Pashtriku, 30 Mas 2020: Behajdin Allaqi në fund të viteve ’80-të, ishte njëri nga tre udhëheqësit kryesor të LPRK-së (OMLK-së) bashkë me Fadil Vatën dhe Afrim Zhitinë.
BEHAJDIN ALLAQI: ‘LPRK ËSHTË ORGANIZATË POLITIKO – USHTARAKE DHE NË QOFTËSE NA IMPONOHET LUFTA NE DO TË JEMI NË VIJË TË PARË’ (UJËMIR, 4 TETOR 1991) / VIDEO /
“Popullit duhet t’i shpjegohet se lufta nuk është një betejë, por një varg betejash lokale, prej të cilave, ç’është e vërteta asnjëra nuk është vendimtare. Nëse nuk jemi të kujdesshëm mund të ndodhë në çdo çast që populli, (pasi që pushtuesi të bëjë edhe lëshimin më të vogël), të pyes: “Përse vazhdohet lufta?” Lëshimet e armikut nuk guxojmë t’i vlerësojmë si suksese, ato nuk duhet të na verbojnë. Në saje të shembujve historikë, popullit duhet t’i sqarohet se maskarada e lëshimit ka dhënë si rezultat robërimin më të fshehur dhe më të plotë. Lufta jonë për çlirim e pavarësi duhet të vazhdojë pa u dehuar nga disa suksese joesenciale në raport me gjendjen koloniale. – Behajdin Allaqi – Prizren, shtator 1997″/^
***
Më 4 tetor 1991 në shtëpinë e Sadri Shalës, në fshatin Ujëmir të Klinës u mbajt Mbledhja e Tretë e Përgjithshme e Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës – LPRK. (Mbledhja e Parë e Përgjithshme e LPRK-së u mbajt në korrik 1987, në St. Gallen, Cyrih dhe Delemont të Zvicrës, ndërsa Mbledhja e Dytë mbahet në tetor 1989 në qytetet Baden dhe Ollten të Zvicrës).
Përgatitjet për organizimin e Mbledhje së Tretë të Përgjithshme (që po mbahet për herë të parë në Kosovë) kanë nisur pas mbajtjes së Konferencës së Dytë të LPRK-së, në shkurt të vitit 1991 në fshatin Prapashticë (afër Prishtinës). Behjadin Allaqi, si njëri nga drejtuesit e organizatës ka dhënë kontribut të veçant, si në organizim ashtu edhe me diskutime konstruktive në mbarëvajtjen e kësaj mbledhjeje të rëndësishme.
***
BEHAJDIN ALLAQI: LPRK ËSHTË ORGANIZATË POLITIKO – USHTARAKE DHE NË QOFTËSE NA IMPONOHET LUFTA NE DO TË JEMI NË VIJË TË PARË
Behajdin Allaqi, në diskutimin e tij ka prezentuar denjësisht vizionin politiko – ushtarak të LPRK-së.
Ai me këtë rast ka thënë:
“Edhe më herët kam insistu, që të kuptohet drejt taktika e luftës, edhe si Lëvizje edhe si Komb, por po e përsëris, veçanërisht u pajtova me shumë orientime të drejta që i shtrun edhe shokët tjerë poo, veçanërisht me shokun, njërin prej veteranëve, se duhet të kuptohet e drejta e kujt, pa bashkimin e të gjitha forcave, pa e heq atë shpirtngushtësinë, që vetëm ne mundemi, ne mujtëm etj., ne nuk mund të shkojmë përpara.
Një problem që nuk u shtru fare deri më tash dhe që mungon në raport, që është dobësi e madhe, është problemi i organizimit të mirëfilltë, jo vetëm politik, se ne jemi në gjendje lufte dhe jo që një muaj, a dy a tre, por qe 10 vite.
Është problemi që duhet të definohet qartë, se ne jemi organizatë politike, për nga përmbajtja dhe veprimet dhe puna që kemi ba ushtarake, organizatë politiko – ushtarake.
Në qoftëse nuk kemi kësi pretendimi, që të jemi organizatë politiko-ushtarake bëjmë vetëm teori, bëjmë vetëm teori.
Sepse dihet mirëfilli, se si realizohen programet politike, qëllimet politike.
Në dy mënyra:
1. me mjete politike dhe
2. ushtarake.
Ne jemi në gjendje të luftës dhe të gjitha ecuritë në përmasa kombëtare dhe jashtëkombëtare, pra në Jugosllavi edhe më gjerë, tregon se, është imperativ i kohës, që ma tepër t’i kushtojmë randësi,.. sepse ne nuk e kemi problemin me programin, a e kemi programin e qartë apo jo, çka po kërkojmë, nuk e kemi problemin a jemi të gatshëm me luftu, ne nuk e kemi problemin a kemi me çka dhe si, po e kemi problemin se a jemi në atë masë të organizum, pra në kuptimin ushtarak, politiko – ushtarak, po e përsëris – nuk po i ndajë, nuk bën të ndahen këtu prap…
Dhe këtu duhet vu theksi, sa kemi ba ne si lëvizje dhe partitë tjera bashkë, pra si popull përfundimisht, në çfarë niveli jemi – të organizimit ushtarak… (kërkojmë luftë…)
Vazhdimisht në dokumentet tona, në traktet dhe në të gjitha që i kemi lëshu, e kemi definu qartë, edhe për arsyena diplomatike etj., që nuk jemi për luftë, por në qoftëse na imponohet, ne do të jemi në vijë të parë… (…)
***
Në vazhdim shikoni me kujdes diskutimin e Behajdin Allaqit në këtë video:
Behajdin Allaqi: LPRK eshte organizate politiko – ushtarake…
https://www.youtube.com/watch?v=oDFbWNkmRyc
***
Idetë dhe vizioni i Behajdin Allaqit, për të ardhmen e LPRK-së si organizatë politiko – ushtarake u bën pjesë e Programit dhe Statutit të LPRK-së.
Në vijim lexoni Programin e LPRK-së, të aprovuar në Mbledhjen e Tretë të Përgjithshme, tetor 1991:
***
P R O G R A M I
I LËVIZJES POPULLORE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
I
Përkundër luftës së parreshtur të popullit shqiptar për çlirim kombëtar, më se gjysma e trojeve etnike shqiptare të ripushtuara nga Serbia dhe Mali i Zi, u ndanë padrejtësisht nga trungu dhe mbetën jashtë shtetit shqiptar.
Pas LDB (Luftës së Dytë Botërore) trojet shqiptare nën Jugosllavi u copëtuan në tri Republika (Serbi, Maqedoni, Mal të Zi) dhe Krahinën e Kosovës, gjysëmautonome, edhe kjo në kuadër të Serbisë.
Rezultat i luftës së gjatë të popullit të robëruar shqiptar në Jugosllavi është shpallja e Republikës së Kosovës më 1990, realizimi praktik i së cilës pengohet egërsisht nga pushtuesit serbë.
Populli shqiptar, më se 3 milionësh në Jugosllavi, megjithëse për nga numri vjen në rend të tretë, menjëherë pas serbëve dhe kroatëve, dhe jeton në trojet e veta kompakte, ku është autokton dhe përbën shumicën absolute të popullsisë, i mohohet e drejta legjitime të vetëvendosë lirisht për fatin e vetë.
Populli shqiptar nuk u pajtuar dhe nuk do të pajtohet kurrë me këtë gjendje.
Ruga e vetme që shpie drejtë zgjedhjes së drejtë të çështjes sonë kombëtare është lufta e bashkuar e gjithë popullit tonë kundër pushtuesve sllavomëdhenj.
II
Lëvizja Popullore e Republikës së Kosovës (më poshtë LPRK) është organizatë demokratike nacional-çlirimtare që ka për qëllim:
• Zgjedhjen e çështjes kombëtare të popullit shqiptar të robëruar nën Serbi, Maqedoni dhe Mal të Zi në bazë të parimit të së drejtës së vetëvendosjes, duke përfshirë edhe të drejtën për shkëputje;
• Ndërtimin e shoqërisë së re, të lirë dhe demokratike shqiptare në përputhje me vullnetin e popullit.
III
Arritjen e këtyre qëllimeve LPRK-ja e sheh nëpërmjet bashkimit të gjithë popullit të robëruar shqiptar dhe forcave të tij të organizuara në një front të përbashkët pa dallim përkatësie klasore, ideologjike, fetare e krahinore.
LPRK në luftën e saj përdor të gjitha format dhe mjete demokratike, paqësore e politike të luftës. Në rrethanat kur janë të pashmangshme përdor edhe format e mjete jopaqësore si vetëmbrojtje popullore e domosdoshme.
LPRK kombinon format ilegale dhe legale të veprimit në përputhje me rrethanat dhe situatat që krijohen.
LPRK është kundër formave fashiste, raciste, anarkiste e terroriste të veprimit.
IV
LPRK faktor kryesor të luftës çlirimtare konsideron forcën e brendshme. Ndihmat nga jshtë realizohen nëpërmjet të këtij faktori.
LPRK përkrah të gjitha proceset progresive dhe demokratike në Evropë dhe botë.
V
Këtë Program mund ta ndryshojë Mbledhja e Përgjithshme apo organi të cilin e ngarkon ajo.
Aprovuar në Mbledhjen e Tretë të Përgjithshme të LPRK-së.
Tetor 1991, Kosovë
Lexoni faksimilin e Programit të LPRK-së:
***
Për më tepër lexoni Programin dhe Statutin e LPRK-së, në formatin PDF:
PROGRAMI DHE STATUTI I LËVIZJES POPULLORE TË KOSOVËS – Tetor 1991
https://pashtriku.org/ngarkimet/dokumentet/Programi&statuti%20i%20LPRK%201991.pdf?fbclid=IwAR2ef3s6Fs0v2PXbd7sR9EwxcTJ0KTMWpPj0XRbCv5aNDmbPpBLEthL6Yek
_____________________
Duam një varr për Behajdin Allaqin!
Në 57 vjetorin e lindjes së Behajdin Allaqit (*) (07.04.1963 – ?.?.1998), nga anëtarët e Shtabi Lokal të UêK-së në Drenoc: Isuf Gashi, Bedri Zyberaj, Selim Krasniqi…, kërkojmë të dëshmojnë për rrethanat e ndalimit dhe keqtrajtimit të Behajdin Allaqit gjatë qëndrimit në Drenoc. Me këtë rast edhe nga anëtarët e SHP të UêK-së: Jakup Krasniqi, Xhavit Haliti, Azem Syla, Rexhep Selimi, Fatmir Limaj, Bislim Zyrapi, Ramë Buja, Sokol Bashota, Hashim Thaçi, Kadri Veseli…, kërkojmë ndriçimin e rrethanave të ekzekutimit dhe zhdukjes pa gjurmë të Behajdinit, pastaj vendin ku u groposën eshtrat e tij, në mënyrë që të kemi një varr, ku mund të përkujtohet e nderohet nga familjarët dhe gjithë shqiptarët!
———
(*) Behajdin Allaqi në fund të viteve ’80-të, ishte njëri nga tre udhëheqësit kryesor të LPRK-së (OMLK-së) bashkë me Fadil Vatën dhe Afrim Zhitinë.