SHERADIN BERISHA: NJOHURI BAZIKE PËR MUZEUN KOMBËTAR ETNOGRAFIK TË KRUJËS

Pashtriku.org, 29 tetor 2018: Në kompleksin e Muzeut Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” brenda Kalasë së Krujës ndodhet edhe Muzeu Kombëtar Etnografik. Muzeu Kombëtar Etnografik i Krujës u përurua më 20 Nëntor 1989. Është një ndërtesë tradicionale (e tipit çardak) e ndërtuar në mesin e shekullit të XVIII (1764) nga Ismail Pashë Toptani. Arkitektura e saj është orientale me koridor të mbyllur, tip kulle, dy katëshe me mure guri me gjerësi 60-80 cm.
Në mjediset e brendshme, si edhe objektet e paraqitura në mjediset e jashtme, jepet një pamje e plotë e zejeve të ushtruara në Krujë dhe në të gjithë Shqipërinë, si edhe pamje e mënyrës së jetesës 300 vjet përpara. Plot 90 për qind e objekteve të këtij muzeu janë origjinale dhe 100% janë funksionale. Në të gjejmë objekte prej qeramike, druri, guri, hekuri, pambuku, mëndafshi, leshi, qendisma të ndryshme të ekspozuara me finese.
Që në hyrje të saj bien në sy harqet e portave me gur të gdhendur dhe rrugët e shtruara me kalldrëm.
Në oborrin e muzeut Etnografik janë të ekspozuara objekte origjinale si: furra e pjekjes, evolucioni i apikulturës (bleta në fillim qëndronte në gur pastaj në dru dhe më vonë në koshere). Është koteci i pulave, vendi i qenit. Janë të ekspozuara forma të ndryshme të krojeve të qytetit, të cilat dëshmojnë se Kruja ka patur disa të tilla, madje mendohet se edhe prejardhja e emrit të qytetit vjen prej tyre si “kroje” = Krujë. Është gryka e pusit e cila është 300 vjeçare. Janë të ekspozuara objekte të tjera prej guri të cilat tregojnë për traditën që ka qyteti i Krujës në përpunimin e gurit.

Në katin e parë ndodhen ambientet ku punohej.
Këtu njihesh me veglat tradicionale të bujkut për punimin e tokës, mekanizmat e blojës së drithit me dorë dhe me ujë, mekanizmat e pastrimit të grurit për hashure etj. Një nga zejet e vjetra të ekspozuara është edhe regja ose përpunimi i lëkurës dhe proçeset që kalonte ajo. Gjithashtu në ambjentet e banesës njihesh me përpunimin e kashtës së kënetës dhe prodhimin e hasrave për tu ulur ose për të fjetur.
Në katin e dytë ndodhen ambientet ku banohej.
Këtu bie në sy dhoma e grave ose e nuses ku dallohen objektet e pajës, veshjet me stolitë e qendisura me kujdes me fije ari, argjendi dhe inxhi. Të veçanta janë punimet e dritareve të dritës dhe ato për ajrosje me punime gipsi e druri. Koridori i madh shërben si ndërlidhës i dhomave ku më e bukura është ajo e burrave e përdorur për dasma dhe kuvende. Interesante është mënyra e vendosjes në të dy anët e oxhakut dhe qoshku si dhe dhoma ku rrinin vajzat e shërbimit. Ekspozimi i armëve tregon elemente të traditës.
Në dhomën e ndenjes dallohet qoshku ku rrinin fëmijët, për të mos u ulur bashkë me të rriturit për të ngrënë. Edhe guzhina ka të veçantat e saj si enët e përdorimit prej qeramike, druri e bakri, magjia e gatimit dhe oxhaku në formën e një aspiratori të madh. Banjo me avull ose “Hamami” familjar, është një nga objektet më të rralla të kësaj banese. Ajo është me një kupole me ngrohje, në të cilën në një ambient të ngrohtë avulli bëhej masazh.
Në koridor në dalje të banesës janë veglat e marangozit dhe rozeta e tavanit që është prej 300 vjet më parë e punuar në dru të rrallë selvije, gjithashtu qilari ose dhoma e konservimit të frutave e perimeve me dritare të vogla. Në një dhomë të madhe gjumi janë ekspozuar veshje të traditës katolike dhe myslimane të përdorura nga krutane ose nga banore të zonave të tjera të ardhur në Krujë.

Shikoni videon

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura
Read More

SPORTI …

Bislim Aliu, ishte njëri nga sportistët dhe intelektualët më të suksesshëm të Llapit Bislim Aliu Aliu i përket…