ISMAIL GASHI SLLOVIA: DHUNA SËRBE NË TREVËN E LYPJANIT(I)

 Lypjan, 13. 04. 2013 – Këtu, gjatë dy ofanzivave 1998 e 1999, u vranë 167 civilë e 18 luftëtarë të lirisë, ndërsa u plagosën 71 qytetarë e 23 pjesëtarë të UÇK-së. Nga dhuna serbe u çvendosën tërësisht banorët shqiptarë të 42 fshatrave, kurse pjesërisht 21 të tjera. Flaka e kalljeve serbe i përfshiu 46 vendbanime shqiptare të kësaj treve. Masakrën dhe terrorin mbi shqiptarët e udhëhoqën kryesisht serbët vendorë. Dëmet e përgjithshme materiale kapin shumën prej 78.000.000 Euro.
Dhuna serbe mbi shqiptarët në përgjithësi, atyre të Kosovës në veçanti, ka spirale të gjatë kohore, laramani të shumfisht veprimi e forma të veçanta aplikimi, gjithnjë duke iu përshtatur rrethanave të mundshme të zbatimit. Në këto mote të liga Shqiptarët përjetuan dhunë politike, shpirtërore e materiale. Të gjitha këto forma të dhunës barbare serbe, kishin objekt represionin fizik e shpirtëror, kishin shtypjen e substancës shqiptare, ndjenjave kombëtare dhe vlerat shpirtërore e njerëzore të tyre, me të vetmin qëllim përmbajtjesor, dëbimin dhe pastrimin etnik të shqiptarëve nga këto troje. Me këto veprime të mundimshme apart-hejdi gjenicidal, serbët synojnë të realizojnë qëllimet e parashikuara në vazhdimësi historike në projektet e përgatitura nga politikanët si Garashanini, produktit të një morali të keq shkencor e historik, si Qubrilloviqi, Andriqi e deri te frymëzuesi shpirtëror i urrejtjes të të gjithëve që nuk janë serbë, Memorandumi i Akademisë Serbe të shkencave në fundshekullit 20-të. Thënë shkurt, në të gjitha motet e nivelet, në Serbi u ndërtua një moral i stërkequr i urrejtjes ndaj shqiptarëve. Moral që prodhoi mendje të keqe, se duhet zhdukur çdo vlerë shpirtërore e materiale shqiptare. Kjo e ligë, vazhdimisht u shkallëzua në sistemet shtetërore e politike serbe dhe kohëra e rrethana historike, por ekspansionin më të vrazhdë e më të ashpër e mbërriu dekadën e fundit të shekullit 20-të, veçanërisht në verën e vjeshtën e 1998, e njohur si Ofanziva e Parë famëkeqe serbe, më arsyetim e leje ndërkombëtare gjëja si veprim kundër njësive të UÇK-së, kur Serbia në emër të luftës me forcat e UÇK-së, shkeli në formën më të vrazhdë, jo vetëm të drejtat dhe liritë e njeriu, siç kishte version subjekti ndërkombëtar për një kohë, por Serbia shkeli dhunshëm të drejtat kombëtare e njerëzore të shqiptarëve, të drejtën në punë, të drejtën për gjuhën dhe traditën kombëtare, por shkeli edhe në të drejtën elementare, të drejtën për jetë. Serbia në shkallë barbare dhe të shëmtisë më të vrazhdë, vrau popullatën civile shqiptare, dogji dhjetëra fshatra shqiptare dhe ndjeku nga vendbanimet popullatën civile shqiptare, të cilën në politikën ndërkombëtare shumherë dëgjohej vetëm si tejkalim kompetencash. Thjeshtë, e nënkuptuar si njëfarë veprimi ushtarak serb me bekimin e ndërkombëtare. Por, barbaria vrastare serbe, të cilën më vonë pati rastin ta njeh gjithë gjatë 78 ditët e sulmeve të NATO-së, kur me dhunë e terror ishte rrezikuar ekzistenca fizike e shpirtërore të shqiptarëve në Kosovë, kur makineria serbe për këtë mori edhe bekimin shpirtëror të kishës ortodokse serbe. Intervenimi ushtarak i NATO-së, ndërpreu turrin e këtij dinozauri dhe shpëtoi nga rreziku i katastrofës njerëzore e kombëtare që ndodhej qenia kombëtare shqiptare në Kosovë. Këta rreshta modest të këtij shkrimi, janë vetëm një pjesë e vogël e pasqyrimit të kësaj gjendjeje të rëndë shqiptare e kufizuar vetëm në trevën komunale të Lypjanit gjatë, siç e kemi bërë shprehi ta quajmë, dy ofanzivave serbe të parën korrik – tetor më 1998 dhe ofanzivën e dytë në mars-qershor 1999, kur pas shumë përpjekjeve të qendrave politike të vendosjes që ta bindnin politikën e administrimit kriminal të qeverisë, ushtrisë e policisë serbe, për ndaljen e dhunës dhe pengimin e katastrofës njerëzore, tash në aleancë edhe me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës për shpëtimin e kësaj katastrofe, hollokaosti e apart-hejdi me qellim pastrimin etnik të Kosovës, erdhën dhe ndërhyjnë ushtarakisht forcat Veriatlantike të NATO-së.
Edhe në këtë kohë, politika e verbuar e shkurtëpamëse serbe, në këto raport e rrethana të kohës dhe ngjarjeve, mbante ende në kokën e saj të nxehtë, aspiratën e zhdukjes biologjike e substanciale të qenies shqiptare. Aspiratë të cilin e trashëgoi nga e kaluara e kujtesës historike, e njohur për veçori dalluese, si njërën nga vlerat negative kombëtare e shtetërore të veprimeve serbe. Të motivuar nga kjo e kaluar, tash mendonin se mund ta thyejnë edhe forcën e Aleancës Veriatlantike dhe UÇK-në, dhe përfundimisht do ta realizonin ëndrrën historike çështjen e pastrimit etnik në “djepin dhe zemrën serbe” nga shqiptarët. Krijuan makroprojektin çfarosës për dëbimin e shqiptarëve nga Kosova të njohur me emrin “Patkoi”, të cilin filluan ta zbatojnë praktikisht ato ditë, projekt antishqiptar ushtarak-policor e paramilitare serb, sipas logjikës e moralit të sëmura serb, jashtë çdo mundësie për zbatueshmëri, jashtë çdo natyrshmërie me kohën dhe rrethanat shoqërore e politike ndërkombëtare, planifikuesit serbë këtë projekt e detaizuan e përshtatën me kohën e rrethanat e veçanta në hapësira të ndryshme të Kosovës. Por, me synim të përgjithshëm të bëhet masakrim e terror trishtues ndaj popullatës shqiptare, sa më shumë të futet frikë në masat shqiptare. Me veprime terroriste, vrasje, kidnapime dhunime, ndjekje,djegie masive e plaçkitje primitive më të errëta se mesjeta. Hapësira administrative e trevës së Lypjanit, nuk pati përjashtime nga fati i tërësisë Kosovare. Në ato ditë pushtuesi serb në Magurë mu në ndarjen e rrugës për Shalë, ishte vendosi mbishkrimi,”Nepriatelska Zona”, zona armiqësore, me të cilin praktikisht vendosi kufirin, nga fillonin pjesëve të cilat i kontrollonte UÇK-ja dhe hapësirat e rrafshit ku sundonte okupuesi serb. Dhunë serbe, si masakrat e katrahurat e Likoshanit, Qirezit e Prekazit legjendar, nga historia e shqiptarëve me sakrificën e 5, 6 e 7 marsit 1998 të Familjes Jashari me Komandantin Legjendar të UÇK-së, për kundër se i dhanë kahje të re pozitive ndërkombëtarizimit të çështjes shqiptare, ato krijonin tmerr në popullatën civile shqiptare, si masakra antinjerëzore serbe që pasoi, më 15 janarit 1999 e Reçak, e kryer para syve të vëzhguesve ndërkombëtar të OSBE-së, që atë kohë ishin të vendosur për verifikues ndërkombëtar në Kosovë, pas marrëveshjes së 15 tetorit 1998, u bë shkas për ndërkombëtarizimin e dhunës serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës, dhunë tash ishte zyrtarizua ajo ishte mjet veprimi i politikës shtetërore e administratës së shtetit okupues serb në Kosovë, në këtë kohë pasuan shumë veprime të tjera barbare serbe ndaj shqiptarëve. Para ofanzivës së NATO-së në pranverën e 1999. veprimet e politikës ndërkombëtare hulumtonin forma e mjete për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Më 6 shkurt 1999, politika ndërkombëtare kurorëzoi me Konferencën Ndërkombëtare në Rambuje të Francës, ku që në hapjen e saj z.Shirak u tërhoqi vëmendjen të dy delegacioneve për seriozitetin e këtij takimi historik “ekzistojnë momente të rralla, kur historia gjendet në duart e vetëm disa njerëzve”, konferenca e Rambujes nuk përfundoi me 20 shkurt 1999, ashtu siç ishte paraparë, punimet e saj vazhduan deri më 23 shkurt 1999. Pranimi në parim i dokumentit të Rambujes dhe nënshkrimi i kësaj Marrëveshje nga delegacioni shqiptar do të kryhet pas marrjes së pëlqimit nga gjithë subjektët, ushtarake, partiake e shtetërore në Kosovë. Zyrtarizmi i këtij dokument dhe firmosja solemne kryhet në Paris më 15 mars 1999. Lidhur me këtë dokument, edhe nga shqiptarët kishte mendime të rezervuara, në rast se këtë Marrëveshje e nënshkruan Serbia, në do ti kishim 12.000 ushtarë serb në Kosovë, 3000 deri 4000 policë, kufijtë do ti ruante Serbia, kurse shqiptarët nuk do të mund të ofroheshin kufirit më afër se 5 km. Doganat do ti kontrollonte KFOR-i dhe Serbia. Kosova do të ishte pa TMK,tash FSK dhe pa gjysmën e popullatës shqiptare. Me dorën e neve të gjithëve, do të nënshkruanim robërinë e pakufishme, pa pasur të drejtë që për këtë ta fajësojmë dikend tjetër.

Treva komunale e Lypjanit, edhe në këto momente kohore, karakterizohej me një përqindje dalluese me popullsi serbe, krahasuar me mjediset tjera të Kosovës, nga edhe përjetoi barbari të theksuar, si në ofanzivën e parë korrik-tetor 1998, e cila përfshiu 14 fshatra të kësaj treve komunale. Në këtë ofanzivë tërësisht u dogjën tre fshatra, Blinaja 120 shtëpi, Baica e Kolshit 67 shtëpi e Leletiqi 46 shtëpi, këto fshatra ngelën pa banorë shqiptarë deri në qershor 1999, ndërsa dëmtime të mëdha nga djegiet, shkatërrimet dhe plaçkitje serbë, pësuan Shala 127 shtëpi, Resinoci /16/, Krojmiri/5/, Magura /38/, Mirena /3/, Qylaga/8/ dhe Poturoci 2 mullijë elektrik. Ofanziva e parë në trevën e Lypjanit shkaktoi dëmtimin e 463 shtëpive, dy mullinjve elektrik, tre fshatra mbetën të pabanueshëm, në Magurë tërësisht u plaçkit dhe u demolua shkolla fillore “Jeronim De Rada”, tash shkolla nëntvjeçare “Haradin Bajrami”, në të cilën dëmtimi kap vlerën e 90.000 DM të atëhershme. Nga këto vendbanime lypjanase falanga serbe dëboi mbi 25.000 qytetarë shqiptarë nga shtëpitë e veta, nga 456.407 shqiptarë sa u dëbuan me dhunë gjatë kësaj ofanzive në tërë Kosovën, nga të cilët 71.575 u larguan jashtë Kosovës. Këto shifra i përkasin 19 komunave të përfshira nga lufta, nga të cilat 273 fshatra ishin tërësisht të boshatisura.. Në trevën komunale të Lypjanit në këtë ofanzivë humbën jetën gjithsej 33 qytetarë civilë shqiptarë, prej të cilëve 4 u shpallën dëshmorë, ndërsa 14 të rënë në këto hapësira ishin nga trevat tjera komunale, mes të cilëve pati edhe foshnje 3 muajsh/ Getoari/ e 8 muajsh/Bujari/ të dy nga Shala, kurse Emine Olluri/29/ vdes lehonë më 27.08.1998. Në trevën e Lypjanit 24 qytetarë civilë shqiptarë u arrestuan gjatë ofanzivës serbe 1998, ndërsa qytetarë të plagosur, ata që janë paraqitur në KMDLNJ janë 51. Krahasuar me këtë.
Ofanziva e dytë mars-qershor 1999, veçohet për ashpërsim dhe shtrirje masive të terrorit serbe në gjithë hapësirën kosovare, njëherit edhe në gjithë trevën e Lypjanit. Nga, duhet veçuar terrorin e masakrave serbe të popullsisë civile shqiptare dhe vrasjet masive të 45 qytetarëve shqiptarë e 12 të plagosurve civilë shqiptarë, më 15 e 16 prillit në fshati Sllovijë. Më 17 prill, në fshati Jeta e Re, u vra dhe u dogj brenda në shtëpi plaku 68 vjeçar Xhevat Rexhepi. Më 18 prill 1999 në Ribar të Vogël u vranë e u maskruan 25 qytetarë civilë shqiptarë dhe 7 të tjerë u plagosën. Kurse, më 19 prill në Hallaq të Vogël u vranë 20 qytetarë shqiptarë, i riu Salih Fetahu/1964/, pas masakrimit u dogj në shtëpi. Në Kroishtë u vranë 9, ndërsa në Ribarë të Madh u vranë e u masakruan 6 shqiptarë të tjerë, si edhe në Blinajë 8 e Mirenë 7 civilë shqiptarë. Këto veprime barbare ishin paralajmëruar që para se të fillojë bombardimi i forcave agresive serbe nga NATO. Këto kërcime paralajmëronin rrezikim për popullatën shqiptare që do të paguajnë haraq për veprimet e aviacionit ushtarak të NATO-së ndaj forcave vrastare serbe. Mu për këtë qëllim forcat ushtarake-policore serbe, më 20 e 21 mars 1999, në Lypjan zbarkuan disa kompozicione trenash me armatim të rëndë e njësi vrastare ushtarake e policore, subjektet ndërkombëtare e lëshonin Kosovën, Serbia sikur mori vizën për të vrarë shqiptarë, apo siç pat thënë z. Klinton “Hezitimi ynë është leja që serbët të vrasin shqiptarë”. Zyrtarët serbë paralajmëruan popullatën shqiptare për një kundërveprim ndaj tyre, në përgjigje të sulmeve të NATO-së, Qeveria serbe shpalli gjendje lufte, e Maqedonia mbylli përkohësisht kufirin për shqiptarët. Ky sistem forcash ushtarake, policore e paramilitare, të ndihmuara nga udhëheqësi e popullata vendore serbe, u sistemua dhe u vendosën nëpër pika qendrore të vendbanimeve serbe dhe disa pikave tjera në mjediset etnike shqiptare. Njësitë ushtarake me armatim të rëndë u vendosën në Lypjan, te Kooperativa bujqësore, në shkollën e mesme, në objektet e fabrikës së Ventilatorëve dhe Fabrikës së Letrës, në Fermën e Shpendarisë. Morën pozicione në Magurë, në Blinajë e Kodër të Goleshit. Forcat ushtarake policore u pozicionuan me destinim për sulme edhe në pjesët e Drenicës së Epërme ku vepronte ushtarakisht UÇK-ja e cila njëherit kishte në mbrojtje mbi 90 mijë banorë të popullatës civile shqiptare që ishte ndjekur nga dhuna serbe që ishin strehuar në gryka malesh në gjithë hapësirën e Drenicës së Epërme. Shumë forca ushtarake serbe u vendosën në Vrellë e Medvec afër aeroportit të Sllatinës. Armatim ushtarak u pozicionua edhe në Grackë të Vjetër, më vonë shumë nga këto janë goditur nga sulmet e NATO-së. Forca ushtarake e policore kishte kudo nëpër fshatrat etnike serbe në Suhadoll, Lepinë, Skullan e Radevë, si edhe në Dobratin, Gushtericë të Poshtme e të Epërme dhe në Livaxhë. Por, shumë njësi ushtarake me armatim të rëndë u pozicionua edhe në Sllovijë e Smallushë, ku serbët për kohën e bombardimeve fshatin Sllovijë e shëndrruan në çerdhe veprimesh më të egra. Madje, vet fshatit ia ndërruan emrin në “Sërpska sella”. Njësi ushtarake serbe kishte edhe në fshatin shqiptar Babush i Muhaxhirëve. Këtë renditje të forcave ushtarake gjatë gjithë kohës së bombardimeve, serbët e ndryshonin sipas mundësisë, rrethanave dhe etjes hakmarrëse për të sulmuan vendbanimet shqiptare, ato i lëviznin sipas paraqitjes së rrezikut nga sulmet e NATO-së. Që ditën e parë të sulmeve të NATO-së, forcat serbe paralajmëronin dhunën e ashpër e torturimet e papërmbajtura shpirtërore e fizike. Që në fillim u theksua esenca e ashpërsisë së masakrave të njohura shëmtinë e trishtimit për barbari. Të vritet e të kallet edhe fqiu i parë, të masakrohen edhe fëmijët, gratë e pleqtë, të plaçkitet e digjet çdo vlerë materiale shqiptare e të aplikohet dhunimi për formë e mjet më primitiv i luftës e fyerje më e rëndë e moralit njerëzor dhe nën kërcim e me dhunë të dëbohet masa e popullit nga trojet etnike, të nëpërkëmbet e poshtërohet sa më tepër e të thyhet më çnjerëzisht dinjiteti e krenaria e shqiptarëve. Thjeshtë, të krijohet moral e bindje për pamundësi të qëndrimit të mëtejshëm të shqiptarëve në këto hapësira. Mu për këtë, ditët para fillimit të sulmeve, shqiptarët filluan të çvendosen nga vendbanimet e tyre që konsideroheshin më të rrezikuara. Ndërsa, dy-tre ditët para fillimit të ofanzivave të NATO-së, në qytezën e Lypjanit dhe fshatrave me popullsi të përzier, si Magura, Suhadolli, Lepia, Radeva, Grackë e Vjetër, Sllovia e Rufci i Ri, serbët vendor filluan me provokime e kërcënime për rrezikimin e jetës së shqiptarëve. Në Lypjan grupe serbësh, të ndihmuar e të përkrahur nga njësitë ushtarake të ardhura atyre ditëve, nga policë e paramilitarë sheshelian, arkanist e pjesëtarë të Beretave të Kuqe, të papërmbajtur nga urrejtja ndaj shqiptarëve, thenin lokalet e shqiptarëve, vjedhin e shtinin tërë kohën me armë, madje hedhin edhe bomba. Nga kjo valë e rrezikimit kërcënues nga dhuna serbe, shqiptarët filluan ti lëshonin vendbanimet e tyre. Ditën kur filluan sulmet, më 24 mars 1999, në rrugën Lypjan-Prishtinë te fshati Konjuh, në orët e pasdrekes, u vra Ismet Asllani/1955/, Komandant i Logjistikës në Brigadën 153 të ZOLL. Natën e fillimit të sulmeve të NATO-së, qendra e qytezës së Lypjanit, sidomos banesat shoqërore, ishte thuaja tërësisht pa shqiptarë. Aty deri vonë, kur frika nga bombardimet i shtyri serbët të strukën në ikje, gumëzhitnin ulërimat e shfrenuara të grupeve të ndryshme serbe, fërshëllimat e armëve dhe thirrjet vrastare drejtuar shqiptarëve. Popullata shqiptare në këtë kohë të katrahurës ishte tërësitë e paorientuar, asnjë subjekt politik e partiak shqiptar, nuk dhanë në programet e veta ndonjë version alternativ nga të shkojnë e si të veprojë popullata kur të fillojnë bombardimet e NATO-së dhe sulmet e paralajmëruara të serbëve ndaj popullatës shqiptare. Subjektet shqiptare, përveç UÇK-së e cila paralelisht luftonte kundër forcave serbe dhe ishte në mbrojtje të popullatës civile e cila, vazhdimisht ftonte shqiptarët që ti bashkohen radhëve të saj, që të vehen në mbrojtje të trollit dhe popullit të rrezikuar nga agresori serb, të ndihmohet popullata civile e mbetur pa ushqim, strehim dhe mbrojtje shëndetësore që ishte strehuar në gryka malesh. Asnjë subjekt tjetër apo parti politike nuk doli me ndonjë version alternativë për popullin e mbetur në mjegullë, të dalin nga Kosova, të ngelin në troje e vatra të veta ose të bashkohen forcave ushtarake të UÇK-së, të cilat nuk e ndalën për asnjë çast rezistencën, përkundrazi UÇK-ja, e vetmja vazhdimisht bënte thirrje mobilizuese, që popullata ti bashkohet rezistencës kundër dhunës serbe.
Ditën e parë, pas sulmeve të natës së 24 marsit, shqiptarët banorë të qytetit në Lypjan, të kërcuar nga fqinjët serbë, u dëbuan nga banesat e në disa lagje edhe nga pronat e shtëpitë private të qytezës. Në anën tjetër, UÇK-ja në Drenicën e Epërme, nga Gryka e Llapushnikut deri në Pjetështicë, rezistonte forcat serbe me armë, dhe kështu krijonte dhe mbronte hapësirën e lirë për qëndrimin e popullatës civile shqiptare, ku mbi 90.000 mijë njerëzve ju siguroi strehim më të qetë në gryka të maleve të Berishës, Baicës, Shalës, Krojmirit dhe Pjetërshticës. Ndërsa, fshatrat e rrafshit të Lypjanit përjetonin terror të paparaparë të dhunës serbe e cila kërconte me terror e masakër, vrasje, dëbim e plaçkitje të mëdha nga formacionet e ndryshme serbe. Sulmet serbe nuk ishin drejtuar në luftë me forcat e armatosura të UÇK-së në krahun e Drenicës së Epërme, e as në zonën e Bjeshkëve të Zhegocit, por drejtë popullsisë civile kah përfitimet më të lehta luftarake e materiale dhe arritjen më të lehtë të qëllimit për ndjekjen e shqiptarëve. Deri kah gjysma e prillit, formacionet serbe u përkushtuan kryesisht shuarjes së etjes të përfitimit material, vjedhjes e plaçkitjes, ndërkohë emitonin kundërsulme ndaj aviacionet të NATO-së me kundërajror, të cilët nuk mund të zinin vend nga frika, ato gjuajtje kundërajrore serbe nuk paraqisnin asnjë rrezikim për forcat e NATO-së, sepse antiajrorët serbë nuk arrinin më lartë se çafkat. Në emër të një garancie të sigurisë, forcat serbe gjatë gjithë ditës plaçkitnin nëpër fshatrat shqiptare, merrnin të holla, automjete, vegla bujqësie e çdo gjë me vlerë që ishte në pronësi shqiptare. Madje për të siguruar haraç më të madh material, kërcënonin duke kërkuar persona të caktuar, veprimtarë të veçuar, e sidomos pjesëtarë të UÇK-së, apo emitoni se janë në kërkim të veprimtarëve e eprorëve të saj. Venin ekspedita hordhish e kallnin shtëpi të caktuara. Sulmin e parë me armë në këtë trevë komunale e bënë serbët lokal nga Babushi i Serbëve, ushtarët, policët dhe serbët lokal me granat gjuajtën më 28 mars kah ora 23.00 fshatin shqiptarë Babush i Muhaxhirëve dhe aty vranë dy e plagosën tre qytetarë shqiptarë të cilët hoqën të zitë e ullirit, deri sa depërtuan të dalin në Shqipëri për shërim, madje forcat serbe dëbuan nga fshati gjithë popullatën e Babushit dhe shumicën nga Gadimja e Poshtme. Ditë më vonë, para fshatarëve në Bujan, kallën shtëpinë e vëllezërve Ramë e Shukri Buja, anëtarit të SHP të UÇK-së e komandantit të ZO të Nerodimës, e po atë ditë në Banullë, përveç disa shtëpive të tjera, kallën edhe shtëpinë e Fitim Selimit, koordinues për shëndetësi në ZO të Pashtrikut. Malltretuan anëtarët e familjes së tij dhe arrestuan vëllain e Dr. Fitimit, Shkëlqimin, 17 vjeçar. Në anën tjetër, duke kërcuar shqiptarët rrisnin kërkesën e shumës të të hollave, për gjëja sigurinë e popullatës shqiptare dhe fshatrave të tyre. Përdornin lakadredha e përbishtrime të llojllojshme dinakërie dhe inskenonin plane e premtime për të arritur qëllime të përfitimeve financiare. Gënjenin dhe kërcënonin duke e malltretuar popullatën, duke i qitur në pozitë të pavolitshme. Shumherë i venin në veprim të hapur bashkëpunëtorët e interesave të ngushta e kolaboracionistët shqiptarë. Në Sllovijë, paralajmëruan rrezikimin e serbëve vendor nga forcat e UÇK-së, dhe para se të kryejnë krimet e planifikuara, inskenuan, takim për një Marrëveshje sigurie, siç vepronin zakonisht edhe në shumë mjedise të tjera. Më 14 prill 1999, një ditë para sulmit, kërkuan një takim për marrëveshje me shqiptarëve vendor me një oficer të armatës serbe dhe me struktura udhëheqëse serbe të fshatit, oficeri përkundër premtimeve, si kudo që inskenohej kështu, ai nuk erdhi në takimin e mëngjesit të 15 prillit. “Takimi” ishte një mashtrim që strukturat qeveritare e policore serbe ishin shërbyer edhe në ofanzivat e para të 1998. Rrethana kur kryepolici serb nga Lypjani Nikolla, pat kërkuar të vendos kontakte me subjektin partiak, atëherë me kryesinë e LDK-së, këtë tentim Nikolla e bëri përmes disa individëve shqiptarë që me marrëveshje dypalëshe ndëretnike të “sigurohet garanci” për dy palët nga forcat ushtarake e policore serbe dhe UÇK-ja. Një tentim të tillë e kishte kërkuar edhe nënkryetari i komunës Periq, më vonë i dalluar për veprime terroriste në popullatën shqiptare. Ditën e 15 prillit 1999, ditën fatale për shqiptarët e Sllovisë, në mëngjes ushtria e policia serbe përkundër tentimit të disa shqiptarëve nga Akllapi, që të bisedojnë me disa serbë në Gushtericë që të ndërpriten granatimet serbe të fshatit Akllap, serbë me 15 prill 1999, që në orën 6.00 të mëngjesit rrethuan dhe sulmuan këtë fshat, të cilin e dogjën 85% të shtëpive vranë Ibush Gashin/70/ e tërësisht dëbuan popullatën. Në orën 13.40 sulmuan Sllovinë. Vranë e masakruan 24 qytetarë, 16 kufoma të të vrarëve, serbët i varrosën në vendin e quajtur Çuka, të cilat më 24 maj i çvarrosën përsëri dhe nën kërcënimin e policisë detyruan disa qytetarë shqiptarë ti rivarrosin në varret familjare. Kjo lubi dëboi me dhunë gjithë shqiptarët nga fshati, plaçkitën çka gjeti e zuri, kalli 93 shtëpi shqiptare dhe krijoi hapësirë, që ditën e nesërme më 16 prill, në Grykën e Manastirit, te vendi i quajtur “Lugu i Demës”, ose natën e Bartolomeut, kur edhe natyra ishte shqetësuar me motin e ligë, me shi erë dhe të ftohtë, ekzekutohen edhe 17 civilë shqiptarë të tjerë që ishin strehua aty nga ndjekja e 15 prillit 1999. Kufomat e të cilëve vet familjarët e mbetur gjallë I kishin varrosur ditën e nesërme më 17 prill 1999. Pas çvarrosjes që serbët u bënë më 29 prill 1999, gjate nuk janë gjetur, 17 kufomat e të vrarëve nè Lugun e Demës, u sollën nga Batajnica e Serbisë, varrezat e hapura në Sllovijë priten 5 vjet kthimin e kufomave të zhdukura me qëllim të zhdukjes së krimit. Më vonë, nga ky fshat një shqiptarë e mbytën me dru, dhe tre të tjerë vdiqën nga pasojat e luftës, eksplodimit të një mine të minuar në shtëpi të tyre.
Po më 15 prill 1999, grupet paramilitare të formuara nga serbët vendor me emra arkanistë e sheshelist të ndihmuara nga ushtria e policia vrastare, përveç Akllapit, ku vranë një qytetarë shqiptarë. po atë ditë paralelisht sulmuan edhe Smallushën, dogjën mbi 40 shtëpi dhe dëbuan nga shtëpitë e tyre gjithë popullatën shqiptare vendore. Po asaj dite sulmuan nag gjitha drejtimet, nga krahu i Gjilanit-Zhegocit, nga krahu i Ferizajt, Mirashi e Rahovica dhe nga krahu i Prishtinës, u sulmuan tërësia e fshatrave Zhegoc, verbicë, Tërbuvc, Sllovijë, Smallushë, Gllavicën e Marevcin e Vogël nga ndoqën popullatën e këtyre fshatrave dhe dogjën shumicën e shtëpive. Derisa, para dite kishin sulmuar fshatrat malore Kishnapolen e Sllakovcin dhe pas pësimeve të rënda serbe në përballje me UÇK-në në Betejn e Zhegocit, në të cilat luftime ranë edhe dëshmorët Paja dhe Albani, ushtria e tërbuar serbe shfryen mllefin e urrejtjes në popullatën civile në fshatrat e rrafshit. Me 16 prill vazhdoi “loja” e vrasjeve, kalljeve, plaçkitjeve dhe dëbimit masiv të popullatës shqiptare në fshatrat e mbetura ende të papërfshira nga vala e dhunës serbe. Në Tërbuvc, vranë dëshmoren 18 vjeçare Zylfije Gashi, më pastaj në vendin e quajtur “Livadhet e Gjana”vranë familjen 4 anëtarshe të dëshmorit Sahit Baftiu nga Zhegovci. Kallën Plitkoviqin dhe vranë një haxhi plak 80 vjeçar, Kallën dhe ndoqën gjitha familjet e fshatit Vrellë të Gadimës dhe i dogjën gjitha shtëpitë. Po kjo furi e kësaj ekspeditë serbe, që në fillim të sulmit kalli dy shtëpi në Gadimën e Epërme, fshat, ku ato ditë ishin strehuar shumë shqiptarë të ndjekur më herët nga fshatrat e tyre. Më 16 prill 1999 nga Gadimja Epërme u dëbuan afro 20.000 vetë në një kolonë, që thuhet se ishte kolona më e gjatë për ato ditët e tmerrit dhe nën përcjellje kërcënuese policore serbe u dëbuan për Shqipëri. Spiralja e dhunës serbe, po si lubia u shtri edhe në fshatrat e rrafshit. me 18 prill 1999. në ora 6.10 minuta makineria ushtarake e policore e ekspeditës e inkuizicionit e ndihmuar nga serbët vendor ia mësyn Ribarit të Vogël. Kjo makineri e pajisur me informacione filloi “lojën vrastare”, masakroi 25 qytetarë shqiptarë që nga mosha 7 e deri në 90 vjeçare, sipas dëshmitarëve shumica e të vrarëve janë qëlluar nga afërsia. Nga të vrarit 19 ishin qytetarë vendor nga Ribari i Vogël, ndërsa 6 të tjerë ishin nga familja Vuniqi nga fshati Vërshec, tash Blinajë afër Magurës, të cilët që nga ofanziva e parë korrik-tetor 1998, ishin strehuar në familjen Vishesella në Ribar të Vogël. Në familjen Vishesell ditën e krimit serbët vranë 10 persona. Nga të vrarit e Ribarit të Vogël, 8 ishin femra e 17 meshkuj. Nga kjo stuhi sulmi makabër, popullata tjetër e Ribarit u tërhoq në fshatin Zllakuqan, ku qëndruan 12 ditë pa siguri ushqime e ndihme mjekësore. Ndërsa fshati ngeli i boshatisur dhe u shëndrrua në arenë barbarie, plaçkitjeje dhe kallje e shkatrimi i vlerave materiale e shpirtërore shqiptare. Ribari u dogj 40% me çka mendohej të pamundësohet kthimi dhe jeta edhe atyre shqiptarëve që i shpëtuan vrasjes. Kjo kuçedër, asaj dite vrau në oborret e shtëpive para familjes 25 qytetarë, burra, gra e të rinj. Më së keqi pësuan familjet Vishesella 10 të vrarë e dy të plagosur dhe familja Gërxheliu, si dhe 6 anëtarë të Vuniqëve që u vranë bashkë me Vishesellët te të cilët ishin të strehuar nga rrezikimi i dhunës serbe. Të nesërmen, më 19 prill vazhdoi vala e vrasjeve dhe pushkatimeve masive në Hallaq të Vogël, aty vranë 20 qytetarë civilë. Pasi forcat e dhunës serbe urdhëruan daljen e gjithë banorëve në lendinë të fshatit, një pjesë që nuk dolën menjëherë u vranë nëpër shtëpi, madje, dy nga ata i dogjën të gjallë në një odë burrash. Ndërsa, nga 40 meshkuj të tubuan në mes të fshatit, 13 i ndanë për pushkatim, nga të cilët 11 u pushkatuan para syve të prindërve, shpëtuan dy të tjerë Idriz Govori dhe Beqir Asllani, i që më parë i torturuar tmerrësisht, Beqirit gjatë një torture çnjerëzore, me thikë i kishin prerë dorën dhe syrin. Gjatë renditjes në vendin e ekzekutimi u vra Muharrem Asllani, kurse serbi që më masakroi më parë me thikë, tash dha urdhërim për pushkatim, Idrizi dhe Beqiri morën plagë por i shpëtuan vdekjes. Beqirin dhe Idrizin i kanë marr nga vendi i ekzekutimit dhe i kanë ndihmuar Shpejtim e Bujar Shurdhiqi, i fshahur kam qëndruar tri ditë thotë Beqiri, pastaj më kanë dërguar në Krojmir, ku jamë shëruar në mjekësinë ushtarake të UÇK-së.Ndërsa Idriz Govori rrëfen. Më qitën para murit të ekzekutimit, para tutave dhe pyetën: Kush janë nga dy vëllezër të ndalën, pa pastaj, liruar ata që ishin nën 16 vjet. Muharrem e Beqir Asllani u morën se ishin beznismen. Muharremin e ekzekutuan para nesh, atë e vrau një rom. Ramadan Hajrizi shpëtoi, pasi premtoi para dhe stolitë e arit që i kishte me vete. Atij i morën para dhe veturën luksoze. Nga 13 vetat që na mbështetën për muri, plumbi i parë e ka goditur Beqir Asllanin, unë kam rënë ngadalë si i plagosur, por nuk jam goditur. Beqir Asllani i plagosur ka shpëtuar. Ragip Jasharin plumbi e ka goditur në kokë. Pastaj kanë kontrolluar me armë, kush ka ngelur ende gjallë, kur erdhi radha te unë, polici ngrehu këmbëzën shklak! Për fatin tim nuk kishte më municion. E kam dëgjua mire, kur u shpreh “nemam vishe”, nuk kam më/,dhe janë larguar. Unë jam ngritur ngadalë, bashkë me Beqirin e plagosur dhe jemi hyrë në shtëpia bashkë me fshatarët që pas ekzekutimit urdhërojnë që kolona e të ndjekurve të kthehen prapë në fshat dhe nën kërcënimin e dhunës ti varrosin të vrarët. Ne i kemi bartur kufomat e atyre që i kishin vrarë nëpër shtëpitë e tyre. Meqë nuk dolën me urdhrin policor në lëndinën e fshatit. Tubuam 20 kufoma, kanë ardhur ashkalijtë vendor dhe i kanë hapur varret. Prapë erdhën paramilitarët serb dhe pyetën ashkalijtë. Çka janë këta që po hapin varre. A kanë edhe këta të vrarë. Romi ju tha jo, nuk kanë të vrarë. Neve prapë na kanë nisur për Lypjan. Aty te varret e të vrarëve mbetën vetëm romët me tre shqiptarë. Aty ku tash është lapidari është hapur një varr masiv për varrimin e gjithë të vrarëve në këtë barbari serbe. Rivarrimi në varre individuale e familjare është bërë më vonë me urdhrin e serbëve për ta humbur gjurmën e krimit. Ku tash është Lapidari, për mos-humbjen e Varrezës masive dhe kujtesës historike, që nuk do të harrohet kurrë.

( VIJON… )

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura