VERA ISTREFAJ: PIKËLLIMI I PIKËLLIMËS!

Kukës, 11 korrik 2018:

 

 

 

 

Pikëllimi i Pikëllimës
Rrëmbimit të Lumës hapat e jetës tënde Havzi Nela.
Gremisjeve ia dole karshi Gjalicës për të sjellë vrullin e lirisë.
Pashtriku kundron me krenari për Ty.
Pikëllima ka mbetur në pikëllim për Ty.
Nuk po gjen qetësi.
Kush u var Havzi, fjala apo Ti?
Fjala jotë mbetet në lulëzim, e ti Havzi ende frymëzim
Grykës së Vanave vjen fllad bjeshkor për të freskuar shumë koka të nxehta, shumë çështje të tilla.
Ende në rendje janë njerëzit të flasin për Ty, të shkruajnë për Ty, të përfitojnë nga Ti.
A nuk është gjallimi ky? Ti je i gjallë Havzi!
Aty në vendin e varjes tënde, ka mbetur në lëkundje sot e asaj dite integriteti i vrasësve, i të heshturve.
Po aty ka mbetur edhe krenaria për qëndresën tënde. Madje, ka mbetur në mendje e në sy të minatorëve të minierës së Gjegjanit dhe punëtorëve të ish-uzinës në Rexhepaj.
Ende e kam të gjallë fytyrën e babait tim të ndjerë kur u kthye nga turni i tretë i punës. Ishte bërë fytyrë e mermertë. Biseda pëshpëritëse që pati me nënën time ende më ushton në vesh.
– Mos i lër fëmijët të shkojnë andej sot. Mbaji nën kujdes! Kanë varur Havzi Nelën, kushëririn e Bajramit që kemi këtu në kat të parë!
Fundi i kësaj bisede u shoqërua me sytë e shqyer të nënës time dhe kërcëllitjen e dhëmbëve të babait. Kaq, vetëm kaq!
Unë nuk të njihja atëherë Havzi. Nuk kisha lexuar asgjë nga Ti, por kisha një respekt maksimal për kushëririn tënd artist, i cili në raste të veçanta të komshinjve, i binte fizarmonikës aq bukur!
Një ditë tjetër, tek ndihmoja nënën time në palosjen e letrave (i mblidhnim ne fëmijët për t’i shitur), e dëgjova tek i thoshte babait:
– Kam parë Lavdien, gruan e Havzi Nelës! Ishte sosur!
Asgjë tjetër nuk mbaj mend nga ato vite deri në vitin 1991, kur rastësisht, në bibliotekën e qytetit dëgjoj dy burra tek bisedonin:
– Do të takoj nipin e Havzi Nelës. Kam shpresë të gjej ndonjë shkrim të tij.
Ende sot e kësaj dite nuk e di cilët ishin këta dy njerëz, ama e kam ndër sy imazhin e njërit me syze, plot rrudha mbi balle, këmishën e kaltër të tij dhe tonin plot respekt për figurën e Havzi Nelës.
Më pas, filluan bisedat e zakonshme nëpër qytet, ku mbizotëronte misteri, kurioziteti për veprimtarinë e Havzi Nelës. Në qarqe letrare e politike përdorej shpesh Havzi Nela.
Një ditë, krejt rastësisht, në vitin 1996 kur punoja në Kukës në Televizion, vjen një zonjë dhe me prezantohet:
– Jam gruaja e Havzi Nelës!
Një atmosferë e pazakontë më përfshiu. Kurioziteti, respekti, interesimi më erdhën kaq natyrshëm.
U ulëm në një kënd e po dëgjoja historikun e saj, aq sa u hutova dhe gati-gati harrova punën për të cilën isha aty.
Dhimbja jote, Havzi Nela, ishte e gjallë, e kishte Lavdija ndër sy!
Më pas lexova shumë artikuj apo shkrime të ndryshme për Ty. Madje dolën edhe libra, por ishin “gjëra” shumë të vogla krahasuar me Ty!
E unë mbeta gjithmonë “e etur” për të lexuar rreth teje.
Kohët e fundit u ngrit busti Yt. Isha në ceremoni dhe kuptova se jo vetëm unë isha kaq e vogël para teje, por gjithkush që ishte aty.
Ishim të vegjël para bustit tënd, edhe me të vegjël para veprimeve të tua.
Prezencës së figurave të shquara u shtohej prarimi i rrezeve të diellit atë ditë, por asgjë nuk ndrinte sa ti.
Ti dritoje nëpër terr Havzi! Dikur dritoje territ të qelive, sot territ të “rendjes për të të përvetësuar”.
Por ti mbetesh i yni, biri i Lumës.
Mbetesh i gjallë, sepse në litar nuk u var as fjala, as Ti!
Je ende kalvarit të vuajtjeve “për të dalë në dritë”.
E Pikëllimi, ka mbetur në pikëllime për Ty!
Vera Istrefaj, Kukës – 10 korrik 2018

Havzi Nela me nxënësit e tij në Shishtavec – Kukës (1969)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura