Dr. IBRAHIM TEMO NJË ZË MBROJTËS I POPUJVE TË BALLKANIT

Dr. IBRAHIM TEMO NJË ZË MBROJTËS I POPUJVE TË BALLKANIT

Nga Dr.Avzi Mustafa, Shkup – 20 shkurt 2023

Në veprimtarinë e Ibrahim Temos, kohëve të fundit, po hasim shumë informacione dhe punë frytdhënëse jo vetëm për Rilindjen Kombëtare Shqiptare, por edhe për gjithë popujt e Ballkanit në rrugën e drejtë të çlirimit e të përparimit.

E tërë veprimtaria e tij në gjuhën osmane-turke ose në gjuhet e Perëndimit, sidomos në gjuhën frënge, e zbulon dr. Ibrahim Temon si një zëdhënës jo vetëm të popullit shqiptar, por edhe të turqve, maqedonasve, vllahëve dhe rumunëve. Historiografia shqiptare, në bazë të teksteve që deri tani e kanë prezantuar këtë personalitet, ka shumë pak të dhëna. Edhe pse në Arkivin e Shqipërisë është një fond shumë i madh, nuk dihen arsyet pse nuk zbardhet deri në fund ai. Në Historinë e Shqipërisë emri i Ibrahim Temos përmendet vetëm tri herë: një herë si reformator, herën e dytë si themelues i Komitetit “Bashkim e Përparim” dhe të tretën herë si kandidat i Parlamentit Turk.

Veprimtaria e tij zë vend të posaçëm në Rilindjen Kombëtare si një nga atdhetarët e denjë. Aktiviteti i tij lidhet drejtpërsëdrejti me patriotët mëdhenj, si Dervish Elbasani, Dervish Hima, Jashar Erebara, Faik Konica, Hamdi Ohëri, Kristo Luararasi, Ligor Marko, Mehdi Frashëri, Shahin Kolonja, Sotir Koleja e të tjerë.

Ibrahim Temo (1865 – 1945)

Në këtë vështrim do të bëjmë fjalë për jetën, punën dhe kontributin e Ibrahim Temos në lëvizjen revolucionare, kulturore e publicistike jo vetën në historinë e lëvizjes kombëtare shqiptare, por edhe të popujve të Ballkanit.

Për të i madhi Faik Konica do të thotë se “Ibrahim Temo është një atdhetar i vërtetë”, se ai ka zemër më shqiptare se vet (Faiku), se shkruan shqip më mirë se vet ai…

Familja e Ibrahim Temos e kishte origjinën nga krahina e Matit. Në Strugë u vendosën në kohën e Kara Mehmet Pashë Bushatlliut, vezirit të Shkodrës. Pas mbarimit të shkollës fillore dhe dy klasave të ruzhdijes, me ndihmën e disa miqve të babait të tij, shkon për studime në Stamboll. Pastaj regjistrohet në shkollën paraprake të mjekësisë të tipit idadije.

Në vitin 1885/86 Ibrahim Temo kalon në gjimnazin mjekësor ushtarak. Më 1888/89 regjistrohet në fakultetin modern mjekësor ushtarak. Në këtë fakultet Temo, me intelektin e tij të çuditshëm, vitin e parë dhe të dytë i mbaron përnjëherë. Si një njeri me aftësi të veçanta komunikimi dhe shumë serioz, ai bie në kontakt me shumë studentë shqiptarë, por edhe me turq, me të cilët bisedonte për hallet e shqiptarëve dhe të vetë Perandorisë. Siç thotë Dr. Hasan Kaleshi, Ibrahim Temo ishte një katalizator ndërmjet studentëve brenda fakultetit dhe njerëzve përparimtarë jashtë fakultetit.

Në këtë kohë Perandoria me kokë ishte kthyer kah Anadolli, kurse në Ballkan i kishte mbetur vetëm bishti, madje në të ishte bërë një mozaik kombesh, të cilët kërkonin t’i fitojnë të drejtat e tyre.

Me iniciativën e Temos dhe të katër studentëve të fakultetit ku studionte ai, u organizua një lidhje sekrete, ndërsa më vonë edhe klubi dhe komiteti me emrin “Bashkim e Përparim”, një subjekt që më vonë u bë bërthamë e lëvizjes së Turqve të Rinj. Ishte kjo organizata e parë politike ilegale në Perandorinë Osmane, që kishte për qëllim ta rrëzojë nga froni sulltani Abdyl Hamitin II. Prandaj ajo nuk kishte qëllim të ngushtë nacional, siç pretendonin në fillim disa anëtarë. Kështu, falë bindjes së Ibrahim Temos, në këtë organizatë mund të pranoheshin të gjithë ata nënshtetas osmanlinj që ishin të besueshëm dhe ishin në gjendje të mirë ekonomike, pa marrë parasysh përkatësinë nacionale e konfesionale.

Kjo organizatë u përhap jo vetëm në Perandorinë Osmane, por edhe në Buhara, Kaukaz, Kajro, Tunizi, Algjer, Marok, Beograd, si dhe në disa qendra evropiane, si: në Paris, Gjenevë, Londër, Bruksel e Folkeston.

Pas një aktiviteti shumë intensiv, në vitin 1889 Ibrahimi vjen në Strugë për t’i kaluar pushimet verore dhe për t’u parë me prindërit dhe miqtë. Po në këtë verë, për aktivitetin e tij, Ibrahim Temo burgoset dhe përmes të Shkupit dhe Selanikut dërgohet në burgun e Stambollit. Megjithatë, në mungesë të provave dhe pas shumë kërkesave, ai lirohet nga aktakuza. Më 1893 i kryen studimet me sukses dhe e mbron temën e diplomës me titull “Kudiz hastaligi daulkelb” (Sëmundja e tërbimit).

Veprimtaria e tij udhëhiqej në tri drejtime: në organizimin e degëve të organizatës, në profesionin e tij të mjekësisë dhe në organizatat humanitare. Ai punonte në spitalin e dëgjuar “Hajdarpasha”. Si studiues i pjekur, ai i shkroi veprat “Mjeku i shtëpisë”, “Ushqimi për jetë të gjatë”, “Pse e dua Ataturkun?”, “Medicina popullore dhe mbajtja e shëndetit”, “Abetare me shkrola arabe”, “Formimi i Shoqatës Bashkim e Përparim”. Më vonë, po në këtë spital me renome, ai emërohet mjek i syve.

Në këtë kohë në disa qytete të Perandorisë kishte rënë një dergjë e madhe, kolera, nga e cila vdisnin qindra njerëz. Ibrahim Temo, i mbushur plot mllef se shumë pak po punohej për njerëzit e thjeshtë nga çdo aspekt, shkruan një poezi me titull “Termeku i madh”, të cilën Dr. Hasan Kaleshi e cilëson “poezi rasti”, ku ai e krahason kolerën me regjimin absolut të Sulltanin. Edhe për këtë poezi ai përsëri prangohet.

Ibrahim Temo edhe disa herë të tjera do të zhvendoset nga puna dhe disa herë do të burgoset për aktivitetin e tij politik. Andaj shpesh ishte i detyruar të udhëtojë prej një vendi në tjetrin. Meqë ishte njeri i kontakteve, ai bie në shoqëri me disa studentë vllahë dhe ilegalisht kalon në Rumani, për t’i ikur kështu burgut dhe për të ndërmjetësuar ndërmjet rumunëve dhe grekeve për ta ndarë shkollën dhe kishën.

Edhe këtu Temos iu dha mundësia që ta ushtronte profesionin e mjekut. Pastaj ai transferohet në një vendbanim nja 30 kilometra prej Konstancës e, më vonë, edhe në Dobruxhë, ku ishin të vendosur shumë shqiptarë dhe turq. Por, ai nuk u ndal as këtu me aktivitetin e tij. Madje me të madhe e ushtronte aktivitetin e tij politik edhe në Rumani. U bë bile edhe senator në Senatin e Rumanisë, ku mendimet e tija gjenin përkrahje tek populli rumun.

Temo udhëtonte nëpër shumë qytete të Ballkanit e të Evropës për ta shpjeguar idenë dhe për të themeluar komitete të xhonturqve. Ai kudo fliste për gjendjen e mjeruar, dërgonte letra, traktate, manifeste dhe shpeshherë i drejtohej edhe selisë së Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, ku ankohej për gjendjen e rendë të popujve, pa marrë parasysh nacionalitetin dhe besimin e tyre fetar.

Po ashtu shkruante shpesh në shtypin e kohës, sidomos në gazetën e Dervish Himës “L’independence albanaise”. Ai bashkëpunonte me bashkëvendësin e tij, Dervish Himën, i cili ishte përfaqësues i krahinës së Danubit me Jashar Erabarën si përfaqësues të osmanlinjve në Bukuresht, me Behxhet Hoxhën nga Dibra e me shumë të tjerë. Ibrahim Temo do të mbetet jo vetëm organizator i “Itihatit ve Teraki”, por edhe zëdhënës i saj.

Pas mbarimit të së ashtuquajturës “Kiza Lindore”, Perandoria dhe fuqitë e mëdha evropiane u ndeshën me një problem shumë të komplikuar – me “Çështjen e Maqedonisë”. Kjo ndodhte pikërisht në kohën kur propagandat luftarake të shteteve ballkanike, si Bullgaria, Serbia dhe Greqia, vepronim me të madhe për ta dezinformuar opinionin evropian dhe për të ngjallë apetitet shoviniste të këtyre shteteve ndaj territorit të Maqedonisë. Madje, këto shtete shoviniste ballkanike, pos propagandës, ushtruan edhe forcë, duke hedhur çeta të armatosura si pretekst se gjoja ato i mbrojnë vëllezërit e gjakut. Edhe Serbia, edhe Bullgaria edhe Greqia thirreshin në “kohërat e mira”.

Greqia, me propagandën e saj, duke u mbështetur në aspektin historik e gjeografik, deklaronte se Maqedonia është “tokë greke”, ndërsa “banorët e saj me besim të krishterë janë pasardhësit e Filipit dhe të Perandorisë Bizantine”.

Bullgaria e shikonte të ardhmen me Maqedoninë, pa të cilën shteti bullgar as që mund të formohej.

Nga ana tjetër, Serbia propagandonte për një “bashkim të tërë serbëve”, duke filluar nga Bosnja e deri në Selanik e Durrës, andaj në Serbi thuhej: “Nëse Bosnja nuk mundet të vijë te ne, atëherë ne do të shkojnë atje dhe do të drejtohemi kah jugu.”, me çka mendohej në okupimet e territoreve të Maqedonisë dhe Shqipërisë për të dalë kështu në det. Kjo shihet në këtë deklaratë të Nikolla Pashiqit: “Kjo në jug duhet të bashkëngjitet dhe asnjëherë të mos ndahet, për arsye se den baba den dihet se kush e ka pasur Maqedoninë”.

Ibrahim Temo në Paris pati edhe një takim me  Nikolla Pashiqin ku debatuan shumë ashpër mbi pretendimet serbe ndaj shteteve të Ballkanit e sidomos ndaj Maqedonisë dhe Shqipërisë. 

Edhe Fuqitë e Mëdha ishin të interesuara për Maqedoninë dhe për “Çështjen e Maqedonisë”, kjo pikërisht për shkak të Luginës së Moravës dhe daljes në Selanik dhe Detin Egje, që kështu të afrohen sa më afër Stambollit.

Propagandat dhe hedhja e çetave nga shtetet e Ballkanit mbi popullatën që jetonte në territorin e Maqedonisë sollën shumë të papritura dhe shumë vuajtje. Por, moskuptime u paraqitën edhe nga shtetet e lartpërmendura, ndonëse shtetet e mëdha të Evropës, varësisht nga simpatia, bënë privilegje ndaj shteteve, duke e mohuar nacionalitetin e njëri-tjetrit.

Më 15 shkurt të vitit 1903, në Paris, Ibrahim Temo merr pjesë si i deleguar shqiptar në konferencën e dedikuar “Çështjes së Maqedonisë”. Kjo konferencë u mbajt në teatrin “Chateau d’Esu” (Shato Doy). Pasi folën shumë pjesëmarrës, fjalën e mori edhe një francez me emrin Pressense (Presenëse). Ky orator dëshironte ta shpjegojë “Çështjen e Maqedonisë” ashtu si dëshironin të tjerët, pa e njohur mirë as Turqinë Evropiane e as nacionalitetet që jetonin në territorin e Maqedonisë, por duke u mbështetur vetëm në statistika arbitrare.

Pasi e dëgjoi me kujdes zotin Presenëse, i cili me oratorinë e vet e filloi ta mashtronte opinion evropian duke i mohuar së pari vllahët, Ibrahim Temo e mori fjalën dhe tha: “Se arumunët nuk kanë vetëdije kombëtare se ato janë helenofil, këto nuk kanë të bëjnë me realitetin”. Ibrahim Temo iu kundërvu atij duke thënë se “Helenët e historisë as që ekzistojnë. Kurse vllahët, përkundrazi, ata e afirmojnë nacionalitetin e vet nga dita në ditë, duke krijuar katundet e veta e duke themeluar shkolla të reja ku e mësojnë gjuhën e tyre”. Pastaj Temo vazhdoi se: “Ata (vllahët) punojnë aktualisht për shkëputjen e kishës së tyre nga varësia e Patrikanës Ekumenike”. “Ju zotëri po thoni se ky popull është i parëndësishëm dhe lansoni gënjeshtra se bashkë me popujt të tjerë u jepni epitetin e renegatëve”, u shpreh ai.

Më pastaj Ibrahim Temo, me një zë të lartë e të qartë, si dhe me një frëngjishte të përsosur, u ndal rreth shqiptarëve, duke thëne se “shqiptarët formojnë shumicën e popullsisë totale në Maqedoni, por aty jetojnë edhe popuj të tjerë”.

Temo para të pranishmëve “ u prezantoi publikut të interesuar, në emër të së vërtetës, numrin e popullsisë së Turqisë Evropiane (vilajetet e Kosovës, Shkodrës, Selanikut, Manastirit, Janinës, Adrianopojës) me përjashtim të rrethit të Konstatinopojës:

Shqiptarë (të krishterë dhe myslimanë)……………… 2.600.000

Osmanlinj (turq)……………………………………… 0.900.000

Sllavë (maqedonas, serbë e bullgarë)………………… 0.800.000

Grekë………………………………………………….. 0.550.000

Arumun (vlleh)……………………………………….. 0.520.000

Çifutë…………………………………………………. 0.095.000

Ciganë…………………………………………………. 0.020.000

Gjtihsej:                                                                               5.485.000

Dhe, tani duhet pritur autonomitë që mund të jepen dhe pa marrë parasysh shumicën dhe nevojat lokale, masakrat fantastike që i vërshojnë për çdo ditë shtypin evropian. Megjithatë pa marrë parasysh këtë, ne shqiptarët i mbetemi besnik drejtësisë së Evropës, ne nuk e presim këtë nga librat dhe francezët fisnikë, por përkundrazi, ne presim përkrahjen me drejtësi dhe barabarësi”.

Ibrahim Temo, me formimin e lëvizjes së Turqve të Rinj, që në fillim e pa se punët nuk do të shkojnë mirë dhe ashtu siç ai e kishte hartuar në programin e Shoqatës. Andaj në vitin 1902 e braktis punën si mjek dhe merr rrugën për në Evropën Perëndimore. Në Europë u takua me shumë miq e politikanë të ndryshëm, me të vetmin qëllim që t’i koordinojë punët e komiteteve. Në të njëjtën kohë ai specializon edhe për sëmundjen e syve në Paris.

Revolucioni i Xhonturqve e gjeti Temon në Kostancë. Aty, para shtëpisë ku banonte, ai e mbajti një fjalim të zjarrtë dhe ishte më se i bindur se tani “absolutizmit të Sulltanit iu thyen brinjët”. Por, nuk ishte kështu, ngase pas pak kohe Temo shkon në Selanik për ta vizituar klubin qendror të xhonturqve, ku aty u takua me Qamil Pashën, i cili i tha troç Temos se: “Kjo organizatë nuk është e njëjta me atë që ju e krijuat dhe në emrin e së cilës ju keni bërë agjitacion jashtë shtetit; në të vërtetë, kjo organizatë është rezultat i kameleonëve të Sulltanatit”.

I dëshpëruar nga ajo që e dëgjoi, ai kthehet në Strugë. Në atë kohë Perandoria i përgatiste votimet parlamentare. Prandaj populli i Strugës e dominoi këtë bashkëqytetar të tyre për deputet në Parlamentin Turk. Mirëpo, klubi i Xhemijetit nuk ia pranoi kandidaturën. Sipas Manol Pandevskit, shkaku ka qenë se ky gjoja ka qenë deputet në Parlamentin Turk. Se dikush që ka “ngrënë pilafin e turkut vështirë se mund të transformohet” ishte hedhë  propaganda nga ato që dëshironin që të mos prishet Osmanlija.

Pas kësaj, pas një kohe të shkurtër, ai largohet nga Struga dhe shkon në Rumani. Por, më vonë shkon përsëri në Stamboll dhe punësohet si “Inspektor i shëndetësisë” në prefekturën e Paros (Bajagllu).

Dr. Ibrahim Temo, përveç punës së drejtpërdrejtë ose edhe me organizimin e degëve në vende të ndryshme ky e shtrinte veprimtarinë e tij, por edhe nëpërmjet shtypit të kohës, edhe atë në gjuhë frënge, ai e proklamonte Reformën. Andaj shpesh edhe keqkuptohej. Kjo ishte arsyeja që ai do të shkruajë se “lufta është kundër Sulltanit e jo kundër popujve të Rumelisë”.

Temo një kohë kishte punuar si punëtor edhe në një barnatore të një greku, ku e kuptoi edhe më mirë psikologjinë e grekëve. Atij i vjen shumë keq pse kisha greke ndjellë shovinizëm e armiqësi ndaj popujve, sidomos ndaj shqiptarëve, vllahëve, maqedonasve etj.

Kur u paraqit problemi i ndarjeve të shkollave nga kishat, ai bashkë me vllahët nga Rumelia dhe shqiptarët ortodoksë të rrethit të Korçës do të shkojë në Sulltanat, bashkë me inspektorin e Arsimit, Apostol Margariti, si dhe me peshkopin nga Korça, Harallambi Bellomaçe, për ta zgjidhur problemin e arsimit nga kisha greke e bullgare. Mirëpo, një punësuar në Sulltanat deshi t’ia këpusë mjekrën Harallambiut kur e dëgjuan kërkesën e tij. Vetëm falë Temos çdo gjë kaloi pa pasoja.

Temo, po ashtu, ka pasur bashkëpunim të ngushtë edhe me Dimitar Vllahovin, madje bashkë do të angazhohen që të mos ndalohen gazetat dhe të mos burgosen gazetarët që shkruanin mbi çështjet e kohës në Perandori, si dhe ndaj shteteve që e kishin fituar pavarësinë nga Perandoria dhe tani e kishin filluar luftën ndaj popujve të vegjël e të pambrojtur. Kështu ai do të botojë disa shkrime mbi problemin maqedonas, duke nxjerrë të vërtetën ndaj qëndrimeve të Rusisë, Gjermanisë, Italisë e Serbisë. Më vonë ai do të jetë ndër nismëtarët e parë për formimin e një organizate intelektuale “shqiptaro-maqedone” për t’i mbrojtur drejtat e tyre.

Me autoritetin e Temos, i cili një kohë e kryente edhe postin e kryetarit të qytetit Megjidie, shumë turq të Dobruxhës në Ruamani gëzonin shumë të drejta.

Temo i urrente pushtetarët dhe e donte e i dilte në mbrojtje popullit të thjeshtë. Këtë e shohim kur ai u doli në mbrojtje varrezave serbe për ngritjen e një monumenti të ushtarëve serbë në Dobruxhë, edhe pse aty kishte mospajtime mes myslimanëve të kombësive te ndryshëm. Falë Ibrahim Temos, u realizua ajo kërkesë, duke thënë “se varrezat e atyre – të rënëve (ushtarëve), që nuk kanë faj, pos atyre që s’u dhimbsen….. ”. Për këtë qeveria Jugosllave e futi në listën e mirënjohjeve “Sveti Sava”, që nuk dihet a e pranoi ai apo jo.

Ky rilindës për të gjithë nacionalitetet e Ballkanit mendonte se gjuhët e ndryshme, që fliteshin në Ballkan, janë pengesë për mirëkuptim dhe kërkonte që në shkollat turke të mësohej edhe gjuha e shqiptarëve, bullgarëve, rumunëve, serbëve, por jo me “shkrola osmano-turke (e cirilike), por me shkrola latine”. Kështu e mori edhe epitetin si “Temo latinisti” .

Aktivitetin e vet politik nuk e la edhe kur ishte i zhgënjyer, ngaqë ai ia kishte kushtuar tërë jetën këtij ideali. Ai dha kontributin e tij deri në shpalljen e pavarësisë e më pas. Por, malli për vendlindje nuk iu shua kurrë. Ai në kujtimet e veta shprehet kështu: “Struga e jeme e bukur”.

Pas pavarësisë së Shqipërisë, Ibrahim Temo do të angazhohet në Kryqin e Kuq në qeverinë e Princ Vidit si drejtor provizor i shëndetësisë, ku do ta vazhdojë veprimtarinë e tij humanitare ndaj njerëzve të varfër pa dallim feje e kombësie.

Ibrahim Temo mbetet një ndër figurat me vlerë të madhe kombëtare në historinë e popullit tonë, por edhe të popujve të tjerë dhe nuk ka si të ndodhë ndryshe, sepse ai ishte vet i tillë.

Temo e sakrifikoi jetën e tij për ta zgjuar ndërgjegjen kombëtare. Andaj sot ai mbetet një rrënjë në tokë jo vetëm për shqiptarët, por edhe për të tjerët, ngase veprimtaria e tij shtrihet në përmasa ballkanike.

_____________

DR.AVZI MUSTAFA: ME GJAK U NDËRTUA, ME DJERSË DUHET MBROJTUR

***

DR.AVZI MUSTAFA: 110 VJETORI NGA KLUBI DHE ABECEJA SHQYPE E KUMANOVËS

***

AVZI MUSTAFA: KONGRESI I ALFABETIT SIPAS RAPORTIT ZYTAR TË KONSULLIT TË PËRKOHSHËM BRITANIK NË MANASTIR

***

AVZI MUSTAFA: EDHE NXËNËSIT TALLEN ME LEKTYRAT SHKOLLORE!

***

DR.AVZI MUSTAFA: THIMI THOMA KREJI – NJË VEPRIMTAR I RILINDJES KOMBËTARE NGA KRUSHEVA

***

DR.AVZI MUSTAFA: QUO VADIS GJUHA IME E BEKUAR SHQIPE?

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura