranë, 12 nëntor 2017: Në përgjithësi ka një lloj dialektike: në cakun kur analiza arrin të ketë një…
DELVINA KËRLUKU: GJYSHJA – LIBRI IM I HISTORISË
Dibër, 01. 07. 2015 – Siç rrëfente gjyshja ime, e ajo dinte të rrëfejë aq mirë, sa që…
HAZIR MEHMETI: LIDHJA E KRIJUESEVE SHQIPTARË NË MËRGATË – AKADEMI KUSHTUAR MARTIN CAMAJT – NË GJERMANI
Vjenë, 09. 12. 2015: – Koblez, 21 nëntor 2015 – Martin Camaj: “Ndonëse të ndarë më shumë se…
GANI SYLAJ: LIBRI NUK KA NGJYRË TË KUQE, POR SHKRIMET QË KA BRENDA U LANË ME GJAKUN E DËSHMORËVE
Pashtriku.org, 02. 02. 2015 -(Fjalë në promovim të librit “Nga Grupi Revolucionar te Fronti i Republikës”) – Të…