SHERADIN BERISHA: KOSOVA MIDIS ÇLIRIMIT NGA TURQIA DHE PUSHTIMIT NGA SËRBIA, JANAR – 5 NËNTOR 1912 (I)

(Pashtriku.org, 20. 11. 2012) – Më 5 maj 1912 Hasan Prishtina nga Shkupi shkoi në Drenicë dhe në kullën e Ahmet Delisë në Prekaz mbajti një tubim me gjithë parinë e Drenicës. Në një letër të drejtuar krerëve të Kosovës Hasan Prishtina do të shkruaj: ”Tue u bind se politika Jeni turke po vijon mizorisht në Shqipni, ashtu si pata deklarue në parlament (në parlamentin turk – Sh.B), po e ngrehi sot flamurin e kryengritjes kundra sundimit të Turkisë”. (Një shkurtim kujtimesh mbi kryengritjen shqiptare të vitit 1912 – Hasan Prishtina).
Lëvizja xhonturke dhe ideja për Autonominë e Shqipërisë
Shekulli i XIX për popullin shqiptar, ashtu si për të gjithë popujt e tjerë të Ballkanit, shënoi një epokë të re në historinë e tij, atë të Rilindjes Kombëtare. Gjatë këtij shekulli u organizuan lëvizje të shumta kombëtare të cilat pashmangshëm çuan në çlirimin e popujve nga sundimi i Perandorisë Osmane dhe në krijimin e shteteve të pavarura. Në fund të shekullit XIX, në Stamboll lindi lëvizja nacional – borgjeze e turqve të rinj që veten e quanin xhonturq. Kjo lëvizje vepronte përmes Komitetit të fshehtë “Bashkim e Përparim” (Ittihad ve Terakki) dhe drejtohej kundër pushtetit absolutist të sulltan Abdyl Hamitit II. Në këto zhvillime, lëvizja kombëtare shqiptare, për të krijuar kushte të favorshme në luftën për autonominë e Shqipërisë dhe për të larguar rrezikun e copëtimit të tokave shqiptare, u bashkua me lëvizjen e turqve të rinj. Në pranverën e verën e vitit 1908 në shumë qytete të Shqipërisë, si në Ohër, Prespë, Strugë, Manastir, Shkup, Gjirokastër, Shkodër, Prizren, Ferizaj, Mitrovicë etj, krahas komiteteve kombëtare ”Për lirinë e Shqipërisë” u formuan edhe komitetet xhonturke ”Bashkim e Përparim”.1
Zgjerimi i veprimtarisë së komiteteve xhonturke në Shqipëri e në Maqedoni u dha mundësi turqve të rinj të fillonin kryengritjen. Në rrethanat kur administrata Osmane në Rumeli (ku përfshiheshin edhe katër vilajetet shqiptare) ishte shthurur dhe zotër të situatës ishin bërë xhonturqit, si edhe përballë rrezikut të një sulmi të ushtrisë kryengritëse kundër Stambollit, Sulltan Abdyl Hamiti II u detyrua të pranonte, natën e 23/24 korrikut, shpalljen e kushtetutës së vitit 1876 dhe rivendosjen e rendit kushtetues. 2 Shpallja e Kushtetutës së Hyrietit (lirisë) u prit me gëzim e entuziazëm edhe nga populli shqiptar, i cili vuante prej shekujsh nën sundimin e autokracisë së sulltanëve. Mirëpo ky entuziazëm nuk zgjati shumë. Qysh në zgjedhjet e para për parlamentin turk, që i shpallën xhonturqit me 15 shtator 1908, sipas ligjit elektoral nuk njiheshin popujt joturk dhe të gjithë banorët e Perandorisë u shpallën ”osmanlinj”. 3

Ismail Qemali, Qazim bej Vlora dhe Hasan Prishtina (Stamboll, në vitin 1910)

…………………………………………..

Meqenëse revolucioni xhonturk nuk solli lirinë e premtuar për shqiptarët dhe popujt tjerë të shtypur, përkundrazi forcoi Perandorinë Osmane, duke e centralizuar edhe më shumë pushtetin qëndror, lëvizja kombëtare në krye me Ismail Qemalin, Hasan Prishtinën, Luigj Gurakuqin, Bajram Currin, Dervish Himën, Çerçiz Topullin etj, gjatë viteve 1909 – 1911 organizuan kryengritje të armatosur gjithandej viseve etnike shqiptare, të cilat u shtypën me gjak nga ekspeditat ushtarake xhonturke. Për t´i joshur krerët shqiptar, sulltani ju ofronte edhe pozita të larta ministrore. Kështu, në vitin 1909, Ismail Qemali refuzoi dy herë rresht postin e Ministrit të Drejtësisë dhe më pas atë të Ministrit të Brendshëm të Perandorisë* dhe në një takim të drejtpërdrejt që pati ai me Sulltanin ia komunikoi qëllimin për: Shpalljen e Autonomisë së Shqipërisë nga Perandoria Osmane dhe emërimin e një shqiptari në krye të shtetit të ri që pritej të lindte. Këtë ide dy vjet me vonë (1911), Ismail Qemali nuk hezitoi t’ia përsëriste edhe Vezirit Qamil Pasha, por Veziri ndonëse nuk ishte plotësisht në dijeni të zhvillimeve që priteshin të ndodhnin në viset shqiptare, këmbënguli që Shqipëria të mbetej pjesë e Perandorisë. 4 Fillimi i luftës italo-turke (në fund të shtatorit 1911) krijoi kushte të favorshme për vazhdimin e kryengritjes shqiptare.
Kryengritja e përgjithshme shqiptare e vitit 1912
Nisma për organizimin e kësaj kryengritjeje të përgjithshme u morë pas këshillimeve që u zhvilluan ndërmjet Ismail Qemalit dhe Hasan Prishtinës, të cilët më 12 janar 1912 thirrën në Pera Palace (Stamboll) një takim me disa personalitete shqiptare si: Myfid bej Libohovën, Aziz pashë Vrionin, Sylejman bej Vlorën dhe Esat pashë Toptanin. 5 Të pranishmit u morën vesh dhe thirrën një mbledhje më të zgjeruar në shtëpinë e Syrja bej Vlorës, në lagjen ”Taksim” të Stambollit. Në këtë mbledhje përveç të lartëpërmendurve morën pjesë edhe Bedri Pejani si procesmbajtës, Mustafë Asim Kruja dhe dy – tre të tjerë, që asokohe punonin në Stamboll.6 Mbledhja e Taksimit nxori vendimin se shqiptarët, për të siguruar të drejtat kombëtare e politike, nuk u kishte mbetur rrugë tjetër përveç organizimit të një kryengritjeje të përgjithshme. Aty u vendos që kryengritja të fillonte në Kosovë dhe pastaj të përhapet në krahinat tjera të Shqipërisë. Hasan Prishtina u ngarkua nga mbledhja, që të organizonte kryengritjen fillimisht në Kosovë, E.Toptani u zotua se do të ngrihte në kryengritje Shqipërinë e mesme dhe Mirëditën, ndërsa S.Vlora, M.Libohova dhe A.Vrioni, Shqipërinë e jugut. Ndërkaq Ismail Qemali u caktua të siguronte armë dhe përkrahjen diplomatike nga shtetet evropiane. 7
Njëkohësisht me përgatitjen e kryengritjes shqiptare filloi edhe fushata e zgjedhjeve parlamentare në Turqi, sepse xhonturqit e shpërndanë parlamentin, më 18 janar 1912, për shkak të opozitës së fortë që ishte krijuar në të. Masat e marra nga xhonturqit dhe zgjedhjet e fituara me manipulim e acaruan edhe më shumë gjendjen në Shqipëri. Të shtyrë nga gjendja e rëndë në Shqipëri, autoritetet xhonturke do të dërgonin në viset shqiptare një komision qeveritar, të kryesuar nga ministri i Brendshëm Haxhi Adil beu, kinse për të përgaditur reforma administrative, por detyra e tij kryesore ishte t´i bindë shqiptarët që të heqin dorë nga lëvizja kryengritëse. Ky komision në Kosovë nuk u mirëpritë dhe më 7 mars derisa karvani i ministrit turk, po kalonte në rrugën Pejë-Gjakovë i shoqëruar nga dy batalione, në afërsi të fshatit Strellc u sulmua nga forcat kryengritëse shqiptare. Edhe forcat e shumta që u dërguan në drejtim të Prizrenit për t´i hapur rrugën komisionit, u sulmuan fuqishëm nga kryengritësit dhe vetëm me përdorimin e artilerisë së rëndë, pas tri ditë luftimesh,arritën të hapin rrugën deri në Prizren. Po ashtu sulme të fuqishme kundër misionarit turk, u kryen edhe në Lumë, gjatë udhëtimit të tij nga Prizreni në Shkodër. Sulmet e forcave kryengritëse kundër ushtrisë osmane, vazhduan gjatë krejt rrugëtimit të Haxhi Adil beut, në Shqipërinë e Mesme e të Jugut, deri në Manastir e Janinë.8 Situata e acaruar edhe më shumë pas vizitës së ministrit turk, bëri që udhëheqësit shqiptarë t´i bashkërendojnë veprimet për zgjerimin e kryengritjes dhe për këtë qëllim u mbajtën shumë takime të krerëve shqiptar.
Më 5 maj 1912 Hasan Prishtina nga Shkupi shkoi në Drenicë dhe në kullën e Ahmet Delisë në Prekaz mbajti një tubim me gjithë parinë e Drenicës. Në një letër të drejtuar krerëve të Kosovës Hasan Prishtina do të shkruaj: ”Tue u bind se politika Jeni turke po vijon mizorisht në Shqipni, ashtu si pata deklarue në parlament (në parlamentin turk – Sh.B), po e ngrehi sot flamurin e kryengritjes kundra sundimit të Turkisë”. (Një shkurtim kujtimesh mbi kryengritjen shqiptare të vitit 1912 – H.Prishtina) Tubime të besë-lidhjes ato ditë u mbajtën edhe në rrethet e Llapushës (Përkorubës), të Podgurit, të Rekës së Gjakovës, të Rekës së Allagjes, Pozharit etj. Në të gjitha kuvendet e besëlidhjes u bë betimi për luftë mbi bazë të tekstit të betimit të hartuar nga vet Hasan Prishtina: ”Bajmë be e japim besën e burravet, se kemi me ba çfarëdo flije e në kjoftë nevoja kemi me ba kurban me duer t´ona robët e femit t´anë”.9
Në këto kuvende u lidhë besa për të bashkëvepruar në kryengritjen e përgjithshme që kishte nisur kundër Turqisë. Udhëheqësit e kryengritjes në Malësi të Gjakovës si: Bajram Curri, Zefi i Vogël, Ali Binaku, Qerim Binaku, Bajram Mani, Zog Abdyli, Miftar Syla etj, ndonëse qysh në prill 1912 ishin përballur me forcat turke në malësi, pas një organizimi të mirëfillt, më 11 maj i sulmuan këto forca edhe në Gjakovë. Qysh në prill 1912 edhe lumjanët të udhëhequr nga Ramadan Zaskoci e Islam Spahiu kryen një aksion, duke vrarë kryetarin e Klubit Xhonturk, dhe liruan të gjithë të burgosurit në Prizren, ndërsa në Has u spraps një ekspeditë ushtarake e ardhur nga Gjakova.10 Më 10-11 maj kryengritja shpërtheu edhe në rrethinat e Pejës, ndërsa me 17-19 maj ajo u zgjerua në Drenicë, Mitrovicë, Llap, Prishtinë e Gjilanë nën udhëheqjen e Hasan Prishtinës, Isa Boletinit, Sadik Rama-Gjurgjevikut, Ahmet Delisë, Zejnullah Vuçiternës, Xhemail Prishtinës, Idriz Seferit etj.
Zgjerimi i kryengritjes shqiptare në Kosovë e gjithandej Shqipërisë, shtroi si detyrë të ngutshme bashkimin e të gjitha forcave shqiptare rreth një programi politik kombëtar. Për këtë qëllim me nismën e Hasan Prishtinës, nga 21 deri më 25 maj 1912 në Junik u mbajt një Kuvend i madh, ku u mblodhën 250 përfaqësues nga të gjitha krahinat e Kosovës, nga krahina e Lumës 11 si dhe përfaqësues nga sanxhaku i Dibrës, i Shkodrës, i Elbasanit dhe nga krahinat e jugut. Në kuvend morën pjesë mjaftë elementë turkomanë, që mbronin interesat e xhonturqëve, si dhe përkrahës të partisë turke ”Hyriet ve Itilaf” (Liri e Marrëveshje) e që quheshin itilafistë, të cilët ishin kundërshtarë të programit të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare për autonominë e Shqipërisë.
Megjithë kundërshtimet e turkomanëve, Hasan Prishtina i përkrahur nga Bajram Curri e shumë të tjerë, përcaktoi masat organizative dhe hartoi një program politik të kryengritjes, i cili u miratua nga Kuvendi (krahu patriotik) dhe pastaj iu dorëzua qeverisë së Stambollit. Programi përmbante 6 pika, të cilat ishin të njejta me kërkesat e Gërçës të 23 qershorit të vitit 1911.
Kërkesat ishin, që:
1. T´i ipet Shqipërisë autonomi.
2. Në tërë shqipërinë të ngrihet flamuri i Shqipërisë.
3. Gjeneral guvernatori i Shqipërisë të zgjidhet nga stërnipërit e pronësorëve / princërve /shqiptarë.
4. Nënpunësit, të cilët nuk janë shqiptarë të nxiren nga buka/nga puna/dhe të këmbehen me shqiptarë.
5. Gjuha zyrtare të jetë shqipja me shkrimin kombiar.
6. Mbarimi i këtyre kërkimeve të sigurohet prej Fuqive të Mëdha.12

Vendimet e Kuvendit të Junikut i dhanë një shtytje të mëtejshme kryengritjes së përgjithshme shqiptare. Këto vendime u përkrahën edhe nga kuvendet dhe komitetet e viseve tjera të Shqipërisë. Pas Kuvendit të Junikut qeveria turke mori masa të reja ushtarake për të penguar shtrirjen e mëtejshme të kryengritjes. Ajo në Kosovë angazhoi forca të shumta ushtarake në krye me Fadil Pashën. Në Ferizaj solli tri regjimente të Divizionit I të Stambollit; në Mitrovicë një regjiment të plotë, një batalion pushkatarësh dhe dy bateri artilerie; në Prishtinë një regjiment kalorësie dhe një bateri artilerie; në Prizren një regjiment kalorësie dhe në Pejë një regjiment tjetër këmbësorie. Në Gjakovë kishte një regjiment këmbësorie, një regjiment artilerie fushore dhe një batalion pushkatarësh; në pazar të Ri, në Senicë, në Beranë e në Guci kishte nga dy batalione dhe në Plavë një regjiment nizamësh e një kompani mitralozësh… Në fundin e majit 1912 kryengritësit shqiptar filluan veprimet e organizuara luftarake kundër trupave ushtarake turke.
Sipas planit luftarak të Kuvendit të Junikut u vendos të hapeshin katër fronte kryesore kundër forcave turke.
1. Grupi i Rrafshit të Dukagjinit përfshinte kryengritësit e Plavës, Gucisë, Rugovës, Tropojës, Pejës, Gjakovës, Rahovecit dhe kryesohej nga Hasan Prishtina, Bajram Curri, Hasan Ferri i Plavës, Bajram Daklani, Zefi i Vogël etj.
2. Grupi Drenicë -Vuçitern, udhëhiqet nga atdhetari Ahmet Prekazi, Xhemal Berisha, Zejtullah Vuçiterni etj.
3. Grupi verilindor i Kosovës kryesohej nga Isa Boletini dhe patriotët, si: Xhemal Prishtina, Beqir Vuçiterni, Nazmi Gafurri, Tahir Uka, Salih Emini, Shahin Prapashtica, i Llapit etj.
4. Dhe grupi i katërt i kryengritësve, kryesohej nga: Idriz Seferi, Hasan Hysen Budakova, Islam Spahiu i Lumës, Ramë Pira, Islam Pira, Tahir Berisha, Sefë Reçica, Isuf Mirashi, Ive Marku, Ismail Bishku, nga Kamenica, Durrajt e Kaçanikut, Mehmet derralla e tjerë.13

Udhëheqësi i Kryengritjes së përgjithshme, Hasan Prishtina me 7 qershor 1912 edhe një herë do t´i drejtohet me një thirrje, të gjithë shqiptarëve atdhedashës dhe botës së qytetëruar, në të cilën theksonte, se: ”Sot Shqipëria Veriore dhe Jugore i kanë rrokur armët, që me anë të kryengritjes t´i fitojnë të drejtat e natyrshme dhe të siguruara me ligjë, të cilat iu janë mohuar. Ajo dëshiron dhe pret ndihmën nga të të gjithë bashkëatdhetarët dhe nga bota e kulturuar. Atdheu pret prej nesh bashkimin. Janë afruar çastet kur do të vendoset fati i Shqipërisë: vdekja ose liria e saj”.14

Hasan Prishtina ( 1873 – 1933 )

……………………………………………

Në qershor – gusht 1912 shtypi bullgar njoftonte gjerësisht për zhvillimet e ngjarjeve dhe masovizimin e kryengritjes në Kosovë… Ato shkruanin se ”si rezultat i masovizimit të Kryengritjes së Përgjithshme Shqiptare, ato ditë kishte filluar dezertimi i ushtarëve, oficerëve, xhandarëve dhe nënpunësve të mesëm e të lartë shqiptar të cilët u bashkuan me forcat kryengritëse. Me kryengritësit kishin filluar të bashkohen edhe bejlerët dhe agallarët shqiptar. “15
Në qershor-korrik 1912 kryengritja shqiptare u shtri në tërë Kosovën deri në Lumë e në Tetovë. Luftime të ashpra më 9 korrik pati sidomos në Qafën e Prushit(në jugperëndim të Gjakovës), ku malësorët kryengritës të Krasniqes, Gashit, Hasit dhe Bytyqit, të udhëhequr nga Bajram Curri, sulmuan dhe shpartalluan 4 batalione turke që ishin përqëndruar aty. Pas luftimeve të vazhdueshme, më 17 korrik kryengritësit hynë në Gjakovë pa bërë rezistencë forcat armike. Në fund të qershorit kryengritësit shqiptar, të udhëhequr nga Hasan Prishtina, Sadik Rama – Gjurgjeviku, Isa Boletini, Ahmet Delia-Prekazi, Zejnullah Vuçiterna, Xhemail Prishtina etj, u hodhën në sulm në zonën Drenicë-Mitrovicë, Podujevë-Prishtinë. Pas sukseseve të para në rrugën Mitrovicë-Pejë dhe Podujevë-Prishtinë kryengritësit e Shalës, të Llapit e të Gollakut, të mbledhur afër Vuçitërnës, lidhën besën për ta çuar luftën deri në fund. Më 28-29 qershor kryengritësit e këtyre rretheve të udhëhequr nga Hasan Prishtina shpartalluan tek Ura e Sitnicës, dy batalione ushtarësh osmanë. Nga data 30 qershor deri më 3 korrik1912, Isa Boletini në fshatin Boletinë e rrethinë përballoi me sukses një sulmë të trupave osmane, të pajisur me artileri të rëndë. Një betejë tjetër e përgjakshme u zhvillua më 12 korrik në hyrje të Fushës së Llapit, në “Grykë të Kulinës”. Me këtë rast forcat osmane në krye me Fadil Pashën nga Prishtina u nisën drejt kësaj zone nga dy drejtime për t´i futur kryengritësit shqiptar në mes dy zjarresh. Mirëpo kryengritësit, të përbërë nga 2000 veta, rezistuan fuqishëm, për gjashtë orë rresht dhe në këto luftime forcat turke patën humbje të konsiderueshme. Një betejë tjetër e përgjakshme u zhvillua edhe në fshatin Brabaniq, më 19 korrik 1912 ku kryengritësit shqiptar fituan kundër regjimenteve turke, të cilat u detyruan të kthehen në Mitrovicë. Në flakën e luftës numri i kryengritësve u shtua në mijëra veta. Në këtë kohë kryengritësit kishin formuar 3 gjini ushtarake: këmbësorinë-me 4 regjimente; kalorësinë-me 1 regjiment dhe artilerinë – me 1 regjiment, ndërkohë që formohen edhe 4 regjimente në Mitrovicë, 2 regjimente në Vushtrri, 2 regjimente në Llap, 2 regjimente në Drenic dhe nga 1 regjiment në Artakoll dhe Gallap.16
Forcat kryengritëse pasi çliruan Gjakovën…, gjatë pjesës së dytë të korrikut do të çlirojnë të gjitha qytetet tjera të Kosovës. Kryengritësit shqiptarë të udhëhequr nga Hasan Prishtina, Bajram Curri etj, nga Rrafshi i Dukagjinit kalojnë nëpër Drenicë dhe ia mësyjnë Prishtinës, dhe më 21 korrik futen në Prishtinë pa rezistencë, sepse komandanti i ushtrisë turke në Prishtinë Ismajl Fadil Pasha, në momentin e fundit (përkundër përgaditjeve për mbrojtjen e qytetit) u tërhoq nga pozicionet mbrojtëse dhe qytetin e dorëzoi pa luftë. Më 22 korrik u çlirua Pazari i Ri dhe prej aty forcat e komanduara nga Isa Boletini më 27 korrik u futën në Mitrovicë pa luftë. Pas Mitrovicës u çlirua Vuçiterna dhe kryengritësit më pastaj marshuan për Prishtinë. Në viset juglindore të Kosovës rreth 2 mijë kryengritës të drejtuar nga Idriz Seferi e Bejtullah Aga, pas vendimit që morën në Kuvendin e Pozharanit, nisën sulmet kundër forcave osmane dhe çliruan Gjilanin e Bujanovcin me rrethinë dhe që këtej ata më 29 korrik iu bashkuan forcave kryengritëse të përqëndruar në Prishtinë. Asokohe afër 30 mijë kryengritës, me gjithë mungesën e ushqimeve, të veshmbathjeve e sidomos të materieleve luftarake, po marshonin në të gjitha anët e Kosovës, edhe pse kishin përballë rreth 70 mijë ushtarë osman të armatosur mirë dhe të përforcuar me reparte artilerie e kalorësie. Kryengritësit shqiptar kudo ku hynë u pritën me gëzim të madh nga popullsia vendëse dhe menjëherë ngritnin organet e pushtetit lokal për vendosjen e rendit .17
Kryengritja shqiptare në korrik 1912 u shtri pjesërisht edhe në viset tjera të Shqipërisë, por jo sipas marreveshjes së bërë në takimin e Taksimit në Stamboll, sepse pashallarët Toptani e Vrioni dhe bejlerët Libohova e Vlora, jo vetëm që e shkelën fjalën e betimin e dhënë, por për më keq filluan të propagandojnë kundër kryengritjes. Asokohe luftime sporadike u zhvilluan kryesisht në zonën Lezhë – Mirditë – Breg i Matit, të drejtuar nga Gjeto Coku, Zef Arapi etj, dhe në zonën Tiranë – Shijak – Krujë, të udhëhequr nga Abdi Toptani. Në Shqipërinë jugore u formuan çeta të udhëhequra nga Spiro Bellkameni, Themistokli Gërmenji, Sali Gjuka, Dervish Hima, Muharrem Rushiti etj. Pra në korrik të atij viti mund të themi se kryengritja ishte shtrirë pothuajse në të gjitha trevat shqiptare, që nga Mitrovica në veri e deri në Çamëri në jug të Shqipërisë.18
Kryengritja e përgjithshme shqiptare, portën e lartë dhe pallatin sulltanor e futi në një krizë të rëndë, sepse të gjitha masat që i morën për ta shtypur kryengritjen dështuan. Në këto rrethana, kur Turqia ishte në luftë/që nga fundi i shtatorit 1911/ edhe me Italinë, qeveria xhonturke në krye me Said Pashën u detyrua të jepte dorëheqje dhe me 22 korrik u formua qeveria e re e kryesuar nga Ahmet Myftar Pasha. Kjo qeveri për të ulë tensionet, dha urdhër që të ndërpriten të gjitha operacionet ushtarake kundër kryengritësve në Kosovë dhe vendosi që të hynte në bisedime me udhëheqësit shqiptarë. Këshilli i Ministrave i Qeverisë turke më 24 korrik e caktoi një komision qeveritar në krye me Ibrahim Pashën dhe e dërgoi në Kosovë. Në këto rrethana të reja, për të gjithë udhëheqësit e kryengritjes shqiptare, në Veri e në Jug të vendit, u bë edhe më e domosdoshme nevoja që të krijonin një unitet brenda vetvetes dhe të dilnin me një qëndrim të përbashkët, për të ardhmen e Shqipërisë.
Për këtë qëllim më 30 korrik udhëheqësi i kryengritjes Hasan Prishtina lëshoi një thirrje më titullin ”Vëllazën të dashtun” dhe të nënshkruar nga ”Atdhetarët e vërtet të Kosovës”. Në këtë dokument u bëhej thirrje qarçeve atdhetare të të katër vilajeteve shqiptare që të dërgonin përfaqësuesit e tyre, ”njerëz atdhetarë e me randësi”, në një mbledhje, ku do të vendosej për kërkesat politike – kombëtare, që do t´i paraqiteshin komisionit qeveritar turk, në emër të të gjithë shqiptarëve. Kjo thirrje u përkrah fuqimisht nga Ismail Qemali e Luigj Gurakuqi, të cilët edhe porositën komitetet e Shqipërisë së Mesme që t´i nisin për Kosovë përfaqësuesit nga të gjitha krahinat, por për fat të keq përfaqësuesit nga këto vise shqiptare nuk arritën të vinin në Prishtinë.
Më 1 gusht Ibrahim Pasha, në Prishtinë zhvilloi bisedime me udhëheqësit e kryengritjes. Qysh në fillim Hasan Prishtina, 19 para komisionit qeveritar turk dënoi ashpër barbarizmat e ushtrisë turke dhe parashtroi këto kërkesa:
1. Të njifen zyrtarisht kufijtë e Shqypnis;
2. Autoritetet civile e ushtarake të ken kombsinë shqyptare;
3. Ushtria shqyptare të shërbejë në Shqypni e të jetë komanda prej officirvet shqyptarë dhe
4. Veprimet zyrtare në Shqypni të bahen në gjuhën shqype.20

Ibrahim Pasha këto kërkesa i quajti të papranueshme dhe i cilësoi si hap për t´u shkëputur nga Perandoria Osmane. Ai punoi në përçarjen e udhëheqjes së kryengritësve dhe si rezultat i kësaj, platforma kombëtare e shtruar nga Hasan Prishtina, nuk u përkrah nga elementët e lëkundur, si Riza bej Kryeziu…, si edhe nga paria turkomane e Prishtinës. Për ta përçarë kreun e kryengritësve shqiptar, punonin natë e ditë jo vetëm agjentura serbe, por edhe agjenturat e shteteve të tjera ballkanike dhe evropiane.21 Përkundër mospranimit të kërkesave, si pasojë e kaosit, që ishte shkaktuar në Stamboll, edhe nga kryengritja shqiptare, më 5 gusht qeveria u detyrua ta shpërndaj parlamentin turk. Në këto rrethana udhëheqësit shqiptar Hasan Prishtina, Bajram Curri, Idriz Seferi etj, për t´iu shmangur ndikimit të elementëve turkomanë më 4 gusht, do të marshojnë me 30 mijë kryengritës në drejtim të Shkupit dhe do të përqëndrohen në Ferizaj.
Memorandumi prej 14 kërkesash i Hasan Prishtinës
Më 6 gusht në Ferizaj përfaqësuesit e kryengritjes mbajtën edhe një Kuvend, ku edhe një herë aty u kundërshtua ideja e Hasan Prishtinës, nga Riza bej Kryeziu, Isa Boletini…, për mëvetësinë e Shqipërisë nga Perandoria osmane, e cila veç po i numronte ditët e fundit në Ballkan. Për të mënjanuar përçarjen në udhëheqjen shqiptare, Hasan Prishtina mori një hap jo avansues, në të vërtet i zbuti vendimet e Kuvendit të Junikut, duke hartuar një memorandum me 14 kërkesa të modifikuara, të ashtuquajtura si ”14 kërkesat e Hasan Prishtinës”.
Në memorandum kërkohej, që:
1. Me përdorue në Shqypni nënpunës të praktikuem që dijnë gjuhën e zakonet e vendit.
2. Me ba shërbimin ushtarak vetëm në Shqypni e Makedoni, përjashta kohës së luftës.
3. Me ba me vu në zbatim ligje, tue bazue në ligjet e maleve për disa krahina në të cilat asht forcue me fakte se nuk mund të nxirret kurrnji fryt prej organizimit të drejtësisë.
4. Me i dhanë shqiptarëve armët e nevojshme e moderne, mënyra e të damit të cilave do t´i përkiste qeveris. (Do t´u bajshin ndër vende të randësishme deposita armësh, të cilat,në rast të nevojës, do të mund t´i merrshin shqyptarët).
5. Me themelue e me hap shkolla reale në të gjitha prefekturat e qendrave të Kosovës, të Manastirit,të Shkodrës, e të Janinës që numrojnë ka nji popullsi ma se 300 000 frymësh; me hap edhe shkolla bujqësie si dhe me shti në program të mësimeve gjuhën e vendit.
6. Me hapë shkolla theologjike moderne ndër vende ku asht nevoja.
7. Me kenë i lirshëm në Shqypni e të themeluemit e shkollave private.
8. Me u mësue gjuha e vendit në shkollat fillestare, qytetse e në gjimnaze.
9. Me i dhanë randësi të posaçme tregëtisë, bujqësisë e punëve botore si dhe me plotësue e me përhap udhët e hekurit.
10. Me vu në veprim organizimin e krahinave.
11. Me u kujdesue me ruejt ma fort se përpara zakonet e tradicionet kombëtare.
12. Me shpallë amnistinë (faljen e përgjithshme), pa veshtrue klasë e racë, për të gjithë othomanët që kanë marrë pjesë në kryengritje për komandantat, oficjerat, nënpunësit ushtarët që kanë lanë ushtrinë e vendet e veta si edhe për të liruemit e t´ikunit prej burgut në kohën e kryengritjes.
13. Me u dhanë çdamin mbas çmimit të vërtetë, prej Qeverisë Turke për të gjithë ato shpija që u prishën ma para e nuk u kje dhanë të zotve çdamimi si edhe për ata që u prishën e u rrënuen kësaj here.
14. Me i marrë në gjyqë të naltë pjestarët e kabinetit të Haki e të Seit pashës.22

Më 9 gusht, me rastin e dorëzimit të Memorandumit, komisionit turk iu dha ultimatum që brenda 48 orësh të pranohen kërkesat e shtruara, në të kundërtën forcat kryengritëse do të marshonin në drejtim të kryeqendrës së Vilajetit të Kosovës – Shkupit. Me këto kërkesa, edhe pse nuk kërkohej drejtëpërdrejtë shkëputja nga Turqia, megjithatë Ibrahim Pasha nuk dha përgjigje. Prandaj, edhe kryengritësit shqiptar nga Ferizaji dhe rrethinat e tij marshuan në drejtim të Shkupit, nëpër Grykën e Kaçanikut, nga Mali i Zi i Shkupit.

Bajram Curri në mesin e bashkëluftëtarëve të tij – 1912.

………………………………………………….

Së këndejmi Grupi i parë i udhëhequr nga Zefi i Vogël dhe Bajram Daklani më 11 gusht u nisën me tren dhe brenda ditës hynë në Shkup; më 13 gusht hyri një grup tjetër; ndërsa një ditë më vonë(14 gusht) hynë edhe 6 mijë forca që drejtoheshin nga Bajram Curri. Sipas gazetës”Shkupi”të datës 19 shtator 1912 forcat kryengritëse shqiptare në Shkup u futën me këtë renditje: ”Bajram Daklani me 200 pushkë, Bajram Curri e Halim bej Gjakova me 5000 pushkë; Riza Beu me 700 pushkë; Sali Gjilani me 1000 pushkë; Halim bej Tetova me 2000 pushkë; Shani bej e Islam Spahija (nga Luma)me 4000 pushkë; Isa Boletini e Mendu Beu nga Shkupi me 3000 pushkë; Qerim Beu e Bahri Beu me 2000 pushkë; Ahmet beu nga Kumanova me 1000 pushkë; Më 18 gusht 1912 një ditë pasi qeveria turke i kishte pranuar kërkesat e memorandumit, në Shkup hyri edhe delegacioni nga Vilajeti i Shkodrës: Avdi be toptani, Marka Gjoni, Riza dani, Mane be lezha e Mustafë Hasimi me 100 pushkë”.23 Bajram Curri sapo hyri në Shkup, hapi dyert e burgut dhe liroi 960 të burgosurit që ishin aty, pastaj hapi depot e armëve dhe i armatosi të gjithë ata kryengritës që kishin shkuar vullnetarisht në Shkup. Ato ditë nga Shkupi grupe kryengritësish marshuan edhe drejt Tetovës, Kumanovës e Preshevës dhe kështu u çliruan të gjitha tokat e Vilajetit të Kosovës nga sundimi osman.
Ultimatumi i Fuqive të Mëdha për demobilizimin e kryengritësve shqiptarë dhe braktisjen e tyre nga Shkupi
Kryengritësit shqiptar ndonëse arritën ta çlirojnë Kosovë nga perandoria osmane, Fuqitë e Mëdha: Rusia, Anglia, Franca, Austro-Hungaria, Italia… duke qenë kundër interesave shqiptare, intensifikuan fuqishëm aktivitetet e tyre diplomatike, për të penguar realizimin e formimit të një shtetit shqiptar (me kufij etnik) në Ballkan. Kjo diplomaci ato ditë i sugjeroj edhe qeverisë turke, që ta bëjë sa më parë një marrëveshje formale me shqiptarët, në mënyrë që ta zbehin vendosshmërinë e tyre për luftë në të ardhmen. Dhe qeveria e Stambollit më 18 gusht 1912 njoftoi publikisht(përmes një deklarate-të pafirmosur) se i pranonte 12 nga 14 kërkesat e shqiptarëve, por edhe disa ndryshime tjera jo pa rëndësi. Kështu, përveç që nuk u pranuan dy pikat: kthimi i armëve dhe nxjerrjen para gjyqit të Haki dhe Said Pashës, nuk përmendeshin as emrat Shqipëri e shqiptar, dhe koncesionet do të zbatoheshin vetëm në tri vilajete, në vilajetin e Kosovës, të Manastirit e të Janinës,por jo edhe në atë të Shkodrës. Porta e Lartë madje s´dha asnjë garanci për zbatimin edhe të atyre kërkesave, që u shpallën si të pranuara prej saj.
Në kontekst të këtyre zhvillimeve politike, në prapaskenë vepronte aktivisht edhe diplomacia e Fuqive të Mëdha. Për t´i dekurajuar plotësisht kryengritësit shqiptar, ato ditë gushti dy diplomatë, njëri rus e tjetri austrohungarez, do t´i komunikojnë Hasan Prishtinës se repartet ushtarake shqiptare duhet të demobilizohen, sepse çfardo rezultati të ketë lufta ndërrim të kufijëve të perandorisë osmane (Turqisë evropiane) nuk ka!!” 24 Me këtë ultimatum të Fuqive të Mëdha u dëshmua qartë se kur janë në pyetje të drejtat e shqiptarëve, çdo marrëveshje në mes të shqiptarëve dhe Turqisë nuk do të pranohet pa u inkuadruar edhe pala e tretë. Dhe në këto rrjedha dramatike, për t´i larguar sa më shpejtë kryengritësit shqiptar nga Shkupi e gjetiu, u aktivizuan agjentë të ndryshëm të cilët përhapnin kudo panik, duke lansuar madje edhe shpifje të llojllojshme, si: Shkau na ra në shpia e na çka bajmë këtu; se Mali i Zi ka arritur deri në Beranë; ushtria bullgare është përqëndruar në kufi etj. Sipas të dhënave sekrete, udhëheqësit e kryengritjes shqiptare në fund të gushtit 1912 me lot në sy do të urdhëronin demobilizimin e forcave të armatosura shqiptare dhe largimin e tyre nga Shkupi për në shtëpitë e tyre.
Gazeta ”Liria e Shqipërisë” më 29 gusht 1912 për këtë akt, të pamenduar mirë të krerëve shqiptar shkruante: ”Dalja e shqiptarëve nga Shkupi me kondita dhe me premtime të pasiguruara, vërtet mund të quhej nisja e fundit, meqë nga kjo dalje vareshin shumë gjëra me rëndësi… ”Para se të largoheshin, kryengritësit shqiptarë miratuan një deklaratë, në të cilën thuhet: ”Nevej ikim nga qyteti duke i zënë besë fjalës së qeverisë. Do të presim gjer më 5 të shtatorit. Po të mos mbarohen premtimet, neve sado që nuk lëmë ndonjë të besuar nga ana jonë, do të urdhërojmë përsëri dhe do të mos kërkojmë autonomi, po do të ndahemi përgjithmonë nga sundimi i Imperatorisë Otomane!” Këtë deklaratë e nënshkruan: Isa Boletini i Mitrovicës, Sali Aga dhe Idriz Seferi i Gjalanit, Bajram Curri dhe Riza Begu i Gjakovës, Islam Spahija i Lumës dhe Musa e Jahja Prizreni.25 Pas disa javësh qielli i Kosovës do të nxihej nga një agresion i ri, madje shumë më i rrezikshëm se ai turk, nga agresioni i shteteve ortodokse-sllave të Ballkanit.
Krijimi i “aleancës ballkanike” për pushtimin e tokave shqiptare
Pas sukseseve të kryengritjes së përgjithshme shqiptare, tani më Ballkani u shndërrua në njërën nga pikat më të nxehta të Evropës. Për faktin se aty gërshetoheshin interesat e Fuqive të Mëdha, si të: Rusisë, Francës, Austro-Hungarisë, Anglisë, Gjermanisë, Italisë, por gjithësesi edhe të shteteve sllave të kësaj siujdhese ballkanike. Dhe pikërisht ishin teritoret shqiptare, që nxitën diplomacinë e këtyre shteteve për të punuar në rrugë të ndryshme rreth ndryshimit të kufijve (duke i coptuar ato) në dobi të shteteve sllave të Ballkanit, edhe pse ju kishin deklaruar udhëheqësve të kryengritjes shqiptare në Shkup, se nuk do të ketë ndryshim të kufijve ”të turqisë evropiane”. Në të vërtet disa shtete si Rusia dhe austro-hungaria qysh në shekullin XIX kishin bërë marrëveshje reciproke por edhe konventa sekrete me Serbinë në dëmë të interesave të shqiptarëve.26 Asokohe bartëse e veprimeve politike e diplomatike antishqiptare ishte diplomacia ruse. Ministria e Punëve të jashtme të Rusisë, si çështje parësore kishte përfitimin e Fuqive tjera të Mëdha, në përpjekjet e saj për të bashkërenduar veprimet politike të tyre, në Ballkanin e trazuar. Në fund të shtatorit dhe në fillim të tetorit 1912 diplomati rus Sazanov qëndroi në Angli ku zhvilloi bisedime me diplomatin Eduard Grei kryesisht për Ballkanin, dhe z.Grei pasi mori miratimin nga Sazanovi, për paprekshmërinë e interesave jetike të Anglisë, në Gjirin Persik… dha pëlqimin që ta ndihmojë politikën pansllaviste ruse në Ballkan.27
Për të penguar realizimin e aspiratave shqiptare, Rusia cariste edhe përmes ambasadorit të vet në Beograd Nikollaj Hartvig, zhvilloi një aktivitet të gjithanshëm antishqiptar, ndërkohë që ndihmesën më të madhe, synimeve sllave ua bëri edhe vet Stambolli – duke i ndryshuar kërkesat e memorandumit të shqiptarëve me 18 gusht në Shkup. Gjithashtu disa muaj më herët, në mënyrë të koordinuar në prapaskenë, diplomatët serbë, bullgarë, grekë etj, me ndihmën e Rusisë e të Francës punuan parreshtur kundër çështjes shqiptare.28
Këto marifetllëqe i hapën rrugë formimit të aleancave të shteteve ballkanike(Serbisë, Malit të Zi, Bullgarisë dhe Greqisë)për pushtimin dhe coptimin e tokave shqiptare. Në të vërtet planet serbe për një luftë kundër Portës së Lartë kishin filluar që në fillim të vitit 1912. Më 13 mars të atij viti, Serbia, me ndërmjetësimin e ambasadorit rus ne Beograd Nikollaj H.Hartvig, lidhi një aleancë “Traktat miqësie” me Bullgarinë, 29 që si qëllim parësor kishte coptimin e tokave shqiptare dhe pengimin e formimit të çfardo shteti shqiptar në Ballkan. Së këndejmi sipas nenit 2 të një aneksi sekret të këtij traktati, Bullgaria i njihte të drejtën Serbisë mbi territoret shqiptare në veriperëndim të bjeshkëve të Sharrit, kurse serbia i njihte Bullgarisë të drejtën mbi territoret në lindje të Rodopeve dhe të lumit Struma. Ndërkaq, territori midis këtyre viseve si dhe arqipelagut të Ohrit, të lumit Drin dhe Masivit të Karadakut mbetej për një kohë të pacaktuar të organizohej mbi parimin e autonomisë nën mbikqyrjen e carit të Rusisë.30
Në maj të vitit 1912 u bë afrimi midis qeverive bullgaro-greke dhe asaj serbo-greke dhe së fundi, pas bisedimeve të carit rus me Kral Nikollën në këtë aleancë u fut edhe Mali i Zi. Këto shtete ortodokse të ”aleancës…” në emër të luftës kundër ”robërisë osmane” në tetor 1912 do të nisin luftën e parë ballkanike për pushtimin dhe coptimin e tërësisë së tokave shqiptare. Së këndejmi, mund të konkludojmë se Diplomacia evropiane derisa më 18 gusht 1912, nuk e pranoj rezultatin e luftës çlirimtare të shqiptarëve dhe vënjen e kufijve, pas disa muajsh në konferencën e Londrës, po ajo diplomaci do të pranojë ndërrimin e kufijve në dobi të shteteve ortodokse të Ballkanit.

(VIJON…)

_________________________
SHERADIN BERISHA: KOSOVA MIDIS ÇLIRIMIT NGA TURQIA DHE PUSHTIMIT NGA SËRBIA, JANAR – 5 NËNTOR 1912 (I)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=1005
***
SHERADIN BERISHA: KOSOVA MIDIS ÇLIRIMIT NGA TURQIA DHE PUSHTIMIT NGA SËRBIA, JANAR – 5 NËNTOR 1912 (II)
https://pashtriku.org/index.php?kat=60&shkrimi=1006

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura