Pashtriku.org, 30. 10. 2016: Nga data 19 deri më 23 tetor 2016 në Frankfurt të Gjermanisë u organizua edicioni i 68’të Ndërkombëtar i Panairit të Librit. Sivjet këtë edicion me moton: “Dit is wat we delen” (Kjo është ajo që ne ndajmë) e hapi solemnisht Holanda, duke prezentuar një program të pasur kulturor për mysafirët e nderit. Në këtë event të rëndësishëm morën pjesë mbreti i Holandës, Willem-Alexander, mbreti i Belgjikës, Philippe dhe mbretëresha Mathilde, presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Schulz dhe ministri i Arsimit, Kulturës dhe Shkencës së Holandës, Jet Bussemaker etj. Me këtë rast u lexua edhe letra e shkrimtares dhe gazetares turke, Asli Erdogan, e cila për shkak të pikëpamjeve politike mbahet në burg nga regjimi i Erdoganit.
Sipas të dhënave zyrtare në këtë edicion u prezentuan mbi 7.100 botues nga 100 shtete të botës si dhe u realizuan mijëra aktivitete, që kishin të bënin me prezentimin dhe botimin e librit.
* * *
Në Panairin e sivjetmë, nga Shqipëria morën pjesë tri shtëpi botuese: “Onufri” me drejtor Bujar Hudhrin, “Botimpex” me drejtor Edvin Begajn, dhe “Fan Noli” me drejtor Fadil Hidajn. Ndërkaq Kosova (në Sallën 5.0 me stendën D 123) u përfaqësua nga Shoqata e Botuesve të Kosovës (SHBK) me seli në Prishtinë, nën drejtimin e nënkryetarit të SHBK-së, Besian Zeneli.
Sipas katalogut të Shoqatës së Botuesve të Kosovës (SHBK-së), në panair u prezentuan 25 shtëpi botuese dhe insitucione akademike, të cilat me botimet e tyre (edhe në gjuhën angleze) kishin ndërtuar gjithë mozaikun e arritur, me mbi 200 tituj, prej të cilave100 tituj të botuar brenda dy panaireve.
Me këtë rast u prezentuan denjësisht: “Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës”, “Asociacioni për Integrimin Kosovar Demokratik – AIKD’99”, “ALB-MED”, “ALBAS”, “Anton Pashku”, “Artini”, “BSS”, “Buzuku”, “Cuenus”, “Dija”, “Drita”, “Dukagjini”, “Faik Konica”, “Instituti Albanologjik i Prishtinës”, “Instituti i Historisë”, “Koha”, “Krek” “Libri Shkollor”, “Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës”, “Mendimi Pozitiv”, “Pema”, “Rugova Art”, “Tenda”, “Titanik”, “Universiteti i Prishtinës” dhe “Universum Press”.
* * *
Për pesë ditë rresht sa zgjati panairi, lexuesit shqiptar dhe ata të huaj u njohën me shumësinë e librave të botuar në shqip dhe anglisht. Derisa Holanda (si mysafir nderi i këtij edicioni) ka shpenzuar miliona euro për stendën dhe prezentimin e botuesve të librit holandez, shteti shqiptar edhe këtë vit duket se s’ka dhënë asnjë cent për një stendë dinjitoze për tri shtëpitë botuese që morën pjesë në panair. Drejtori i “Botimpex” Edvin Bega për pashtriku.org, thotë se: “edhe sivjet shtëpitë tona botuese në panair vijnë me shpenzimet e veta, pa ndihmën e institucioneve shqiptare. Të njejtën gjë e pohon edhe drejtori i SHB “Fan Noli”, z.Fadil Hida.
* * *
Në krahasim me botuesit nga Shqipëria, Kosova është prezentuar më mirë se viteve të kaluar. Nënkryetari i SHBK-së Besian Zeneli, ka thënë, se: “Stenda e botuesve nga Kosova është financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS). Pra kjo ministri sivjet i ka mbuluar të gjitha shpenzimet rreth stendës, qirasë, dhe sponzorizimet tjera që kanë të bëjnë me promovimin e librit.” Stenda e Kosovës kishte një pamje mbresëlënëse dhe ishte e mbushur me libra të rinj të autorëve: Kasëm Trebeshina, Jakup Krasniqi, Roland Gjoza, Veton Surroi, Adem Gashi, Ilire Zajmi, Kujtim M.Shala, Monografia e ASHAK’së, Gjelosh Gjokaj, përkthimet e dy nobelistëve francezë: Jean-Paul Sartre dhe Patrick Modiano, nga Prof.dr.Masar Stavileci, shumë tituj të autorëve të huaj: Patrick Modiano, Jennie Dorny, Lucie Leanne, Juan Assensio, Svetlana Aleksieviç, Mathias Enard, Edouard Louis, etj.
***
Të shtunën, më 22 tetor 2016, në stendën e Kosovës, para bashkatdhetarëve u promovuan edhe tri libra:
1. ANTOLOGJIA POETIKE “VARGJE PËR NËNËN” kushtuar të shenjtës Nënë Tereza, të përgatitur nga Lidhja e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë.
2. NËNA LUTET PËR NE, dramë në tri kohë, kushtuar Nënë Terezës, nga shkrimtari dhe Botuesi i “Buzuku’t” Abdullah Zeneli, dhe romani
2. PORTRETE REALE, Ferizaj 2016, të shkrimtarit dhe poetit Nazmi Rudari.
Me këtë rast për librat folën: Seveme Fetiqi, Hasan Qyqalla, Abdulla Zeneli dhe Nazmi Rudari. Këtë event kulturor e përcolli edhe një ekip i RTK’së.
* * *
Edicioni i 69’të Panairit Ndërkombëtar të Librit, do të mbahet nga data 11 deri 15 Tetor 2017 në Frankfurt, ndërsa mysfirë nderi do të jetë Franca.
Postime të Lidhura
KUJTIM NGA VIZITA NË VJENË TË AUSTRISË, NË VITIN 2002
KUJTIM NGA VIZITA NË VJENË TË AUSTRISË, NË VITIN 2002 Nga Sheradin Berisha, Pashtriku 26 tetor 2021 Në…
INDIFERENCA E PAZAKONTË E DREJTORESHËS ZHULIETA SINA HARASANI NA LË JASHTË FESTIVALIT FOLKLORIK MBARËKOMBËTAR “GJIROKATRA 2015”
Pashtriku.org, 07. 05. 2015 – (Reagim i Kryesisë së Ansamblit të Këngëve dhe Valleve “GËZUAR” të Gjenevës) –…
DRITA LUSHI: KUR FJALA PESHON MË SHUMË SE GURI
Pashtriku.org, 13. 11. 2013 – (Vëllim poetik i Miradije Gashit “JAM GUR I VENDIT TIM”) Kur një grua…
NDAHET NGA JETA AKADEMIKJA E PARË SHQIPTARE ANDROMAQI GJERGJI
Pashtriku.org, 09. 07. 2015 – Mbrëmë në moshën 87 vjeçare ndahet nga jeta, Andromaqi Gjergji, Etnologe e shquar,…