SHERADIN BERISHA: PËRBALLJA E JAKUP KRASNIQIT ME RAMIZ LLADROVCIN E KADRI VESELIN PËR LUFTËN E UҪK’së DHE KEQPËRDORIMIN E FONDIT ‘VENDLINDJA THËRRET’

Pashtriku.org, 15. 11. 2016: Ish Zëdhënësi i UҪK’së, aktualisht Kryetar i Këshillit Kombëtar të NISMA për Kosovën, Jakup Krasniqi, përmes një shkrimi autorial me titull: “A JU VJEN MARRE KUR NDËRSENI E GËNJENI?”, ka reaguar kundër deklarimeve të kandidatit të PDK-së për kryetar të Drenasit, Ramiz Lladrovci – për çështjen e Fondit “Vendlindja Thërret”, të thëna më 14 dhjetor 2016, në “Rubikon” të KTV, gjatë një debati me Kandidatin e NISMA për Kosovën, Isa Xhemajlaj.
Jakup Krasniqi pasi ka bërë disa pyetje në adresë të treshes: Veseli – Thaçi-Lladrovci, lidhur me keqpërdorimin e Fondit “Vendlindja Thërret”, ka mohuar çdo lidhje të tij dhe të Fatmir Limajt me këtë fond. Ai thotë se janë Thaçi, Veseli e Lladrovci ata të cilët duhet të përgjigjen se ku kanë shkuar paratë e këtij fondi. Krasniqi ka shpalosur edhe disa detaje tjera (përmes pyetjeve) që kanë të bëjnë me raportet midis Ramiz Lladrovcit me Xhavit Halitin, Azem Sylën, Kadri Veselin dhe Hashim Thaçin. Ai thotë se Ramiz Lladrovci i ka shantazhuar K.Veselin e H.Thaçin me një incizim, për të cilin ka kërkuar nga z.Lladrovci të tregojë se për çfarë incizimi bëhet fjalë.
– ‘Madje në mes këtyre treve kishte dallime aq të mëdha sa edhe UҪK-në e kishin bërë copa-copa’, – ka shkruar Krasniqi.

Rubikon – Kush e fiton Drenasin 14.12.2016

***
Jakup Krasniqi ka reaguar edhe ndaj “selamit” të Kadri Veselit, dërguar nga fshati Negroc.
KADRI VESELI NJË ‘SELAM’ PËR JAKUP KRASNIQIN!

Kryetari i Kuvendit dhe i PDK’së, Kadri Veseli, në kuadër të fushatës elektorale për kryetar të Komunës së Drenasit, ka mbatjur një takim edhe në fshatin Negroc, në vendlindjen e Kryetarit të Këshillit Kombëtar të ‘NISMA për Kosovën’, Jakup Krasniqi.
Me këtë rast Kadri Veseli i ka dërguar një ‘selam’ Jakup Krasniqit.
“Dëshirova pikërisht në Negroc se e di që ka me i shku ky selam bashkëluftëtarit tim Jakup Krasniqit. Se nuk ka vepruar mirë. Ka me u harru 18 vjetori, ka me u harru, po marrja ka me mbet sepse nuk varet shpirti nga ne. Nuk duhet të varet për politikë, për ego e për shkak të karrierës. Mbajeni në mend ju bashkëfshatarë të Jakup Krasniqit se ai kurrë në jetën e vet nuk do të përfitojë aq sa ka përfituar sa ka qenë në Partinë Demokratike të Kosovës. Veç ka me shku në pension se nuk do të përfitojë asgjë më shumë. Nuk është korrekte”, – thotë z.Veseli para bashkëfshatërve të z.Krasniqi.
Dhe vazhdon:
“Edhe sot i them baca Jakup: Nuk është mirë që ai t’i skuq bashkëluftëtarët e vet. Nuk do të isha unë sot këtu duke folur për kundërkandidatin e partisë së Jakupit. Ka qenë mirë që ai sot të ishte me ne këtu në Negroc. Nuk është mirë që ai nuk është me mësuesin Sherif, as me Ilminë, as me Feratin,as me Sokolin nuk është. Me neve e ka nda kohën më të vështirë, për veprimtarinë e tij nuk ia heqim asnjë presje, ka qenë bashkëluftëtar dinjitoz që e ka mbrojt vendin e vet kudo që ka shkuar, por te egoja ka gabuar’,-ka thënë Kadri Veseli.
Në vazhdim lexoni shkrimin e Jakup Krasniqit:
A JU VJEN MARRE KUR NDËRSENI E GËNJENI?

Kandidati i Hashim Thaçit dhe i Kadri Veselit, për Kryetar Komune te Drenasit, qenka marrë goxha shumë me mua e Fatmirin, për çështjen e Fondit “Vendlindja Thërret”?! Këtyre njerëzve të pafytyrë duhet t’ua them se:
Dy të parët dhe i treti, të merren vesh mes veti, se kush nga këta e mbajnë përgjegjësinë për ndarjen e Fondit në fjalë?
– Kush nga ata rrinin në Tiranë dhe me parat e kujt jetonin atje?
– Ku i merrte parat Ramiz Lladrovci?
– Ku i merrnin Hashimi e Kadriu?
– Kush nga ju i merrte parat nga Fondi i Zvicrës e kush nga ai i Gjermanisë?
Madje në mes këtyre treve kishte dallime aq të mëdha sa edhe UCK-në e kishin bërë copa-copa. Këto copa kam arritur t’i bashkoj unë si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri (pas kthimit nga Parisi).
Ramizi besoj se nuk ka harruar se çfarë raportesh kishte me Xhavit Halitin dhe Azem Sylën në Tiranë. Raporte hiq më të mira nuk kishte as me Hashimin dhe Kadriun edhe shumë vite pas luftës.
– Pse ky anëtar i devotshëm i partisë i bëri lëvizjet nga PDK në AAK dhe përsëri në PDK?
– Çka u bë sot që u bëre bashkë me ata që i shantazheve gjatë?
Dhe si duket nuk të shkoi bash huq!
Pas lufte kandidati për Kryetar të Drenasit (i PDK-ës) i ka shantazhuar, Hashimin dhe Kadriun me një incizim.
– Ai duhet të tregoi, se çka përmbante ai incizim me të cilin i shantazhonte shefat e tij të sotme?!
– Madje ai duhet t’i tregoi opinionit, çka bëri pas luftës me parat e “Fondit Vendlindja Thërret”?
– A e ke blerë ndonjë banesë në Tiranë?
– Si u bëre biznesmen?
– Kë e akuzoje për futjen në “Listën e Zezë” të SHBA-së?
– Si e fitove pozitën e Ambasadorit?
– Kë e shantazhove për marrjen e asaj pozite?
– Pse e la postin e Ambasadorit, me të ardhura shumë më të mira, për pozitën e Kryetarit te Komunës?
– Pse nga qyteti ke rënë në fshat?
As unë e as Fatmiri, nuk kemi qenë asnjëherë pjesë e atij Fondi, kjo është një zbulim i ri i Ramizit pas 17/18 viteve. Gjithë kohën, para e gjatë luftës çlirimtare, kemi qenë në Kosovë. Në Shqipëri kam qenë vetëm pas kthimit nga Parisi. Për aktivitetin tim në Shqipëri, kush të dojë mund të informohet nga libri im: Kthesa e Madhe, botim i Shtëpisë Botuese Buzuku.
Kësaj që thoni për Fondin “Vendlindja Thërret” i thonë: “T’i them sa nuk më kanë thënë”. Por nuk është hera e parë që Hashimi e Kadriu i ndërsejnë njerëzit e pa integritet e dinjitet ndaj nesh! Nga njerëzit e tillë, Fatmir Limaj përndiqet që 13 vjet!
– Ku mbeti njerëzorja këtu?
***
I pyes Hashimin e Kadriun,
– pse e yshtni kundërshtarin tuaj goxha të madh të luftës e të pas luftës ndaj shokëve e bashkëpunëtorëve tuaj të ngushtë të luftës me te cilët e ndatë jetën e vdekjen dhe hëngrët shumë bukë në familjet tona!
– A frikësoheni se do t’u vret ajo bukë?!
Nuk jeni vetëm Ju qe do t’u vret buka e popullit, gjaku i dëshmorëve dhe mundi i luftëtarëve! Popullin që i përvetësuat shumëçka në mënyrë të pa ligjshme po e leni me gishta në gojë! Drenicës në veçanti e kombit në përgjithësi ia keni qitur faqen e zezë! Drenicës i latë emër të keq! Emër që nuk e meriton. Drenasi është dëshmia më e mirë.
Kandidati nga PDK-ja do të duhej t’i dinte, raportet e vëllait të tij, Heroit te Popullit – Fehmi Lladrovcit me mua e Fatmirin jo vetëm gjatë luftës dhe raportet e Fehmiut me shefat e tij të sotëm?!
– Apo më të rëndësishme sot e ka që të jetë kandidat për Kryetar të Drenasit? Merresh me ne a në garë për kryetar je me Isa Xhemajlajn!
***
Sa për çështjet tjera rreth PDK-së, të thëna në emisionin “Rubikon”, nga ky person më 14 dhjetor 2016, mund t’i them: Te gjithë ju që kokorisni në atë parti të tjetërsuar skajshmërisht, jeni duke e grabitur gjithë aktivitetin tonë politikë të investuar me shumë mund, dije e punë të pa kursyer. Për to nuk dua të flas. Pasi shumë kush e dinë më shumë – më mirë se unë!
***
Sa për ftesën që ma çuat nga Negroci, Kadri po të them:
Nuk e formuam NISMËN për të fituar ne, por për te fituar demokracia në Kosovë, Drenicë e Drenas, mbase edhe në Negroc, në fshatin tim të lindjes! Aty ku ju e kërkoni fitoren më me ngulm! Dhe ju te “urtët” e dini pse e bëni ketë! E bëni për të thënë nesër, në mediet e portalet tuja të shpifura e të blera: Jakupin nuk e donë as fshati i vet?!
– A kush do të duhej ta dinte më mirë se ju, ku i kishit dyert e hapura në vitet e vështira në fshatin Negroc dhe jo vetëm aty?
Po të kishit fare pak njerëzi, nuk do t’mi çonit porosit nga aty.
– Pse heshtët deri tani? Kur ju kërkoja te “Ariu” (para zgjedhjeve të vitit 2010) që ta ruajmë partinë, që më vonë e more. Më patët thënë: “Kam vendosur që t’i shikoj interesat e mia, secili le t’i shikon interesat e veta”. Aty e kam ndërprerë bisedën. Nuk më kujtohet që kemi biseduar ballë për ballë më për ketë çështje ndonjëherë tjetër. Ndërsa, nëse keni mbetur për votat e Negrocit, banja si t’ja bëni, e merrni disi?! Nuk ka rëndësi sesi i merrni votat ju atje! Këtë gjithkush e dinë në Republikën tonë! Mbase e dinë edhe Brukseli e Uashingtoni që shpesh thirreni e a thirreni për interesin e vendit, kjo është çështje tjetër!
Bashkëfshatarë të mi, sa i përket anës sime, jeni krejtësisht të lirë që të votoni për kandidatin që i besoni se e meriton votën tuaj! Zgjedhja duhet të jetë krejt e juaja. Por edhe ju “demokratët” e përbetuar, leni të lirë qytetarët e Drenasit që të votojnë sipas besimit të tyre të lirë, pa presion, pa joshje me vende pune që nuk janë askund e as me frikën për humbje të punës. Ju ata njerëz nuk i paguani me parat tuja. Buxheti është edhe i yni sa është edhe i juaj. Mos e shkelni dinjitetin e njerëzve deri në ketë derexhe! Boll ma!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura