Pashtriku.org, 30. 10. 2016: Nga data 19 deri më 23 tetor 2016 në Frankfurt të Gjermanisë u organizua edicioni i 68’të Ndërkombëtar i Panairit të Librit. Sivjet këtë edicion me moton: “Dit is wat we delen” (Kjo është ajo që ne ndajmë) e hapi solemnisht Holanda, duke prezentuar një program të pasur kulturor për mysafirët e nderit. Në këtë event të rëndësishëm morën pjesë mbreti i Holandës, Willem-Alexander, mbreti i Belgjikës, Philippe dhe mbretëresha Mathilde, presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Schulz dhe ministri i Arsimit, Kulturës dhe Shkencës së Holandës, Jet Bussemaker etj. Me këtë rast u lexua edhe letra e shkrimtares dhe gazetares turke, Asli Erdogan, e cila për shkak të pikëpamjeve politike mbahet në burg nga regjimi i Erdoganit.
Sipas të dhënave zyrtare në këtë edicion u prezentuan mbi 7.100 botues nga 100 shtete të botës si dhe u realizuan mijëra aktivitete, që kishin të bënin me prezentimin dhe botimin e librit.
* * *
Në Panairin e sivjetmë, nga Shqipëria morën pjesë tri shtëpi botuese: “Onufri” me drejtor Bujar Hudhrin, “Botimpex” me drejtor Edvin Begajn, dhe “Fan Noli” me drejtor Fadil Hidajn. Ndërkaq Kosova (në Sallën 5.0 me stendën D 123) u përfaqësua nga Shoqata e Botuesve të Kosovës (SHBK) me seli në Prishtinë, nën drejtimin e nënkryetarit të SHBK-së, Besian Zeneli.
Sipas katalogut të Shoqatës së Botuesve të Kosovës (SHBK-së), në panair u prezentuan 25 shtëpi botuese dhe insitucione akademike, të cilat me botimet e tyre (edhe në gjuhën angleze) kishin ndërtuar gjithë mozaikun e arritur, me mbi 200 tituj, prej të cilave100 tituj të botuar brenda dy panaireve.
Me këtë rast u prezentuan denjësisht: “Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës”, “Asociacioni për Integrimin Kosovar Demokratik – AIKD’99”, “ALB-MED”, “ALBAS”, “Anton Pashku”, “Artini”, “BSS”, “Buzuku”, “Cuenus”, “Dija”, “Drita”, “Dukagjini”, “Faik Konica”, “Instituti Albanologjik i Prishtinës”, “Instituti i Historisë”, “Koha”, “Krek” “Libri Shkollor”, “Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës”, “Mendimi Pozitiv”, “Pema”, “Rugova Art”, “Tenda”, “Titanik”, “Universiteti i Prishtinës” dhe “Universum Press”.
* * *
Për pesë ditë rresht sa zgjati panairi, lexuesit shqiptar dhe ata të huaj u njohën me shumësinë e librave të botuar në shqip dhe anglisht. Derisa Holanda (si mysafir nderi i këtij edicioni) ka shpenzuar miliona euro për stendën dhe prezentimin e botuesve të librit holandez, shteti shqiptar edhe këtë vit duket se s’ka dhënë asnjë cent për një stendë dinjitoze për tri shtëpitë botuese që morën pjesë në panair. Drejtori i “Botimpex” Edvin Bega për pashtriku.org, thotë se: “edhe sivjet shtëpitë tona botuese në panair vijnë me shpenzimet e veta, pa ndihmën e institucioneve shqiptare. Të njejtën gjë e pohon edhe drejtori i SHB “Fan Noli”, z.Fadil Hida.
* * *
Në krahasim me botuesit nga Shqipëria, Kosova është prezentuar më mirë se viteve të kaluar. Nënkryetari i SHBK-së Besian Zeneli, ka thënë, se: “Stenda e botuesve nga Kosova është financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS). Pra kjo ministri sivjet i ka mbuluar të gjitha shpenzimet rreth stendës, qirasë, dhe sponzorizimet tjera që kanë të bëjnë me promovimin e librit.” Stenda e Kosovës kishte një pamje mbresëlënëse dhe ishte e mbushur me libra të rinj të autorëve: Kasëm Trebeshina, Jakup Krasniqi, Roland Gjoza, Veton Surroi, Adem Gashi, Ilire Zajmi, Kujtim M.Shala, Monografia e ASHAK’së, Gjelosh Gjokaj, përkthimet e dy nobelistëve francezë: Jean-Paul Sartre dhe Patrick Modiano, nga Prof.dr.Masar Stavileci, shumë tituj të autorëve të huaj: Patrick Modiano, Jennie Dorny, Lucie Leanne, Juan Assensio, Svetlana Aleksieviç, Mathias Enard, Edouard Louis, etj.
***
Të shtunën, më 22 tetor 2016, në stendën e Kosovës, para bashkatdhetarëve u promovuan edhe tri libra:
1. ANTOLOGJIA POETIKE “VARGJE PËR NËNËN” kushtuar të shenjtës Nënë Tereza, të përgatitur nga Lidhja e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë.
2. NËNA LUTET PËR NE, dramë në tri kohë, kushtuar Nënë Terezës, nga shkrimtari dhe Botuesi i “Buzuku’t” Abdullah Zeneli, dhe romani
2. PORTRETE REALE, Ferizaj 2016, të shkrimtarit dhe poetit Nazmi Rudari.
Me këtë rast për librat folën: Seveme Fetiqi, Hasan Qyqalla, Abdulla Zeneli dhe Nazmi Rudari. Këtë event kulturor e përcolli edhe një ekip i RTK’së.
* * *
Edicioni i 69’të Panairit Ndërkombëtar të Librit, do të mbahet nga data 11 deri 15 Tetor 2017 në Frankfurt, ndërsa mysfirë nderi do të jetë Franca.
Postime të Lidhura
DR.MOIKOM ZEQO: MARIN BARLETI PËR GJUHËN SHQIPE
Tiranë, 26. 10. 2016: Në librin “Rrethimi i Shkodrës”, botuar në 1504, Barleti shënon: “Na patën rënë në…
NË 9 VJETORIN E PAVARËSISË: PROMOVOHEN DY LIBRA TË RINJ NGA KRIJUESIT SHQIPTARË TË AUSTRISË
Pashtriku.org, 15. 02. 2017: Në prag të manifestimeve me rastin e 9 vjetorit të pavarësisë së R. së…
BRAHIM AVDYLI: MURET E AKULLTA TË IZOLIMIT
Bern, 7 shkurt 2018: (Shkrimi i dytë që e lexova nga Agron Iliriani) A e dini çka do…
NUHI BYTYQI: RTK NUK E KA NDALUAR SPOTIN REKLAMUES PËR SENZIBILIZIMIN E PRINDËRVE SHQIPTARË QË T’I DËRGOJNË FËMIJËT E TYRE NË SHKOLLAT E GJUHËS SHQIPE!
Prishtinë, 25. 09. 2013 – Udhëheqësi i Programit Satelitor të RTK’së Nuhi Bytyçi sqaron opinionin publik lidhur me…