SHKOLLA SHQIPE NË GJENEVË …
Me gjithë vështirësitë që i solli pandemia Shkolla Shqipe e Mësimit Plotësues në Republikën dhe Kantonin e Gjenevës e mbyll vitin akademik me rezultate të kënaqshme
Nga Arif Ejupi, Gjenevë 13. 06. 2022
Fundjavën e kaluar në sallën e festave dhe ngjarjeve kulturore Aire të komunës Vernier të Gjenevës, janë tubuar prindër, nxënës, mësimdhënës dhe arsimdashës të shumtë të shkollës shqipe jo vetëm nga Gjeneva, por edhe nga kantone të tjera të Zvicrës.
Kësaj ngjarje i ka paraprirë edhe një Kuvend vjetor pune me prezantim dokumentesh dhe analizash nga kryetari i Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” në Zvicër zoti Liburn Mehmetaj.
Mehmetaj një i rinj punëtor dhe i palodhshëm studimet e nivelit Master në fushën e Jurisprudencës i ka përfunduar me mjaft sukses në Universitetin e Gjenevës.
Ai krahas punës si Avokat duke parë rënien drastike të numrit të nxënësve dhe mosinteresimin e prindërve për përfshirjen e fëmijëve të tyre në Shkollën Shqipe, me 2014 do të jetë përkrah kolegut të tij Gëzim Nexhmedin Ilazi,i cili në këtë periudhë ishte në krye të LAPSH-it në Gjenevë.
Angazhimi i ish-nxënësve të kësaj shkolle tani ekspertë fushash të ndryshme ngjallë shpresën dhe rrit optimizmin për ditë më të mira.
Kjo u vërejt edhe në këtë Kuvend ku gjithçka para të pranishmeve u prezantua deri në detaje duke u dhënë si shtesë edhe sqarimet e duhura .
Për dallim nga e kaluara regjistrimi i fëmijëve në Shkollën Shqipe të Mësimit Plotësues në Zvicër, prej tash e tutje mund të bëhet në çdo kohë me metodën online.
Me të përfunduar punimet e Kuvendit në skenë u ngjitën mësues e nxënës të Shkollës Shqipe të Mësimit Plotësues në Gjenevë.
Me fjalë të thurura bukur mirëseardhje dhe falënderim nga zemra për prezencën kaq të madhe të gjithëve u ka shprehur zonja Brikena Qafa Osmani, Dr. në Sociologji dhe Antropologji Sociale.
Zonja, Qafa-Osmani nga janari i vitit 2018 është e angazhuar si mësuese në Shkollën Shqipe të Gjenevës, ku jep kontribut të jashtëzakonshëm si në shtim të numrit të nxënësve ashtu edhe në rritje të cilësisë në leksione.
Ndërkaq, përmbajtjen e skemës programore e shpalosën nxënësit e kësaj shkolle Eliza Jahiu dhe Ervin Halili, ky i fundit me baba shqiptar e nënë gjenevase.
Ervini me të folmen e tij të rrjedhshme në Gjuhën shqipe na impresionoi të gjithëve, duke dhënë shembullin që mësuesit e mirë orën e mësimit e kthejnë në kopsht bilbilash.
Këta fëmijë me fytyra të buzëqeshura dhe të veshur bukur i ngjanin një nate vere me yje .
Ata të hareshëm dhe me besim të plotë në vetvete deklamuan vargje të përzgjedhura të rilindësve tanë.
Me zërin prej bilbili kënduan edhe këngë mbi Atdheun, Flamurin ,Alfabetin dhe Heronjtë tanë duke filluar nga kryeheroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti- SKËLNDERBEU, e deri tek legjendarët Adem Jashari e Zahir Pajazti.
Si dëshmi për frekuentimin dhe rezultatin në Shkollën Shqipe me Mësim Plotësues të Gjenevës, secili nga nxënësit u pajis me dëftesë. Kurse për më të dalluarit zoti Mehmetaj ,ndau edhe mirënjohje.
Pa ashtu u lavdërua edhe puna e mësueseve: Hyrije Kurteshi, Brikena Qafa-Osmani, Fatime Bllaca, Lumnije Emini, Hana Bilalli dhe ajo e kolegut të tyre Alban Kryeziu.
Puna e gati tri dekadave u kurorëzua edhe me promovimin e Monografisë “Shkolla Shqipe në Gjenevë” e autorit Agim Paçarizi, pedagog me dyzet vite pune në Shkollat e Kosovës dhe në atë të Gjenevës.
Kontributi i zotit Agim Paçarizi dhënë ndër vite shkollës shqipe në Gjenevë, u shpërblye me mirënjohje nga z.Mehmetaj, kryetar i LAPSH-it, në nivelin Qendror dhe në atë të Republikës dhe Kantonit të Gjenevës.
Po ashtu familjarë, miq e kolegë duke vlerësuar angazhimin e Paçarizit,si mësimdhënës dhe udhëheqës të LAPSH-it, në Gjenevë ndanë tufa lulesh .
Monografia mbi Shkollën Shqipe në Gjenevë, përveç disa ekzemplarësh që iu ndanë mësuesve dhe mësueseve me të cilët autori Agim Paçarizi,ndau të mirën dhe të keqen, iu dha si donacion LAPSH-it të Gjenevës.
Në këtë jubile me rëndësi jetike për shqiptarët në mërgim prezantuan edhe Abas Fejzullahu, Hamzë Morina, Nezir e Nexhmije Mehmetaj, që me angazhimin e tyre të pashoq ndihmuan në hapjen dhe shtimin e shkollave shqipe në çdo cep të Zvicrës.
Të pranishëm ishin edhe veprimtarët e hershëm Saim Tahiraj, themelues dhe kryetar i shoqatës bamirëse “Sali Çeku” me seli në Zvicër, si dhe aktivistët Sami Dërmaku, Jakup Emini, Bislim Hoxha, Salih Salihu, Shani Zekolli dhe ish-mësuesit e viteve të 90-ta, Albana Krasniqi-Malaj, Teuta Zekolli dhe Arif Ejupi.
Mehmetaj, veçmas shprehi mirënjohje dhe konsideratë të lartë për të gjithë ata që me donacione të rregullta po ndihmojnë në profilizimin dhe ecjen përpara të Shkollës Shqipe të Mësimit Plotësues në Gjenevë.
Dashurinë për Shkollën Shqipe në Gjenevë tash sa vjet duke derdhur mjete në xhirollogari të saj janë duke e treguar vëllezërit Azem e Ajet Hyseni, pronarë të ndërmarrjes “Hyseni Construction SA”
Ata me familjet e tyre ishin prezent edhe në festën e sotme. Si çdoherë modest e fjalë pak mendojnë që bashkëpunimi me zotin Mehmetaj është i mundshëm, ngase ai e vlerëson drejt kontributin e gjithsecilit.
Edhe pse jo profitabil sikur dikur mbarëvajtjen e këtij mësimi e ndihmon me donacione të kohëpaskohshme edhe zoti Milazim Maliqi, pronar i një pike pijesh të verës së Rahovecit në Gjenevë të Zvicrës.
Fjalë mirënjohje u thanë edhe për institucionet e Republikës dhe Kantonit të Gjenevës,të cilat që nga fillimet e para të kësaj shkolle na kanë mbështetur parezervë.
Se vërtetë shqiptarët janë mirënjohës dhe mosharrues ndaj çdo të mire flet edhe gjesti i vëllezërve Artan dhe Astrit Dula nga Polluzha e Rahovecit, pronarë të restorantit “Le Bistro” në Gjenevë, të cilët nga dëshira për ta nderuar ish-mësuesin e tyre të dikurshëm Hamzë Morina, shtruan drekë, për te dhe miqtë e tij, Agim Paçarizi, Abas Fejzullahu, Saim Tahiraj, Arif Ejupi, Bislim Hoxha dhe Flamur Paçarizi.
Nga ky solemnitet që shënoi përfundimin me sukses të këtij viti shkollor doli mesazhi që nga të gjithë ne të ndihmohet dhe të motivohet për punë Z. Liburn Mehmetaj, kryetar i LAPSH-it, në Zvicër dhe Gjenevë.
Në rast dështimi apo mospërkrahje ashiqare do të vërehet se vetë ne me vetëdije apo pa te, ua kemi vënë kazmën themeleve të kësaj vatre të diturisë, që vetëm nëpërmjet saj mund t’i shpëtojmë fëmijët tanë nga asimilimi.
Përpjekjet për t’i fajësuar të tjerët do të jenë të kota dhe qesharake, kur dihet që Zvicra, si vend mikpritës dhe pioniere e respektimit të të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, të gjitha komuniteteve të botës ua ofron mundësinë e ruajtjes së trashëgimisë së tyre etnokulturore dhe historike.