PROF.DR.SABAHUDIN CENA: DJALOSHI ME DY ZEMRA – AUSHVICI I KRUSHËS SË MADHE!

Prishtinë, 13 prill 2017: (Fjalë-rasti në ditën e përurimit të monografisë ‘’Djaloshi me dy zemra’’ (Aushvici i Krushës së Madhe), të Prof. Dr. Nusret Pllanës)

 

 

 

 

‘’Dhe s’ka fuqi
nuk ka
që hovin ma t’na ndali,
dhe t’harrohet emni
që mbeti me shekuj si kala.
Se Lirinë e fituem me gjak,
e kurrkush s’na e fali
tue luftue errësirën
u bamë të vetëdijshëm edhe Na!‘

***
Të nderuar pjesëmarrës të këtij përurimi,
I nderuari redaktor, prof. Emin Kabashi,
I nderuari profesor Lajçi,
I nderuari autor i kësaj monografie prof. Nusret Pllana,
I nderuari kancelar, imzot Don Lush Gjergji,
Të nderuar krushjanë, bashkëluftëtarë, veteran, invalid të luftës,
Të nderuar familjarë të martirëve të Anadrinit e të dy Krushave,
Të nderuar të pranishëm!

Do të doja që sot në vend të Bajram Nallit, të qëndroj këtu në këtë sallë Hashimi e Blerimi, dy pëllumba të tij dhe Ata sot këtu, para nesh të flasin pranë fotografive të Bajramit e të Xhelës. Por ja se jeta i paska ligjet e veta, që ne me shumë, por edhe me po aq krenari i përballojmë, sepse në rrethanat normale, të bijtë si Blerimi e Hashimi i përcjellin në botën e amshueshme prindërit e vet, ndërsa në një çmenduri të këtillë me të cilin u ballafaquan krushjanët dhe të gjithë shqiptarët gjatë viteve 1998 e 1999, prindët që i kemi sot këtu, i përcollën në atë botë bijtë e tyre: Blerimin, Hashimin, Bekimin, Fitimin, Enverin, Muhametin, Hysniun, Sinanin, Sedatin, Isanë, Isakun, Agimin, Ismailin, me më se 241 banorë të Krushës së Madhe, me 125 banorë të Celinës, me 120 banorë të Fortesës, me 50 banorë të Nagafcit, me 65 banorë të Hoçës së Vogël, me 70 banorë të Brestofcit, me 30 banorë të Retisë, Zaçishtit e Apterushës, me 30 banorë të Randubravës, me 120 banorë të Krushës së Vogël, me 130 banorë të Pastaselit, me shumë e më shumë të tjerë gjithandej Kosovës, prandaj Krusha e Madhe, e Bajram Currit dhe e Ukshin Hotit, gjatë këtyre ditëve u bë Aushvic e shkuar Aushvicit, e neve na mbetet që gjatë leximit të kësaj monografie ta kuptojmë të kaluarën tonë të hidhur nëpërmjet një dëshmitari e ky është ‘’ Djaloshi me dy zemra’’, djaloshi pa njëzet e një pranvera, pra nëpërmjet Blerim (Bajram) Nallit, një libër të cilin po e përurojmë sot.

Nusret Pllana, gjatë hartimit të kësaj monografie ma sillte imazhin e Odiseut të Homerit, i cili gjatë udhëtimit nëpër botën nëntokësore, pas Luftës së Trojes, takohet me Agamenonin. Nusret Pllana takohet me Blerimin të cilin e ka dëshmitar okular dhe narrator të gjithdijshëm, prandaj rrëfimet e Blerimit të Bajram Nallit janë rrëfime në emër të tërë rinisë shqiptare të dërguar në atë botë nga duart e kriminelëve që dëshironin për ta zhbërë Kosovën, vetëm e vetëm që të mos e kalojmë milionshin, sepse kështu e kërkonin planet e Garashaninit, Hartvigut, Akademisë dhe Kishës serbe dhe në fund kështu e kërkonte kryekrimineli, kryekasapi i Ballkanit, Slobodan Milosheviq.
Gjatë rrëfimeve, Blerim Nalli, ‘’Djaloshi me dy zemra‘’, rrëfen për lashtësinë ilire, për kohën e Skëndërbeut, për Rilindjen Kombëtare Shqiptare, për Lidhjen e Prizrenit, për luftërat e Sulejman Vokshit, për Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, për Bajram Currin dhe Lëvizjen e kaçakëve, për Lidhjen e Dytë të Prizrenit, për patriotët e shquar të Krushës së Madhe, Nezir Hotin e Isuf Dellovën, për aksionin e mbledhjes së armëve, për demonstratat e vitit 1968, 1981, 1990 e për Ukshin Hotin, për masakrat në Drenicë, për heroizmin e familjes Jashari, për këngët e Muhamet Malësorit, të Nazmi Sejfullahut e të Sarandë Krasniqit, për recitimet e Blertës e për vargjet e vogëlushëve krushjanë se pa Ukshin Hotin nuk vjen liria. Dhe me të vërtetë, edhe ky cep i lirisë që e gëzojmë sot është i mëngët, sepse ende nuk e dimë ku i kemi të vrarët, ende nuk dimë gjë për krematoriumet, ende nuk dimë gjë për Ukshin Hotin që mbeti as i gjallë e as i varrosur.
Monografia e Prof.Dr.Nusret Pllanës, pjesëmarrës të nderuar, ka 220 faqe tekst: një fjalë të redaktorit, pra të Prof, dr. Emin Kabashit, këshilltar shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës, një hyrje të shkurtër që i paraprin dhe e përgatit lexuesin, e pesë kapituj. Të gjitha këto janë të pajisur edhe me disa fotografi familjare të Nallëve të Krushës së Madhe. Pra, libri ka një adresë të saktë të burimeve dhe të referencave, një përfundim të shkurtër dhe shënime për autorin, për Prof.dr.Nusret Pllanën të cilit i shkoi rinia nëpër burgje, e në Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e tash në fund edhe në fushën e informimit publicistik për t’i treguar botës me shkrime, me libra e me filma se në Kosovë me të vërtetë u bë një gjenocid i paparë dhe sot Krusha e Madhe mbetet Aushvic e shkuar Aushvicit.

Pra, në të pesë kapituj të veçantë të kësaj odiseade, nëpër botën nëntokësore, për ta takuar, për ta parë e për ta dëgjuar jo vetëm zërin e Blerimit në blerimin e pranverës, por edhe të shumë blerimëve të tjerë.
Këtu janë prekur dhe shpalosur, jo vetëm anët e jetës apo të historisë së një njeriu, aq më pak të një të riu, i cili një ditë pa i mbushur njëzet e një vjet bëhet pjesë e vdekjes që kërkonte liria e kësaj pjese të atdheut tonë. Po ashtu, në pesë kapituj të kësaj monografie janë trajtuar dhe analizuar aspekte nga më të ndryshmet, jo vetëm të atij rrafshi si i ka rrëfyer Ai ngjarjet. Pra, tërësisht në vetën e parë, si i ka rrëfyer Blerimi ngjarjet duke bashkëbiseduar edhe me të tashmen e jetës së tij, edhe me jetën e përtejme të tij, në mënyrë që të shpalohet gjithë dhembja, gjithë rrjedha historike e tragjedisë së Krushës së Madhe e cila edhe shpaloset në trajtën e një arkivi që lëshon ujë në formë rubinete dhe prej saj dalin të dhënat për lexuesin e informuar dhe të painformuar, për atë se ç’ishim, ç’jemi sot e çka mund të jemi nëse shkelim mbi shenjat e kujtesës sonë historike, nëse na kapin përpara valët e një sëmundjeje që quhet harresë.
Pra, pjesëmarrës të nderuar, e këtillë është jeta, e këtillë është historia dhe e këtillë na doli gjeografia jonë kombëtare në këtë truall që quhet Kosovë e që dita më ditë po na tkurret e po na bëhet lëkurë-shqarthi duke filluar prej Kongresit të Berlinit e këtej, prandaj shenjat e kujtesës sonë historike duhet t’i mirëmbajmë, në të kundërtën e kaluara mund të na përsëritet.
Pjesëmarrës të nderuar,
Kjo është vepër më e re e Prof.Dr.Nusret Pllanës, pas të gjithë atyre shkrimeve duke filluar prej ‘’Radio-Kosovës së Lirë’’ e dëshmorit Agim Bardh Zeneli nga Shqiponja e Dushkajës e deri te ‘’Djaloshi me dy zemra’’(Aushvici i Krushës së Madhe), është fryt i një arkivi e i një shpirti erudit të cilin nuk e lodhi as burgu në kazametet komuniste e serboçetnike, as lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës , prandaj na mbetet që autorit t’i dëshirojmë jetë të gjatë, pleqëri të lumtur, punë të mbarë në përfundimin e të gjitha ndërmarrjeve që i ka nisur apo që i ka në plan për t’i nisur, bashkëpunëtorëve të Tij t’u dëshirojmë suksese, e Juve të gjithëve gajretin burrëror e ‘kyvetin’ ashtu siç ju njoha më 1972, ashtu siç ju njoha në të gjitha protestat e deritashme, ashtu siç u njohëm gjatë periudhës së Ukshin Hotit, ashtu siç ju njoha gjatë luftës, prandaj edhe dëshiroj që ta lexoni këtë monografi sepse:
‘’ Veç nji qëllim i lartë të ban me durue
E zemrën ta forcon
Ndër kundërshtime s’vyen kurrë me u ligshtue
Mjer ai që nuk qëndron!’’
***

Lavdi të gjithë martirëve anembanë fushëbetejave të trojeve etnike !
Lavdi të gjithë martirëve të Anadrinit !
Lavdi martirëve të Krushës së Madhe!
Lavdi dëshmorëve të kombit!
Lavdi Blerim Nallit!
Zoti ju forcoftë!
Ju faleminderit.

Prishtinë, 27 mars 2017

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura